Ilda Zhulali: Kemi kërkuar informacione në lidhje me pastrimin e Tiranës, por Erion Veliaj fshihet për të mos dhënë llogari se nuk ka asnjë argument ligjor

DEKLARATA E ANËTARES SË KËSHILLIT BASHKIAK TË TIRANËS, ILDA ZHULALI:

Sot Bashkia e Tiranës, sipas të dhënave në projekt buxhetin e 2024-2026, paguan 29 euro/ton për trajtimin e mbetjeve, dhe rreth 17 milion euro në vit, ose rreth 66 euro/ton për pastrimin dhe transportimin e mbetjeve ne landfill.

Pra i gjithë procesi na kushton 95 euro/ton.

Në studimin e IFC, përcaktohet se sipas normatives botërore, në një qytet me përmasa të ngjashme të Tiranës, shërbimi i pastrimit, transportimit dhe trajtimit të mbetjeve kushton 38 euro/ton, NDERSA Erion Veliaj paguan monopolin e inceneratorit dhe të EkoTiranës 95 euro/ton, pra 2.5 herë më shumë.

Këshilltaret demokratë i janë drejtuar Bashkisë Tiranë me kërkesa të vazhdueshme për informacion që nga shtatori i vitit të kaluar, dhe ende sot që flasim nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

I kemi kërkuar informacion për sasinë e mbetjeve të depozituara që nga vitit 2015;

I kemi kërkuar kontratat e administrimit të landifilldit të sharrës qe nga 2015, dhe të kompanive që ushtronin aktivitetin e riciklimit në landfill.

Kemi kërkuar përllogaritjen e kostove për pastrimin e qytetit.

Kemi kërkuar të dhënat financiare dhe investimet që janë kryer me paratë e buxhetit të Tiranës për kompaninë EkoTirana.

Kemi kërkuar informacion nëse kjo kompani ka kapacitete për të pastruar të gjithë bashkinë e Tiranës, pasi që prej këtij viti EkoTirana ka monopolin e shërbimit të pastrimit të qytetit.

Kemi kërkuar informacion se çfarë do të ndodhë me EkoTiranën, pasi kompania aksionere me bashkinë e Tiranës, AGSM Holding, është në likuidim e sipër.

Për asnjë nga këto më sipër nuk kemi marrë përgjigje, edhe pse ky është detyrim i qartë i ligjit për vetëqeverisjen vendore.

Refuzimi për përgjigje ka vetëm një arsye: Sepse Erion Veliaj nuk ka asnjë argument ligjor të justifikojë pse sot paguajmë 95 euro/ton mbetje për shërbimin e pastrimit, transportimit dhe trajtimit të mbetjeve, ndërkohë që sipas normativës botërore, procesi kushton jo më shumë se 38 euro/ton, siç shkruhet e zeza në të bardhë në studimin e  Korporatës Ndërkombëtare të Investimeve.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale