Deklarata e nënkryetarit të PD, Nikola Kedhi:
Në javën kur udhëheqësit e botës mblidhen në Asamblenë e OKB në New York, ku diplomacia zhvillohet jo vetëm në foltoren e OKB-së, por sidomos në takimet dypalëshe, Edi Rama nuk pati asnjë takim.
Ndërkohë që drejtuesit e vendeve të rajonit takoheshin me liderët e botës, ndërtonin marrëdhënie dhe mbronin interesat e vendeve të tyre, Kryeministri i Shqipërisë u refuzua nga të gjithë. Edhe kur foli, e bëri përpara një salle bosh, ndërsa fjala e tij nuk u përfshi as në videon përmbledhëse të OKB-së me folësit e Asamblesë së Përgjithshme.
Pas vitesh propagande që e shiste veten si “lider global”, ajo që mbeti nga Nju Jorku ishte pamja e një njeriu të braktisur, pa agjendë, pa takime, pa njoftime për shtypin.
Kjo nuk është braktisja e Shqipërisë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, me aleatë të fortë dhe miq historikë. Kjo është braktisja e Edi Ramës dhe e një regjimi të cilin bota e njeh për atë çka është dhe i rri larg si murtajës.
Nuk mund ta takonin, kur shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit vendoset në arrest shtëpie, ndërsa dalin lidhjet e saj me Ergys Agasin, koordinatorin e krimit të organizuar.
Nuk mund ta takonin kur krimi është tashmë pushteti dhe shtyllat e Republikës kanë rënë.
Nuk mund ta takonin, kur Shqipëria cilësohet narkoshteti i parë dhe i vetëm i Europës.
Nuk mund ta takonin, kur ai akuzohet për trafik ndërkombëtar armësh në përgjimet e publikuara nga ish-zëvendësi i tij.
Nuk mund ta takonin, kur raporti i OSBE/ODIHR thotë qartë që nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme.
Nuk mund ta takonin për shumë e shumë arsye të tjera, që kanë cenuar sigurinë e Shqipërisë dhe të vetë Aleancës së NATO-s.
Ato që ndodhin sot në Shqipëri janë të paimagjinueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë. Prej tyre nuk mund të vinte gjë tjetër veçse refuzim dhe përbuzje. Ata e kanë kuptuar rrezikun që Rama dhe regjimi i tij përbëjnë për Shqipërinë dhe për rajonin dhe e kanë braktisur. Ashtu siç e kanë braktisur prej kohësh shqiptarët që i kanë dalë kundër duke e manifestuar këtë prej katër muajsh çdo natë në çdo shesh.
Shqipëria nuk ka qenë gjithmonë kështu. Kur qeveriste Partia Demokratike, Shqipëria ishte një aleat serioz, i përgjegjshëm dhe i palëkundur në rrugën e saj euroatlantike. Një vend që fitonte respekt, që fitonte liberalizimin e vizave, një vend që u bë anëtar i NATO-s. Të gjitha këto sepse aleatët i besonin.
Presioni i partnerëve ndërkombëtare po rritet dita-ditës dhe ne e shohim me çdo skandal që del në dritë. Kjo ndryshon tërësisht edhe raportet e forcës brenda vendit. Regjimi nuk ka qenë kurrë më i dobët: i izoluar jashtë, i refuzuar brenda, i braktisur nga të gjithë.
Por, askush nuk do ta bëjë punën tonë në vendin tonë.
Na takon ne, shqiptarëve, ta largojmë Ramën dhe ta shpëtojmë Shqipërinë nga rreziku që ai paraqet dhe nga turpi që na shkakton përditë. Sot, më shumë se kurrë, duhet ta bëjmë detyrën tonë dhe t’i japim këtij regjimi shtytjen e fundit.
Faleminderit!


