Kryetari i FRPD Vlorë Çajup Shehaj: PD duhet të bëhet një parti që e do me çdo kusht pushtetin

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Vlorë, Çajup Shehaj, ka kërkuar një ndryshim të fortë të mënyrës së funksionimit të opozitës, duke deklaruar se ‘ripërtëritja’ e PD-së duhet të synojë ardhjen në pushtet.

Në fjalën e tij gjatë ‘Foltores së Ripërtëritjes’ në Vlorë, Shehaj e nisi fjalimin duke iu referuar stoicizmit dhe duke vlerësuar qëndrimin e demokratëve gjatë viteve në opozitë. ‘Ne besuam në të vërtetën dhe atë thamë. Ne besuam në të drejtën dhe atë bëmë’, u shpreh ai.

Shehaj renditi një sërë përballjesh të PD-së gjatë 14 viteve në opozitë, duke deklaruar se demokratët, sipas tij, janë përballur me izolim, presion, tentativa për blerje dhe burgosje.

Fjala e Kryetarit të FRPD dega Vlorë, Çajup Shehaj:

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. Të nderuar drejtues të Partisë Demokratike. Të nderuar demokratë. Ajo që e pengon veprimin e çon veprimin përpara. Ajo që qëndron në rrugë, bëhet vetë rruga.

Stoicizmin më së shumti e kam kuptuar përmes kësaj thënieje të Mark Aurelit. Në betejën që sapo fituat zoti Berisha, ju ishit praktikues i saj. Por bashkë me ju, jo më pak stoik, u bëmë dhe ne. Demokratë në mbarë vendin, që në fund të rrugës në sy panë vetëm të vërtetën.

Ne besuam në të vërtetën dhe atë thamë. Ne besuam në të drejtën dhe atë bëmë. Pjesa tjetër është fati i stoikut, ndaj asnjë surprizë, por vetëm çlirim që me dritën tuaj të së vërtetës e ndriçuat sado pak terrin e intrigave antidemokrate.

Të dashur miq, mblidhemi sot në kuadër të një nisme të Partisë Demokratike me synimin kryesor ripërtëritjen e saj. Ripërtëritja e një partie sigurisht që e ka zanafillën në reflektimet mbi të shkuarën. Kanë kaluar 14 vite nga çasti i largimit nga pushteti.

14 vite opozitë, në institucione, në rrugë, në media, në vendet e punës, kudo ku mundëm dhe me çdo çmim. 14 vite protesta, lodhje, sfilitje, 14 vite duke drejtuar lutje zgjimi ndaj mbarë kombit. Na izoluan, ne duruam. Na lanë vetëm në rrugë, ne qëndruam. Kërkuan të na heshtnin, ne folëm. Donin të na blinin, ne s’kemi çmim.

Kërkuan të na e diktojnë kryetarin, ne refuzuam. Na burgosën, ne i sfiduam. Na vodhën votën, ne do të qëndrojmë në betejë deri në ditën e fundit për t’i kthyer këtij vendi votën e lirë. Ne ditëm të jemi stoik, të drejtë, të hapur dhe vizionarë.

Dhe megjithatë, të gjitha këto nuk mjaftuan. Tanimë është ky momenti i duhur për mobilizim, për ripërtëritje. Por mundësinë e kësaj fjale sot më lejoni ta shfrytëzoj për t’ju përgjigjur bashkë me ju një pyetjeje të natyrshme. Ripërtëritje për çfarë? Cili është qëllimi i këtij rigjenerimi gjaku, forcash, strukturash? Druaj se deri më sot e kemi sforcëzuar veten, ku krahas betejës me pushtetin, jo pak herë kemi qenë peng i trysnisë dashakeqe të opinionit publik.

Me beteja që rëndonin në supe, na kërkonin perfeksionin njerëzit dhe të lirisë, ndërsa ne përballeshim kudo me një lumë pushteti ndotës. Sot të jenë të bindur të gjithë dhe kushdo, për qindra arsye, nga origjina tek ideologjia, nga dinjiteti tek intelekti, nga zotësia tek vizioni, nuk mund të prodhojë ky vend një alternativë më të drejtë se Partia Demokratike.

Për rrjedhojë, qëllimi i ripërtëritjes nuk ka pse të jetë më një parti demokratike edhe më e mirë. Por një parti demokratike që të vetmin qëllim do të ketë drejtimin e këtij vendi duke e tejkaluar veten. Përmbushja e këtij qëllimi kërkon pastrimin e rrugëve që ne do të na çojnë tek vota. Ka ardhur koha që Partia Demokratike do bëjë atë që thotë. Ripërtëritja kërkon të braktisim aktivitetet që na kthehen në formë por jo në votë. Strategjitë që përkthehen në mbijetesë por jo në votë. Verbin që përkthehet në pastërti figure por jo në votë.

Lëvizjet që na mbushin të gjithëve ne axhendat politike por jo kutinë e votimit. Ne nuk mjaftojmë të ekzistojmë si partia që të tjerët duan. Ne do të veprojmë që sot e tutje si një parti që e do me çdo kusht pushtetin.

Në këtë version të vetes, të ngutur për një Shqipëri që zbrazet me orë dhe s’ka më kohë të na presë, ripërtëritja, jam i sigurt, ka përcjellë mes nesh guximin. Ne do të guxojmë në verb, në qëndrime, në aksion, në reforma. Guxim për t’u pozicionuar. Guxim për të ashpërsuar gjuhën aty ku e keqja ka hedhur rrënjë.

Guxim për të mbajtur qëndrime dhe reforma edhe radikale në qoftë se janë në dobi të vendit. Të nderuar demokratë, nuk mund të jemi më të shurdhët ndaj mesazheve që Evropa dhe bota po lëshon.

Është e thjeshtë të arsyetosh me idenë se popujt i tërheq populizmi. Po sikur të jetë vallë se popujt në fakt po i tërheq guximi? Forca për ta goditur pa komplekse të patolerueshmen më. Ne na nevojitet dhe ne do ta ndërtojmë një doktrinë të guximshme pushteti.

Që fillimisht në strukturat tona dhe përmes tyre në çdo qytet, komunë dhe fshat që do të mund të përcillet nga ne, profile politike autoktone.

Të tillë do të jemi po ne, militantë, anëtarë, përfaqësues politikë, me të vetmin kriter: guximtarë që nuk i tremben pushtetit. Trima që nuk do t’i tremben bandave dhe politikanë që nuk do t’i tremben votës. Demokratë, është shumë më mirë të guxosh me vepra të mëdha, edhe duke rrezikuar dështimin, sesa të jetosh në një muzg të zbehtë që nuk njeh as fitore dhe as humbje.

Ripërtëritja jonë do të përgatisë demokratët e pushtetit. Zoti na e ndriçoftë rrugën drejt Shqipërisë që ende shpreson tek ne. Rroftë Partia Demokratike.

Rroftë Vlora, Rroftë Shqipëria.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale