Klevis Balliu: PD dënon kthimin e Altin Qatos në detyrë dhe kërkon marrjen e masave disiplinore serioze e të plota ndaj tij  

Deklarata e Koordinatorit Rajonal për Tiranën në PD, Klevis Balliu:

Altin Qato, shefi i Policisë Rrugore, që u bë simboli i radhës i Policisë Rrugaçërore do të kthehet në krye të detyrës pas një pezullimi pak ditor, sa për sy e faqe.

Në shkelje të ligjit, përdhosjes së uniformës dhe të kodeve të shqiptarit, Altin Qato goditi në ‘rrugë të madhe’ një qytetar, duke u bërë një prej dhjetëra zyrtarëve të lartë policorë që dhunojnë qytetarë apo gazetarë pa asnjë shkak ligjor.

Partia Demokratike e dënon kthimin e Qatos në detyrë dhe kërkon marrjen e masave disiplinore serioze e të plota ndaj tij dhe çdo zyrtari që, në shkelje të detyrës, kërcënon, frikëson apo godet qytetarët.

Rikthimi i tij në detyrë, pas një “autokritike të shëndoshë” për Rrumbullakun e narko-Policisë dëshmon se sa i inkriminuar është pushteti, që nxjerr policët e Rrugores në rrugët e Shqipërisë për të goditur qytetarët, që jo vetëm paguajnë taksa për rrugët, por edhe rrogat e policëve.

Egërsimi i Altin Qatos dhe goditja e qytetarit është në vetvete një aferë korruptive për të mbuluar një tjetër aferë korruptive të qeverisë.   

Prej kohësh Policia e Shtetit është kthyer ne mburojë të pushtetit dhe aferave korruptive të Ramës, Ballukut dhe Veliajt.

Kjo do të thotë dhune frontale kundër protestuesve dhe shërbim ‘extra full inclusive’ organizatave kriminale.

Rrumbullaku mund ta mbajë Qaton për shërbimet që i bën Rilindjes, por nuk mund të ruajë edhe nderin e uniformës dhe as t’i shmanget përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Partia Demokratike e di se ne Policinë e Shteti ka efektivë te ndershëm dhe dinjitozë qe përplasen ballazi me krimin, siç ka si Qato me shokë, ushtarë të zellshëm kundër qytetarëve, deri në dhunë fizike, dhe ‘pula të lagura’ para kriminelëve.

E dënojmë edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe politike dhe qytetare dhunën ndaj qytetarit, të kryepolicit Altin Qato, dhe i sigurojmë, si viktimën ashtu dhe agresorin se, nëse i pari na ka në krah, i dyti na ka përballë deri në ndëshkimin më shembullor nëpërmjet ligjit.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale