Përshëndetje të gjithëve, zonja të nderuara dhe zotërinj të nderuar, lideri historik i PD, Dr.Berisha.
Vij sot para jush, sigurisht me një përgjegjsi shumë të madhe, por dua ta nis me një falenderim.
Falenderim për ata mijëra demokratë, që në këtë një vit kanë kaluar sprova të jashtëzakonshme. PD në këtë një vit ka kaluar tërmete shumë të forta politike. Ka kaluar vështirësi shumë të mëdha, dhe pikërisht ata që nuk hoqën dorë nga PD ishin demokratët, anëtarët, simpatizantët, militantët, ata që e kanë themeluar këtë parti dhe e mbajtën sërish gjallë.
Dua ta nis me një falenderim për të gjithë ata demokratë që morën pjesë në të gjitha proceset zgjedhore që ne zhvilluam në vitin e fundit, dhe nuk kanë qenë të pakta.
Kur vendosa të bashkohem së bashku me forumn rinor, lëvizjes së rithemelimit të PD, e bëra pikërisht për shkak të parimit, për shkak besimit të verbër te vota e lirë, dhe sot në një farë mënyrë është edhe kurorëzimi i themelimit të PD, me mbylljen e procesit të Primareve, ku sigurisht triumfoi vota e lirë. Kam një falenderim edhe për të gjithë kandidatët që kanë qenë pjesë e garës, ata që kanë ardhur nga radhët e PD, ata që kanë ardhur nga shoqëria civile, dhe kush më mirë se procesi Primareve në fakt i hapi dyert të rinjve, ekspertëve, profesionistëve, shoqërisë civile për të ardhur për t’u bërë pjesë e PD, dhe e garës, për t’u votëbesuar me votë.
Por nëse sot ne kemi kurorëzuar një proces të rithemelimit të PD, një periudhë kohore një vjecarë, të shkurtër do ta quaja unë për atë traumë që kaloi kjo parti. Nga sot kërkohet një angazhim shumë herë më i madh i të gjithë demokratëve, i anëtarëve, i simpatizantëve, i qytetarëve që besojnë te opozita, që kërkojnë dhe luftojnë për votën e lirë në këtë vend. Që nëe të jemi fitimtar në 14 maj, jo për PD, por për të shpëtuar pluralizmin, për të shpëtuar Shqipërinë.
Nevoja për ndryshim, gjykoj që është dramatike. Çdo ditë në rrugët e Tiranës, takohem me të rinj, me dhjetëra të rinj qytetarë, që kërkojnë ndryshimin, besojnë te ndryshimi, besojnë te PD, besojnë tek ne.
Në Tiranë unë jam i bindur që ne do të bëjmë një betejë epike. Këtë e garantoj unë personalisht. E garanton PD, dhe jam i bindur që në 14 maj ne do t’ia dalim që të rrëzojmë kullën më të lartë të qeverisjes së keqe, atë që quhet Erjon Veliaj, për t’i hapur më pas rrugën rrëzimit të qeverisë, largimit të Edi Ramës dhe shpëtimit të Shqipërisë.
Nuk ka arsye sot pse të rinjtë të largohen nga ky vend i begatë, i jashtëzakonshëm, që i ka falur Zoti gjithçka, pasuri nëntokësore, lumenj, dete, male. I ka falur 300 ditë diell në vit, dhe nuk ka pse ky vend të shkretohet nga rinia.
Është e vërtetë Dr.Berisha, ju na konsideruat si misionarë, por unë e them me krenari sot që së bashku me ju zonja dhe zotërinj të nderuar, e konsideroj veten një misionar. Mbase jam më i riu në këtë sallë, përgjegjësia bie mbi të rinjtë, mbase rinia do të duhet ta kuptojë dhe rëndësinë jetike që ka ky moment. Ndryshimi që ne presim nuk do të vijë nga qielli.
Nëse ne jemi të pakënaqur si brez i ri në qytetin tonë, të pakënaqur në qytetet tona, në lagjet tona, në rrugicat tona, në fshatrat tona, duhet të reagojmë ne. Ndryshimin nuk do të na e falin. Nuk kemi për ta patur të lehtë.
Armiku më i madh i suksesit, i progresit, e gjykoj që është rutina e të marrurit lehtë të gjërave. Vështirësitë e bëjnë shumë më të bukur rrugëtimin, dhe e bëjnë shumë më të bukur edhe shijen e fitores në fund.
Nëse nuk do të kishim patur vështirësi, nga më të paimagjinueshmet, kjo parti, dhe kjo forcë politike, nuk do të kishte prodhuar ikona, politikanë të nderuar, që i kanë dhuruar vendit reformat më të mëdha në këto 32 vite.
Nëse kjo forcë politike nuk do të kishte kaluar nëpër vështirësi, sigurisht në sot, nuk do të kishim një Sali Berishë në Shqipëri, nuk do të kishim patur Gramos Pashkon, Pjetër Arbnorin, Abren Imamin, themeluesit e PD, Jozefina Topallin, Sokol Olldashin, Bujar Nishanin.
Unë i bëj një apel dhe dua t’i bëj thirrje çdo të riu sot që ka mundësinë dhe na ndjek: Angazhohuni, sepse nuk ua fal njeri suksesin. Bëhuni pjesë e ndryshimit, dhe pjesë e këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm që ne do të nisim nga sot.
Demokratë të bashkohemi të gjithë, edhe ata që mund të jenë ende të hatërmbetur, edhe ata që mund të jenë skeptikë, edhe ata që mund të jenë me mëri për momentin, ky është momenti që ne të ulim armët ndaj njëri-tjetrin. Ky është momenti që të vëmë interesin kombëtar para çdo arsye personale, mërie personale, apo inati përsonal.
Ky është momenti për të luftuar për Shqipërinë, për Opozitën, për të ardhmen e këtij vendi, për votën e lirë. Jam krenar që jam pjesë e kësaj gare. Jam krenar që jam pjesë e kësaj salle sot, e këtij ekipi të shkëlqyer, që duke nisur nga dita e nesërme futet në një betejë historike për Shqipërinë, për të gjitha bashkitë e vendit për t’i rikthyer votën, për t’i rikthyer shërbimet qytetarëve, për t’i rikthyer dinjitetin qytetarëve shqiptarë. Dhe po e them edhe njëherë, mbase për të larguar modelin më të tmerrshëm politik që ka prodhuar Shqipëria e tranzicionit, e këtyre 32 viteve, njërin në kullën e keqqeverisjes në Bashkinë e Tiranës, që quhet Erjon Veliaj, dhe shumë shpejt pas tij tjetri, që quhet Edi Rama.
Faleminderit, dhe nga nesër nisim një rrugëtim që kurorëzojmë me fitore në 14 maj. Faleminderit!