DEKLARATA E SEKRETARIT TË ÇËSHTJEVE LIGJORE, IVI KASO:
Prokuroria dhe Gjykatat e pushtetit vijuan sot zbardhjen e skemës antikushtetuese, për t’i hequr mandatin e dhënë nga shqiptarët deputetit Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike.
Duke interpretuar njëherë ligjin dhe një herë Maliqin, SPAK dhe gjykatat shtyjnë pafund një ‘çështje’ kaq të thjeshtë, siç është leja administrative për deputetin, ende pa asnjë akuzë, Sali Berisha, për të shkuar në parlament e për të ushtruar mandatin legjitim.
Me pretekstin e mosmarrjes së njoftimit personalisht nga Sali Berisha, ndonëse provohej me dokumente plotësisht se njoftimi nga zoti Berisha ishte marre dhe ne një standard i dyfishtë që gjykatën s’e ka penguar më parë për të marrë masë sigurie ndaj Sali Berishës pa e njoftuar fare atë, e njëjta gjykatëse sot shtyu seancën për një jave vetëm qe te zvarritet çështja me forma antiligjore, të pajustifikuara dhe antikushtetuese.
Synimi i pushtetit është një dhe i qartë. Tentative për mbylljen e gojës së Sali Berishës, jo vetëm në selinë e Partisë-shtëpi e demokratëve, por dhe në selinë e Kuvendit që duhet të ishte shtëpia e qytetarëve. Strategjia finale: djegia e mandatit.
E sigurojmë Ramën, SPAK-un dhe mballoma të tjetra të pushtetit, se asnjë marifet apo artific ligjor nuk mundet të cenojë mandatin e Sali Berishës. Ai mandate është besim dhe përgjegjësi që i buron nga vota dhe sakrificat e mijëra demokratëve, jo dhuratë nga bandat e pushtetit, që merret njëherë në katër vjet me autoblinda dhe cash.
Sado të përpiqen veglat gjyqësore të regjimit, asgjë nuk mund të ndalë deputetin Sali Berisha të ushtrojë mandatin dhe t’i japë zë denoncimit të çdo padrejtësie që ndodh në këtë vend.
Partia Demokratike do të vazhdojë të monitorojë nga afër dhe të bëjë transparente për publikun çdo hap të kësaj farse gjyqësore ndaj deputetit Berisha. Ne do ju dëshmojmë shqiptarëve sa larg pritshmërive të tyre dhe standardeve të një shteti demokratik janë organet e reformës në Drejtësi te kontrolluara ne çdo qelize nga Edi Rama. Gjithashtu se një drejtësi e kapur politikisht është më e rrezikshme për një vend që aspiron të bëhet demokratik, sesa mungesa e plotë e saj.
Ju faleminderit.