Kërkesat e protestuesve/ Berisha: Kufizimi i mandatit të kryeministrit në 2 mandate, PD plotësisht dakord, që nesër e votojmë këtë nismë. Rama e trajton vendin si sulltanat, ka projektuar 523 resorte që do përjashtohen nga taksat

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme me gazetarët, ka akuzuar Edi Ramën, duke e cilësuar qeverisjen e tij si një sulltanat privat dhe duke denoncuar ‘Dosjen Shqiptare’, një dokument sekret me 523 projekte zhvillimi në zonat turistike, të përjashtuara nga taksat për 10 vjet. ‘Edi Rama e trajton Shqipërinë si një sulltanat të tij, si një pronë private dhe regjimin e tij si një regjim kolonial ndaj shqiptarëve’, tha Berisha në hapje të fjalës së tij.

Sipas kryedemokratit Sali Berisha, dokumenti i mbajtur fshehur parashikon infrastrukturë gjigante të liruar nga detyrimet fiskale. ‘523 resorte, hotele, zhvillime në zonat turistike,  përjashton tërë këtë infrastrukturë gjigante 10 vite nga taksat. A ka shfrytëzim më të egër se ky?’, pyeti ai, duke e cilësuar skemën si ‘sistem tipik kolonial’.

Berisha u ndal gjatë te disa zona strategjike që janë përfshirë në listë, mes tyre Livadhi i Himarës, Vunoi dhe kanioni i Gjipesë. ‘E gllabëroi Livadhën, është ajka, është kurora më e bukur e Himarës’, tha ai, duke shtuar se për Vunon ‘15 mijë metra katrorë tokë’ rezultojnë të blera nga një qytetar, ndërsa shitësi mbetet ‘top sekret’.

Kreu i PD-së, Sali Berisha solli në vëmendje edhe emrin e ish-zyrtarit Artan Lame, të cilin e përshkroi si njeriun që ‘nuk pranoi të regjistronte as kanionin e Gjipesë, as tokën në Vuno si pronë private të Edi Ramës’ dhe që, sipas tij, u shkarkua 5 ditë pas paraqitjes së hartës. Gjatë fjalës me gazetarët, Berisha u bëri thirrje strukturave europiane të hetimit. ‘I bëj thirrje Eurojust, i bëj thirrje Interpolit, i bëj thirrje Europolit të vendosë nën hetim pa përjashtim të gjitha kompanitë e listuara në librin ‘Dosja’’, tha ai, duke u shprehur se, transaksionet drejt 80 studiove arkitekturore mund të zbulojnë ‘rrjetin më monstruoz në Evropë, të trafikantëve të drogës’.

I pyetur nga gazetarët për kërkesat e protestuesve, të artikuluara nga protesta qytetare që sot ka hyrë në ditën e saj të 25 pa ndalim, lideri i opozitës Sali Berisha konfirmoi dakordësinë e plotë me kufizimin e mandatit të kryeministrit. ‘Partia Demokratike është plotësisht dakord. Plotësisht dakord! Që nesër është e gatshme të votojë në parlament’, theksoi ai, duke argumentuar se Rama ‘nuk lejon rotacionin e pushtetit’. Lidhur me një qeveri tranzitore, kryetari i PD-së Sali Berisha ripërsëriti propozimin për një ekzekutiv jopartiak. ‘Unë jashtë kushtetutës nuk dal dot’, sqaroi ai, duke këmbëngulur se një qeveri e tillë ‘duhet të votohet nga parlamenti’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dënoi sulmet që Edi Rama dhe Taulant Balla po bëjnë ndaj aktivistëve/qytetarëve që janë bërë pjesë e protestës qytetare ku kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe qeverisë së tij, por që më parë kanë qenë pjesë e strukturave të UÇK-së. ‘Janë antishqiptarë që kanë shitur shpirtin e tyre te droga, krimi e vjedhja. Janë turpi i kombit!’, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita!

Edi Rama e trajton Shqipërinë si një sulltanat të tij, si një pronë private dhe regjimin e tij si një regjim kolonial ndaj shqiptarëve.

Mediat kanë zbuluar librin famëzi Dosja, në të cilin Edi Rama parashikon, ka projektuar 523 resorte, hotele, zhvillime në zonat turistike.

Nga të cilat, njëlloj si të ishte pronë e tij, përjashton tërë këtë infrastrukturë gjigante 10 vite nga taksat.

A ka shfrytëzim më të egër se ky?

Ky është sistem tipik kolonial.

Nuk ka asgjë të përbashkët me ligjin themelor të shtetit, Kushtetutën, por edhe ligjin ndërkombëtar të investimeve.

Të imagjinosh zhvillimin e dhjetëra dhjetëra milionë metër katror troje të zonave më turistike si butikët në aeroport pa taksa, do të thotë të vendosësh atë sistem nga i cili njerëzimi është ndarë prej kohësh.

A mund të imagjinoni ju?

Shqipëria është nga më të paktat vende në punë ku miliarderët vijnë dhe marrin miliona litra naftë me një të katërtën e çmimit që blen fermeri shqiptar.

Dhe tani në librin e tij, Edi Rama, të mbajtur sekret ndaj shqiptarëve, të papublikuar ndonjëherë, rreshton 523 projekte për zhvillim, ndërtim në të katër anët e vendit.

Por unë, këtu para jush, në mënyrë të përsëritur, kam denoncuar plaçkitjen nga familja e tij, e ndjera nënë e tij dhe vëllai i tij, natyrisht së bashku, të njërit prej kanioneve më të bukura të botës, kanionit të Gjipesë.

Kanioni i Gjipesë rreshtohet në 20 kanionet më të çmuara të planetit.

Ky bajloz i zi i pangopur, i vuri syrin kanionit të Gjipesë.

Dhe kur unë e ngrita problemin, mashtroi shqiptarët dhe u tha se ato toka janë diku atje majë malit.

Majë malit të Kolekëve. U kujtohet apo jo kur bënte me dorë si i çmendur?

Dhe janë të gjitha mbi rrugën automobilistike, në një kohë kur kanioni është buzë detit.

Dhe për këtë Edi Rama vetëm pse paraqita kanionin, një hotel të ndërtuar në formë ure, që e dënonte me vdekje kanionin, se ishte me ngjyrë të bardhë, ky tani thotë hoteli është, por do jetë i qelqtë.

Tani mban librin të fshehur sepse mban pronat e tij.

Urdhëroni, në Livadh të Himarës, librin liston Livadh Resort, në projekt prej 242 mijë metër katror.

E gllabëroi Livadhën, Livadha është, kush nuk e njeh, është ajka, është kurora më e bukur e Himarës.

Tani na del Gjipeja, një nga plazhet më të veçanta të jugut. E zbriti nga mali i Kolekës në plazh tani.

Shfaqet një projekt luksoz, një hotel prej xhami në rajon.

Projekti top sekret, nuk ka zhvillues.

A nuk paraqita unë këtu para një jave blerësin pa shitës?

A u kujtohet?

Për në Vuno. 15 mijë metër katrorë tokë të blera nga Salvator Aliu, një qytetar trafikant nga Elbasani apo nga Kavaja, nuk di nga është, por se nga kush e bleu Salvator Aliu, top sekret.

Paraqitëm këtu kartelat e parcelave të cilat kishin blerësin, por jo shitësin.

Shitësi jo.

Dhe, faktin tjetër, se i ndjeri Artan Lame, 5 ditë pasi paraqiti hartën e Vunoit, në të cilën ai territor i blerë nga Salvator Aliu, figuronte tokë publike.

Dhe pas pesë ditësh, Artan Lame shkarkohet menjëherë nga detyra.

I ndjeri pas pak vdiq, por ai nuk pranoi, duhet të jemi të vërtetë, nuk pranoi të regjistronte as kanionin e Gjipesë, as tokën në Vuno si pronë private të Edi Ramës.

Nuk pranoi, jo, ishte tokë publike.

Projekti nuk ka zhvillues të emërtuar, nuk e thotë ai këtë, top sekret, dhe mua më ka paditur pse unë kam paraqitur para jush fotografitë e kanionit me një hotel si urë.

Projekti nuk dihet ku do ndërtohet, por mbetet i listuar në faqet e librit.

Shikoni tani.

Në 523 projekte të listuara në libër, a e imagjinoni pra, pa taksa, 57 rezultojnë të ndërtuara, 53 janë në ndërtim dhe 47 presin leje.

Në 41 përqind të projekteve nuk përmendet fare zhvilluesi trafikant.

Zhvilluesi është Franc Çopja, Salvator Aliu, Gjika, etj, etj.

Ata janë zhvilluesit.

Ata janë!

Dhe ata janë në pothuajse të gjitha, por tek këta nuk kanë gjetë prestanomet.

E kuptoni ju?

Në republikën e kolonel Buendias të Garsia Markezit nuk gjen asnjë rast të tillë.

Nuk ka përshkrim si ky.

Ja pse jam unë në gjyq.

Tani, ky është hoteli, nga njëri cep në cepin tjetër të kanionit.

Pra, në libër e ka, ndërsa ka ngritur padi ndaj meje pse kam paraqitur unë para jush kanionin me një hotel urë siç është aty.

Ja, kanioni që thotë se ajo tokë ishte mbi rrugën atje lart në majën e Kolekëve. Urdhëroni ku është fare buzë detit.

E dinë të gjithë se ky është kanioni.

Pra, e shihni.

Ja ku qenka, se për këtë ka qenë gënjeshtra më e madhe se thashë që ka dërguar Ëiny Maas.

Ka padi ndaj meje pse kam deklaruar se ka qenë Ëiny Maas.

Ja urdhëro ku është.

Winy Maas është një arkitekt.

Në rrafshin ndërkombëtar i bëj thirrje Eurojust, i bëj thirrje Interpolit, i bëj thirrje Europolit të

vendosë nën hetim pa përjashtim të gjithia kompanitë e listuara në librin ‘Dosja’ të Edi Ramës.

Të hetojë transaksionet e bëra drejt tyre për këtë projekte, duke mbetur i bindur se transparenca është jetike për cilindo.

Nuk mund të mos kërkoj hetimin nga Interpoli, Europoli, Eurojust për pagesat e bëra për secilën për këto studio për projektet e tyre.

Sepse në këtë mënyrë mund të zbulohet rrjeti më monstruoz në Evropë dhe në botë i trafikantëve të drogës.

Shikoni se çfarë implikimesh.

Imagjinoni, 523 projekte të 80 studiove arkitekturore më të mira në Evropë dhe në botë, të implikuara në Dosjen e Edi Ramës.

Ky është një skandal sa ndërkombëtar, aq edhe ndërkombëtar.

Nuk po ndalem të lexoj atë që shkruajnë ata për të, për padrinon, por u bëj thirrje institucioneve të zbatimit të ligjit të mësipërme të hetojnë transaksionet e këtyre studiove për projektet e bëra me Edi Ramën dhe sulltanatin e tij.

Do mund të zbulojnë rrjetin më të fuqishëm të trafikantëve të drogës.

Penetrimin dhe infiltrimin e tyre edhe në studiot e vendeve të tyre.

Është një rast i shkëlqyer për t’i dhënë përgjigjen më të merituar padrinos shqiptar që drejton kartelet më të fuqishme të drogës në Evropë.

Sikundër dënoj me forcën më të madhe sulmet antikombëtare, antishqiptare ndaj qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi, të cilët marrin pjesë në protestën kundër narkodiktatorit apo padrinos apo kreut të Meduzës.

Ata luftojnë për një kauzë të drejtë.

Për lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë ndaj një kryehajduti të panjohur më parë në historinë tonë kombëtare.

Etiketimi i tyre si pushtues është etiketimi i një armiku të egër të shqiptarëve, e një bastardi të diktatorit Enver Hoxha, e një njeriu që urren në thelb kombin e tij.

Ndaj dhe dënoj me forcën më të madhe këto etiketime ndaj shqiptarëve.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET

Daniela Maloku, ReportTV: Duke qenë se ju e përfunduat këtë fjalë tuajën me protestën, do të doja që pyetja ime të fokusohej pikërisht tek protesta. Pas tre javësh qëndresë, protestuesit dolën me një listë kërkesash zyrtare, të artikuluara nga aktivisti Dritan Goxhaj, i cili po ashtu shkon edhe më tej dhe propozon në një farë mënyre një shkërmoqje të sistemit, duke artikuluar qoftë edhe në rrjetet e tij sociale se shteti duhet të shkojë drejt një asambleje me 101 të zgjedhur që zgjidhen me short, dhe më tej një qeveri tranzitore që ka një afat 12 mujor dhe që ka detyrën për të hartuar një kushtetutë të re dhe për të rimëkëmbur po themi institucionet. Ju vetë zoti Berisha, a jeni dakord me këto propozime të artikuluara nga zoti Goxhaj? Faleminderit.

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Së pari, në kërkesat e lexuara e të paraqitura nga Goxhaj, ripërsëritet dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës. Kërkesë kjo që ne e mbështesim pa asnjë rezervë, fuqimisht dhe kemi po atë thirrje. Së dyti, kërkohet, mos gaboj, jo s’gaboj fare se kjo është ndër pesë kërkesat e para, po shtohet aty kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate.

Partia Demokratike është plotësisht dakord. Plotësisht dakord! Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe të bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë.

Pse? Pse kjo? Sepse u bë e qartë se Edi Rama nuk lejon rotacionin e pushtetit. Nuk lejon. Për këtë jo se e themi ne, tashmë e thonë dokumentet ndërkombëtare. Atëherë ka një mençuri, ta përcaktojë kushtetuta, ta largojë kushtetuta.

Dhe të them dhe një gjë këtu si kryeministër: në qoftë se ti punon, punon për një program, tetë vite i ke absolutisht të mjaftueshme. Jo për zbatimin 100% të tij nuk them, po për zbatimin e pikave më kryesore të tij dhe për zbatimin e tij në masën 80-90%.

Pra, çfarë qëndron në rastin e Edi Ramës, qëndron se ai qëndron në pushtet pa zgjedhje. Me farsë elektorale, me farsë elektorale. Dhe unë kuptoj që protestuesit duan t’i japin një përgjigje të tillë nëpërmjet ndryshimit të kushtetutës.

Përsa u përket ligjeve të tjera, ju jeni dëshmitarë. Ata që përpiqen të fshijnë memorien është tjetër punë, memoria nuk fshihet. Kjo parti ka luftuar më shumë se kushdo tjetër kundër atyre ligjeve. Ka ndjekur çdo procedurë të mundshme kundër tyre, qoftë kundër amendimit të ligjit për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, për trashëgimisë kulturore, për koncesionet, PPP-të dhe investimet strategjike.

Rikujtoj një moment: në platformën tonë, investimi pa taksa është pranuar vetëm në zonat malore. Pse? Kostoja e ndërtimit aty është disa herë më e lartë sesa në zonat e tjera dhe ato janë të paprekura. Po të shkoni ju, e kam dhënë shumë herë këtë shembull, po të shkoni ju 25 minuta përtej Shëngjergjit, është masivi i Bizës.

Janë zona, është Gurakuqi, janë zona fantastike malore. Dhe në atë distancë nga Tirana askush nuk i njeh, askush nuk i njeh. Ndaj dhe nuk kishim ne dhe nuk bënim paketën e maleve, jo. Por ne, ata që do investonin në zonat malore i linim 8 vite pa taksa. Kurse ky në zonat më thelbësore, në zonat bregdetare, ky i lë 10 vite pa taksa.

Daniela Maloku: Zoti Berisha më lejoni t’ju insistoj pak te pyetja ime sepse interesi im është të kuptoj se ku qëndron Partia Demokratike lidhur me propozimin për një qeveri tranzitore apo politike me të zgjedhur me short.

Sali Berisha: Qeveri tranzitore apo politike, po është problemi se e keni periodike ju këtë ndjekjen e kësaj konference. Unë jam këtu, para një jave kam propozuar një qeveri jo partiake tranzitore. Jo partiake!

Daniela Maloku: Pra, që të jetë e zgjedhur me short?

Sali Berisha: Jo, të votohet në parlament. Unë jashtë kushtetutës nuk dal dot. Askush kurrë s’mund të zbatojë fjalë, unë s’dal jashtë ligjit. Jam ky që jam, kam qenë ish-president, kam qenë ish-kryeministër.

Por ajo qeveri e përbërë nga jo partiakë, nga kreu tek ministrat e zëvendësat etj., ajo duhet të votohet nga parlamenti, të marrë votëbesimin dhe të çojë në zgjedhje vendin.

Unë nuk kuptoj këtë propozimin e tyre, unë nuk e kuptoj se a e kanë një qeveri jashtë votimit në parlament, jashtë kushtetutës, jashtë rendit kushtetues?

Daniela Maloku: Është propozim që e bën zoti Goxhaj në rrjetet e veta sociale, prandaj po synoj t’ju pyes lidhur me qëndrimin tuaj.

Sali Berisha: Unë kam kuptuar, dhe kjo është ajo që mbështes unë, unë kam kuptuar kërkesën si një kërkesë për një qeveri jo partiake, të përbërë nga ekspertë të shquar, intelektualë të njohur, të cilën mbi bazën e një marrëveshjeje të forcave politike në parlament, do marrë votëbesimin e plotë.

Unë këtë mekanizëm di. Unë nuk di mekanizëm tjetër të instalimit të një qeverie brenda rendit kushtetues.

Elda Menga, TCH: Zoti Berisha, përmes kësaj qeverie ekspertësh qytetarët po synojnë të zgjedhin dhe një klasë të re politike. Ndërkohë, duke mos finalizuar ende zgjedhjen e re të kupolës drejtuese të partisë, a po lini mundësinë e hapur që të kemi një konfigurim të ri të lidershipit, jo vetëm për t’i dhënë frymëmarrje të re partisë, por për të ngjallur besimin edhe te qytetarët në mënyrë që bindjet e tyre, ose kjo kauzë e tyre, të përkthehet nesër në votë për Partinë Demokratike?

Sali Berisha: Tani, unë kam qenë shumë i qartë. Kjo protestë mbështetet plotësisht dhe tërësisht nga Partia Demokratike, anëtarët dhe simpatizantët e saj.

U është bërë thirrje në mënyrën më të përditshme që të marrin pjesë në protestë. Një.

Dy, është deklaruar dhe deklarohet se protesta nuk është e Partisë Demokratike. Është protestë qytetare, ndaj dhe u është kërkuar të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të partisë të shkojnë aty si qytetarë. Jo me logot, me simbolet e partisë.

Dhe kjo ka ndodhur. U jam shumë mirënjohës ndaj tyre që kanë zbatuar me përpikmëri direktivën.

Së treti, Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe çdo përpjekje të Edi Ramës, të patronazhistëve, çdo lloj presioni të paligjshëm që bëhet ndaj protestuesve dhe eksponentëve të saj direkt nga Edi Rama dhe pastaj nga kori i tij.

Këto janë qëndrimet tona.

Përsa i përket Partisë Demokratike. Partia Demokratike ka pasur një proces mund t’ju them shumë të suksesshëm në Kuvendin Kombëtar. Kuvendi Kombëtar u shpall Kuvendi i Ripërtëritjes së partisë dhe në mënyrë absolute bazuar në votën e atyre delegatëve, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka dalë dhe është këshilli i ripërtëritjes.

Ndaj dhe ju mund të merrni listën dhe shihni se si në këtë këshill numri i të rinjve është dyfishuar, përqindja e grave ka arritur në 38-39% vetvetiu me votën. Pra, ka një hap.

Tani pritet që ky hap të transpozohet ose të pasqyrohet dhe në zgjedhjen e forumeve të tjera të partisë. Është në tagrin e delegatëve, e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të reflektojnë dhe të pasqyrojnë frymën e Kuvendit Kombëtar.

Nuk ka asnjë lidhje me asnjë faktor tjetër përveç një çështje teknike të lokacionit që ka të bëjë këtu sepse janë zgjatur punimet në një nga ambientet dhe po shpresoj të përfundojë sa më parë.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, prej ditësh Edi Rama dhe Taulant Balla kanë publikuar dokumente kundër protestuesve të angazhuar në luftën e UÇK-së, konkretisht për të sulmuar Dritan Goxhajn. Taulant Balla ka publikuar një listë pagese, në të nxirret si mercenar edhe heroi i kombit Tahir Sinani, i vlerësuar si luftëtar i tre luftërave për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve. Si e komentoni këtë cenim të imazhit të luftëtarëve të UÇK-së, ku tashmë po përlyhet edhe lufta e Kosovës dhe figura kombëtare si ajo e Tahir Sinanit?

Sali Berisha: Këta janë, çdo epitet mund t’u vihet. Janë turpi!

Edi Rama është shndërruar në dajën e vet. Rrëmon në biografitë e njerëzve në mënyrën më të perversë, më të poshtër.

Përpiqen të manipulojnë me dokumente duke falsifikuar firma etj. Por unë shprehem dhe shpreh prapë se lufta çlirimtare e shqiptarëve në Kosovë, se është e Kosovës, por mos harro se janë me dhjetëra e dhjetëra të rënë, nga Berati, nga Kavaja, nga Tropoja, nga Kukësi, nga Hasi e të tjerë, janë me dhjetëra e dhjetëra, janë shumë, që kanë rënë për t’u bërë të pavdekshëm për lirinë e Kosovës.

Kështu që këto që përpiqen të përbaltin luftën, të përbaltin heronjtë e luftës, janë, mund t’u them çdo epitet, por po ndalem me kaq, janë antishqiptarë që kanë shitur shpirtin e tyre te droga, krimi e vjedhja.

Janë turpi i kombit!

Merren me, ti ke qenë kështu, ke qenë ashtu, ke qenë ky, ke qenë ai. apo si ai që ia nxori ato 17 kompanitë, e patë atë apo jo? Në parlament. Krimi se kishte 17 kompani.

Me një fjalë, këta kanë humbur logjikën, nuk kanë legjitimitet, qëndrojnë si hajdutë në detyrë, duhet të largohen një minutë e më parë.

Kanë marrë fund, nuk kanë më shpresë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale