Konferenca/ Berisha: Skapistët kanë kryer krim kushtetues. Kërkuan vendosjen e masave të sigurisë pse unë po sulmoj Irenën me 5 mbiemra dhe Dumanin me 4 banesa

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Gjatë konferencës së parë për mediat për vitin 2025, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi qeverinë Rama se, ka vendosur taksa raciste ndaj një pjese të vendit. Taksën e rrugës Kashar-Thumanë, Berisha e cilësoi si taksë të urrejtjes kombëtare.  

Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se, me ardhjen në pushtet, Partia Demokratike do të heqë çdo taksë mbi rrugët e Shqipërisë. Berisha theksoi se, nuk do të njihet asnjë tender i hapur ditët e fundit 2024, pasi ligji dhe Kodi Zgjedhor nuk e lejon qeverinë të bëjë këto operacione financiare.

I pyetur nga gazetarët për masën e re të sigurisë ndaj tij, kryetari i PD-së Sali Berisha tha se, Skapistët kanë kryer një tjetër krim kushtetues. Sipas tij, Skapi i ka kërkuar masë sigurie sepse Sali Berisha po sulmon SPAK-un dhe gjykatën, Irenën dhe Dumanin.  Në konferencën për media, kryedemokrati Sali Berisha i është përgjigjur interesit të gazetarëve, nëse do ta respektojë masën e sigurisë së dhënë ndaj tij. Berisha u shpreh, se ky është një proces që buron nga parlamenti dhe do ta respektojë.

Lideri i demokratëve, Sali Berisha u shpreh për gazetarët se, masat e sigurisë ndaj tij, do ti shtojnë vota. ‘Masat e sigurisë vetëm sa i shtuan votat presidentit Donald Trump! Gjykoj se do më ndihmojnë edhe mua’ theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha.

Në fund të konferencës me gazetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha nuk la pa përmendur edhe programin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit. Do të ketë shpërndarje të re të të ardhurave për qytetarët, ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha theksoi se, në 11 maj do të firmoset një kontratë të re me çdo qytetar.

FJALA E PLOTE:

Së pari një urim të përzemërt për ju që keni dalë këtë ditë në punë.

Së dyti, përsëri një urim për të gjithë ata që na ndjekin në këtë bisedë me ju.

Çështjet që desha të sjell para jush dhe shqiptarëve janë së pari, vendosja e taksës raciste, diskriminuese për 20 kilometra rrugë, Ura e Limuthit-Thumanë.

Kjo taksë, e cila është një nga më të shtrenjtat në Europë dhe botë, po të kemi parasysh segmentin 20 kilometra, është një taksë jashtëzakonisht problematike, pasi është taksë kundrejt banorëve më të varfër të Shqipërisë dhe më të varfër të Europës.

Duhet të sqaroj këtu se të ardhurat për frymë të qarqeve të veriut janë rreth dy herë më të ulëta se të ardhurat për frymë të qarqeve të Shqipërisë së mesme dhe të jugut.

Vendosja e një takse prej 4.2 euro vajtje-ardhje për 20 kilometra rrugë të ndërtuara është akt urrejtje kombëtare, është diskriminim antikushtetues pasi taksa e tillë e ngjashme nuk ekziston në autostradat e tjera të kategorisë A që shtrihen nga Vlora në Fier, nga Elbasani në Tiranë, etj.

Pra, pretendimi se është kategori A, është një mashtrim i turpshëm i Lubi Ballukut dhe Edi Ramës sepse nuk ka asnjë lidhje.

Kategori A është rruga nga fillimi i bajpasit të Fierit gjer në Vlorë, nga Farka gjer në Elbasan dhe nuk ka asnjë taksë për këta banorë që kanë pothuaj dyfishin e të ardhurave krahasuar me banorët e Kukësit, Tropojës, Hasit, Pukës dhe zonave të tjera.

Taksa që vendoset në segmentin rrugor 20 km është absolutisht antiligjore sepse çdo qytetar shqiptar paguan njërën prej taksave më të larta në Europë, taksë qarkullimi, 270 lekë për çdo litër naftë, nga e cila mblidhen qindra milionë euro dhe destinacioni i vetëm ligjor i tyre është mirëmbajtja e rrugëve.

Në qoftë se vilen çdo vit 200 milionë apo 160 milionë euro me këtë taksë, në buxhetin e këtij viti janë akorduar për mirëmbajtjen e të gjithë rrjetit rrugor të Shqipërisë gjithsej 30 milionë euro, një shumë qesharake.

Pra, taksa që merret për rrugën është e paguar në taksën e qarkullimit. Vidhet nga qeveritarët dhe tani rëndohen më të varfrit.

Kjo taksë rëndon shumë buxhetin e qytetarëve. Një qytetar nga Hasi, Tropoja, edhe nga Kukësi, për të ardhur në Tiranë dhe për t’u kthyer duhet të shpenzojë të njëjtën shumë parash që shpenzon me EasyJet, Tiranë-Bruksel apo Tiranë-Budapest dhe ky është një qëndrim i bazuar në urrejtje, i bazuar në diskriminim racist ndaj atyre që nuk e votojnë Edi Ramën.

PD u bën thirrje qytetarëve të veriut të organizohen në mosbindje të fuqishme civile për të shembur çdo barrierë, me të cilat Edi Rama kërkon t’u vendosë taksa raciste.

PD garanton qytetarët se me ardhjen e saj në pushtet, çdo taksë nga Vermoshi në Konispol do të hiqet dhe nuk do ekzistojë për asnjërën nga rrugën, autostradat e ndërtuara në Shqipëri.

PD paralajmëron ndërtuesit, mos u bëni bashkëautorë në koncesione, të cilat rëndojnë mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë në mënyrën më të tmerrshme.

Lidhur me këtë, deklaroj se ne, tenderat e shpallur në këtë fundvit, qoftë ai i Porto Romanos, qoftë tre segmentet e rrugës Milot-Fier, në mënyrë absolute nuk do të njihen, por do të bëhen përgjegjës dhe do ndiqen penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në këto tendera në kundërshtim flagrant me ligjin elektoral, i cili ndalon qeverinë të bëjë prokurime dhe tendera 4 muaj para zgjedhjeve.

Unë i ftoj biznesmenët, ndërtuesit, të mos harrojnë se ligji është edhe për qeveritarët, edhe për kompanitë që me vetëdijë e shkelin atë.

Segmentet e shpallura janë në këtë periudhë vetëm që qeveria të mbushë thasë me euro gjatë fushatës elektorale dhe janë në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, që është Kushtetuta e zgjedhjeve.

Këto kisha, duke pasur parasysh që me këto pushime të zgjatura, Shqipëria po i afrohet Nepalit.

Por nepalezët kanë një meritë, vërtet kanë shumë ditë pushimi, por punojnë 8 euro dhe nuk kanë uikend.

Përndryshe, kanë 39 ditë festa. Aty po i çon edhe Edi Rama në kundërshtim me çdo lloj rregulli.

I duhet sa më pak të punojnë dhe të ikin shqiptarët nga Shqipëria.

PYETJE PËRGJIGJE ME GAZETARËT:

Olta Blaceri, Vizion+: A e keni marrë zyrtarisht vendimin e Gjykatës së Apelit për masën e sigurisë ndaj jush dhe a do të paraqiteni ditën e hënë?

Sali Berisha: Mësova më vonë dhe dua të ju konfirmoj se kemi të bëjmë me një krim të shëmtuar kushtetues.  Se Skapistët, të tmerruar nga krimi i tyre, kanë kryer një krim tjetër, që ju e keni të vështirë të imagjinoni.  Kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë sepse Sali Berisha po sulmon SPAK-un dhe gjykatën, Irenën dhe Dumanin. Irenën me 5 mbiemra dhe Dumanin me 4 banesa, se 3 i ka të vetat, dhe një e ka me qira, qenka qiraxhi tek vjehrri.

Prit se kjo është me e bukura, se po sulmon gjykatën dhe në këtë mënyrë tremben dëshmitarët, në një kohë kur 130 dëshmitarë të pyetur kanë dëshmuar se nuk kanë marrë kurrë asnjë porosi, asnjë gjë të vetme nga Sali Berisha, nuk kanë asnjë dëshmi kundër tyre, se çfarë do tremben ata që kanë thënë asnjë fjalë për Sali Berishën, këtë e dinë vetëm kriminelët elektoralë, kriminelët kushtetues të Skrapit të partisë.

D.m.th zbatuan urdhrin e Edi Ramës sepse janë tmerruar nga denoncimet e aferave të tyre, vjedhjeve që kanë bërë. Dhe të kesh tre banesa me rrogë shteti dhe të banosh në një të katërt se i paguan vjehrrit qira, e kuptoni vetë se ç’ndodh aty. Merret me mend se si janë larë paratë me thasë. Kështu që këtë mësova unë. Më sqaroi avokati mbrapa, se dje kur takova gazetarët nuk e kisha të qartë se çfarë kanë arsyetuar. Arsyetimi ishte se Berisha po sulmon gjykatën, e kishin fjalën për Irenën me 5 mbiemra dhe SPAK-un për trojkën famëzezë, të zhytur në krime elektorale dhe krime ekonomike të tjera, të denoncuar dhe që do i denoncoj gjithnjë e më shumë për ato që kanë kryer.

Dhe gjykojnë që masat duhet t’i vendosin në mënyrë që të imponojnë censurë. Është tipike mendësia e Edi Ramës. Se Edi Rama për ta nuk çan kokën, Edi Rama ka hallin se unë po denoncoj gjithnjë vjedhjet e tij, familjare dhe qeveritare, të lidhura së bashku. Sidoqoftë, çështja është në Strasburg. Avokatët ia përcjellin Strasburgut edhe këtë vendim.

Olta Blaceri, Vizion+: A do të paraqiteni ditën e hënë?

Sali Berisha   E kam bërë të qartë, që unë, gjersa është një proces që buron nga parlamenti, do paraqitem. Nuk kam kërkuar gjë tjetër, vetëm parlamentin. Këtu nuk ka nevojë sepse parlamenti ka dhënë një autorizim për arrestimin tim, pastaj se çfarë bëjnë këta me njëri-tjetrin, urdhëro tani.

Bëhen bashkë Irena me 5 mbiemra dhe Dumani me 4 banesa, dhe thonë po na i përmend Sali Berisha. Jo do ua përmend, por do ua nxjerr për hundësh unë atyre se aty kemi të bëjmë me vjedhje 100 përqind.

Olta Blaceri, Vizion+: Meqenëse jemi 4 muaj larg zgjedhjeve, kur do ta përcaktoni ekipin tuaj të kandidatëve për deputet dhe si do të përcaktohet.

Sali Berisha: Ka procedurë statutore. Do përcaktohet nëpërmjet primareve.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Kur jemi 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare a e pengon Sali Berishën dhe PD-në kjo masë detyrim paraqitje dy herë në muaj në këtë fushatë dhe në zgjedhjet  parlamentare të datës 11 maj.

Sali Berisha: A e pengoi gjë Donald Trumpin masa e paraqitjes së tij në 5 gjykata çdo javë? Përkundrazi i shtoi vota dhe i afroi fitoren. Kjo do të jetë edhe për Sali Berishën, të jemi të sinqertë, se ekziston sensi i të drejtës tek qytetarët dhe ky është një faktor që më ndihmon mua, sepse e shohin se çfarë regjimi është.

Dolën siç janë, shkon e merr masë dhe i thotë gjykatësit, se ky na sulmon ne, d.m.th ai nuk mund të sulmohet. Ai mund të ketë 4 banesa me rrogë shteti dhe nuk mund të sulmohet, ajo tjetra katër mbiemra dhe nuk mund të sulmohet.

Lëre mos e pyet. Edi Rama me lidhje monstruoze krimi të gjithanshëm dhe nuk mund të sulmohet. Ndaj dhe këto eksperienca e SHBA dëshmon se këto e ndihmuan presidentin Trump, sipas studimeve. Unë nuk kam studim për veten time, por gjykoj se do më ndihmojnë.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Në konferencën në fund të vitit ju publikuat uebin për regjistrimin e diasporës. Në datën 11 janar nis ky proces dhe përfundon në datën 6 mars. Kur do të jetë takimi i parë i Sali Berishës me diasporën dhe çfarë po bën PD për të maksimalizuar votën e diasporës?

Sali Berisha: PD po vazhdon me takime. D.m.th janë bërë takime në Itali, po organizohen takime të tjera dhe do vazhdojnë. Problemi më kryesor është identifikimi. Takimet shërbejnë, por shërben mbi të gjitha identifikimi në vend, në zona, në banesa, në blloqe, në lagje i emigrantëve krahasuar me listat e votimit.

Po punohet në këtë drejtim. A do shkoj unë, sigurisht do shkoj, cila do jetë koha, këtë nuk e kam përcaktuar se duhet të zgjedh një kohë kur të shkoj. Do të shkoj kur ta gjykoj se është koha më optimale për efekt elektoral.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju sollët shembullin e Nepalit, ndërsa unë kam parë se në datën 31 dhjetor keni qenë në seli, datë 2, 3, 4 janar keni qenë në seli në punë. A mjafton që në këtë parti të punojë vetëm Sali Berisha apo dhe të tjerët?

Sali Berisha: Jo, punojnë edhe të tjerët. Mendoj se motorët janë të ndezur. Por nga ana tjetër, ka edhe që po marrin energjinë e nevojshme për sulm.

Kështu që nuk është se jam vetëm unë në punë, se tani komunikohet në shumë forma dhe angazhimi është shumë serioz.

Anisa Kadesha, RTSH: Ju e konsideroni politik vendimin e djeshëm të Gjykatës në kushtet kur vendi ka hyrë në vit elektoral tashmë.

Sali Berisha: Kryekëput politik. Unë e dija që ishte politik, nuk kisha asnjë dyshim sepse dosja është dorëzuar në gjykatë dhe sipas të gjitha ligjeve unë kam punë me gjykatën, jo me prokurorinë. Por Skapistët të tmerruar nga denoncimet e mia, që janë vetëm maja e ajsbergut se unë do paraqes të gjithë nomenklaturën e diktaturës, se ata janë pjesë e nomenklaturës së diktaturës. Nuk merresha me ta po të mos ishin të tillë, por janë organizatë kriminale në funksion të diktaturës.

Për mua, Altin Dumani është po aq kriminel elektoral sa Taulant Balla, sa Damian Gjiknuri, sa Edi Rama, sepse ai ka mbyllur dosjet e dokumentuara të krimit monstruoz elektoral qeveritar. Dosjet që faktojnë përdorimin e vrasësve serialë, e bandave të tëra të vrasjeve për motive elektorale. Ai do me çdo kusht që partia e tij të vazhdojë në pushtet sepse e di se e pret një hetim intensiv për të gjitha vjedhjet dhe shpërdorimet që ka.

Sepse nuk ka zyrtar me rrogë shteti kurrë me 4 banesa, tre të vetat dhe një me qira, i paguan vjehrrit qira, ai i paguan ai vjehrrit, apo ai këtij, nuk e dimë. Mund të jetë e vërtetë, por tre banesa nuk mund të ketë kurrë një rrogëtar shteti. Një dhe do marrësh një kredi që do punosh të paktën 15 vjet për ta paguar. Ose ai xhelati i Sigurimit të Shtetit me vila dhe ç’të thuash. Ose ata të tjerët që bëjnë tregti me bandat. Këto do jenë objekt denoncimesh të vazhdueshme të sipërmarrjes së përbashkët shtet-krim, krim-shtet.

***

Një përshëndetje të përzemërt edhe njëherë për qytetarët. I garantoj se PD po vazhdon me intensitet përpunimin e programit të saj, me të cilin ata nuk do jenë më të skajuar për të ardhurat dhe fondet e buxhetit, por do jenë në epiqendër për një shpërndarje të re në mënyrë që të jenë përfitues kryesor, siç janë në çdo vend të lirë dhe demokratik.

Vetëm në diktatura, buxhetet dhe pasuritë kombëtare shkojnë për diktatorin, ose në pushtime shkojnë për pushtuesin dhe suitën e tyre.

Ky është zotimi ynë për këtë vit të ri dhe ne do i përmbahemi atij.

Me votën e shqiptarëve me 11 maj firmosim një kontratë të re me çdo qytetar shqiptar, një kontratë e cila do të ndikojë pozitivisht dhe konkretisht në jetën e mbarë shqiptarëve.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale