KONFERENCA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference me gazetarët e ka cilësuar hetim skandaloz, atë të Prokurorisë së Posaçme ndaj fondacionit të fëmijëve autikë që drejtohet nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha. Sipas Berishës, gjatë hetimit nga SPAK, u publikuan emrat e fëmijëve autikë që pranuan bamirësinë, ndërsa këtë e konsideroi një veprim monstruoz të hetuesve.
Berisha teksa ka falendruar Abin dhe Argitën për dhurimet që kanë bërë për fëmijët autikë, tha se ky nuk është krim siç preferon ta cilësojnë organet e hetuesisë, por një traditë fisnike.
Kryedemokrati theksoi se në aktakuzën e prokurorëve të SPAK, treshja mercenare e prokurorisë private të Edi Ramës kanë sjellë si prova të korrupsionit pasiv, ndihmën bamirëse që dhëndri dhe vajza ime, Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë dhënë çdo vit duke paguar nëpërmjet bankës.
Sipas kryetarit të PD-së, Sali Berisha fondacioni “Fëmijët shqiptarë” është themeluar nga një mik i madh dhe i vërtetë i Shqipërisë, Domenik Skalione, i cili në vitin 2005 ia besoi drejtimin e këtij fondacioni Liri Berishës. Berisha tha se bashkëshortja e tij, Liri Berisha ka dhënë ndihmë kolosale për fëmijët autikë, pa asnjë pagesë dhe pa asnjë fond nga qeveria. Lideri i opozitës thotë se gjatë kohës që ka drejtuar ekzekutivin shqiptar, fondacioni nuk ka marrë asnjë qindarkë, ndërsa shton se pas viteve 2013 janë bërë përpjekje të përsëritura të turpshme nga autoritetet qeveritare për dëmtimin e veprimtarisë së tij.
Kryedemokrati Sali Berisha tregon së është i gatshëm të publikojë të gjithë aktakuzën e Prokurorisë së Posaçme për fonadcionin e fëmijëve autikë dhe financimet që janë bërë për të, por theksoi se treshja e hetuesisë e kishin shpërndarë atë në studiot televizive përpara se ta lexoja. Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha tha se në aktakuzë do shihen qindra e mijëra emra që kanë futur vetëm për të mbushur faqe. Si një formë për të ruajtur identitetin e tyre, Berisha tha se për arsye etike nuk mund t’i bëjë publik emrat në dosjen e SPAK.
FJALA E PLOTE
Zonja dhe zotërinj, së pari falenderoj gazetarët që kanë pranuar të ndjekin në distancë këtë konferencë shtypi.
Falenderoj të gjitha ata që ndjekin sot paraqitjen time publike të provave konkrete që prokurorët politikë kane rreshtuar në dacibaon e tyre politike për korrupsion kundër meje.
Para se te ndalem një nga një në paraqitjen e tyre, shtoj se:
Kur ke bere pazare me vrasësit dhe ke marrë paranë e tyre të krimit për t’u pasuruar vetë, për të blerë apartamente, vila, toka apo pasuri të tjera, të cilat me rrogën tende nuk i blije dot kurrë, apo kur ke përdorur paratë e vrasësve, përdhunuesve, trafikantëve për vakanca luksoze, për shkollimin e fëmijëve apo qoftë dhe për bixhoz, kur ke përdorur detyrën e besuar nga shoqëria për të bërë jo prokurorin, as dhe avokatin e ligjit të kriminelit që të ka blerë, por skllavin e tij dhe ke shitur çdo gjë njerëzore, veten te vrasësi, dhe je zhveshur, shpërfytyruar dhe denatyruar nga morali njerëzor, je bërë më i lig, më i ulët se sa padroni yt vrasës, përdhunues, hajdut, vetëkuptohet që virtytin njerëzor e quan krim, zbatimin e ligjit e shpall shkelje të ligjit dhe nuk ndalesh para asgjëje, bëhesh më hajdut se hajduti, më vrasës se sa vrasësi, të tillë janë sot anëtarët e organizatës kriminale Skapi i partisë apo prokurorisë private të Edi Ramës, të cilet Juri Kim ua serviri shqiptarëve si heronjtë e fëmijëve të tyre, por në fakt janë monstrat me raste konkrete të fëmijëve tanë, përfshi këtu fëmijët autikë.
Këta janë monstrat e fëmijëve tanë sepse këta jo vetëm amnistojnë me urdhër dhe kundrejt pagesës zyrtarë kriminelë që me vjedhjet e tyre kanë shkaktuar për mungesat e ilaçeve apo përdorimin e ilaçeve të skaduara etj, etj, vdekjet e qindra e fëmijëve të moshave të ndryshme, por këta janë monstrat e fëmijëve tanë sepse për të zbatuar urdhrin politik të Edi Ramës, jo vetëm paraqesin se krim virtytin e bamirësisë shqiptare, të dëshmuar në mënyrën më transparente dhe ligjore, por ata si monstra të fëmijëve tanë, në rastin konkret femijëve autikë, kanë vendosur në dosjen e tyre publike të aktakuzës ndaj meje duke shkelur çdo kod njerëzor dhe ligjor që mbron privatësinë e fëmijës, emrat e fëmijëve autikë, përfitues të bamirësisë.
Cilido që bën një gjë të tillë, dëshmon se ai ose ajo, edhe në rast se kanë fëmijë, nuk meritojnë dhe mund të quhen prindër, nënë ose baba, sepse nuk mund të quhen as njerëz, sepse ata nuk ngurrojnë të përdorin pushtetin që ua ka ngarkuar shoqëria dhe ligji, për të dhunuar si hiena privatësinë e qenieve më të pafajshme të kësaj toke, fëmijëve autikë.
Thashë se kjo treshe, që ka kryer këtë akt, në ligjet e vendit nuk mundet kurrë të shkelte privacinë e fëmijëve, por edhe në kodin moral shqiptar të bamirësisë thuhet se atë që jep dora e djathtë si bamirësi, nuk duhet ta dijë dora e majtë.
Po këta janë monstra të zhveshur nga çdo ndjenjë e njeriut të civilizuar.
Kështu, në aktakuzën e tyre, treshja mercenare e prokurorisë private të Edi Ramës kanë sjellë si prova të korrupsionit tim pasiv, ndihmën bamirëse që dhëndri dhe vajza ime, Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë dhënë çdo vit duke paguar nëpërmjet bankës, pra me para të tatuara, disa familjeve në nevojë shpenzimet për trajtimin e fëmijëve të tyre autikë në qendrën rajonale të autizmit në Shqipëri, të Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, drejtuese e të cilit është Liri Berisha.
Në aktakuzën e tyre, monstrat e fëmijëve tanë nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 gjer në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro.
Nuk është zakon kurrë të falënderosh publikisht familjarët, por nuk mund të ndalem pa i falënderuar me shumë mirënjohje Abin dhe Argitën sepse kanë mbajtur, kanë vazhduar traditën më fisnike të shqiptarëve, bujarinë dhe bamirësinë, e cila ka pasur në kohëra vlerësimet më të larta.
Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” është themeluar në vitin 1996 nga një mik i madh dhe i vërtetë i Shqipërisë, Domenik Skalione, ish-president i parë i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan te Sipërmarrjes, që në vitin 2005 i besoi drejtimin e këtij fondacioni Liri Berishës, e cila pasi doli në pension, në vend të punës në një klinikë private, zgjodhi t’i përkushtohet pa asnjë lloj rroge apo shpërblimi ndihmës, kryesisht të fëmijëve shqiptarë, por edhe të moshuarve këtu.
Njëlloj si ajo, bordi i fondacionit nga themelimi gjer sot ka funksionuar me përkushtim pa asnjë shpërbilm.
Nën drejtimin e saj dhe të bordit, Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” ka dhënë kontribut thelbësor në trajtimin shkencor të talasemisë, duke ngritur nga hiçi në Lushnje qendrën më moderne të vendit në trajtimin e talasemisë, për çka është nderuar me Qytetari Nderi nga bashkia socialiste e qytetit.
Fondacioni, me lidhjet e tij, ka arritur të dërgoj për operime të vështirë në spitalet më të mira me dhjetëra fëmijë si dhe ka ndihmuar qindra fëmijë në shtëpitë e fëmijëve, por edhe në kopshte, madje edhe të moshuar në azile.
Por pa dyshim, kontributin më të jashtëzakonshëm ky fondacion, kundër të cilit Rama ka ndërsyer larot dhe mjerot e tij në media, dhe mercenarët e tij në prokurorinë politike, e ka dhënë nga viti 2005 e këtej me kthesën rrënjësore që arriti të shënojë në qëndrimin në Shqipëri ndaj çrregullimit të autizmit dhe konkretisht në fushën e rritjes së ndjeshmërisë së shoqërisë ndaj autizmit dhe në diagnostikimin, trajtimin modern të fëmijëve autikë dhe studimet shkencore në këtë fushe.
Ky fondacion, me mbështetjen e fondacionit ‘Autizem Speks’ pa asnjë ndihme nga shteti, ngriti në Tiranë Qendren Rajonale të Autizmit, qendër ekselence, e cila ka diagnostikuar dhe trajtuar me metodat me bashkëkohore mijëra fëmijë nga Shqipëria dhe qindra nga vendet përreth, dhe me një sukses mbi 85% (sukses konsiderohet kur këta fëmijë shkojnë në shkollë).
Qendra Rajonale e Autizmit e Tiranës ka ngritur qendrat pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha të vendit, nga Gjirokastra në Kukës, por edhe në tre vendet përreth.
Qendra ka specializuar qindra psikologë në këtë fushë, ka botuar shtatë libra kryesorë të fushës dhe prodhuar një seri me DVD, të cilat ndihmojnë jo vetëm specialistët, por dhe prindërit të ndihmojnë fëmijët e tyre me këtë çrregullim, që për fat të keq incidenca e të cilit po rritet shumë.
Nga 1 në 170 persona që ishte 5-6 vjet më parë, sot në SHBA shkruhet se ky çrregullim prek 1 në 36 fëmijë.
Theksoj dhe njëherë se fondacioni nga qeveria e para viteve 2013 nuk ka marrë asnjë qindarkë, kurse pas viteve 2013, janë bërë përpjekje të përsëritura të turpshme nga autoritetet qeveritare për dëmtimin e veprimtarisë së tij.
Unë u ndala në këtë koment, në aktakuzën e turpshme figurojnë dhe financimet e përbashkëta, që janë bërë për paditë gjyqësore nga familja jonë si dhe dhurata që Fatmir Bektashi i ka bërë fondacionit ‘Fëmijët shqiptarë’ për festën e Vitit të Ri.
Rikujtoj këtu se ky biznesmen fisnik, së bashku me dy ortakët e tij, i kanë dhuruar qytetit të Tiranës kopshtin dhe çerdhen më moderne në tokën e tyre.
Përveç kësaj, ky biznesmen paska sponsorizuar dhe ky është akt, sipas tyre korruptiv, në vitin 2013, një udhëtim të Rikardo Koçiantes, mentorit të këngëtares së njohur, asokohe vajzë e re shqiptare, Elhaida Dani, e cila nën instruksionet dhe mbështetjen e tij, fitoi ‘Voice of Italy’.
Dhe me këtë rast, u ftua Rikardo bashkë me këngëtaren për t’u dekoruar nga Presidenti i Republikës.
Ministria e Kulturës, se kush nuk mund të them, i është drejtuar dhe Fatmir Bektashi ka sponsorizuar udhëtimin dhe qëndrimin e tyre.
Rikardo Koçiante, këngëtari i famshëm i cili edhe para disa kohësh ka qenë në Tiranë, në atë udhëtim nuk ka dhënë asnjë koncert. I janë bërë nderimet nga Presidenti i Republikës si një akt mirënjohje dhe vlerësimi.
Së fundmi, akt korruptiv, provë tjetër kanë sjellë se Fatmir Bektashi paska sponsorizuar një biletë të Flamur Kuçit në studion e Libeskindit, për të cilin Sali Berisha nuk ka asnjë dijeni.
Fatmir Kuçi ka qenë këshilltar te unë, por ka qenë edhe pedagog në universitet. Udhëtimi i tij te Libeskind nuk ka pasur asnjë lidhje me projektin që ky arkitekt i madh kishte hartuar për Homeplanin.
Këto janë akuzat konkrete për korrupsion me shifra, që mercenarët dhe monstrat e fëmijëve, kanë sjellë kundër Sali Berishës.
Ajo që më revoltoi jashtë mase, se ata këtë aktakuzë e kishin shpërndarë dhe unë i mësova këto nga studiot televizive para se ta lexoja.
E them këtu, nuk kam asnjë rezervë për ta publikuar që nesër, përveç do shihni aty qindra e mijëra emra që kanë futur vetëm për të mbushur faqe, gjë e cila nuk mund ta bëj pa asnjë aprovim të tyre se ata mund të lëndohen dhe nuk kam të drejtë t’i lëndoj.
Isa Myzyraj, Ora News: Nga e gjithë aktakuza prej 500 faqesh pse zgjodhët në këtë konferencë të parë të flisnit për pak faqe në fakt, dhe me fëmijët autikë dhe këngëtaren Elhaida Dani. A do të thotë kjo se po përpiqeni që të ndikoni në anën njerëzore të qytetarëve.
Sali Berisha: Nuk ka diskutim se si prind, si mjek, si njeri, sulmi ndaj fëmijëve autikë përbën për mua, mund t’i thuash nazist, komunist, por jo, nuk them nga ato, them njerëz të denatyruar nga paratë e krimit që kanë marrë, se ndryshe nuk mund ta bënin kurrë. A nuk të bën përshtypje ty një akt i tillë?
Unë me sinqeritet nuk e dija se sa Jamarbër Malltezi dhe Argita Malltezi kanë kontribuar.
E di që ata japin çdo vit përqindjen e fitimeve për bvamirësi, këtë e kanë ligj, por sa ishin nuk e dija. U gëzova shumë. Pse u gëzova? Dominik Skalione, ka blerë për këtë fondacion, me paratë e tij personale, 106 mijë dollarë një aparaturë ultramoderne për diagnozën paranatale, fetale, të patologjive të ndryshme dhe e ka dorëzuar në maternitetin e Tiranës.
Më vjen mirë që Abi dhe Gita kanë respektuar një virtyt, një traditë shumë pozitive shqiptare. Dhe e kanë bërë këtë në përputhje me të gjitha ligjet.
Edi Rama, në sulmin kundër Sali Berishës, ka përdorur faktin se Liri Berisha është drejtuese e këtij fondacioni dhe kësaj qendre. Por ka harruar se ajo qendër është qendër suksesi të vërtetë dhe se Liri Berisha ka derdhur aty 19 vite të jetës së saj me përkushtimin më të madh, pa asnjë qindarkë shpërblim. A është e mundshme kjo?
Kjo në rrafshin njerëzor është gjëja më e pamundshme. Nga ana tjetër, kjo nuk ishte në materialin e parë, kjo është shtuar te e dyta. Se unë po dëgjoja televizionin, se këta kanë gazetarët që i paguajnë dhe i manipulojnë, dëgjoj një gazetare që po, kanë financuar edhe fondacionin. Pastaj e pashë këtë, dhe këto janë faqet e fundit të aktakuzës. Sigurisht që në çdo rrafsh, ky është makabritet.
Të akuzosh se Abi Malltezi më ka korruptuar mua dhe bashkëshorten time se ka financuar me paratë e tij, fëmijët e familjeve në nevojë që nuk i përballojnë dot shpenzimet, të panjohura, atëherë çfarë mund të them unë?
Të shpallësh vepër penale bamirësinë, po mund të ndodhë kund në botë, përveçse këtu?
Këta po, se këta janë të mbrujtur me krim dhe ves në profesionin e tyre. Unë garantoj se këto do i faktoj!
Isa Myzyraj, Ora News: Cili është skenari B i Sali Berishës nëse përpara zgjedhjeve të vitit 2025, në skenarin më të keq, ju merrni një dënim nga gjykata e posaçme. A keni një plan B, jo vetëm për të ardhjen tuaj politike, por edhe për të ardhmen e PD-së.
Sali Berisha: Rreth dy vite më parë, Edi Rama dhe Taulant Balla organizuan atentat ndaj meje në mes të ditës. Dhe të garantoj tani që para tij, në korridoret e këtyre kriminelëve, flitej se janë orët e fundit të Sali Berishës. Unë vazhdova mitingun, pa asnjë plan B. Harrojeni, përpjekja për t’i uzurpuar PD-së udhëheqjen, u përpoqën ç’është e vërteta, kjo nuk është sekret. Por dështuan dhe do dështojnë. Ky është realiteti. Kjo është betejë për sovranitetin e vendit.
Nuk është një betejë dosido.
Isa Myzyraj, Ora News: Në këto 3 mandate të qeverisë Rama, një nga armët më të forta të opozitës në debatin publik, asnjë eksponent i rëndësishëm nuk ka qenë pas hekurave apo i akuzuar për kundrejt disa bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës, të cilët janë akuzuar, marrë të pandehur dhe madje janë arratisur. Ju e keni përdorur shpesh të gjithë rrethin e Ramës që ka qenë nën akuza për korrupsion. A ju ka rënë tani edhe kjo tezë, a mund të dalë PD të akuzojë Ramën për rrethin e tij, kur në fakt këtë parti tani e drejton një njeri që është nën akuzë nga prokuroria speciale.
Sali Berisha: Si mundet ju të mohoni kontrollin e plotë dhe total të Edi Ramës mbi Skrapin e partisë? Nuk besoj që ka një mendje apo një njeri që mund të pranojë se zhdukja e 130 milionë eurove të djegësit të Tiranës, nuk është përgjegjësi direkte e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Nuk ka njeri që mund të pranojë se përgjegjës për këtë zhdukje është Arben Ahmetaj, i cili duhet ta pranojmë, unë jam këtu njeriu që e ka sulmuar më shumë se kushdo tjetër atë, por nuk mund ta sulmoj kurrë për çka nuk i takon.
Arben Ahmetaj është personi që ka refuzuar katër herë me shkrim djegësin e Tiranës. A ka shqiptar që pranon se fajësinë e Ilir Beqës për 120 mijë euro të shpërdoruara të BE dhe jo për 300 milionë euro koncesione në shëndetësi, në të cilat vetëm sterilizimi bëhet me një kosto të përllogaritur me saktësi nga ekspertët, 83 herë më të lartë se sa bëhej më përpara, dhe kjo kosto bën që mijëra të sëmurë të mbeten pa operacion sepse spitalet nuk i blejnë dot setet e sterilizimit.
A mund të pranojnë shqiptarët që Vilma Nushi të marrë paratë për 1 milion e 100 mijë check-upe, në kohën kur ajo ka bërë 500 mijë? A e dini ju se Vilma Nushi është gruaja e kushëririt të Edi Ramës. Do u them një gjë unë ju, nuk është vetëm i Sali Berishës ky konkluzion. Skapi ndodhet në kontroll të plotë të krimeve që kryen dhe të politikës së Edi Ramës dhe të dyja janë të faktueshme. Më thoni ju pak ku është dosja e Amant Josifit në Shqipëri? A ekziston? Jo mo, nuk ekziston se duhet të futet Olsi Rama.
Ku është dosja e McGonigal, a po bëhet hetim? Jo mo jo, asnjë hetim, vetëm mashtrim.
Më thoni ju mua, tuneli i Llogarasë si iu dha kompanisë me 50 milionë euro më shumë?
Ku janë këta mo?
Këta merren me bamirësinë ndaj fëmijëve autikë dhe u nxjerrin eemrat. E kuptoni se çfarë përfaqësojnë këta apo jo? E vërteta është e mundimshme, e vërteta nuk ecën shpejt, por nuk mposhtet kurrë. Besoj se po i ndiqni mediat. Ju patë dje përsëri se si kishte ndërhyrë Edi Rama kundër revistës më të madhe gjermane për shkrimin që bënte. Nuk futet minareja në thes, thotë populli shqiptar. Nuk mund të shesësh Skapin ti, që fle mbi krimin. Altin Dumani fle mbi krimin. Do nxjerr fakte për këto që them.
Prandaj nuk duhet të kenë asnjë iluzion për Skrapin. Janë mercenarë që i kanë shitur veten krimin dhe janë pa diskutim prokuroria më politike sot në botë, pas atyre të Koresë së Veriut.
Anisa Kadesha, RTSH: Pas akuzës suaj thatë janë edhe diplomatë të korruptuar. Për kë e keni fjalën z.Berisha?
Sali Berisha: Të korruptuar janë diplomatët që kërkuan arrestimin e Sali Berishës. Publikisht e kanë bërë. I korruptuar është Mc Gonigali, që punoi për manipulimin e dosjes. Unë nuk mund t’i injoroj këto. Ja ku janë heronjtë e fëmijëve tanë, por unë besoj fort te vlerat. Unë nuk pajtohem kurrë me ata që përdorin Amerikën për të mbuluar krimet e tyre, për të mbuluar vjedhjet e tyre, për të mbuluar trafiqet e tyre, jo.
Në botëkuptimin tim, Amerika nuk është e madhe për asnjë shkak tjetër, por për hapësirën e lirisë, për shtetin ligjor, për Kushtetutën e saj.
Anisa Kadesha, RTSH: PD ka marrëvendim për nisjen e një lëvizjeje për të realizuar një kërkesë që ju keni bërë, zgjedhje të lira që është qeveria teknike. Kur nis kjo lëvizje dhe si mund të realizohet përmbushja e këtij qëllimi?
Sali Berisha: Lëvizja do të nisë në kohën më të parë të mundshme, dhe do jetë një lëvizje e pandalshme me të cilën PD duhet të përmbushë misionin e saj, rithimin e votës së lirë shqiptarëve. Shqiptarët kanë plotësisht të drejtë t’ia këërkojnë këtë PD. Shqiptarët nuk mashtrohet dot nga opozita e opozitës që natën hyn në zyrat e Edi Ramës, apo nga zyrat e Edi Ramës shkon për të vjellur vrer kundër opozitës. Kanë të drejtë t’ia kërkojnë PD, forcave politike të vërteta opozitare, dhe ato do të përmbushin këtë mision.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju denoncuat kapjen e SPAK-ut, nga ana tjetër një ditë më parë dolët deklaratë për media për sa i takon mosrespektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e deputetëve të PS dhe të z.Rama. Përmballë kësaj situate, kur dy nga institucionet më të rëndësishme si Gjykata Kushtetuese dhe SPAK denoncuar nga ju nuk respektojnë vendimet. Çfarë u ka mbetur deputetëve të opozitës të bëjnë. A mos duhet të shkojnë në grevë, apo të rikthehen në atë protestë që i kemi parë më herët?
Sali Berisha: Çfarë ka sot në Shqipëri? Ka një realitet narkoshtet, në të cilin institucionet janë të kontrolluara të gjitha nga një njeri dhe nuk ka Kushtetutë, nuk ka ligje. Unë që po flas këtu, unë mbahem në arrest shtëpie pa vendim nga njerëz që nuk kanë ligj as moral. Por ka një gjë tjetër.
Në qoftë se mazhoranca e krimit funksionon mbi bazën e kodit të mafies, opozita nuk mund ta bëjë këtë. Unë vërtetë bëra deklaratë dje për Gjykatën Kushtetuese. Mos harro, se unë kam vetëdije të plotë, se ajo gjykatë tre muaj më parë në mënyrën më fatale shkelmoi vet Kushtetutën kur deklaroi se nuk legjitimohet grupi prej 35 deputetësh si ankimues në atë gjykatë në një kohë kur Kushtetuta e ka në mënyrë taksative në një nen.
E paimagjinueshme, por kjo nuk do të thotë që unë të them se vendi nuk duhet të ketë Gjykatë Kushtetuese. Jo. Ajo që bënë këta në komisionin Xhafa që ia hodhën në kosh të plehrave vendimin ajo është një shfaqje e kësaj, por unë dua të denoncoj një gjë tjetër këtu. Mercenarët e Skapit përdorin përgjimin. Altin Dumani përdor përgjimin në shkelje të ligjeve për të ushtruar presione nga më të ndryshme, pengmarrëse ndaj gazetarëve, ndaj gjykatësve, ndaj prokurorëve, ndaj zyrtarëve.
Përgjimet që bën në mënyrë të ligjshme dhe përgjimet që kanë shkuar në dosje. Po a futemi ne në zinxhirin e pengmarrjeve të tyre? Jo, ne nuk futemi. Ne përpiqemi të mbajmë ato parime që besojmë se janë të shëndosha dhe të drejta.
Isa Myzyraj, Ora News: Në zgjedhjet e vitit 2025 ddo jeni në listë të hapur, apo të mbyllur, dhe a do të kandidojë edhe Argita Malltezi?
Sali Berisha: Të them të vërtetën në çdo listë për mua është njëlloj dhe nuk kam asnjë impresion. Për sa i përket Argita Malltezit, atë nuk e vendos unë, atë e vendos vetë ajo në qoftë se dëshiron Primaret janë të hapura dhe nuk ka asnjë pengesë, por nuk e di se ka ndonjë ambicje apo jo.
Edhe njëherë ju përshëndes. Periodikisht do t’ju njoftojmë, do të shemb para shqiptarëve piramidën e mashtrimit që kanë ndërtuar. Jo për Sali Berishën, jo përveten time në mënyrë absolute, por vetëm për t’u dhënë atyre të mundur të kuptojnë denatyrimin e plotë të zyrtarëve mafiozë të kësaj narkomazhorance, qofshin ata deputetë, qofshin ata policë apo kryepolicë, qofshin ata prokurorë apo gjykatës, do ta bëj këtë me prova dhe fakte të pakundërshtueshme. Asnjë jashtë provave dhe fakteve.
Faleminderit!