140 milionë euro ka mbledhur Bashkia Tiranë për vitin 2023 nga mesazhet e qytetarëve për vendparkimet në kryeqytet. Edhe pse fondi është goxha i lartë për t’u përkthyer në investime publike, si parkime, hapësira të gjelbra, shkolla apo kopshte të reja, ato vidhen.
Kreu i Këshilltarëve Bashkiakë në Bashkinë e Tiranës Ilir Alimehmeti gjatë një interviste ka rradhitur një sërë arsyesh se ku shkojnë këto para. Ai theksoi se një pjesë e madhe e këtij fondi ka shkuar për pagesat e inceneratorit të Tiranës e cila është në hetim në Itali për lidhjet e saj me mafian italiane Ndragheta.
“I kemi kërkuar Bashkisë me shkrim nëse ka apo jo dijeni për këto lidhje dhe nuk kemi marrë përgjigje. E dimë që Inceneratori i Tiranës nuk ekziston. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në shtator u vendos që t’i jepen 6 milionë euro të tjera këtij inceneratori. Ne votuam kundër duke e kundërshtuar këtë vendim. Paratë shkojnë për një shërbim që nuk bëhet dhe për një çështje në hetim dhe nën sekuestro. Po të krahasojmë shkollat të cilat investohen nga financimi i BE-së me projektin EU for Schools dhe shkollat që financohen nga Bashkia Tiranë do të vini re çmime shumë të larta se BE. Paratë e qytetarëve vidhen për të paguar me çmime shumë të larta një pishë 6 deri në 10 milionë lek të vjetra.”
Alimehmeti theksoi se këshilltarët e djathtë e kanë kundërshtuar buxhetin 2024 të Bashkisë Tiranë sepse kjo Bashki funksionon me dy elementë, vjedhje direkte dhe fryrje çmimesh. Buxheti i Tiranës ka 35% të buxhetit për të 61 Bashkitë e vendit.
Kreu i këshilltarëve bashkiakë vuri në dukje terrin informativ dhe mungesën e thellë të informimit në Bashkinë Tiranë.
“Ligji të detyron që të informosh këshilltarët në çdo kohë dhe informacioni sërish nuk vjen. Ne jemi të detyruar t’i drejtohemi gjykatës. Kjo është Bashkia e mungesës së transparencës dhe abuzimit total. Me këtë gjendje përballemi ne edhe si qytetarë jo vetëm si këshilltarë sepse këto para merren nga taksat tona, të cilat nuk shkojnë për shërbime, por për xhepat e pak njerëzve”, tha Alimehmeti.