Këlliçi: Transparencë për kontratën e gazit me kompaninë greke Aktor, SPAK të hetojë marrëveshjen. Rama vuri në pikëpyetje interesat strategjike të SHBA-së

Reagimi i nënkryetarit të PD, Belind Këlliçi

Partia Demokratike e Shqipërisë kërkon transparencë lidhur me kontratën e Edi Ramës me partnerin privat grek Aktor dhe kompaninë e transmetimit të Gazit Natyror Albgaz, ku Aktor do të sigurojë një kontratë furnizimi të Gazit të Lëngshëm nga Amerika.

SHBA është partneri ynë strategjik dhe miku më i madh i shqiptarëve, por kontrata është bërë përmes një ndërmjetësi të një kompanie greke, edhe pse në 2020 Shqipëria firmosi një MoU me gjigandin ExxonMobil, për të njëjtin qëllim, që tashmë Edi Rama ja ka deleguar kompanisë greke.

Aktor Group nuk ka dhënë asnjë garanci se si fizikisht do të realizojë furnizimin me gaz të lëngshëm në Shqipëri brenda vitit 2030!

Shqiptarët duhet të informohen nëse ka qenë në dijeni pala amerikane për këtë kontratë.

Përse nuk u bë kontrata direkt me Sekretariatin Amerikan të Energjisë?

Përse Edi Rama dhe qeveria shqiptare e bënë kontratën ‘binding’, kur sipas Ëall Street Journal, Shqipëria është i vetmi vend që ka pranuar këtë kusht?!

Ne i kërkojmë SPAK, të investigojë këtë marrëveshje, si një element i rëndësishëm për të siguruar bashkëpunimin e nevojshëm dhe të gjithanshëm me aleatin tonë strategjik, SHBA.

Ka dyshime të forta që ‘Kredencialet’ që burojnë nga vizioni i Koridorit Vertikal të Gazit, për pavarsinë e furnizimit nga gazi Rus, të jenë keqpërdorur nga interesa të vogla lokale dhe rajonale, në dëm të sigurisë së furnizimit që synonte qeveria e SHBA.

Kreu i narkoshtetit të parë në Europë, Edi Rama, ai që në vitin 2016 në CNN e konsideroi Presidentin Donald J. Trump si turpin e civilizmit botëror dhe kërcënim për marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – SHBA, ai që korruptoi agjentin famëkeq të FBI Charles McGonigal për të zhdukur opozitën shqiptare, ushtari më i besuar i George Soros në Europë, nuk ka qenë e nuk mund të jetë kurrë një partner i besueshëm i interesave strategjike të partnerit tonë SHBA!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale