Deklarata e sekretarit për Ligjet dhe Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso:
I bashkohem dhe unë falënderimit të drejtueses politike të diasporës për çdo shqiptar në diasporë që ka zgjedhur që me votën e tij të bëjë ndryshimin. Ka një masivitet të bashkëatdhetarëve tanë që me përkushtimin e tyre gjejnë kohën për atë që ne e kemi quajtur shpëtimi i këtij vendi, duke bërë ndryshimin me votë në datën 11 maj dhe ta shpëtojnë atë detyrim me shprehjen e vullnetit të tyre.
Sikundër i bashkohem 100% shqetësimeve që drejtuesja politike e diasporës ngriti sa i përket procesit në Greqi, aq më shumë në ndryshim me vendet e tjera ku procesi ecën normalisht, kryesisht janë vende ku DHL ka rrjetin e saj të shpërndarjes, procesi po ecën sipas parashikimeve që kanë qenë dhe garanci të këtij procesi.
Procesi i shpërndarjes po ecën sipas parashikimeve të cilat kanë qenë dhe garanci të këtij procesi, pra bazohej në disa elemente të rëndësishëm ku njëri prej tyre ishte ai i individualizimit të shtetasit që do t’i dorëzohej vota.
Rregullorja dhe udhëzimi parashikon rregulla të detajuara, kontaktimin personal të shtetasit më shumë se një herë dhe në rast se shtetasi nuk gjendet me 3 tentativa, atëherë zarfi qëndronte në pritje në zyrën më të afërt të DHL derisa shtetasi të paraqitej me dokument identifikimi, dhe kjo ka qenë e mbetet elementi i garancisë së procesit.
Në rastin e Greqisë, duke u kontraktuar ky proces, duke u përdorur pika bastesh e lojërash fati kryesisht, procesi ka degraduar në atë fazë sa kontraktohet, ia japin kujtdo që paraqitet sikurse e njeh x person që do t’i dorëzohet zarfi.
Janë dhënë udhëzime të nevojshme të bëhen denoncime në polici, të bëhen denoncime në numrin që DHL ka lënë, ose të bëhen në platformë, por kjo për fat të keq nuk e zgjidh problemin. I bëjmë thirrje Komisionit të Zgjedhjeve që ky proces të shkojë mbarë dhe në fund, pavarësisht sfidave.