Luçiano Boçi: PD është pro-amerikane, Sali Berisha është pro-amerikan, ne të gjithë jemi pro-amerikanë

Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, duke folur në tubimin qytetar tek ‘rrugica e Shpresës’ është shprehur se Partia Demokratike ëstë pro-amerikane, se Sali Berisha është pro-amerikan dhe të gjithë demokratët, janë pro-amerikanë.

Fjala e Luçiano Boçit:

Edhe sot, ju nuk mungoni, mirënjohje të pafund për qëndresën tuaj, për sakrificën tuaj.

Dikujt, kjo rrugë mund t’i duket e ngushtë, e vogël, por ajo mbart një shpresë dhe përcjell një shpresë më të madhe se çdo shesh, më të zëshme se çdo miting, më të fortë se çdo përplasje.

Dikujt tjetër kjo rrugë mund t’i duket e zakonshme si shumë rrugë të Tiranës, por jo miq të dashur, kjo rrugë është e jashtëzakonshme se mbledh çdo natë burra dhe gra të jashtëzakonshëm me kauzë të jashtëzakonshme.

Dhe ardhja juaj është shembulli i kësaj qëndrese të paepur.

Në qoftë se të gjithëve do ju bëja një pyetje të thjeshtë, pse vijmë ne këtu, ju do përgjigjeni: ne vijmë për Sali Berishën, për atë që ai përfaqëson, për atë që ai simbolizon.

Sepse këtu ka burra dhe gra që e krijuan dhe e themeluan PD-në dhe sot unë i takoj ata të zemëruar se banda në pushtet kërkon të shkatërrojë krijesën e tyre, kërkonë të izolojë kryetarin e partisë së tyre.

Dhe të tjerë janë ata qëndresëtarët e vitit 1997, që e shpëtuan PD-në nga revanshi komunist. I takoj sot të revoltuar përsëri në mbrojtje nga revanshi i ri komunist.

Të tjerët janë aktivistët tanë, qytetarë, të rinj, burra dhe gra, që sot i takoj të vendosur të vazhdojnë luftën e tyre për besimin dhe shpresën.

Dhe jo më kot e bëra këtë parashtrim historik, sepse jeta e çdo njeriu është historia e tij.

Jeta jonë është historia e familjes sonë.

Jeta jonë është historia e PD-së. Dhe kjo historia jonë as nuk mund të anulohet dhe as nuk mund të fshihet. Aq më tepër kur ajo është historia jonë që është e bukur, e madhe dhe krenare.

Dhe në këtë histori spikat një emër, emri i Sali Berishës.

Jeta e Sali Berishës është historia e tij. Jeta e Sali Berishës është historia e familjes së tij. Por mos harroni se jeta e Sali Berishës është historia jonë, historia e PD. Jeta e Sali Berishës është historia e demokracisë. Jeta e Sali Berishës ështëë historia e këtij vendi.

Prandaj ai burrë atje lart duhet të nderohet dhe të respektohet dhe jo të arrestohet.

Por ata që ndërmorën këtë akt, sot bëjnë rolin e të fortit, por kanë frikë nga e vërteta e Sali Berishës, kanë frikë nga opozita e bashkuar, kanë frikë nga protesta juaj!

Lufta jonë është një luftë që është me të drejtën e Zotit dhe të njeriut. Është një luftë e njerëzve të thjeshtë për parimet më të larta të demokracisë. Është një luftë për lirinë, është një luftë për të drejtën.

Mos të kemi iluzione, lufta jonë është si në vitet ’90 me po atë regjim të korruptuar majtist.

E kam thënë dhe e përsëris, përballja jonë nuk është përplasje me aleatët tanë, me SHBA-në, me Perëndimin.

Jo, lufta jonë është me të keqen që ka pushtuar Shqipërinë.

Kush është më shumë pro-amerikan, Sali Berisha me PD-në që shembi diktaturën apo Edi Rama me Partinë e Punës që kërkon diktaturën?

Kush është pro-amerikan, Sali Berisha që në qeverisjen e tij thirri emigrantët për të jetuar në Shqipëri, apo Edi Rama që p gjenocid duke i larguar nga vendi 1 milion prej tyre?

Kush është më pro-amerikan, Sali Berisha që bashkë me Xhorxh Bush shpalli pavarësinë e Kosovës apo Edi Rama që e futi Shqipërinë në sqetullën e Serbisë?

E vërteta që PD është pro-amerikane, Sali Berisha është pro-amerikan, ne të gjithë jemi pro-amerikanë.

Lufta jonë nuk është as me patericën e Edi Ramën, lufta jonë është me patericëmbajtësin, me Edi Ramën. Patericat ne i përçmojmë, i shpërfillim, nuk janë pjesë e jona. Nuk bëjmë luftëra të vogla ne, bëjmë luftëra të mëdha.

Lufta jonë është për standarde, për parime. Lufta jonë është për liri dhe drejtësi!

O sot o kurrë të vazhdojmë të luftojmë me pasionin e idealin dhe forcës së njeriut që nuk njeh moshë, me pasionin e Sali Berishës.

Dhe atëherë ne do të fitojmë.

Prandaj, faleminderit miq, rrofshi ju, rroftë PD, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale