DEKLARATË PËR MEDIA, SEKRETARI PËR ÇËSHTJET LIGJORE DHE ZGJEDHORE NË PD, MARASH LOGU
Vendimi i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) për të lënë në fuqi mandatin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, përbën një goditje të rëndë të shtetit të së drejtës dhe një cenim të drejtpërdrejtë të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve e votës së lirë.
Partia Demokratike e konsideron këtë vendim si një përpjekje të hapur për të asgjësuar frymën dhe germën e Ligjit për Dekriminalizimin (Ligji nr. 138/2015). Ky ligj u miratua si një garanci jetike për të pastruar administratën dhe pushtetin vendor nga personat me të shkuar penale dhe për të mbrojtur integritetin e zyrave publike.
Pasi Gjykata e Posaçme (SPAK) e deklaroi fajtor dhe e dënoi zyrtarin e Partisë Socialiste për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, mbajtja e tij në detyrë përmes akrobacioneve juridike është e pambrojtshme. Ky vendim krijon një precedent të rrezikshëm, ku fshehja e të dhënave penale dhe mashtrimi i institucioneve shtetërore e zgjedhore jo vetëm që nuk ndëshkohen me largim nga detyra, por tolerohen publikisht.
Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk mund të interpretohen me dy standarde për të mbrojtur interesat politike të pushtetit. Qytetarët e Kuçovës dhe të gjithë Shqipërisë meritojnë të përfaqësohen nga zyrtarë që respektojnë ligjin, jo nga individë që e shkelin atë dhe që qëndrojnë në zyra falë vendimeve të njëanshme.
Partia Demokratike deklaron se kjo betejë për ligjshmërinë dhe dinjitetin e votës do të vazhdojë në të gjitha shkallët e mbetura të gjyqësorit. Ne mbetemi të palëkundur për të mbrojtur standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga çdo element që deformon vullnetin e sovranit.


