Lili Sula: Analizë e sistemit arsimor në Shqipëri për vitin 2023/ Qeveria ka braktisur arsimin dhe studentët

FJALA E DREJTUESES SË DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA

Arsimi është skajshmërish i politizuar. Sot qeveria i kontrollon mësuesit politikisht me shumë se në vitet e fundit para përmbysjes së diktaturës. Madje deri tek rrjetet sociale, facebook, instagram etj. Liria e mësuesve thuajse nuk ekziston më, liria akademike e pedagogëve është në letër, por ajo është shumë pak e materializuar.
Financimi i arsimit publik 2,3 % e PBB – shumë larg premtimit të qeverisë për 5% të PBB e thuajse 2 herë më pak se mesatarja e vendeve europiane; mosmbështjetje financiare që tregon degradimin e shpejtë të arsimit në të gjithë niveleve.
Universitetet shqiptare nuk përbëjnë prioritet për qeverinë, madje as nuk kanë qenë ndonjëherë gjatë këtyre 11 viteve; bota universitare nuk trajtohet si e mirë publike dhe qendër graviteti për të rinjtë që të mos e braktisin vendin, prandaj universitetet renditen në fund të tabelës së cilësisë nga entet e vlerësimit ndërkombëtar.
Shqipëria ka një buxhet shtetëror tejet të kufizuar për shkencën dhe kërkimin në krahasim me vendet e tjera europiane, ballkanike dhe mesdhetare, me laboratorë 30-40 vjeçare çka e bën të vështirë që kërkuesit të kryejnë kërkime cilësore. Universitetet tona rrezikojnë të braktisen edhe më shumë nga studentët më të mirë dhe nga kërkuesit e rinj, të cilët kanë aspirata për të marrë një formim solid në nivele ndërkombëtare që nuk e gjejnë në universitetet tona pa kërkim shkencor.
Dështimi i Paktit me Universitetet shpreh qartësisht si i ka braktis qeveria studentët.
Gjatë 10 viteve të fundit, Universitetit i mungojnë jo pak, por 54 000 studentë dhe po vazhdoi kjo situatë do boshatisen edhe auditorët e universiteteve më me traditë të vendit. Nga viti në vit po bie numri i studentëve që regjistrohen në degë të mësuesisë gjë që së shpejti sdo të kemi mësues jo vetëm për lëndët e shkencave ekzakte por edhe për ato humane si: histori, gjeografi gjuhë-letërsi etj. Ndërkaq, arsimi bazë dhe ai i mesëm po braktiset me shifra të frikshme prej shpopullimit për motive mbijetese.  Në Maturën, 2023, numri i maturantëve që shprehën vullnetin për të studiuar jashtë vendit (në Formularin A2), ishte 11.000, nga 25.774 maturantë gjithsej, shifër që tregon se afro 43% e maturantëve refuzojnë arsimin e lartë të vendit tonë. Jemi 1 ndër 10 vendet në botë me emigrim më të lartë të trurit dhe intelektualëve -ngjashëm me vendet e Afrikës. Drejtimi i arsimit parauniversitar është në dorë të militantëve dhe funksionarëve të strukturave të partisë socialiste- përzgjedhja e tyre nuk bazohet në meritokraci. Mësuesit tanë kanë pagën më të ulët në rajon e të pakrahasueshme me vendet e BE. Sistemi i trajnimit dhe kualifikimit të mësuesve nuk mbështet nevojat e tyre reale. Kompanitë e trajnimit akreditohen nga MAS vetëm mbi baza korruptive. 40% e të diplomuarve në mësuesi nuk e kalojnë Provimin e shtetit për ushtrimin e profesionit të mësuesisë.  MËSUESINË e zgjodhën 15 % e maturantëve më të dobët. Rreth 28 % e gjithë studentëve ndjekin mjekësi, infermieri, mami ose dege 2-vjeçare që kanë të sigurt tregun e punës jashtë shteti. 40-60 % e maturantëve për universitetet rajonale kanë shkuar për mjekësi infermieri, mami ose dege 2 vjeçare që të emigrojnë  100 degë studimi në prag mbylljeje në universitete rajonale prej të cilave 80 degë konsiderohen si prioritare.  Arsimi Profesional ka mbetur me një këmbë në MAS dhe një në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duke dalë tërësisht jashtë vëmendjes.  Arsimi Profesional nuk ka raporte me biznesin dhe tregun e punës -kusht i domosdoshëm për funksionim e tij. Sot ka godina të bukura por ska laboratorë dhe nxënës për të mësuar zanatet.
Përhapja masive e drogës që në shkollat 9-vjeçare, ulja e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies, degradimi i testimeve kombëtare, rënia drastike e cilësisë së Maturës shtetërore, degradimi me infrastrukturë mësimore dhe teknologjike, katrahura e kurrikulave të arsimit parauniversitar, degradimi i statusit të mësuesve e pedagogëve, vendosja e kontrollit të rreptë politik mbi mësuesit etj., janë të tjera motive themelore të degradimit të sistemit edukativ.
Degradimin e cilësisë e venë re prindërit që po tmerrohen çdo ditë me ndodhitë në shkolla, të cilët, edhe pse s`kanë mundësi ekonomike, po largojnë fëmijët në shkolla private vetëm për çështje sigurie.
Realisht nuk po bëhen reforma reale, por vetëm propagandë. Strategjia e arsimit 2022-2027 është në letër por ajo as nuk ka filluar të implementohet. Reformat janë urgjente dhe ato duhet të jenë konsensuale. Sistemi i Arsimit të lartë ka nevojë për reformë të thellë modernizuese, që garanton autonomi, dije të rrjedhur nga kërkimi, performancë të studentëve dhe pedagogëve, zhvillim të burimeve njerëzore, llogaridhënie, transparencë, dhe, në tërësi: Shkollim cilësor të studentëve, Kërkim shkencor dhe Inovacion te nivelit internacional. Ligji i AL nuk i përgjigjet më sfidave të një reforme të thellë. Ai nuk mund ta mbështesë më reformimin e Arsimit të lartë për dekadën e katërt të këtij shekulli.
Vlerësimi i cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit është formal dhe burokratik por i pabesueshëm për nxënësit, studentet, prindërit dhe punëdhënësit. Mbi 60% e programeve të studimit në IAL publike janë të paakredituara, çka do të thotë sipas ligjit, nuk plotësojnë kërkesat ligjore për cilësinë. Pra Akreditimi ne Arsimin e lartë ka dështuar.
Aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë sipas testimit të PISA-s kanë rënë 47 pikë, 69 pikë dhe 50 pikë, krahasuar me testimin e 2018, duke i renditur nxënësit tanë pas Palestinës dhe Uzbekistanit. Aftësitë e nxënësve në lexim kanë shkuar mbrapa në vitet 2000, duke thelluar analfabetizmin funksional në vend, diferencën e aftësive të nxënësve ndërmjet zonave urbane dhe rurale, problemet e diskriminimit dhe bulizmit në komunitetin e nxënësve, që në raportin e PISA-s përkufizohet si: “the strongest decreases among PISA-participating countries”.
OECD ka shpallur kornizën për testin PISA 2025 i cili do të përfshijë një fushë inovative, të mësuarit në botën digjitale duke synuar matjen e aftësive të nxënësve përmes përdorimit të mjeteve digjitale. Lajm të keq na japin ekspertët e huaj të arsimit për PISA-2025, të cilët shprehen se “Shqipëria rrezikon përkeqësimin e rezultateve të nxënësve për shkak të dobësisë së kërkimit shkencor dhe mungesës së plotë të mësimit digjital në arsimin parauniversitar.”

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale