Inceneratori i Tiranës/ Berisha: Dumani gjoja vazhdoi betejën, lëshoi 9 mandate, që të gjithë në arrati sepse u mori gjobën dhe zbatoi vendimin e Ramës

FJALA E PLOTE E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar të mbledhur në ditën 194 të protestës i përshëndeti ata duke i quajtur si misionarë të kauzës së drejtë të lirisë dhe shpresës së shqiptarëve. Berisha akuzoi se ‘goditja e fundit votës së shqiptarëve, u jepet nga kriminelët e Skapit’.

Kryedemokrati Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar ne mbështetje të kreut të PD tha, se basho-opozitarët janë pengje të shpërfytyruara të vesit, të krimit, të antishqiptarizmit. Këta basho-opozitarë janë pengje të shpërfytyruara të vesit, të krimit, të antishqiptarizmit’, theksoi në fjalën e tij, kreu i PD.

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, lideri i opozitës ka hedhur akuza të ashpra ndaj kreut te SAK Dumani. Sipas Berishës, Skrapi i partisë ka amnistuar krimet më monstruoze elektorale. ‘Dumani gjoja vazhdoi betejën, lëshoi 9 mandate, që të gjithë në arrati sepse u mori gjobën dhe zbatoi vendimin e Ramës’, deklaroi kryedemokrati, Sali Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij para mbështetësve në tubimin në “Rrugën e Shpresës”, ka publikuar udhëtimet e vëllait të kreut të qevrisë Olsi Rama me makinën e trafikantëve te Xibrakës. Berisha tha se të hënën Olsi Rama do të paditet sërish. ‘Olsi Rama, Olsi Xibraka, ja ku po të njoftoj se ditën e hënë do të kesh dhe një padi të dytë për mashtrim publik përpara shqiptarëve’, nënvizoi gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionarëve të kauzës së drejtë të lirisë, dinjitetit, shpresës së shqiptarëve.

Përulem përpara oratorëve të fjalës së lirë që shpërndajnë në të katër anët e vendit të vërtetat e hidhura të këtij regjimi që po zhbin shqiptarët nga Shqipëria.

Të dashur miq!  

Gjithçka fakton se jemi përpara një politike që ka vetëm një qëllim, largimin dhe dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria për kushte të kalkuluara.

Vrasjen e shpresës së tyre se ky vend mund të bëhet.

Mohimin e drejtësisë atyre.

Amnistinë e krimit dhe të drogës të qeveritarëve.

Miqtë e mi!

Amnistia e krimeve të qeverisë është një nga aktet më makabër, më dëshpëruese për të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që janë.

Kjo amnisti arrin përmasat e një krimi monstruoz.

Për të gjithë ata të cilët besojnë tek vota e lirë, besojnë tek e drejta e shqiptarëve për të shprehur vullnetin e tyre, grabitja e votës, shndërrimi i saj në krim dhe shndërrimi i krimit në votë nga Edi Rama me patronazhistët e tij, me bandat e krimit, me listat e votimit, me sulmet ndaj opozitës, me shpërndarjen e zarfeve dhjetëra e qindra milionë eurove, përbën vrasjen e votës së lirë pa u futur në kuti. Pa u hedhur në kuti.

Por miqtë e mi, goditja e mëshirës, goditja e fundit, vullnetit, dinjitetit, votës së shqiptarëve, u jepet nga kriminelët e Skapit.

U jepet nga çakejtë që lehin gjithë ditën në mbrojtje të atyre që amnistojnë krimin elektoral.

U jepet nga lakejtë që kalojnë nga studio në studio të marrë peng nga Skrapi i partisë për aferat e tyre.

Dhe shkelmojnë e kalojnë mbi votat e vjedhura të shqiptarëve, mbi krimin elektoral, njëlloj sikur të kalojnë mbi kufomën e demokracisë.

Këta lakej të Edi Ramës, këta puthadorë të pafytyrë, këta besëprerë të demokracisë, pajtohen me amnistinë e krimit elektoral.

Pajtohen me mbylljen e dosjeve monstruoze të krimit elektoral sepse Edi Rama u hedh ndonjë kockë majtas apo djathtas.

Këta basho-opozitare janë pengje të shpërfytyruara të vesit, të krimit, të antishqiptarizmit.

Këta lakej, zëdhënës të bandave, zëdhënës të botës së nëndheshme, në vend që të bëjnë avokatin e votës së qytetarëve, pavarësisht nga bindjet politike.

Në vend se të bëjnë avokatin e votës së lirë, që është dinjiteti, bëjnë avokatin e mercenarëve të shpifur, de facto bëjnë avokatin e vjedhjes së votës nga Edi Rama.

O turpe kombëtare, o turpe njerëzore, po keni fytyrë apo nuk keni fytyrë?

Keni ju ndjenja për qytetarët shqiptarë që po ikin, për vendin që po zbrazet, apo lakej që prisni kocka nga Edi Rama, merrni në mbrojtje amnistinë e krimit elektoral?

A keni sy ju? A keni zemër dhe ndjenja ju? Vendi po zbrazet njëlloj si nga një kolerë, vendi po zbrazet më shumë se në çdo pushtim tjetër dhe ju këndoni himnet e Skapit.

Turpi iu mbuloftë, mercenarë.

Ju jeni raca më e shpifur, shërbëtorët më të shpifur të regjimit të krimit dhe drogës të Edi Ramës.

Na thoni ju, a e dëgjoi e gjithë bota krimin elektoral të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Taulant Ballës, Ulsi Manjës, Pjerin Ndreut, etj, etj?

Këtu dallon çdo njeri i lirë nga skllavi i krimit, nga i shituri, nga i pabesi, nga llafazani që kalon nga studio në studio dhe merret me çdo gjë dhe jo me votën, sepse vota në Shqipëri shndërrohet në krim nga Edi Rama dhe krimi në votë.

Dhe ju doni pushtetin e Edi Ramës.

Miqtë e mi!

11 korriku tregoi se shpresa e madhe ka lindur.

Se shpresa e vetme janë ata të cilët luftojnë, qëndrojnë si misionarë të gatshëm për të sakrifikuar, për të rikthyer votën e lirë, për të arritur qeverinë teknike dhe fitoren e opozitës.

Të dashur miq, ju e patë, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, Altin Dumani i dumanistëve të pafytyrë, Altin Dumani ky mercenar, në një hark kohor tremujor, si kurrë ndonjëherë në historinë e një shteti, ka firmosur 72 mandate arresti dhe ka burgosur gjithsej 6 persona, 4 në radhën e parë, 2 më vonë, 6 gjithsej nga 72 mandate arresti.

Sepse ky pazarexhi i pafytyrë, bashkë me ekipin e tij, bën pazare me mandatet për gjoba, zbaton urdhrat e Edi Ramës.

A mund të imagjinoni ju zotërinj, a mund të ndodhë në ndonjë vend, iu pyes ju o lakej të Edi Ramës që këndoni nëpër studio dhe artikuj këngën e Zamanit, çfarë fytyre keni t’u thoni shqiptarëve, nga 72 mandate janë vetëm 6 të arrestuar.

Ndërkohë të tjera grisen, fshihen, largohen, të tjerë paguajnë dhe ju vazhdoni të mashtroni shqiptarët se jeni të marrë peng nga Dumani.

Se keni lidhje me botën e krimit.

Po edhe nëse nuk jeni të lidhur me bandat, jeni të lidhur me Edi Ramën.

Mjeranë, hipokritë, hiqeni si opozitarë.

Turpi ju mbuloftë, ju dhe Zamanin tuaj.

Atyre, të cilët duan t’u servirin Skapin si sukses, u them në qoftë se e bëni nga naiviteti, referohuni të dhënave sepse ky vend para Skapit ka pasur një prokurori të krimeve të rënda, e cila kurrë nuk bëri pazare me Edi Ramën, Sali Berishën dhe asnjë njeri.

E cila u dha dënim përjetë kapobandave shqiptare kudo që ishin, që i liroi më vonë Edi Rama. I liroi Skapi i partisë disa prej tyre.

Pra, zotërinj, hapni arkivat, lexoni raportet tuaja për të parë se cila është e vërteta.

Shqiptare e shqiptarë, mos pranoni kurrë sapunin për djathë.

Është mësimi juaj.

Mos shikoni pollet e porositura dhe të manipuluara siç manipulonte dikur Vllahica me kaunterpartin e vet.

E vërteta është se Skrapi i partisë ka amnistuar krimet më monstruoze elektorale.

Ka amnistuar vjedhjen e 136 milionë eurove për djegësine  Tiranës që nuk ekziston.

Ka amnistuar pothuajse tërësisht 930 milionë euro të vjedhura, të abuzuara dhe denoncuara nga KLSH në 9 muaj.

Ka amnistuar ndërtimin e rrugëve 13 herë më shtrenjtë se në BE.

Ka amnistuar ndërtimin e shkollave 10 herë më shtrenjtë se në BE.

Ka amnistuar ndërtimin e tunelit të korrupsionit, investim 45 mijë euro për banor si në asnjë skaj tjetër të planetit nga Edi Rama sepse kjo ishte ëndrra e Babi Pilos kur pushonte në Dhërmi.

Pra, i them këto se të gjitha këto janë shkaku i largimit të shqiptarëve dhe ne jemi shpresa e fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Miqtë e mi!  

Para tre javësh u lëshuan 21 mandate, i kapërdiu Dumani se i tha Edi Rama futi nga i nxore.

Çfarë ndodhi?

Tre javë më vonë, gjoja vazhdoi betejën, lëshoi 9 mandate, që të gjithë në arrati sepse u mori gjobën dhe zbatoi vendimin e Ramës.

A ka pafytyrësi më të madhe?

Ka pasur një institucion përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, që quhej Prokuroria e Krimeve të Rënda, lexoni raportet, lexoni regjistrat, ka ndodhur që ka lëshuar edhe 53 mandate arresti, por nga 53 mandate janë arrestuar 47.

Dhe tani do këndoni dështimin për sukses? Jo mo jo.

Ne jemi këtu sa të jetë e vërteta.

Ne do u themi shqiptarëve të vërtetën pavarësisht se i pëlqen këtij apo atij.

E patë miq se si doli Olsi Xibraka pas seancës që kishte me Alfred Shehun.

Me Alfred Grecën.

E dini cili është Alfred Shehu? Është prokurori i pafytyrë që doli bashkë me Ardi Veliun, një të pafytyrë tjetër, dhe u tha shqiptarëve se në makinën e Mehmet Grecës, trafikantit të dënuar për 15 kg kokainë në Londër, nuk kishte materiale elektorale për Taulant Ballën.

Dhe ky u shpërblye nga Taulant Balla në krah të Altin Dumanit, prokuror i Skrapit.

Ky dje, takoi Olsi Ramën.

Olsi Rama, Olsi Xibraka, ja ku po të njoftoj se ditën e hënë do të kesh dhe një padi të dytë për mashtrim publik përpara shqiptarëve.

Po, po, për mashtrim publik sepse u deklarove shqiptarëve dy javë më parë se makinën me targa AA653DM, të përdorur tmerrësisht nga kapot, mes tyre edhe ti vetë, të klanit shqiptaro-kolumbian të Xibrakës, Olsi Rama, Ermal Hoxha, Genti Xhixha, Gentian Gjonaj, Besnik Dabulla, etj, e kam përdorur vetëm njëherë.

Kam shkuar një natë në Selanik, kam ndëjtë dy ditë dhe jam kthyer.

O gënjeshtar, mashtrues i shpërfytyruar publik, do përgjigjesh para ligjit dhe shqiptarëve.

Kufirin me makinën e drogës AA653DM, e ke kaluar në datën 6.6.2014 në ora 13.30.

2. Me datën 8.6.2014 në ora 15.45.

3. Me datën 11.7.2014 në ora 15.45.

4. Me datën 13.7.2014 në ora 18.06.

5. Olsi Kristaq Rama, se këto i ka kaluar si Olsi Rama, po tani me pasaportë amerikane, se ke bërë drogë atje në Boston ku ke qenë vagabond, Olsi Kristaq Rama me pasaportë amerikane, ke kaluar kufirin sipas TIMS me datë 8.8.2014 në orën 18.35. E ke kaluar përsëri në orën 8.8.2014 në orën 21.49.

Olsi, ke edhe kalime të tjera, po këto sa për sonte.

Për këto, ti do të shkosh, do denoncohesh për mashtrim të rremë nën betim.

Se je betuar dhe ke mashtruar.

Ndaj miqtë e mi, ju jeni shpresa e fundit e shqiptarëve dhe kjo shpresë nuk mund të shuhet kurrë.

Kjo shpresë do triumfojë.

Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale