FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME KËSHILLIN KOMBËTAR
EKSTRAKT
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, të zhvilluar pasditen e sotme, kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha vendosi në qendër të diskutimit procesin e ripërtëritjes dhe modernizimit të strukturave të PD-së, me fokus të veçantë te krijimi i një platforme të centralizuar digjitale për komunikimin dhe funksionimin e brendshëm të partisë.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se modernizimi i PD-së nuk lidhet vetëm me përdorimin e teknologjisë, por me nevojën për një organizim më efikas, komunikim më të qartë dhe një përfshirje më të madhe të anëtarësisë në aktivitetin politik.
Sipas tij, qëllimi është që vendimet e strukturave drejtuese të përcillen në mënyrë të unifikuar në të gjitha nivelet e partisë, të kthehen në veprime konkrete dhe të shoqërohen me mekanizma për matjen e rezultateve.
Duke iu referuar një dokumenti të përgatitur nga Instituti Republikan, të cilin tha se kishte vendosur ta bënte publik gjatë mbledhjes, Berisha u ndal te disa prej sfidave që lidhen me funksionimin e brendshëm të partisë.
Sipas analizës së paraqitur prej tij, PD ka një strukturë të konsoliduar formale, por nevojitet një mekanizëm më funksional për koordinimin e saj.
Berisha evidentoi gjithashtu nevojën për përmirësimin e komunikimit të brendshëm, duke vënë në dukje se një pjesë e informacionit përcillet përmes kanaleve joformale, veçanërisht grupeve në ËhatsApp dhe rrjeteve të komunikimit personal. Sipas tij, kjo mund të sjellë interpretime të ndryshme të të njëjtit mesazh dhe e bën të domosdoshëm krijimin e një burimi të qartë dhe zyrtar informacioni për anëtarësinë.
“Nuk ka asnjë burim të vetëm autoritar nga i cili anëtarët mund të marrin qartësi mbi qëndrimin e partisë për një çështje të caktuar”, tha Berisha.
Në këtë kuadër, ai njoftoi se PD po punon për ngritjen e një platforme të brendshme digjitale, të aksesueshme nga kompjuteri dhe telefoni celular, e cila do të shërbejë për komunikimin, koordinimin dhe ndjekjen e aktivitetit të strukturave.
Platforma, sipas liderit demokrat, synon të centralizojë komunikimin, të standardizojë proceset dhe të krijojë mundësi për ndjekjen dhe matjen e aktiviteteve të partisë.
Ai e përshkroi këtë sistem si një lloj “sistemi operativ” të PD-së, duke sqaruar se synimi nuk është zëvendësimi i strukturave ekzistuese, por funksionalizimi dhe koordinimi më i mirë i tyre.
Një tjetër element i rëndësishëm i fjalës së Berishës ishte forcimi i rolit të anëtarësisë.
Kryetari i PD-së tha se partia ka një potencial të konsiderueshëm njerëzor, por sfida është aktivizimi më i madh i anëtarëve dhe zgjerimi i radhëve me prurje të reja.
Sipas kryedemokratit, “në epiqendër të ripërtëritjes së Partisë Demokratike do të jetë anëtari”, ndërsa platforma e re duhet t’i mundësojë anëtarësisë akses më të drejtpërdrejtë te dokumentet, qëndrimet, mesazhet dhe udhëzimet zyrtare të partisë.
Berisha nënvizoi gjithashtu se modernizimi i PD-së duhet të përshtatet me mënyrat e reja të komunikimit, veçanërisht me platformat sociale dhe teknologjitë e reja, duke përmendur edhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
Në pjesën politike të fjalës, Berisha u ndal edhe te protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit, duke i cilësuar ato si një zhvillim të rëndësishëm të skenës politike.
Ai deklaroi se PD do të vijojë të mbështesë protestën, duke respektuar karakterin e saj qytetar dhe jopartiak. Sipas tij, demokratët kanë marrë pjesë në protesta pa simbole partiake dhe pa synuar të marrin protagonizëm.
Berisha bëri të ditur se grupi parlamentar i PD-së do të kërkojë që pesë kërkesat e protestës të jenë pjesë e debatit parlamentar me nisjen e sesionit të ri. Ai tha gjithashtu se opozita do të vijojë të mbështesë protestuesit përmes parlamentit, mediave dhe rrjeteve sociale dhe do të kundërshtojë çdo formë dhune ndaj tyre.
Një pjesë e fjalës së kryetarit të PD-së iu kushtua zhvillimeve politike gjatë verës dhe kritikave ndaj qeverisë. Berisha solli në vëmendje situatën e zjarreve, çështjet e drejtësisë, ekonominë, krimin dhe korrupsionin, duke argumentuar se këto zhvillime kanë ndikuar në perceptimin publik ndaj qeverisë. Ai u ndal edhe te sondazhet, duke pretenduar se Edi Rama ka pësuar rënie në mbështetjen publike dhe e cilësoi këtë si një tregues të dobësimit politik të kryeministrit.
Sipas Berishës, protestat e muajve të fundit kanë ndikuar në këtë situatë dhe kanë krijuar një klimë të re politike për opozitën.
Në përfundim të fjalës, Berisha u ndal te reforma territoriale. Ai njoftoi se grupi i punës i drejtuar nga deputeti Luçiano Boçi ka përgatitur një hartë paraprake me 100 bashki, duke lënë të hapur mundësinë e ndryshimeve pas konsultimeve me komunitetet. Sipas Berishës, PD do të angazhojë strukturat e saj lokale në një proces konsultimi me qytetarët dhe në mbledhjen e firmave në zonat ku kundërshtohen ndryshimet e propozuara territoriale. Ai kërkoi që çdo ndryshim në organizimin territorial të shoqërohet me konsultim me komunitetet dhe e lidhi këtë proces me parimet europiane të qeverisjes vendore.

FJALA E PLOTË
Të dashur anëtare dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD.
Anëtare dhe anëtare të PD, mbështetës, qytetarë që ndiqni këtë mbledhje të Këshillit tonë Kombëtar.
Vera që po lëmë pas do hyjë në histori si vera që dogji Edi Ramën.
Jemi në fund të muajit gusht.
Po mbyllim verën më të nxehtë të viteve të fundit, një verë aq përvëluese që muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite ka shkrirë dhe po shkrin narko-shtetin, kreun e saj padrinon Edi Rama.
Zjarret dogjën Shqipërinë këtë verë si rrallë ndonjë vit më parë. Vatra të shumta zjarresh në Fushë Krujë, Krujë, Dajt, Dibër, Bulqizë, Pukë, Finiq, Mallakastër, Gramsh, etj.
Ato, pothuajse, nuk u menaxhuan fare.
Fondet e emergjencës për zjarret kishin shkuar për koncerte për të shuar protestën.
Por këtë verë, zjarret si asnjëherë më parë, dogjën edhe më shumë se kaq. Zjarret dogjën teserat e partisë së krimit.
Siç keni parë në video, nga vetë socialistët që dogjën kartat e tyre në Poliçan, në Divjakë, në Dimal, pa llogaritur edhe mijëra e mijëra të tjera që u dogjën përfundimisht në bulevardin e Tiranës.
Kjo verë shkriu me nxehtësinë e saj propagandën e AKSHI-t.
Shkriu Diellën, Lindat e AKSHI-t.
U kujtoj se Ermal Beqirin e AKSHI-t, pasi vodhi 200 milionë euro, një ditë u arrestua në Francë dhe pak javë më vonë këtij kështjellari, Edi Rama me ministrinë e Financave i dhanë edhe disa milionë euro të tjera për të ndarë së bashku me të.
Miliona euro që shkojnë nga paratë e shqiptarëve në llogaritë e Beqirit, i cili gjendet në qelitë e Francës.
Dje u arrestua nga policia mafiozi më i rrezikshëm i Shqipërisë dhe Evropës Juglindore pas padrinos, krahu i djathtë i këtij të fundit, Ergys Agasi.
Kjo verë shkriu plotësisht propagandën e drejtësisë së re.
Edi Rama shpërfaqi hapur kontrollin e tij të plotë mbi Spakun e partisë dhe e nisi atë me pushime në Aruba së bashku me Agaçin dhe Olsin e tij.
Këtë verë, gju më gju me Sadushin e partisë, Edi Rama ndiqte koncertet folk të Petras në Vajzën e Ali Asllanit.
Këtë verë nga drejtësia e re pa bërë zhurmë u lirua nga qelia një nga hajdutët më të pangopur të këtij vendi, Ilir Beqja, që njësoj si Saimir Tahiri, si Jurgen Çyrbja, si Vangjush Dako, Alqi Bllako dhe shumë e shumë të tjerë u futën në burg për dy-tre vite dhe u liruan dhe asnjë qindarkë nga dhjetëra e qindra milionë euro që kanë vjedhur me Edi Ramën nuk iu kthye mbrapsht shqiptarëve.
Kjo verë shkriu plotësisht propagandën e turizmit, sepse turisti 20-vjeçar u masakrua në hotelin e baronëve të krimit që mbrohen nga narkopolicia dhe Edi Rama.
Kujtojmë këtu këtë verë kryebotimin e saj, Albanian Files apo Librin e Kuq. Nuk bëhet fjalë për Librin e Kuq të Sulejmanit të Madhërishëm as të Karl Jungut, por për ‘Librin e Kuq’ të Sulltanit të Surrelit, i cili me 523 projekte dëshmon se e trajton Shqipërinë si çifligun e tij personal.
Këto janë 523 arsye për ta çuar Ramën në qeli dhe vetëm në qeli.
Dhe më e fundit, 500 milionë euro gjobë rrezikojnë shqiptarët të paguajnë për aeroportin e Vlorës pas ndërhyrjes së njëanshme që bën Rama dhe Lubi Balluku, të cilët mbrohen me 83 mandatet e krimit.
Kjo ishte vera që Edi Rama u ofroi shqiptarëve këtë vit. Zjarre, vrasje turistësh, qindra milionë euro të vjedhura.
Mirëpo, përveç këtyre, ishte edhe diçka tjetër këtë verë që Edi Ramën e rrënoi çdo ditë dhe e katandisi atë në pothuaj një hiç.
Dhe kjo ishte protesta madhështore qytetare e pandalur në tre muaj, ndonëse në temperaturat më të nxehta dhe terrorin e përgjithshëm politik. Në temperatura ku vera mund të skuqej në nxehtësinë e asfaltit, presione, kërcënime të egra dhe provokime të pandalura nga patronazhistët terroristë politikë, narkopolicia dhe kartelet qeveritare të drogës ndaj protestuesve paqësore.
Ndonëse në një lumë fyerjesh shtazore mediatike të nxjerra nga Ymer Çorapet dhe Frrok Çupërat, qytetarë të lirë, heronj të vërtetë, ditë për ditë kanë protestuar pa ndalim në një manifestim të admirueshëm të ADN-së shqiptare, të dinjitetit, të guximit, të qëndresës.
Për nga gjatësia, protesta e dytë më jetëgjatë pas asaj te Rruga e Shpresës, duke shënuar për nga madhësia absolutisht protestën më masive që Shqipëria ka parë ndonjëherë që nga vitet ’90 gjer sot.
Kjo protestë meriton vlerësimet më të mëdha jo vetëm për guximin heroik që shpalos, jo vetëm për persistencën dhe masivitetin e saj, por kjo protestë i ka kryer kombit një shërbim jashtëzakonisht të çmuar.
Falë kësaj proteste, sot Edi Rama është njeriu më i urryer i Shqipërisë, i Ballkanit dhe ndoshta i mbarë Evropës.
Edi Rama është sot njeriu më i përbuzur tek shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Edi Rama është sot kryeministri më i damkosur, më i diskredituar ndërkombëtarisht.
Protesta e ka çuar Edi Ramën në overdozë dëshpërimi që dallohet në çdo dalje publike, në çdo fjali që nxjerr.
E nisi me përqeshje ndaj influencereve dhe blogereve, u bë palaço, kaloi në sulme dhe kërcënime ndaj protestuesve. Asnjeri nuk trembi dot. Vazhdoi dhe u vesh si flamingo.
I mbiu në bark Lubia, asnjë njeri nuk gënjeu dot.
Pastaj i falimentuar, i skaduar dhe në shthurje të plotë psikologjike dhe morale, pasi kishte përdorur ndaj tyre të gjithë fjalorin e koprolalisë, u ofroi besën në mëngjes.
Dhe si i pabesë që është mbasdite i quante sorra dhe korba dhe tani së fundmi u nxori edhe pasqyrën.
Të gjitha këto janë dëshmi të një dëshpërimi të pasosur ku protesta e ka zhytur Edi Ramën.
Por ky dëshpërim i Edi Ramës ka një arsye shumë të fortë.
Protesta e ka plagosur atë për vdekje në pikën e tij më të dobët, sondazhin.
Sondazhet e kanë nxjerrë tani Edi Ramën me 29 pikë në rënie pikiatë.
Kjo do të thotë me statistikë që Edi Rama ka marrë fund.
Edi Rama po zhytet në një spirale pa kthim mbrapa dhe nuk ka Diellë, nuk ka besë besëpreri, nuk ka satelit, nuk ka pasqyrë që të shpëtojë sepse për herë të parë Edi Rama del me pikë më poshtë se partia e tij e krimit.
Kjo do të thotë se për PS, ai është kthyer në një barrë të keqe sa vetë Lubia.
Absolutisht pas një vere si kjo, çdo njeri në botë në vendin e Edi Ramës do të kishte dhënë dorëheqjen dhe vetëm dorëheqjen.
Dorëheqja për Edi Ramën do ishte skenari më pak i dëmshëm për të në këto kushte. Mirëpo, në 13 vite pushtet absolut, Edi Rama jo lider që nuk çohet nëpërmend, por as burrënuk u bë dot kurrë sepse vodhi dhe vetëm vodhi. Vodhi natën, vodhi ditën, vodhi zgjuar, vodhi në gjumë qytetarët e këtij vendi.
Ndaj dhe ai ndonëse ka popullin në shesh prej tre muajsh nuk jep dhe nuk guxon të mendojë dorëheqjen e tij.
Sepse, siç u pa me rastin e Lubisë, Edi Ramës i duhet pushteti për të mbrojtur vjedhjet e qindra miliarda eurove që u ka bërë shqiptarëve.
Ndaj është detyra jonë si opozitë e vërtetë e Shqipërisë që të bëjmë gjithçka që të çojmë Edi Ramën në dorëheqje.
Detyra e parë, ashtu siç kemi bërë që në ditët e para, të mbështesim pa kushte protestën heroike dhe të jashtëzakonshme rinore qytetare.
Si partia më e madhe opozitare, ne jemi angazhuar në mbështetje të plotë në forma të ndryshme të kësaj proteste.
Së pari, me numra. Me qindra dhe mijëra anëtarë, mbështetës tanë nga Tirana, por edhe nga rrethet, deputetë, drejtues qendrorë dhe lokalë të PD, kanë marrë dhe do marrin pjesë në protestë dhe normalisht pa simbole, pa protagonizëm partiak, por si qytetarë, duke u përshtatur dhe duke respektuar plotësisht tiparin rinor qytetar të kësaj proteste në të vërtetë jopartiake.
Sot pas 90 ditësh dështuan të gjithë ato përpjekje të armiqve tanë që donin njëlloj si miza në prapanicën e kalit të dukeshin se ishin ata që tërhiqnin karrocën, bënë gjithçka si vegla të Edi Ramës me sloganet e tyre kundër PD në mënyrë që demokratët të mos ishin në protestë.
Por gabuan, gabuan keq. PD dhe protesta janë të lidhura njëlloj si syri me dritën.
Vetëm katër vitet e fundit, demokratët, anëtarët, mbështetësit tanë kanë zhvilluar kundër diktaturës autoritare të Edi Ramës, narkoshtetit të tij, vjedhjes së miliardave euro nga ai dhe ministrat e tij, kundër arrestimeve dhe burgosjeve politike, farsës zgjedhore, krimeve të rënda mjedisore, jo 100 apo 200, por fiks mbi 420 protesta.
Ajo si asnjë forcë tjetër politike është përballur me dhunë, terror, atentate, arrestime, burgosje, trajtime shtazore të anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve të saj nga Edi Rama dhe narkoshteti i tij.
Ajo është përballur me censurën, demonizimin, shpifjet, trillimet dhe tiraninë verbale të medieve të qeverisë.
Ajo është përballur dhëmb për dhëmb me organizatat kriminale dhe kartelet shqiptare më të fuqishme në Evropë.
PD ka denoncuar regjimin në qindra e qindra dosje penale.
Ajo ia doli të faktojë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar farsën elektorale, përdorimin politik të drejtësisë, lidhjet e qeverisë me krimin dhe drogën në 8 rezoluta ndërkombëtare. Ajo kërkoi dhe realizoi ardhjen e dy misioneve faktmbledhëse ndërkombëtare, njëri nga PPE me rreth 30 përfaqësues të partive simotra të vendeve anëtare të BE dhe vendeve të tjera dhe tjetri nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian, i përbërë nga deputetë të të gjitha grupeve parlamentare të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni.
Këto dy misione faktmbledhëse që të dyja publikuan raporte dhe rezoluta shumë të rëndësishme, pasqyra të vërteta të realitetit shqiptar.
Po kështu, sot pas 90 ditësh, dështuan plotësisht të gjithë ata që akuzuan PD-në njëherë si përçarëse, herën tjetër si përvetësueses, herën tjetër si manipuluese të protestës.
Në të vërtetë PD u faktoi të gjithë shqiptarëve se iu përmbajt plotësisht qëndrimeve të shpallur prej saj ndaj protestës.
Demokratët kanë qenë dhe do jenë çdo ditë në protestë sepse kërkesat e drejta të protestës kanë qenë kërkesa dhe kauza kryesore të PD-së për të cilat kjo parti ka luftuar dhe mbrojtur me vendosmëri dhe pavarësisht nga çmimi në komisione parlamentare, seanca parlamentare, në rrugë, në sheshe, në studio televizive, në protesta, në konsulta të gjera me shoqërinë civile dhe në të gjitha organizatat dhe forumet ndërkombëtare.
Pikërisht për këto dy arsye, çdo demokrate dhe demokrat duhet të pyesë veten se cfarë ka bërë dhe çfarë do të bëjë për këtë protestë dhe mbështetjen e saj.
Mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre dhjetëra mijëra të rinjve dhe të rejave, pa parti, anëtarë të shoqërisë civile apo të forcave të ndryshme politike, që me guximin, sakrificën e tyre shndërruan këtë verë në verën e shpresës së madhe të shqiptarëve dhe verën e ferrit të vërtetë për regjimin antishqiptar të Edi Ramës.
Pjesëmarrja e demokratëve në protestë është e një rëndësie të jashtëzakonshme për demokracinë shqiptare.
Sa më masive protesta, aq më shpejt shkërmoqet narkoshteti.
Nga ana tjetër ne kemi deklaruar dhe deklarojmë se do mbrojmë dhe do të dënojmë me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve.
E kemi bërë dhe do ta bëjmë këtë.
Do mbrojmë protestën me të gjitha potencialet tona, në media, në parlament, në rrjetet sociale dhe në çdo hapësirë, kudo që protestuesit sulmohen.
Ne mund të kemi objeksionet tona për slogane të caktuara, por nuk është koha e polemikave me individë apo grupe të veçanta. Është koha e sulmit, e sulmit dhe vetëm sulmit mbi Edi Ramën.
Ne do bëjmë gjithçka me nisjen e parlamentit që pesë kërkesat e protestës, që janë njëkohësisht kërkesat e PD të katër viteve të fundit, të jenë objekti i debatit të fuqishëm në parlament.
Fill pas formulimit të kërkesave nga përfaqësuesit e protestës, grupi ynë parlamentar hartoi dhe dorëzoi në parlament mendimet për anulimin e ligjeve që kanë kërkuar protestuesit.
Por, në dhunim flagrant të Kushtetutës, Edi Rama urdhëroi mbajtjen e tyre në sirtarët e Niko Peleshit.
Demokratët dhe opozitarët e vërtetë shqiptarë, duke mbështetur protestën pa kushte, përmbushin detyrën e tyre të madhe si opozitarë në këtë vend.
Tani, të dashur miq, do dalim tek detyra jonë e dytë themelore për të cilën kemi thirrur këtë mbledhje të Këshillit Kombëtar.
Detyra jonë e dytë themelore në këtë mbledhje është diskutimi mbi ripërtëritjen e PD-së.
Nuk ndalet!
Nëse fjala rithemelim ia doli të shpëtojë PD-në nga tentativat e Edi Ramës për ta vendosur atë nën kontroll, tani motoja ripërtëritje do të bëjë të mundur ardhjen e PD në pushtet.
Kaq jetike është pra ripërtëritja sepse sot Shqipëria është në sallë urgjence. Është në nevojë jetike për ripërtëritje.
Domosdoshmëria e ripërtëritjes së PD buron nga domosdoshmëria, thirrja e Shqipërisë për ripërtëritje.
Shqipëria është në kushte të një krize të thellë të gjithanshme.
Misioni i ripërtëritjes së saj nuk është i lehtë.
Ekonomia shqiptare duhet të ripërtërihet më së pari. Sirenat e urisë nuk duhet të klithin më, por duhet të heshtin përgjithmonë sepse kemi arritur në atë pikë kur qytetari nuk siguron dot ushqimet bazë për shkak të çmimeve të larta dhe të ardhurave të ulëta. Ku 30 përqind e popullatës kërcënohet nga uria.
Minimumi jetik, heqja e TVSH-ë për ushqimet bazë është emergjencë e të gjitha emergjencave.
Ekonomia e drogës nuk është ekonomia e qytetarëve, por e narkoqeveritarëve, narkotrafikantëve, narkobiznesmenëve. Shqipëria ka regjistruar këto muaj rënien më të madhe të prodhimit në Evropë pas Ukrainës. Kjo është e vërteta e ekonomisë shqiptare që padrinoja dhe sejmenët e mburrin dhe e lavdërojnë. Një ekonomi me rënie pikatë të prodhimit.
Por në qoftë se bie prodhimi, do të thotë shkatërrim masiv i vendeve të punës. Kurse ky si Maduro thotë se forcimi i lekut na vjen nga forcimi i ekonomisë.
Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe karteleve të drogës do jetë qëndrimi ynë.
Agjenci kombëtare për gjetjen, hetimin, konfiskimin e të gjitha pasurive të paligjshme të narkoqeveritarëve, klaneve të biznesit, oligarkëve, narkotrafikantëve.
Shqipëria e ka urgjencë ripërtëritjen sepse shqiptarët sot kanjë rrogat dhe pensionet më të ulëta në rajon dhe në Evropë, nga më të lartat në rajon që i kishin gjer në vitin 2013.
Ata blejnë me çmimet më të larta në rajon dhe mbi mesataren e BE.
Dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, raporti i drejtë midis rrogës mesatare dhe pensionit mesatar është zotimi ynë.
Shqipëria ka nevojë për ripërtëritje pasi narkoeurot kanë bërë që qiratë në Shqipëri të jenë 90 përqind e rrogës mesatare.
E thashë edhe më sipër, zero tolerancë ndaj krimit dhe drogës dhe ndërtimi i ndërtesave sociale gjer në normalizimin e çmimeve është zotimi i PD.
Shqipëria ka nevojë për ripërtëritje, shqiptarët kanë sot vdekshmëri 3 gjer në 4 herë më të lartë krahasuar me mesataren e qytetarëve evropianë.
Korrupsioni i papërmbajtur ka rrënuar sistemin shëndetësor. Ata janë qytetarët që paguajnë nga xhepi mbi 60 përqind të shërbimit të kujdesit shëndetësor, pra më shumë se gjithë të tjerët, por marrin shërbimet më të papërshtatshme.
Shëndetësia në koma duhet të ripërtërihet dhe ky është zotimi ynë.
Shqipëria ka nevojë për ripërtëritjen urgjente të arsimit, i cili po rrokulliset çdo vit e më poshtë. Përparësi absolute për sistemin arsimor, ky ka qenë dhe mbetet thelbi i programit tonë. Turizmi dhe ndërtimi duhet të çlirohen nga kapitali kriminal.
Lista e veprimeve është e gjatë. Por më e rëndësishme mbi të gjitha është se marrëdhënia e shqiptarit me Shqipërinë duhet të ripërtërihet.
Duhet të rikthejmë shpresën e humbur në këtë dekadë, duhet të luftojmë shpopullimin. Ky mision mund të arrihet vetëm nga një parti demokratike e ripërtërirë. Kur shqiptarët të shohin se kjo parti u ripërtëri, ata do të kuptojnë se ne do ripërtërijmë edhe Shqipërinë.
Pra, ripërtëritja jonë është kushti themelor për të fituar besimin masiv të shqiptarëve.
Dhe të jemi të sinqertë, sot çdo demokrat duhet të jetë i frymëzuar për ripërtëritjen. Sepse i kaluam ne të gjitha vështirësitë njëra pas tjetrës.
Dhe tani kemi hyrë në një fazë ku duhet të jemi në sulm, ku duhet të jemi në kilometrin e fundit, të sigurt drejt fitores.
Kundërshtari ynë ka 29% rënie në sondazhe, pra është në vdekje politike.
Edhe ndërkombëtarisht, Edi Rama ka vdekur politikisht. Është shkonfiguruar. U shpërbë. U shpërbë para syve të opinionit publik ndërkombëtar se shqiptarëve po e po.
Çdo gazetar që hyri në zyrën e tij, doli i bindur se ky është i skaduar. Ky është i shpërfytyruar. Ai ka vdekur politikisht.
Të gjitha këto duhet të frymëzojnë çdo demokrat, por mbi të gjitha duhet t’i japin motivimin për të çuar përpara procesin më jetik që kemi nisur, ripërtëritjen.
Miq, ka një gjë në themel. Si duhet ta kuptojmë ne ripërtëritjen? Secili nga ne. Një ripërtëritje të vetvetes në radhë të parë.
Partia Demokratike ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor. Ka personalitete me merita, ka drejtues të sprovuar.
Por ka vetëm një kusht që këta të qëndrojnë në krye të misionit të tyre: ripërtëritje. Dhe duhet ta pranojmë këtë.
Kush do ta bëjë ripërtëritjen thoni ju? Ju do ta bëni ripërtëritjen. Kjo është.
Si do ta bëjmë? Do ta fillojmë nga vetja ripërtëritjen dhe do ta shtrijmë në të gjitha nivelet.
Natyrisht, epiqendra e ripërtëritjes është anëtari i saj.
Në epiqendër të ripërtëritjes të Partisë Demokratike do të jetë anëtari, roli, hapësira e tij.
Pra, unë kam shumë besim të plotë te secili prej jush, tek të gjithë drejtuesit lokalë që nuk janë në këtë mbledhje, që me krenari do të mirëkuptohen, do të angazhohen në këtë proces. Partia ka nevojë jetike.
Miq, Kuvendi Kombëtar në këtë frymë ripërtëriu Këshillin Kombëtar, Kryesinë, por këto nuk mjaftojnë. Duhet shtrirje kapilare e ripërtëritjes. Duhet dimensionim i këtij koncepti, qoftë numerik, qoftë hapësinor, qoftë funksional.
Të mos harrojmë, anëtarësia e Partisë Demokratike për nga numri është shumë e madhe, janë 40-50 mijë anëtarë. A mund të kënaqemi ne me kaq? Ndonëse janë një potencial i madh, po s’mund të kënaqemi ne me kaq.
Në dy aspekte s’mund të kënaqemi ne.
Së pari, me shkallën e aktivizimit të tyre.
Së dyti, me ripërtëritjen e radhëve të tyre me anëtarësime të reja, me vlerat e reja.
Nuk pranohet më letargji në radhët tona. Jo!
Tani unë kam një material këtu të Institutit Republikan. Konfidencial, por unë vendosa ta bëj publik, t’ua lexoj pjesën kryesore si për ju edhe për të gjithë anëtarët tanë.
Po pse? Se kur i dëgjojmë, kur i shohim, na frymëzojnë për të ndryshuar.
Ky institut, me qëllimin më të mirë për të ndihmuar Partinë Demokratike, ka ardhur, ka takuar anëtarë, drejtues, deputetë, qytetarë dhe ka bërë një studim të thelluar.
Ka bërë rekomandime dhe konkluzione jashtëzakonisht të dobishme. Do më lejoni t’ua lexoj jo pjesën teknike, por pjesën, të themi, politike organizative.
‘Partia Demokratike nuk përballet me një krizë idesh, lidershipi apo rëndësie politike. Ajo përballet me mungesën e një sistemi të brendshëm koherent, të aftë për të përkthyer qëllimin politik në veprim organizativ të koordinuar. Një sfidë strukturore kjo që është zhvilluar gradualisht përgjatë kohës’.
E kanë studiuar ata si është zhvilluar kjo, edhe i kanë parë gjithë historikun.
‘Pavarësisht se zotëron një strukturë formale të përcaktuar të qartë, partia aktualisht nuk funksionon si një sistem operativ i integruar. Flukset e komunikimit janë të fragmentuara, përgjegjësitë nuk zbatohen në mënyrë të qëndrueshme dhe përkthimi i vendimeve të lidershipit në mesazhe të strukturuara dhe të zbatueshme është i paqëndrueshëm. Mjetet joformale të komunikimit kanë zëvendësuar gradualisht kanalet formale dhe duke bërë këtë, kanë sjellë shpejtësi pa kontroll dhe akses pa qartësi’.
‘Me kalimin e kohës këto dinamika kanë kontribuar në rënien e kohezionit organizativ dhe në një hendek në rritje midis strukturës formale apo ekzistuese dhe ekzekutimit operativ, pra funksionalitetit të saj. Duke njohur këto sfida, lidershipi i partisë nisi një përpjekje më të gjerë për të modernizuar koordinimin, komunikimin dhe proceset organizative në përputhje me realitetet politike bashkëkohore dhe objektivat strategjike afatgjata të partisë. Kjo përpjekje për modernizim pasqyron jo vetëm një domosdoshmëri organizative, por dhe një vizion të qartë politik të dëshmuar nga lidershipi i partisë dhe kryetari. Gatishmëria për të përqafuar mjetet digjitale, proceset e bazuara në të dhëna dhe teknologjitë e reja si inteligjenca artificiale tregon një kuptueshmëri se modernizimi organizativ nuk është opsional, por një kusht themelor për efikasitetin politik, reagim të shpejtë, konkurrueshmërinë afatgjatë’.
Për ripërtëritjen pra, është kusht themelor për t’u ripërtërirë. Po zotëri, nuk mund të thuash ç’më duhet mua TikToku. Nuk mund të dalësh jashtë TikTokut, se kemi 40% të elektoratit që sheh vetëm TikTokun dhe merr lajmet nga TikToku. Është një gjeneratë. Mora një shembull.
‘Diskutimet e brendshme e kanë artikuluar këtë realitet me një saktësi të jashtëzakonshme’.
Pra ata u kanë takuar ju, kanë diskutuar me ju dhe kanë gjetur se pikëpamjet ekzistojnë dhe janë të drejta.
‘Komunikimi është i fragmentuar, përgjegjësitë janë të shpërndara, disiplina pritet, por nuk zbatohet në mënyrë sistematike dhe kanalet joformale të komunikimit, veçanërisht ËhatsApp-i, janë bërë mekanizma dominues të shpërndarjes së informacionit’.
Realiteti ky është, ne ËhatsAppin kemi.
‘Mesazhet shpesh interpretohen në vend që të zbatohen. Interpretohen, por nuk zbatohen. Dhe nuk ka asnjë burim të vetëm autoritar, nga i cili anëtari mund të marrë qartësi mbi qëndrimin e partisë për një çështje të caktuar’.
E kuptoni ku është anëtari ynë? E kuptoni ju se çfarë problemi? ‘Nuk ka asnjë burim të vetëm autoritar nga i cili anëtarët mund të marrin qartësi mbi qëndrimin e partisë për një çështje të caktuar’.
Pavarësisht se anëtari ka kryetarin, ka kryetarin e grupseksionit, kryetarin e degës, udhëzuesin politik, kryetarin e partisë e të tjerë. Nuk ka, e ka gjetur, i ka takuar anëtarët. ‘Ky dokument, policy paper, propozon zhvillimin e një platforme digjitale të brendshme dhe të centralizuar, e cila do të shërbejë si sistemi operativ i partisë’.
‘Platforma nuk është konceptuar si një përmirësim i thjeshtë teknologjik, por si një instrument strukturor i projektuar për të vendosur qartësi, disiplinë, llogaridhënie në operacionet e përditshme. Ajo do të jetë vendi ku vendimet përkthehen në mesazhe, mesazhet në veprime të koordinuara dhe veprimet në rezultate të matshme’.
Të matshme, vlerësim.
‘Duke bërë këtë, platforma do rikthejë aftësinë e partisë për të funksionuar në mënyrë të unifikuar dhe të strukturuar, duke forcuar kapacitetin e saj për të vepruar si një organizatë politike më e disiplinuar, moderne dhe e orientuar drejt së ardhmes’.
Hendeku midis strukturës dhe praktikës.
Arkitektura organizative e partisë është në terma formale, është e plotë arkitektura. Ajo përfshin organet drejtuese të përcaktuara, nivele hierarkike vendimmarrje dhe një strukturë territoriale që lidh lidershipin qendror me degët lokale dhe anëtarësinë.
Kjo kornizë pasqyron një model tradicional dhe solid të organizimit politik, të aftë për të mbështetur veprimin e koordinuar dhe harmonizimin strategjik të paktën në teori. Megjithatë, analizat e brendshme tregojnë se kjo strukturë nuk funksionon në mënyrë të qëndrueshme praktike. Rolet ekzistojnë, por nuk janë gjithmonë funksionale. Përgjegjësitë janë të përcaktuara, por nuk zbatohen në mënyrë sistematike.
Organet vendimmarrëse veprojnë, por produktet e tyre nuk përkthehen gjithmonë në komunikim të strukturuar dhe në veprim të koordinuar në të gjithë organizatën’.
E kuptoni besoj se po të doni e lexoj dhe më ngadalë…
‘Siç vuri në dukje një pjesëmarrës në diskutimet që kanë bërë: Struktura ekziston, por më shumë në letër se në praktikë. Ky konstatim zbërthen një dinamikë qendrore. Partisë nuk i mungon organizimi si rrjet formal, por i mungojnë mekanizmat që ta bëjnë organizimin funksional’.
Ta bëjnë organizimin funksional, edhe një herë.
‘Rrjedhoja është një sistem në të cilin individët veprojnë në një shkallë të lartë autonomie shpesh përtej asaj që është e dobishme në aspektin strategjik. Ndërsa kjo autonomi pasqyron vlerat historike dhe kulturën politike të partisë, ajo në mungesë të strukturës ka evoluar në fragmentim.
Në vend të veprimit të koordinuar, partia prodhon aktivitete paralele që nuk janë gjithmonë të harmonizuara me një mesazh apo drejtim të përbashkët’.
Shpërbërja e komunikimit si një çështje strukturore është pika tjetër e këtij raporti.
‘Sfidat e komunikimit të partisë nuk janë thjesht një çështje mjetesh apo frekuence. Ato janë të natyrës strukturore. Komunikimi zhvillohet vazhdimisht, por ai nuk udhëhiqet nga një sistem që garanton qartësi, përparësi dhe qëndrueshmëri. Kanalet joformale dominojnë. Grupet e ËhatsApp-it, rrjetet personale, flukset ad-hoc të komunikimit janë bërë mjeti kryesor përmes të cilit shpërndahet informacioni. Ndonëse këto kanale mundësojnë përhapje të shpejtë, ato nuk ofrojnë një mekanizëm për strukturimin e informacionit apo për të siguruar që ai kuptohet në mënyrë uniforme. Në mënyrë uniforme’.
‘Pjesëmarrësit përshkruan një situatë ku mesazhet janë të shumta por jo domosdoshmërisht efikase’.
Shumë e vërtetë. Po le që tendenca është, merr mesazhin nga kryetari, kur shkon atje në fund, s’ka asnjë lidhje me atë që ka thënë kryetari. Absolutisht, vetëm i partisë nuk është ai mesazh, se si pëson metamorfozë. Në një kohë kur mesazhi duhet të ketë striktësinë e tij, ky është ligji i mesazhit. ‘Informacioni qarkullon gjerësisht, por pa një hierarki dhe përparësi të qartë. Si rezultat, anëtarët shpesh përjetojnë mbingarkesë informacioni në vend të qartësisë’.
Prandaj është anëtari që duhet të jetë themeli, themeli i procesit të ripërtëritjes.
‘Mesazhet e rëndësishme konkurrojnë me informacione më pak të rëndësishme dhe nuk ka asnjë sistem për t’i siguruar që prioritetet kryesore të identifikohen si të tilla. Mbi të gjitha, nuk ka një proces të strukturuar për përcaktimin e mesazhit të partisë për një ditë të caktuar. Lidershipi komunikon shpesh, shpesh përmes konferencave për shtyp, deklaratave publike, në mediat tradicionale sociale, por këto komunikime nuk përkthehen në mënyrë sistematike në udhëzime’.
Ja pra ku fillon, më thoni ju mua, a duhet të fillojë ripërtëritja nga unë? Po pa diskutim, sepse vërtet dal dhe mbaj një konferencë shtypi, por në raste të caktuara ajo do udhëzim, ajo duhet të shoqërohet me udhëzim dhe t’i shpërndahet, jo gjithnjë, por t’i shpërndahet të gjithë partisë.
‘Por këto komunikime nuk përkthehen në mënyrë sistematike në udhëzime koncize dhe të zbatueshme për organizatën më të gjerë, për partinë. Anëtarët lihen t’i interpretojnë këto mesazhe individualisht, çka çon në variacione në ton, theks dhe përmbajtje’.
Përsëri anëtari, përsëri në epiqendër anëtar.
‘Përndryshe kjo dinamikë sjell paqëndrueshmëri jo vetëm brenda strukturës, por dhe jashtë saj, kur përfaqësues të ndryshëm komunikojnë interpretime të ndryshme të të njëjtit mesazh. Pozicioni publik i partisë bëhet i paqartë. Në këtë kuptim, mungesa e strukturës së brendshme ndikon drejtpërdrejt në kredibilitetin e jashtëm’
‘Humbja e pronësisë mbi mesazhin.
Një nga gjetjet më me peshë të diskutimeve të brendshme është se partia nuk është më në mënyrë të qëndrueshme burimi parësor i mesazheve të veta’.
E kuptoni?
‘Në vend të kësaj, anëtarët shpesh mbështeten tek përmbledhjet mediatike, përmbledhjet në rrjetet sociale ose interpretime të palëve të treta për të kuptuar qëndrimin e partisë për çështje kryesore’.
Ripërtëritje, ripërtëritje dhe vetëm ripërtëritje në komunikim. Shiko ku jemi.
‘Në vend që partia të përcaktojë mesazhin e saj dhe ta shpërndajë atë brenda strukturave përpara se ai të dalë në hapësirën publike, shpesh ndodh e kundërta. Lidershipi komunikon publikisht, mediat e interpretojnë dhe e rifitojnë mesazhin dhe vetëm atëherë anëtarët bien në kontakt me të, shpesh përmes informacioneve të fragmentuara, për të mos thënë edhe të manipuluara nga mediat’.
Është shtesa ime kjo, se të paplotë thotë ky.
‘Rezultati është humbja e kontrollit. Rezultati është humbja e kontrollit. Narrativa e partisë nuk formësohet më ekskluzivisht nga brenda, por ndikohet nga autorë të jashtëm që veprojnë sipas prioriteteve dhe logjikës së tyre. Kjo jo vetëm që krijon paqëndrueshmëri, por gjithashtu minon aftësinë e partisë për të vepruar në mënyrë strategjike.
‘Mungesa e disiplinës dhe llogaridhënies’.
E gjykova të domosdoshme t’ua lexoj fjalë për fjalë ju dhe anëtarëve të Partisë Demokratike dhe mbështetësve tanë, sepse ne të njëjtin problem kemi.
Ndaj dhe ne jemi ata që duhet t’u japim përgjigje vendimtare këtyre çështjeve themelore që ngrihen, kësaj analize të shkëlqyer që i ka bërë njëri nga institutet me eksperiencë më të madhe në botë, që është Instituti Republikan.
‘Mungesa e një sistemi të strukturuar komunikimi është ngushtësisht e lidhur me mungesën e mekanizmave të qartë të disiplinës dhe llogaridhënies. Edhe kur udhëzimet ekzistojnë nuk ka proces të qëndrueshëm për t’u siguruar që ato po ndiqen, nuk ka metoda të standardizuara për të siguruar përputhshmërinë, për të matur performancën ose për të adresuar devijimet. Kjo krijon një mjedis ku harmonizimi me linjën zyrtare bëhet opsional, anëtarët mund të zgjedhin të ndjekin udhëzimet, t’i ripërtërijnë, ose t’i injorojnë plotësisht pa pasur pasoja të qarta. Me kalimin e kohës kjo gërryen autoritetin e komunikimit qendror dhe zbeh aftësinë e partisë për të vepruar në mënyrë kompakte.
Në të njëjtën kohë mungesa e gjurmueshmërisë mbi aktivitetin individual dhe organizativ ul motivimin. Kontributet nuk regjistrohen ose nuk njihen në mënyrë sistematike dhe reagimet mbi performancën janë të kufizuara. Anëtarët veprojnë pa një kuptim të qartë se si puna e tyre përshtatet me strategjinë më të gjerë ose si vlerësohet ajo’.
Pra e shihni, gjithçka në fund të fundit shkon tek anëtari. Tek kaosi, disorientimi, çorientimi që krijojmë ne, me problematikat madhore të komunikimit.
‘Objektivi strategjik: Ngritja e një sistemi operativ’. Përgjigje: Instituti Republikan kërkon të ngrihet një sistem operativ.
‘Partia nuk ka nevojë për më shumë komunikim, ajo ka nevojë për një sistem që shndërron komunikimin në një funksion operativ’. Objektivi strategjik i këtij dokumenti politikash është ngritja e një platforme të centralizuar që shërben si sistem i brendshëm operativ i partisë’.
Pra, ne vërtet kemi problematikat tona, por këto problematika zgjidhen nëpërmjet një platforme.
Zgjidhen nëpërmjet një platforme, për të cilën, ç’është e vërteta, gjatë këtij muaji kemi punuar me një grup pune jo pak, që të arrijmë në përzgjedhjen e saj.
‘Ky sistem do të ofrojë strukturën përmes së cilës vendimet përkthehen në mesazhe, mesazhet në veprime të koordinuara dhe veprimet në rezultate të matshme’.
Tani edhe kjo shprehja këtu domethënë ‘rezultate të matshme’, kjo kërkon që secili nga ne të matet për rezultatin. Edhe kjo është gjëja më normale.
‘Platforma është projektuar për të aktivizuar strukturën ekzistuese të partisë, jo për ta zëvendësuar atë’.
Pra platforma nuk kërkon që ne organizimin që kemi ta shpërbëjmë, jo, ta bëjmë funksional. E thotë disa herë, në qoftë se e dëgjuat, ‘ekziston organizimi’.
‘Kjo platformë duhet të kuptohet si mekanizmi që integron strukturën e partisë në një sistem funksional. Ajo do të centralizojë komunikimin, do të standardizojë proceset dhe do të ofrojë gjurmimin e aktiviteteve në të gjithë organizatën’.
‘E aksesueshme nga kompjuteri, nga celulari, platforma do projektohet për përdorim të përditshëm dhe do të mbrohet nga një sistem i sigurt’.
Tani miqtë e mi, nuk ka asgjë tjetër të veçantë përveçse të kalojmë tek përpjekjet tona.
Pra kjo ishte ‘policy paper’, dokumenti i politikave të Institutit Republikan pas studimit që ata i kanë bërë Partisë Demokratike.
Kur e lexoni, kur e dëgjoni këtë dhe e lexoni, e kuptoni që ripërtëritja është jetike për secilin prej nesh, në të gjithë veprimtarinë tonë.
Ndaj dhe çdonjëri nga ne duhet të marrë këtë vendim: që unë do të ndryshoj, do të shumëfishoj nëpërmjet kësaj platforme fuqinë time, energjinë time, veprimtarinë time.
Do zgjeroj hapësirën për anëtarin e Partisë Demokratike, do t’i krijoj atij të gjitha mundësitë për rolin që duhet. Do ta furnizoj atë në mënyrën më serioze me të gjitha dokumentet, mesazhet, udhëzimet dhe çdo gjë tjetër.
Çështje e tretë shumë e rëndësishme e kësaj mbledhje është çështja e reformës territoriale. Grupi i punës, i drejtuar nga z. Luçiano Boçi ka bërë një punë shumë serioze.
Dhe siç e dini, ka arritur në një hartë jo përfundimtare me 100 bashki. Pse jo përfundimtare? Është lënë opsioni që komunitete të ndryshme, të cilat në debat faktojnë se ato mund të jenë një bashki apo një komunë apo diçka, t’u konsiderohet e drejta e tyre.
Tani Edi Rama, i cili është në momentet e fundit të jetës së tij politike, bën gjithçka për pushtetin e tij.
Pra, u bë një punë e madhe.
U ngritën protestat në të cilat janë për t’u përshëndetur të gjithë qytetarët. Në tërësi edhe ato kanë qenë protesta qytetare.
Këshilltarët kanë mbrojtur interesat e qytetarëve, por tani Partia Demokratike do të angazhohet në një veprimtari të fuqishme në mbrojtje të interesave të qytetarëve.
Çfarë do të thotë? Në të gjitha bashkitë që u ka rënë viza Edi Rama, që i zhduk Edi Rama, dhe të gjitha komunitetet ku ne kemi parashikuar bashki, degët e Partisë Demokratike do të nisin sapo të marrin formularin nga sekretariati, do të nisin peticionin, firmat e qytetarëve për bashkinë e tyre.
Në mënyrë që të shkojmë drejt kërkesave ligjore në mbrojtje të interesave të qytetarëve.
Pra, protesta po e po, firma në mbrojtje të njësive të qeverisjes vendore.
Dhe kjo që bën Edi Rama, është absolutisht në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Kartën Europiane të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, e cila parashikon referendumin për ndryshimin e kufijve të bashkive apo komunave. Parashikon konsultimin me referendum.
Ndaj dhe ne duhet të fillojmë menjëherë, strukturat tona të angazhohen në të gjitha njësitë që Edi Rama do t’i eliminojë për qëllime elektorale dhe në të gjitha njësitë që ne kemi parashikuar për të ngritur njësi të reja të qeverisjes vendore, kanë bërë dhe një punë shumë të mirë, kanë bërë një konsultë të gjatë me Kongresin e Autoriteteve Lokale, kanë marrë mendimet e tyre.


