Një komitet nismëtar ka depozituar ditën e sotme në KQZ kërkesën për zhvillimin e një referendumi vendor, përmes të cilit qytetarët e Tiranës do të pyeten drejtpërdrejt nëse janë dakord me ndërtimin e kullës në Parkun Rinia.
Kërkesa është depozituar nga drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, anëtari i Kryesisë në PD, Dorjan Teliti dhe sekretari për Aksionin Qytetar, Erges Eskiu, të cilët kërkojnë nga KQZ nisjen e procedurave dhe pajisjen me formularët për mbledhjen e firmave të nevojshme.
Në dokumentin e dorëzuar, nismëtarët argumentojnë se ndërtimi i një godine të lartë në këtë zonë mund të ndikojë në trafikun, cilësinë e ajrit dhe hapësirat e gjelbra të kryeqytetit.
Pas depozitimit, përfaqësuesit e komitetit nismëtar deklaruan para mediave, duke kërkuar që vendimi për Parkun Rinia të mos merret vetëm nga institucionet, por të kalojë përmes votës së qytetarëve.
Malltezi e cilësoi Parkun Rinia si një nga hapësirat e fundit të gjelbra të mbetura në kryeqytet dhe tha se qytetarët duhet të pyeten nëse duan një tjetër kullë apo ruajtjen e parkut.
“Ka ardhur momenti që qytetarët të pyeten. Të pyeten a duan një kullë për qytetin e tyre apo duan një park më tepër”, deklaroi Malltezi.
Ndërsa Dorjan Teliti e vendosi nismën në kuadër të vendimmarrjes për zhvillimin urban të Tiranës. Sipas tij, qytetarët duhet të kenë fjalën për përdorimin e hapësirave publike.
“Zgjedhja duhet të jetë e qytetarëve”, tha Teliti, duke kërkuar që çështja të vendoset përmes referendumit.
Nga ana tjetër, Erges Eskiu u ndal te çmimet e apartamenteve në kullat e reja dhe problemet urbane të kryeqytetit. Ai tha se qytetarët kanë nevojë për më shumë infrastrukturë, transport, ujë të pijshëm, kanalizime, ajër të pastër dhe hapësira të gjelbra.
Nisma tashmë kalon në fazën e procedurave pranë KQZ-së, ndërsa nismëtarët synojnë mbledhjen e firmave për të çuar përpara kërkesën për referendum vendor.
Në materialet e publikuara, për mbrojtjen e privatësisë së firmëtarëve janë mbuluar të dhënat sensitive, përfshirë numrat personalë të identifikimit dhe numrat e telefonit.
Prononcimi i plotë:
Jamarbër Malltezi: Përshëndetje. Sot ne depozituam një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me të drejtën e qytetarëve për të zhvilluar referendum vendor. Një pyetje e thjeshtë: A duan qytetarët që të ketë një ndërtim tjetër gradaçele te Parku Rinia? Të kemi parasysh që të gjithë këto parqe Edi Rama i ka zhdukur. Tirana kishte me dhjetëra e dhjetëra parqe. Po i zhduk, duke përfshirë qymën, parkun te Sheratoni, me parkun e madh të Tiranës, zonën e Liqenit të Thatë, me sheshin Italia, me parkun ku u bë hotel Plaza. Të gjithë parqet në Tiranë i ka zhdukur. I vetmi park i fundit që ka ngelur është Parku Rinia. Është një zhvillim i cili ecën në kundërshtim të nevojave të qytetit. Qyteti ka nevojë për parqe, qyteti ka nevojë për zgjidhjen e problemit të trafikut, ka nevojë për cilësinë e ajrit të pastër. Për fat të keq asnjë nga këto nuk po zgjidhet, thjesht po bëhen kulla vetëm për xhepin e Edi Ramës. Ka ardhur momenti që qytetarët të pyeten. Të pyeten a duan një kullë për qytetin e tyre apo duan një park më tepër. Për fat të keq Edi Rama mund të kishte mundësi të bënte me dhjetëra parqe, ka zgjedhur t’i vjedhi paratë në inceneratorë që nuk ekzistojnë, ka zgjedhur t’i vjedhi paratë për kajo që nuk ekziston dhe të mos bëjë asnjë park. Thjesht gradaçela për xhepin e tij. Ka ardhur koha të pyeten qytetarët. Ju faleminderit.
Dorjan Teliti: Faleminderit Abi. Në Tiranë siç e dini prej vitesh nuk vendos më Tirana. Nuk vendosin më qytetarët, vendos vetëm një person i vetëm. Ai quhet Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, kryetari i mazhorancës së votave të vjedhura, kartonave të vjedhur, kryetari i KKT-së, i cili drejton atë tryezën e famshme aty ku vendoset betonizimi i Tiranës, por jo ndërtimi i shkollave që i mungojnë Tiranës, jo ndërtimi i çerdheve që i mungojnë Tiranës, jo i qendrave shëndetësore që i mungojnë Tiranës, jo i hapësirave publike që i mungojnë Tiranës, por e kundërta. Aty vendoset që dhe ato pak hapësira që i kanë mbetur Tiranës ende në shfrytëzim të qytetarit të thjeshtë, të përdoren për çfarë? Për betonizimin e radhës për të ndërtuar kulla të shumëkatëshe, jo për interes të qytetarëve dhe sipërmarrjes së Tiranës, por për interesat e ngushta të klientelës qeverisëse. Qytetarët e Tiranës kanë 12 vite që nuk pyeten. Nuk pyeten për asgjë. Thjesht ata përdoren, përdoren për interesat e ngushta klienteliste dhe korruptive të qeveritarëve të cilët kanë uzurpuar karriget si në bashki ashtu dhe në qeveri. Ndaj ajo që kërkojmë neve është shumë e thjeshtë, është shumë e qartë, dhe është tërësisht ligjore dhe mbi të gjitha është e moralshme. Të shkojmë te qytetarët, t’i pyesim ata. T’i pyesim qytetarët se çfarë mendojnë dhe për të lulishtet e famshme që u prindërit tanë i kanë parë me sytë e tyre të ndërtohej dhe i kanë parë dhe ne që kemi qenë fëmijë të rritur në Tiranë që e kemi ulur dhe kemi ndenjur aty me dhjetëra e qindra herë, dhe ishte gjynah që ne të lejonim që ajo lulishte të prishej. Dhe ajo lulishte të zëvendësohej me kullën e radhës së betonit, për të vetmen arsye për të pasuruar klientelën qeverisëse, për të pasuruar njerëzit, oligarkët që janë mbrapa tyre. Ndaj qytetarët e Tiranës duhet të thirren në këtë referendum. Dhe ne sot, siç e shpjegoi dhe zoti Malltezi, kemi depozituar kërkesën zyrtare për marrjen e dokumentacionit. Për të marrë dhe për të mbledhur firmat për organizimin një orë e më parë të një referendumi lokal të Tiranës, së bashkisë së madhe të Tiranës, për t’i pyetur qytetarët, banorët, rezidentët e këtij qyteti, të zonave rurale dhe urbane, pasi parku i përket të gjithëve ne. A doni ju apo s’doni që të ndërtohet një kullë në parkun Rinia? A e doni lulishten siç është sot, apo e doni lulishten të betonizuar dhe të përdorur për interesa klienteliste dhe korruptive? Zgjedhja duhet të jetë e qytetarëve. Mjaft më me zgjedhje arbitrare të qeveritarëve dhe të kryeministrit i cili nuk pyet për interesat e njerëzve të thjeshtë, por të shkojmë te qytetari, të mbështetemi te qytetari, ta mbështesim qytetarin dhe të dëgjojmë fjalën e tij. Dhe fjala e tij dëgjohet vetëm me referendum që ne e kemi prezantuar kërkesën sot. Faleminderit.
Erges Eskiu: Përshëndetje, sot kemi ardhur këtu për të bërë pyetje direkte për qytetarët e Tiranës. Kjo është demokracia direkte, referendumi. Sot pastrimi i parave po bëhet nëpërmjet kullave. Dhe po bëhet për të pasuruar vetëm një njeri, Edi Ramën. Sepse një profesionist, një familje profesionistësh të re, nuk ka mundësinë me paga 500 apo 600 euro të blejë një kullë, të blejë një apartament që shkon në 5000 apo 6000 euro metri katror. Prandaj jemi sot këtu, sepse qytetarët presin shërbime, presin infrastrukturë, presin që të ulet trafiku në qytet, të pastrohet ajri në qytet, të ketë ujë të pijshëm 24 orë, të ketë kanalizime, të ketë parqe. Nuk ka asnjë gjë, ka vetëm pastrim parash nëpërmjet kullave që po e bën Edi Rama me urdhrin dhe me firmën e tij. Ju faleminderit.




