FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E RIPËRTËRITJES NË TIRANË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje të gjitha forcave politike opozitare dhe qytetarëve që të bashkohen në një front të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës. Gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Tiranë, Berisha deklaroi se regjimi është në grahmat e fundit dhe se opozita duhet të shfrytëzojë momentin për të intensifikuar protestat dhe përpjekjen politike. ‘Edi Rama është buzë varrit dhe ne duhet t’i japim shtytjen e fundit në banesën e turpit të historisë. Dhe kjo kërkon të bashkohemi’, deklaroi Berisha, duke theksuar se bashkimi nuk duhet të kufizohet vetëm te aleancat tradicionale politike.
Kryetari i PD-së Sali Berisha tha se, fronti kundër qeverisë duhet të përfshijë edhe forca që kanë programe politike kundër Partisë Demokratike, por që e konsiderojnë Edi Ramën dhe atë që ai e cilësoi si narkoshtet, rrezikun kryesor për vendin. ‘Unë ftoj sot këtu të gjitha forcat politike, edhe ato që në program janë anti-Parti Demokratike. Mbaje programin si të duash, nuk kërkoj ndryshimin, por ama nuk mund të mohosh se rreziku madhor i kombit, rreziku ekzistencial i kombit është partia e krimit dhe Edi Rama’, u shpreh ai.
Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha foli edhe për protestat e qershorit, të cilat i cilësoi si një bashkim të qytetarëve përtej ndasive partiake. Sipas tij, në këto protesta morën pjesë demokratë, socialistë, qytetarë pa parti dhe përfaqësues të forcave të tjera politike. ‘Ajo protestë nuk ishte e jona, ishte e qytetarëve dhe ne, si demokratë, e respektojmë atë plotësisht. Në atë protestë protestonin së bashku qytetarë demokratë, qytetarë socialistë, qytetarë pa parti, qytetarë të partive të tjera’, tha ai.
Kryetari i PD-së Sali Berisha u ndal edhe te situata ekonomike dhe largimi i shqiptarëve, duke akuzuar qeverinë se ka shkatërruar prodhimin, eksportet dhe vendet e punës. Ai deklaroi se zhvlerësimi i euros dhe dollarit ka goditur rëndë ndërmarrjet dhe ekonominë shqiptare. ‘Ka shkatërruar ekonominë, ka përgjysmuar eksportet, ka shkaktuar rënie masive të prodhimit, shkatërrim masiv të vendeve të punës’, tha Berisha, duke shtuar se ‘me radhë, dhe ikën shqiptarët, dhe ikën shqiptarët’.
Kryetari i Partisë Demokratike kërkoi që opozita të mos presë ndërhyrje nga jashtë apo veprime nga institucionet për largimin e Ramës, por të marrë vetë përgjegjësinë politike për këtë përballje. ‘Nga narkoshteti shpëtimi duhet të vijë nga ne’, deklaroi ai, duke përsëritur se arma kryesore e opozitës në këtë moment është bashkimi.
Lideri i demokratëve Sali Berisha paralajmëroi partitë që të mos qëndrojnë jashtë një fronti të përbashkët, duke thënë se kjo do të sillte një përgjegjësi të rëndë historike. Ai kërkoi rigrupimin e opozitës dhe organizimin e një proteste më të fuqishme kundër qeverisë. ‘Ky sulm duhet të jetë bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi’, përfundoi kryetari i Partisë Demokratike.

FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje vëllazërore, të përzemërt, për të gjithë ju demokratë e demokrate në këtë sallë, kudo që ndodheni, për qytetarët dhe qytetaret e Tiranës, në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë.
Të dashur deputetë e deputete të Partisë Demokratike, drejtues të degëve të kësaj partie dhe drejtues të partisë.
Së pari, unë kam një mirënjohje të veçantë, të pakufishme, për të gjithë ju këtu dhe të gjithë demokratët e demokrate, mbështetësit dhe mbështetëset tanë, të cilët, në kushtet e një prej diktaturave më të shëmtuara, më të pamëshirshme, më të egra, ia dolët të qëndroni të pamposhtur. Ia dolët dhe në kohërat më të vështira të qëndroni opozitë e këtij vendi dhe të sillni sot Partinë Demokratike në prag të një fitoreje historike.
Ishte kjo qëndresa juaj, ishte besimi i qytetarëve dhe qytetareve të Tiranës e të Shqipërisë që shndërroi në hiç çdo përpjekje për një Shqipëri pa opozitë, për një Shqipëri me opozitë të kontrolluar.
Ishin këto përpjekjet tuaja, kjo qëndresa juaj, që personazhin e zi, të cilin vetëm pak kohë më parë, në mënyrën më historike, e servirnin për shembull dhe yll, në një kohë kur ai ishte në të vërtetë shembulli më i zi i një qeveritari, i një kryeministri.
U kaluan të gjitha këto. Ishte përkushtimi juaj i cili bëri të mundur që ne të mbrojmë votën e shqiptarëve. Jo vetëm të mbrojmë votën, por dhe të garantojmë dëshminë ndërkombëtare me dokumente të akteve-veprimeve të atij që sot quhet padrino i Shqipërisë.
Ishte qëndrimi juaj, ishte përkushtimi juaj në procesin zgjedhor që bëri të mundur që ne të faktonim para shqiptarëve dhe botës se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan si farsë, u zhvilluan në kushtet e partisë-shtet.
Unë dhe një pjesë e juaja e rikujtojmë dhjetorin e vitit ’90, janarin e vitit ’91, kur ne ngriheshim në sheshet dhe rrugët e Tiranës me kërkesë themelore: ndarjen e partisë nga shteti.
Në atë kohë, ne s’kishim votuar kurrë si njerëz të lirë dhe, në fakt, nuk dinim ç’ishin zgjedhjet e lira. Zgjedhjet i kishim aspiratë, por jo se i kishim përjetuar. Se ne kishim përjetuar zgjedhje vetëm në kushtet e partisë-shtet, e cila i fitonte ato sa deshte.
Por tragjike është se pas 35 vitesh, jo ne, po ekipet më serioze ndërkombëtare që vëzhguan zgjedhjet e 11 majit i damkosën ato si zgjedhje të partisë-shtet, pra si një farsë e vërtetë elektorale.
Ne u përballëm jo vetëm me partinë-shtet, e cila, për të rrëmbyer zgjedhjet, njëlloj si Saied i Tunizisë, arrestoi në vitin elektoral liderët e dy partive kryesore opozitare dhe vuri në ndjekje penale liderin e partisë së tretë, por organizoi, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit dhe ligjeve ndërkombëtare mbi zgjedhjet, 4500 veprimtari, ndër të cilat veprimtarinë kriminale 7-milionëshe të Giro d’Italia ditën e votimit, vetëm e vetëm që, si e si, të ndikonte tek zgjedhësit shqiptarë për të votuar për të.
U përballëm me një njeri që vuri në dispozicion të gjithë miliardat, potencialin financiar, të gjithë potencialin njerëzor, me dhjetëra mijëra punonjës të administratës, në kundërshtim me çdo ligj.
U përballëm me një njeri i cili përdori të gjithë fuqinë ekzekutive, mijëra punësime, lejet e ndërtimit, certifikatat e pronësisë, lejet e legalizimit për të rrëmbyer votat e shqiptarëve.
U përballëm me një njeri, bosi i drogës, të cilin me të drejtë shtypi amerikan e quajti ‘Ramaduro’, i cili vetëm për vota dekretoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis në fushatë elektorale.
U përballëm me një njeri i cili organizoi kartelet më të fuqishme të drogës në Evropë për të na i rrëmbyer votat e qytetarëve shqiptarë. Pra, asnjë diktaturë në Evropë nuk ka përdorur kundër qytetarëve të vet një fuqi kaq të keqe sa ç’është droga. Droga, miqtë e mi, është fuqia e së keqes.
Ju i patë vetë dhomat me euro. Ajo ishte një, kishte 40 milionë apo sa i kishte, por ju garantoj se të tilla janë dhjetëra dhe qindra nëpër Shqipëri, para krimi që u vërsulën në të gjitha mënyrat kundër qytetarëve.
E megjithatë, me punën, me përkushtimin, me mundin, pavarësisht nga të gjitha defektet, problematikat e pamohueshme, kritikat që mund të kemi të drejta ndaj njëri-tjetrit, se mund të performonim më mirë, prapëseprapë ne morëm, ne faktuam se në kushte zgjedhjesh normale do të ishim fitimtarët e zgjedhjeve.
Miqtë e mi, ne mblidhemi sot në një moment kritik, por dhe shumë pozitiv, pa diskutim. Narkoshteti i Edi Ramës, Edi Rama, organizata e tij kriminale janë të plagosur për vdekje.
Falë qëndrimit të pamposhtur, të pakompromis të deputetëve të Partisë Demokratike dhe drejtuesve të saj, me qindra dosje të krimeve monstruoze të tyre u dërguan në Prokurorinë Speciale.
Me qindra denoncime u bënë në sallat e kësaj ndërtese dhe kudo kundër vjedhjeve të pafundme, kundër abuzimeve të pafundme të kësaj organizate kriminale.
Protestat e opozitës, seriali i tyre nga dhjetori, kur shpërtheu skandali Balluku, deri në maj, ishin kushtrime për shqiptarët, por ishin dhe një kushtrim për komunitetin ndërkombëtar.
Çdo e keqe ka një fund, kurrë nuk ka të keqe pa fund, dhe e vërteta është se ju jeni jo vetëm lajmëtarët, por dhe arkitektët e fundit të kësaj të keqeje.
Në qershor, pas protestave të Partisë Demokratike, shpërthyen si një uragan i paparë në historinë e vendit protesta popullore, që u quajtën më vonë ‘Revolucioni i Flamingove’. Uragani më i fuqishëm i lirisë së shqiptarëve, mrekullia më e madhe e protestave të tyre.
Mashtrimet dhe gënjeshtrat? Ato s’ishin kurrë as antisemite, as anti-Trump, as të nxitura nga Irani, Greqia, Rusia e të tjerë. Ato ishin shpërthim i pakënaqësisë, i guximit, i trimërisë së qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë ndaj këtij regjimi, me të cilin ne luftojmë çdo ditë.
Ajo protestë kishte në vetvete një mrekulli, mrekullinë më të madhe të protestave, sepse në atë protestë protestonin së bashku qytetarë demokratë, qytetarë socialistë, qytetarë pa parti, qytetarë të partive të tjera dhe rrugët e Tiranës nuk kishin njohur ndonjëherë një protestë kaq të fuqishme, kaq madhështore, kaq epike sa protesta e qershorit.
Keni meritë shumë të madhe, sepse faktikisht, në mbrojtje të idealeve tuaja, të asaj që ju besonit, ju morët pjesë aktive dhe masive në këtë protestë, në përputhje me një kod moral të hekurt.
Ajo protestë nuk ishte e jona, ishte e qytetarëve dhe ne, si demokratë, e respektojmë atë plotësisht dhe do të ishim aty deri ditën e fundit të saj. Asnjë forcë politike tjetër nuk ka bërë, nuk ka dhënë kontributin që ka dhënë Partia Demokratike në atë protestë.
Ju nuk u impresionuat, nuk u penguat nga thirrjet ataviste kundër opozitës, apo nga njerëz të shkurtër që mendonin se Partisë Demokratike i erdhi fundi.
Po si mund t’i vijë fundi një partie që ka historinë e vet, historinë e lirisë, dhe jo vetëm që ka historinë e vet, historinë e lirisë së shqiptarëve, por ka edhe vizionin e vet, të ardhmen më të shkëlqyer të shqiptarëve që mbijetojnë në kushtet më të vështira dhe shpallin ripërtëritjen si procesin e saj themelor për t’u përballur me diktaturën?
Protestat e tetorit të studentëve dëshmuan se cilët janë kufijtë e trimërisë së shqiptarëve dhe studentëve shqiptarë. Ato dëshmuan se studentët e rinj shqiptarë janë të gatshëm, janë të gatshëm ta asgjësojnë, ta bëjnë të paqenë këtë të keqe të madhe.
Kurrë rrugët e Tiranës, sheshet e saj nuk kanë parë djem dhe vajza trima si ata.
Ja pra që vërtet jemi në një, absolutisht, një diktaturë më të keqe që mund të bëhet, sepse droga është një fuqi e të keqes, është një armë ndër më të këqijat, më të rrezikshmet në duart e së keqes, në duart e narkoshtetit.
Por, nga ana tjetër, një popull i tërë sot është në këmbë dhe Partia Demokratike është më në këmbë se kurrë për të vazhduar këtë betejë për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim.
Miq, para disa kohësh i thashë një miku tim: ‘Ne kemi një problem’, i thashë. ‘Problemi ynë është se narkoshteti, droga po na rrënon. Ka shkatërruar ekonominë, ka përgjysmuar eksportet, ka shkaktuar rënie masive të prodhimit, shkatërrim masiv të vendeve të punës. Kartelët vendosin kudo për votat, vendimet e tjera, për ndërtimet, për çdo gjë. Dhe ne i kemi të dokumentuara këto, por problemi ynë është se nuk ka një reagim nga miqtë tanë, nga partnerët tanë, ndaj kësaj situate dramatike që kalon vendi dhe kombi ynë’.
Në fakt, i thashë, jo vetëm nuk ka reagim, por për fat të keq nuk mungojnë rastet kur përfaqësues ndërkombëtarë i mohojnë këto zhvillime.
M’u kthye e më tha: ‘Sali, një gjë të siguroj, se të gjitha këto që thua janë plotësisht të vërteta për ne. Por pastaj shprehja apo qëndrimi, sigurisht që adaptohet në kuadër të një qëndrimi të përgjithshëm, të cilin një mik tjetër do e shprehte: Si do të thonë ne narkoshtet kur Shqipëria po anëtarësohet, po ecën drejt Bashkimit Evropian?’
Pse jua thashë këtë? Jua thashë këtë sepse shpesh, me të drejtë, ne presim nga partnerët tanë të denoncojnë narkoshtetin, të denoncojnë narkoregjimin. Por tani duhet të themi një gjë tjetër: edhe sikur me të gjitha mjetet e tyre ta denonconin, një gjë duhet të jemi të sigurt: nga narkoshteti shpëtimi duhet të vijë nga ne.
Nuk është Shqipëria Venezuela që të dërgohen Deltat dhe të rrëmbehet në bunker e të arrestohet Maduro. Ramaduro është shumë i ngjashëm me të, jua them unë juve. Po të lexoni ju për regjimin e gangsterëve të Venezuelës, janë absolutisht si një pikë uji, e ndarë në dyshë. Ta dini mirë këtë.
Por prapë Shqipëria është Shqipëri, nuk është Venezuela. E them këtë se duhet ta mbajmë parasysh: edhe sikur gjithë bota t’i thotë se Edi Rama është narkoshtet, narkodiktator e të tjerë, përsëri detyrën e shtëpisë duhet ta bëjmë ne. Nuk do të vijë kush të na e bëjë këtë detyrë.
Dhe a mund ta bëjmë ne këtë detyrë? Po! Mund ta bëjmë këtë detyrë, absolutisht.
Goditjet që i kanë dhënë këtij regjimi gjatë vitit 2024 janë goditje fatale për të. De facto është një kufomë e pakallur. Dhe këtë e bënë protestat. Këtë e bënë protestat.
Mirëpo çdo ditë që kalon në pushtet është një ndëshkim për shqiptarët. Çdo ditë që qëndron në pushtet është një mallkim për Shqipërinë.
Ndaj edhe ne jemi në një udhëkryq. Ndaj kundër tij janë përdorur protestat më gjigante, janë përdorur protestat më të guximshme, por ka një armë më të fuqishme se këto dhe kjo armë nuk është përdorur. Kjo armë është bashkimi! Kjo armë është bashkimi!
Churchill, në prag të Luftës së Dytë Botërore, thotë se civilizimi mund të mbijetojë gjatë, liria mund të mbrohet, paqja mund të sigurohet vetëm kur një grup i madh njerëzish bashkohet.
Në fakt, këtë e provon dhe historia jonë. Sa herë jemi bashkuar, ne kemi arritur të kapërcejmë stuhi dhe vështirësi. Ndaj dhe nuk ka rrethanë që fton më shumë për bashkim sesa rreziku ekzistencial.
Ju jeni gratë e burrat e rinj politikë. Sot, për çdo shqiptar, për çdo vatër shqiptare, për çdo familje shqiptare, ekziston një rrezik ekzistencial që po e shuan kombin, që po e kllabron kombin.
Sot, sipas statistikave mashtruese zyrtare, jemi gjithsej 2 milionë e 300 mijë. Imagjinoni, ishim, sipas statistikave zyrtare, 2 milionë e 820 mijë. Tani, zyrtarisht, unë ju garantoj se jemi shumë më pak, por po e marr këtë që thonë zyrtarisht: 2 milionë e 300 mijë.
Fondi Monetar korrigjoi shifrën e të ardhurave për frymë, duke deklaruar se po e bëjmë korrigjimin për shkak të pakësimit dramatik të popullsisë.
Eurostat publikoi të dhënat e fundit: nga 100 shqiptarë, 56 banojnë në Bashkimin Evropian. Shqiptarë nga Shqipëria. Nga të cilët, 1 milion e 99 mijë kanë ikur dhjetë vitet e fundit.
Sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa lindnin 100 vjet më parë, kur ne ishim më pak se 1 milion. Asnjë luftë, asnjë pushtim nuk na ka dhënë një goditje të tmerrshme demografike siç na e ka dhënë narkoshteti i Edi Ramës.
Po u mbyllën masivisht ndërmarrjet. Prodhon Shqipëria. Shqipëria është një vend i bekuar me rezerva shumë të mëdha, po eksportet u shkatërruan sepse euro, me të cilën bëjnë tregti, dollari, me të cilin bëjnë tregti në këtë vend, u zhvlerësuan 35, 33 për qind, më shumë se në çdo vend tjetër të planetit.
Dy herë më shumë, tre herë më shumë se në çdo vend tjetër të planetit. Iku prodhimi. Me radhë, dhe ikën shqiptarët, dhe ikën shqiptarët. Ndaj dhe në këto kushte, detyra e Partisë Demokratike, detyra e çdo shqiptari është të bëjë gjithçka për bashkimin në një front sa më të gjerë kundër të keqes më të madhe që ka emrin Edi Rama dhe narkoshteti i tij.
Nuk duhet të presim dhe të mendojmë se Edi Rama do të largohet nga ndërhyrjet e huaja. Jo! Nuk duhet të presim dhe të mendojmë se Edi Ramën do ta arrestojë SPAK-u i partisë. Harrojeni! Nuk duhet të presim dhe të mendojmë se Edi Ramën do ta rrëzojnë deputetët apo drejtuesit e tij. Jo, nuk ndodh.
Atëherë, Edi Rama është buzë varrit dhe ne duhet t’i japim shtytjen e fundit në banesën e turpit të historisë. Dhe kjo kërkon të bashkohemi. Të bashkohemi jo më në aleancat konvencionale që i njohim të gjithë. Jo. Të bashkohemi me të gjithë ata të cilët janë me ne ose kundër nesh, por që, si shqiptarë të vërtetë, konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe për foshnjën e këtij kombi, për farën e këtij kombi, për të sotmen dhe të ardhmen e këtij kombi.
Ndaj dhe… pra, ky është një lloj bashkimi tjetër, tjetër. Por ky bashkim, ky bashkim nuk është pjellë e jona. Jo. Këtë bashkim e bënë shqiptarët në qershor. Ju them unë aty, juve. Javën e parë të qershorit në protestë kishte shumë demokratë, por kishte më shumë socialistë. Pastaj u bënë më shumë demokratë, por kishte gjithnjë dhe socialistë. E bënë shqiptarët, u bashkuan kundër të keqes më të madhe.
Dhe ne duhet të bashkohemi kundër të keqes më të madhe. Ndaj dhe unë jam këtu për t’ju ftuar juve, për të ftuar çdo demokrat dhe demokrate që në këtë mision, në këtë përpjekje të japë çdo kontribut të mundshëm për këtë bashkim.
Ndaj dhe unë ftoj sot këtu të gjitha forcat politike, edhe ato që në program janë anti-Parti Demokratike. Mbaje programin si të duash, nuk kërkoj ndryshimin, por ama nuk mund të mohosh se rreziku madhor i kombit, rreziku ekzistencial i kombit është partia e krimit dhe Edi Rama. Ndaj, hajde të bashkohemi njëherë.
Po pse të bashkohemi? T’i heqim mënjanë dhe të votojmë si qytetarë të lirë. Dhe në qoftë se alternativa jote kundër Partisë Demokratike fiton vota nga qytetarët e lirë, ne respektojmë vullnetin e tyre, sikundër edhe ti. Po qe se alternativa e Partisë Demokratike merr kuotimin më të mirë, ti do të respektosh vullnetin.
Pra, ka, ose të tjerë, të tjerë të cilët, në meritën e padiskutueshme të tyre, protestuan 170 ditë, 180 ditë. Meritë e madhe. Por bashkohu me këtë parti kundër të keqes më të madhe, se kjo parti ka midis tyre, edhe në këtë sallë midis tyre, që kanë protestuar 333 ditë, që kanë protestuar edhe 170 ditë atje, përveç atyre që kanë protestuar edhe 420 ditë në Astir.
Pra, kjo është parti e protestës. Ndaj bashkohuni, se protesta është etike. Do të ishte e pafalshme për opozitën po të mos rindërtonte dhe të ngrinte protestën më të fuqishme kundër regjimit tani që ai është në grahmat e fundit. Bravo!
U bëj thirrje, thashë, partive të tjera: të bashkohemi në këtë front, se përndryshe, përndryshe, secili merr një përgjegjësi të tmerrshme historike. Pa dashje shndërrohet në një lloj paterice të kujt? Të regjimit që i ka sallat plot me narkoeuro për t’u bërë gjëmën shqiptarëve.
Prandaj rrini larg, bashkohuni aktivistëve të cilët pesë muaj rresht, si me çelës, duke bërtitur ‘Rama ik, Berisha ik’, bashkohuni, se përndryshe kontributin tuaj ua merr lumi. Mbajeni ju thirrjen tuaj, por bashkohuni.
Nuk dua që kontributi juaj të… sepse ju dhatë kontribut, pavarësisht se nuk po ndalem, do të bëni vetë analizat.
Por bashkimi është sepse nuk mund të vazhdohet me idenë e asaj që nuk është. Në çdo betejë, në çdo betejë, në çdo betejë je i detyruar të shohësh fushën, je i detyruar të bësh rigrupimin për të ndërmarrë sulmin tjetër.
Dhe ky sulm duhet të jetë bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi.


