Fjala e mbajtur në takimin ‘Si të shpëtojmë Portin e Durrësit’
Nga Jamarbër Malltezi
Ju faleminderit.
Unë do kthehem te një pyetje: a e do qeveria shqiptare durrsakët aq sa do gaforret dhe karkalecat? Dhe këtë do ta shtjellojmë dhe do t’jua tregoj pak më pas.
Së pari, ajo që mungon është mungesa e analizës së alternativave. Cilat janë alternativat? Pra, alternativa e vetme që ka dhënë qeveria është: të mbyllë portin e Durrësit dhe të krijojë një port të ri në Porto Romano.
E para, a është ky port me madhësinë dhe thellësinë e nevojshme? Qartazi, na u tregua që si madhësi ishte 1/4, si thellësi gjithashtu nuk e plotëson. Atëherë, që në këtë mes, ne duhet të thërrasim ‘Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve’, sepse është çështje e tradhtisë kombëtare menjëherë.
Të kemi parasysh që çdo fizibilitet që bëhet, krahason disa alternativa. Momenti që nuk ka një analizë të hapur të alternativave tregon që është një aferë korruptive me pasoja të tradhtisë kombëtare që duhet luftuar fort.
Të kemi parasysh që në Rrugën e Kombit, në rast se do merrnim atë alternativë, fizibiliteti gjithashtu duhet marrë dinamik dhe jo statik. Në rast se në analizën e alternativave gjatë Rrugës së Kombit ne do merrnim për bazë vetëm ato makina që kalonin aso kohe në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në Morinë, nuk do justifikonte rruga e kombit. Pse? Sepse rruga ishte gjithë kthesa, ishte shumë e keqe, shumica e makinave i binden nga Maqedonia, nuk shkonin fare. Por sapo u bë Rruga e Kombit, menjëherë të gjithë trajlerat e gjithë Shqipërisë jugore shkuan në Kosovë. Në Kosovë, domethënë, pika gjatë fundjavave mund të kalojë mbi një orë. Pra, një volum i jashtëzakonshëm. Ndaj duhet bërë një analizë alternativash fizibël, dinamike dhe jo statike.
Doja të kthehesha te çështja e ndotjeve. Profesori më herët tha që porti i Durrësit është port i cekët dhe ka nevojë për gërmime. Sa herë merren gërmimet, llumrat këto i hidhnin në radën e jashtme. Rada e jashtme është thjesht në det të hapur, ta marrin vesh të gjithë të tjerët.
Normalisht, kur në 2013-ën qeveria shqiptare donte të bënte thellimin e portit të Durrësit dhe kërkoi një hua nga BERZH-i, BERZH-i tha stop. Ju do bëni thellimin këtu? Po këtu në këtë port janë ngarkuar mbetjet e kromit. Mbetjet e kromit, me përkufizim, janë metale të rënda. Si do i hidhni ju këto metale të rënda në det të hapur? Do të cenoni gaforret, karkalecat e të gjithë me radhë.
Tani imagjinojeni: kur BERZH-i vinte kushte për të bërë modelim mjedisor, modelim dinamik se si do shpërndaheshin këto mbetje, ne çfarë po bëjmë? Bash aty ku kemi mbetjet e kromit, po bëhen pallate. Pra, mund të rrezikohen me metalet e rënda njerëzit, banorët, fëmijët, që të gjithë.
Të kemi parasysh që gjatë qeverisjes së PD-së u bë një inkapsulim për mbetjet e lindanit dhe kromit gjashtëvalent, si mbetje të rrezikshme kancerogjene. Tani, kapsuluam në mënyrë që të mos helmohen fëmijët në Porto Romano, ndërsa ne i bëjmë këtu te porti. Pse? S’ke asnjë lloj, asnjë fletë analize si e ke cilësinë e tokës. Ndërkohë që ne e dimë fare mirë se si është.
Tjetër: Shqipëria është palë e një konvente, quhet Konventa e Aarhusit. Kemi pasur drejtorin këtu, Gavroshin, është dhe Meriana që e dinë fare mirë, Genti që e dinë. Konventa e Aarhusit është konventa e OKB-së që ka të bëjë me pjesëmarrjen publike në vendimmarrjen që cenon mjedisin.
Është e detyrueshme sipas Konventës së Aarhusit që para se të bëhet një aktivitet i cili mund të cenojë mjedisin, të ketë dëgjesa publike. Dëgjesa në të cilat të flasin qytetarët dhe t’i kenë të qarta çështjet sociale, ekonomike, mjedisore. Dhe në fund fare të shohim kush do jetë impakti nga këto dhe si do zvogëlohet ky impakt.
Për fat të keq, kjo konventë është injoruar totalisht. Gjatë kohës së qeverisjes së PD-së, ne kishim dëgjesa publike qoftë edhe për një magazinë kur bëhej. Një qendër transferimi mbetjesh kur bëhej, bëheshin dëgjesa publike. Për hidrocentralin e Devollit janë bërë të paktën gjashtë-shtatë dëgjesa publike në çdo komunë dhe në Gramsh. Për TAP-in janë bërë dëgjesa publike në çdo fshat, në çdo komunë. Dhe jo një herë, por dhjetëra herë.
Çfarë ndodhi me këta qytetarë? Qytetarët tani janë të papërfillshëm për qeverinë, aq sa gaforret dhe karkalecat? Po të kemi parasysh te Rruga e Kombit, dëgjesat kanë shkuar në çdo cep, në çdo baçe që do të cenonte rruga, për të parë çfarë cenon, cila do jetë kompensimi.
Së fundi, dua të them çfarë mund të bëjmë ne. Fakti është: përderisa sipërfaqja dhe thellësia janë minimale, pra nuk janë as sa porti ekzistues i Durrësit, qartazi kjo është një ndërmarrje e pistë. Është një ndërmarrje që nuk do as mend as kalem, dhe në mungesë të alternativave kjo duhet luftuar.
Si mund të luftohet? Ka tre rrugë, përveç se natyrisht në Këshillin Bashkiak të Durrësit, që duhet dëgjuar, por aty kanë shumicën dhe e mbyllin me fuqinë e kartonave.
Për mendimin tim, PD-ja duhet të dalë me një set aksioni. Aksion në tre nivele:
E para, fushata ‘Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve’.
Dhe Partia Demokratike të çojë në Gjykatë Kushtetuese një padi ndaj kësaj marrëveshjeje, si marrëveshje që bie në kundërshtim qoftë me Konventën e Aarhusit, ku Shqipëria është palë, qoftë me MSA-në, ku Shqipëria gjithashtu është palë. Sepse Edi Rama ka lidhur kontratë pa konkurrencë të hapur. Mungesa e konkurrencës cenon MSA-në.
PD-ja duhet ta çojë në Gjykatë Kushtetuese këtë si marrëveshje korruptive dhe që cenon interesin kombëtar, cenon dy konventa, Konventën e Aarhusit dhe MSA-në, që për përkufizim, duke qenë marrëveshje ndërkombëtare, prevalojnë ndaj ligjeve vendore. Pra, së pari, Gjykata Kushtetuese.
Së dyti, kontaktet në të gjitha nivelet në Komisionin Europian. Është cenuar MSA-ja. Shqipëria po bën propagandë që do hyjë në BE e të gjitha me radhë, por nuk respekton MSA-në, sepse portin e ka bërë portin e ‘troplinëve’, sepse vjedhjet dhe korrupsioni cenojnë sigurinë kombëtare dhe fizibilitetin e çdo projekti.
Dhe së treti, unë do sugjeroja që PD-ja e Durrësit të fillonte të mbledhë firmat për të bërë referendum lokal. Ne kemi eksperiencë, ku para 10 vitesh, si deputetë të ambientit dhe mjedisit, kemi mbledhur firmat dhe i kemi çuar në KQZ për referendum lokal. Nuk kërkohen shumë firma, mos gaboj vetëm 10 firma. Kërkohet një pyetje e thjeshtë:
Do t’u kërkojmë qytetarëve të Durrësit: a e doni shkatërrimin e portit ekzistues në mënyrë që qeveria të krijojë në Porto Romano një port që askush s’e di se çfarë është dhe që do jetë sa 1/4 e kapacitetit aktual?
Kaq e thjeshtë është pyetja.
Këto tre gjëra unë mendoj që duhet t’i bëjmë.
Ju faleminderit!


