‘Ju nuk keni, as ligj as moral’/ Berisha: Betohemi mbi Kushtetutë se do ua çjerrim maskën. Ju jeni rrezik për Europën dhe SHBA-të, se bashkëpunoni me organizata terroriste

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË SEANCËN PARLAMENTARE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjata fjalës së tij në parlament ka akuzuar mazhorancën e Edi Ramës, nuk ka fillim më armiqësor të parlamentit se, ndryshimi i njëanshëm i  rregullores së Kuvendit. ‘Nuk ka fillim më armiqësor ndaj qytetarëve shqiptarë që presin, që kanë këtë libër, si mburojën e tyre, si mburojë të të drejtave të tyre, të dinjitetit të tyre, të lirive të tyre, dhe që ju sot në një garë të turpshme e shkelmoni atë publikisht, e përdhunoni atë publikisht në parlament me një sadizëm tipik të narkokriminelëve’, tha Berisha.

Më pas kryedemokrati akuzoi mazhorancën se mandate e saj kanë ardhur nga miliardat e krimit të investuara në fushatë.

Çfarë jeni ju? Mandatet tuaja buruan nga policia politike, terroristët elektoralë.  Mandatet tuaja buruan nga censura dhe kontrolli i plotë i 90% të mediave. Mandatet tuaja erdhën nga përdorimi i 1 miliardë eurove në kundërshtim me këtë libër dhe me çdo rregull për të kontrolluar zgjedhjet.  Mandatet tuaja buruan nga miliardat e Franc Çopjas, miliardat e Suel Çelës, miliardat e Shytëve, miliardat e Troplinëve, miliardat e Bajrave.  Nga lumenjtë e parave të krimit që vërshojnë mbi Shqipërinë’, theksoi kreu i PD-së gjatë fjalës së tij.

Në fund, kryetari i Partisë Demokratike është betuar mbi Kushtetutë se do të i’a cjerrë maskën qeverisë së Ramës dhe mazhorancës, sepse sipas tij, ata janë një rrezik për Shqipërinë, Ballkanin, Europën dhe SHBA-të.

‘Të tregojmë se çfarë rreziku paraqisni ju për shqiptarët. Se çfarë rreziku jeni ju për Ballkanin, se çfarë rreziku jeni ju Europën, se çfarë rreziku jeni ju për SHBA-të. Tre ditë më parë ju erdhi mesazhi, por e kapërcyet. Mesazhi ishte i qartë se, ata miqtë tuaj, dëgjojeni se nuk po ua përmend me emra, ata tregojnë dhe negociojnë me organizata terroriste të deklaruara nga Donald Trump në Amerikën Latine’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në parlament.

FJALA E PLOTE:

Produkt i farsës më të shëmtuar elektorale në historinë e Shqipërisë nga viti ’90 gjer sot. Pjellë e karteleve të drogës dhe organizatave kriminale, nuk mund të kishin kurrë fillim tjetër, përveç se këtij që nisët sot, duke i shpallur armiqësi dhe luftë të plotë, mbi të gjitha Kushtetutës së vendit, librit themelor, por që për ju ka kohë që është një letër e vdekur e zëvendësuar nga neni i parë tek i fundit nga kodi i mafias, drogës, vjedhjes dhe bixhozit.

Nuk ka fillim më armiqësor ndaj qytetarëve shqiptarë që presin, që kanë këtë libër, si mburojën e tyre, si mburojë të të drejtave të tyre, të dinjitetit të tyre, të lirive të tyre, dhe që ju sot në një garë të turpshme e shkelmoni atë publikisht, e përdhunoni atë publikisht në parlament me një sadizëm tipik të narkokriminelëve.

Asgjë nuk ju pengon ju të kryeni këtë krim të shëmtuar, të shkelmoni Kushtetutën e cila ka përcaktuar qartë në nenin 93 pika 2; Kuvendi me kërkesë të Këshillit të Ministrave apo 1/5 të të gjithë deputetëve mund të shqyrtojë dhe miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se 1 javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit.

Kurse ata që kanë qenë këtu para jush, në rregulloren e funksionimit të parlamentit, kanë votuar se, për shqyrtimin e propozimeve për ndryshimin e rregulloreve ndiqet procedura e parashikuar për shqyrtimin e projektligjeve.

Por ju nuk keni, as ligj, as kushtetutë, as moral.

Ju silleni këtu para kamerave, para publikut si një bandë, në rregullat e mafias.

Ju dëgjova të përmendni precedentin, po mashtroni publikun, po mashtroni pa turp. Precedenti ishte konsensus. Po ishte, por ishte konsensus. Sot nuk ka konsensus. Sot ka një qëndrim, kërkohet të zbatohet kushtetuta.

Ne e dimë shumë mirë se këto ndryshime do të votohen, se këto ndryshime do të ndodhin, por kërkohet për të gjithë ata miliona shqiptarë që duhet të kenë Kushtetutën, librin mburojë të tyre nga një shtet, nga abuziviteti, por që për ju kjo është një prostitutë dhe nuk ka asnjë vlerë.

Ju e kaloni nga një shpellë mafia në një shpellë tjetër mafie.

Çfarë kulture keni ju mor, çfarë morali, çfarë leximi. Po keni turp apo jo, të lexoni ligjet në këtë mënyrë. Kur nuk lejon Kushtetuta, mashtroni me precedentin kur ishte konsensus. Por nuk ka konsensus.

Ata që përfaqësojnë, se ju nuk i njifni këto, se nga erdhët ju, nga buruan mandatet tuaja. Mandatet tuaja buruan nga blerja masive e votave.

Mandatet tuaja buruan nga policia politike, terroristët elektoralë.

Mandatet tuaja buruan nga censura dhe kontrolli i plotë i 90% të mediave.

Mandatet tuaja erdhën nga përdorimi i 1 miliardë eurove në kundërshtim me këtë libër dhe me çdo rregull për të kontrolluar zgjedhjet.

Mandatet tuaja buruan nga miliardat e Franc Çopjas, miliardat e Suel Çellës, miliardat e Shytëve, miliardat e Troplinëve, miliardat e Bajrave.

Nga lumenjtë e parave të krimit që vërshojnë mbi Shqipërinë.

Ku mund të pranoni ju ligj dhe Kushtetutë. Ju tmerroheni nga ligji dhe Kushtetuta.

Dhe në këtë qëndron fakti se, ju nuk pranoni të zbatoni rregullin më elementar, ndaj dhe të kanë vënë ty aty, se je i sojit të tyre.

Por nuk është rasti të merrem me individ sot, se do merremi me individë dhe thellësisht. Sepse ju garantoj se, shumica juaj duhet të ishte, ku?

Atje ku është Shullazi, atje ku është Bahri Bajri, atje ku janë miqtë tuaj, atje e keni vendin.

Por dhe një gjë dua të them.

E përmendët Brukselin sot. E vërteta është se ajo datë është caktuar 4 muaj para, por dhe ne jemi këtu për tu betuar në këtë Kushtetutë dhe para shqiptarëve se, do të bëjmë gjithçka të ua çjerrim maskën, para shqiptarëve, para europianëve dhe para botës.

Të tregojmë se çfarë rreziku paraqisni ju për shqiptarët.

Se çfarë rreziku jeni ju për Ballkanin, se çfarë rreziku jeni ju Europën, se çfarë rreziku jeni ju për SHBA-të.

Tre ditë më parë ju erdhi mesazhi, por e kapërcyet. Mesazhi ishte i qartë se, ata miqtë tuaj, dëgjojeni se nuk po ua përmend me emra, ata tregojnë dhe negociojnë me organizata terroriste të deklaruara nga Donald Trump në Amerikën Latine.

E dëgjuat këtë apo jo? Por kush janë ata miqtë tuaj, jeni ju. Se ata miqtë tuaj, por të mos i mbulonit ju, ata ishin të gjithë në burgje.

Po të mos i mbronit ju me Dumanin tuaj, ata ishin të gjithë në burgje.

Prandaj tik taku, mbajeni mend është gjëja më e tmerrshme për ju dhe do ta bëjmë edhe më të tmerrshme.

Ju e hoqët Komisionin e Integrimit se, u tmerruar nga fjala e Jorida Tabakut kryetares së Komisionit.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale