KLSH zbulon shkelje të rënda në ISUV, Vangjeli: Kur shkelja e ligjit bëhet normë, kryeministri duhet të japë dorëheqjen

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Rama jepe dorëheqjen …

Është koha që bashkë me Edi Ramën të japin dorëheqjen edhe drejtuesit e administratës së tij dhe të mbajnë përgjegjësi për dëmet, abuzimet dhe shkeljet që për vite me radhë janë kryer në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Abuzimi me detyrën, shpërdorimi i fondeve publike dhe shkelja e procedurave ligjore nuk janë më akuza politike të opozitës.

Ato janë fakte që evidentohen nga vetë institucionet shtetërore të kontrollit dhe auditimit.

Një shembull është raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për auditimin në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, ku janë konstatuar shkelje të shumta që kanë sjellë pasojë 16 masa organizative, 2 masa për shpërblim dëmi, 4 masa për eliminimin e efekteve negative në administrimin e fondeve publike dhe 23 masa disiplinore ndaj punonjësve të institucionit.

Skandali bëhet edhe më i rëndë kur konstatohet se në procedurat e tenderimit kanë marrë pjesë persona që nuk kishin nisur ende marrëdhënien e tyre të punës.

Titullari i institucionit me Urdhërin specifik ngre komisionin e vlerësimit të ofertave me anë të të cilit kryetare e komisionit është emëruar një zonjë e ka filluar marrëdhënien e saj të punës në ISUV 21 ditë pas daljes së urdhërit për ngritjen e KVO-së.

Ky nuk është një gabim administrativ. Ky është simboli i degradimit të shtetit, i papërgjegjshmërisë institucionale dhe i kulturës së pandëshkueshmërisë që është instaluar gjatë viteve të qeverisjes së Edi Ramës.

Kur shkeljet bëhen normë, kur ligji zbatohet sipas interesit dhe kur institucionet përdoren për të mbuluar përgjegjësitë politike, atëherë problemi nuk është më vetëm i një institucioni. Problemi është vetë modeli i qeverisjes.

Prandaj, Rama, jepe dorëheqjen, sepse administrata publike është shndërruar në një mekanizëm të politizuar, ku meritokracia zëvendësohet nga bindja politike dhe ku përgjegjësia mungon.

Rama, jepe dorëheqjen, sepse standardet e një demokracie funksionale kërkojnë përgjegjësi politike kur skandalet dhe dështimet përsëriten vit pas viti.

Rama, jepe dorëheqjen sepse shqiptarët kanë mbi 3 javë që ta kërkojnë dhe po sfidojnë narrativën e një pushteti që pretendon se gëzon mbështetjen më të madhe nga qytetarët.

Rama, jepe dorëheqjen sepse Shqipëria ka nevojë për një qeverisje të re që rikthen besimin e qytetarëve tek shteti dhe demokracia.

Mjaft është mjaft!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale