Ligji i ri për ‘Zonat e Mbrojtura’/ Deputetja Ina Zhupa: Kundër devijimit të Shushicës, ligji i ri masakron parqet kombëtare

DEKLARATË PËR MEDIA DEPUTETJA E PD, INA ZHUPA

Prej disa ditësh banorët e 30 fshatrave ku kalon lumi Shushicë dhe aktivistë dhe ekspertë mjedisor po protestojnë për mosdevijimin dhe mos cënimin e lumit. Lumi Shushicë është një prej degëve kryesore të lumit Vjosë, ky i fundit i shpallur Park Kombëtar në mars të vitit 2023. Një vit pas vendimit nga qeveria, Shushica përballet me mundësinë e heqjes nga statusi i mbrojtur.

Tashmë me ndryshimet në ligjin “për Zonat e Mbrojtura”, ku nuk kanë më praktikisht asnjë mbrojtje bëhet edhe më e realizueshme, shkatërrimi i çdo parku kombëtar. Bëhet fjalë për një projekt ku devijohet 140 litra ujë në sekondë nga lumi dhe rrjedha normale e tij dhe përdoret për ujësjellësin e Himarës, gjë që rrezikon ta thajë plotësisht pjesën e sipërme të tij gjatë verës që përdoret nga banorët për vaditje tokash, për bagëtitë etj.

Ky devijim bëhet për të furnizuar me ujë investimet strategjike dhe resorte në Himarë ndërkohë që prek jetën e banorëve të 30 fshatrave por dhe paprekshmërinë që duhet kishte Vjosa me degët e saj si Park Kombëtar.

Banorët, aktivistët, ekspertët mjedisor po protestojnë prej ditësh kundër projektit të ujësjellësit të Himarës, i cili rrezikon dëmtimin e ekosistemit.

Partia Demokratike mbështet protestën e drejtë të banorëve dhe të aktivistëve të mjedisit. Ky projekt, i pari që nis projektet e bëra gati sa të kalonte ligji që shkatërron zonat e mbrojtura , sjell një dëm të dyfishtë. Dëmton banorët dhe jetesën e tyre të përditshme të lidhur me lumin Shushica dhe dëmton degën e parkut Kombëtar Vjosa duke shkatërruar mbrojtjen e tij dhe ekosistemin dhe duke hapur precedent për shkatërrime të mëtejshme të këtij lumi.

Me këtë secili shqiptar mund të kuptoj se sa e kotë ishte propaganda me shpalljen Park Kombëtar të Vjosës, kur një vit më vonë do hiqnin mbrojtjen të gjithë Parqeve Kombëtare. Ky akt i parë në shërbim të resorteve dhe jo të banorëve dhe mbrojtjes së Parkut Kombëtar Vjosës, tregon qartësisht cili do jetë fati i gjithë zonave të mbrojtura nëse nuk i ndalim në këtë masakër mjedisore.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale