FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN KANDIDATËT E QARKUT TË TIRANËS
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar mbrëmjen e sotme në selinë blu, një takim me kandidatët për deputetë të Aleancës Shqipëria Madhështore për Qarkun e Tiranës. Në fjalën e tij, Berisha udhëzoi kandidatët që të krijojnë ekipet e tyre në terren, pasi ‘Leva e Arkimedit’, për fitoren në 11 maj, janë takimet me qytetarët. ‘Leva e Arkimedit është takimi me qytetarët! Një e treta e atyre që takohen, mund të ndryshojnë mendimin’, theksoi Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur me kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës të ‘PD-Shqipëria Madhështore’, kryedemokrati Sali Berisha bëri thirrje për të ndezur rrjetet sociale si asnjëherë më parë, pasi sipas tij, në këtë mënyrë fitoi dhe Donald Trump.
‘Me një fjalë, le t’i ndezim ne mediat sociale si asnjëherë tjetër. Në vitin 2016, Donald Trump fitoi nga mediat sociale. Është shumë e njohur kjo. Ai fitoi se nuk i kishte mediat me vete, megjithëse vetë ka qenë në shoubiz, ka pasur program, por prapë mediat i kontrollonte tjetër kush. Përdori shumë mediat sociale.
Ne të kombinojmë këto faktorë, mediat sociale dhe takimin, të dyja në krahasim me krahun tjetër që është një krah mëkatar, i përçarë, që duhet t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh gjatë takimit se, i ka ftuar partitë që pretendojnë të jenë kundër Edi Ramës, por ata kanë preferuar të jenë opozita e opozitës.
‘Që ta dini ju, unë e kam thënë publikisht, unë i ftova ata atë ditë, por ata nuk erdhën. Unë e dijë që ata kanë qëndrime të ndryshme nga ne, por përsëri nuk pajtohem me këtë shtypje që ai u bën partive të vogla.
Mirëpo ato nuk gjetën kurajo dhe forcë të dalin nga orbita e opozitarëve të opozitës dhe rrinë në shërbim të të keqes së madhe. Edhe në qoftë se nuk duan, por në fakt ato vota i shkojnë në favor Edi Ramës’, theksoi krydemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij.
FJALA E PLOTE:
Ju përgëzoj për punën dhe përkushtimin që po tregoni në këtë fushatë të një rëndësie të jashtëzakonshme për Tiranën, për Shqipërinë.
Ju përgëzoj se qytetarët e Tiranës, nga të gjitha informacionet që marr, kanë pritur dhe ju presin me kënaqësi në të gjitha paraqitjet dhe takimet tuaja.
Në fakt, Tirana nuk ka pasur kurrë një ekip si ky.
Të jemi realistë, në kujtesën dhe memorien time, ju në distancë jeni ekipi më i shkëlqyer, më i mirë që PD ka paraqitur para qytetarëve të Tiranës.
Njerëz të suksesit, njerëz të aftësive, por dhe intelektualë, ekspertë, specialistë, demokratë të përkushtuar.
Kështu që unë kam falënderim shumë të përzemërt dhe mirënjohje për startin tuaj.
Ky është një ligj elektoral në llojin e tij ndoshta unik, i diktuar tërësisht nga përpjekjet e Edi Ramës për të asgjësuar partitë e vogla, për të injoruar vullnetin e zgjedhësve në një mënyrë ose në një tjetër, por mendoj se me listën e paraqitur, ne kemi krijuar një epërsi të madhe.
Epërsi të gjithanshme!
Duke theksuar këtë, tani dëshiroj të ndalem në disa probleme që ne duhet të adresojmë në kushtet e kësaj fushate.
Në kushtet e kësaj fushate, ne do përcaktojmë mjetin kryesor për të fituar mendjen dhe zemrën e qytetarëve të Tiranës me programin që kemi.
Dhe ju garantoj se ky program është 100 përqind i realizueshëm, madje duhet t’u them ju këtu, në disa çështje të revolucionit fiskal janë mbajtur edhe ndonjë rezervë për një etapë pas instalimit të paketës së parë.
Pra, ne i kemi 100 përqind të realizueshme premtimet tona.
Dhe këto janë premtime që bëjnë ndryshim shumë të madh.
Nuk është vetëm paketa e dhembshurisë që i nxjerr shqiptarët nga spektri i varfërisë ekstreme. Ka dy lloje varfërish, ka varfëri ekstreme dhe varfëri. Varfëria, e vlerësuar sipas treguesve të vendit, nuk zhduket, nuk është e zhdukur kudo edhe në vendet më të pasura.
Varfëria ekstreme nuk ekziston sepse çdo vend demokratik shpërndan në mënyrë të atillë që ajo të mos ekzistojë.
Ne në vitin 2013 e afruam në 15 mijë familje dhe ato do dilnin jashtë saj sapo i regjistruam dhe i dixhitalizuam. Do u jepnim shumën që meritonin dhe të mos ishin në varfëri ekstreme.
Sot ai numër është tre katërfishuar. Nuk janë pak, janë shumë.
Plus pensionistët që nuk kanë ndihma të tjera, për shkak të mbetjes së pensioneve në shifra… imagjinoni ju, Mali i Zi në vitin 2003 e kishte pensionin më të ulët se ne, sot e ka trefishin tonë, 450 euro pensionin mesatar.
Por përveç kësaj pakete, janë rrogat minimale që vendosen 500 euro, rroga mesatare 1200 euro dhe ulja e tatimit mbi të ardhurat në 10, është dhe kjo një rritje reale e rrogës për të gjithë rrogëtarët.
Programi ynë për biznesin është programi më i mirë që kemi paraqitur ndonjëherë para shqiptarëve.
Tirana është shumë interesant, në 30 vite mund të jetë qyteti i vetëm që nuk krijoi dot një pol industrial. E ndoqi një fatkeqësi këtë qytet.
Në filozofinë e tyre, Edi Rama dhe socialistët kishin një qëndrim jomiqësor ndaj investimeve të huaja.
Në qoftë se vendet e tjera ndërtuan rreth kryeqyteteve zona të lira dhe i shndërruan ato në zona të lira, më shumë ka Kamza se Tirana investime në industri. Po, atje ka disa gjëra serioze fare.
Pra, gjithçka duhet të bëjmë, takimin me qytetarin.
Donald Trump pati si Levë Arkimedi në këtë fushatë, takimin me qytetarin.
Takimin e përfaqësuesve të tij me qytetarin. Dhe ata konstatuan për herë të parë, një shifër që nuk është dhënë më përpara, mundësinë e ndryshimit të mendimit të një të tretës së atyre që takohen. Shifër shumë e lartë kjo që duhet vlerësuar në shkallë maksimale.
Por, problemi është si duhet ta zbërthejmë takimin ne?
Takimin sigurisht që ju 8 deri në 12 orë në ditë duhet të jeni në takime. Por këto nuk mjaftojnë. Duhet përfaqësuesit tuaj, jo një, por mundësisht tetë, dhjetë të takojnë njëlloj si ju në mënyrë të pavarur nga ju.
Të shkojnë derë në derë, të dorëzojnë fletëpalosjet. Po t’u thonë edhe dy fjalë.
Dikush në tavolinë të kafenesë mund të thotë, të lutem shumë, nuk kam prirje për të të dëgjuar. Nuk ka gjë, shkon tek tjetri.
Por krijimi nga ju i ekipeve me preferencë një i ri ose dy të rinj, ose një i ri dhe një i rritur, është emergjencë, është e domosdoshme.
Sado që të bëni vetë, Tirana është një oqean, nuk dominohet.
E kuptoj atë përkushtimin tuaj, por prapë… lagjet janë, po marr Kombinatin, 72 mijë banorë. Mund të kenë lagje që kanë edhe më shumë.
Ndaj duhet të bëni çdo gjë që të krijoni këto ekipe.
Të komunikoni, të regjistrojnë ama.
Sot këto takova në këtë rrugicë, në këtë numër apartamentesh hyra, që të bëjmë një bilanc pune çdo natë.
Ju të gjithë jeni njerëz mediatikë, por problemi është se mediat nuk i kemi me vete, kjo është e vërteta.
Mediat janë në masën më të madhe të kontrolluara nga qeveria.
Qeveria jo vetëm që në tërësi ua dikton politikat editoriale, por qeveria për fat të keq u dikton edhe tematikat se si të vrasin kohën nëpër studio dhe të mos merren me thelbin.
Po ta vini re ju, kohën më të pakët që të japin në studio, është koha për programin.
Po ne programin kemi, ne aty shkojmë për programin se jemi në fushatë.
Atëherë çfarë na mbetet ne? Na mbeten mediat sociale.
Ju të gjithë keni mediat sociale dhe ju do bëni gjithçka t’i përdorni ato në shkallën më maksimale.
Dhe kur i përdorni vetë, u kërkoni të gjithë bashkëpunëtorëve tuaj të bëjnë share, t’i postojnë.
Me një fjalë, le t’i ndezim ne mediat sociale si asnjëherë tjetër.
Në vitin 2016, Donald Trump fitoi nga mediat sociale. Është shumë e njohur kjo. Ai fitoi se nuk i kishte mediat me vete, megjithëse vetë ka qenë në shoubiz, ka pasur program, por prapë mediat i kontrollonte tjetër kush. Përdori shumë mediat sociale.
Ne të kombinojmë këto faktorë, mediat sociale dhe takimin, të dyja në krahasim me krahun tjetër që është një krah mëkatar, i përçarë, që duhet t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit.
Ndaj dhe të bëjmë ç’është e mundur për përdorimin maksimal.
Shkarkoni VPN-të për TikTokun, mos e injoroni.
Pse u them unë mos e injoroni?
Se TikToku e tmerroi atë.
E tmerroi saqë e ka dërguar deri në atë shkallë sa ndërhyn për persona të veçantë dhe ua fshin llogarinë. Por këto janë akte dëshpëruese të tij.
Prandaj mundësisht krahas FB dhe IG, kthehuni tek VPN dhe shpresoj që të funksionojë TikToku në telefonat tuaj.
Ky ka kryer një krim madhor, ka vënë aparatura të kontrollit të plotë të internetit.
Është kthyer biri i të atit.
Në një mani të papërmbajtur për të kontrolluar fjalën e lirë dhe mendimet e shqiptarëve.
Por, natyrisht këto nuk janë pengesa për ne, këto janë nxitje për t’u përkushtuar shumë më tepër se gjer sot rrjeteve sociale.
Në debatet televizive nuk do refuzoni, përveç atyre që janë me opozitarë të opozitës.
Me ata nuk keni ndonjë punë ju.
Që ta dini ju, unë e kam thënë publikisht, unë i ftova ata atë ditë, por ata nuk erdhën.
Unë e dijë që ata kanë qëndrime të ndryshme nga ne, por përsëri nuk pajtohem me këtë shtypje që ai u bën partive të vogla.
Nuk mund të pajtohem se kjo është antipluralizëm.
Është antidemokratike.
Dhe ju premtova dhe prapë u premtoj që do bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë ligj. Ky është ligj antidemokratik.
Nuk është e vërtetë që ky është ligji ynë.
Jo, absolutisht. Në reformën e vitit 2008, çdo parti kishte zërin e vet të votave.
Bëje koalicion, por anëtarët e saj votonin për partinë e vet.
Mirëpo ato nuk gjetën kurajo dhe forcë të dalin nga orbita e opozitarëve të opozitës dhe rrinë në shërbim të të keqes së madhe.
Edhe në qoftë se nuk duan, por në fakt ato vota i shkojnë në favor Edi Ramës.
Megjithatë ne kemi frontin opozitar më të gjerë të krijuar dhe vazhdojmë këtë betejë me bindje dhe optimizëm të madh se do bindim qytetarët shqiptarë që më 11 maj të votojnë për projektin më të mirë që ata kanë pasur ndonjëherë përpara, projektin e Shqipërisë Madhështore.