DEKLARATA E HYSEN MUCEKUT, DEPARTAMENTI I EKONOMISË, PD:
Konfederata e industrive të Shqipërisë ka përsëritur alarmin se buxhetit të shtetit po i bëhet një dëm prej 200 milion eurosh në vit.
Kjo vjen për shkak të nivelit të ulët të zhdoganimit të karburanteve në Shqipëri edhe për vitin 2023, pasojë e kontrabandës.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2023 janë zhdoganuar rreth 620 mijë ton karburante. Shifra e mësipërme është rreth 15% më e ulët krahasuar me Kosovën, ndërkohë që duhet të ishte 30% më e lartë. Për dy arsye: numri i automjeteve dhe madhësia e ekonomisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
Krahasimi bëhet edhe më shqetësues, nëse marrim parasysh, mburrjen e madhe qeveritare se gjatë vitit 2023 kanë vizituar 10 milionë turistë, cka do ta shtonte nivelin e përdorimit të karburantit disafish.
Partia Demokratike denoncon këtë aferë të vjetër korruptive të qeverisë Rama dhe monopolin që ka krijuar në sektorin e hidrokarbureve.
Ku monopol dhe kjo kontrabandë janë ndikues direkt në xhepin, tuaj të dashur qytetarë.
Ju sot paguani për naftën më të shtrenjtë dhe më të keqe në Europë. Një pjesë e saj vjen nga vendet armike në NATO-s ku Shqipëria bën pjesë.
Ju sot paguani me mushkëritë tuaja ndotjen që hidrokarburet e oligarkëve të Ramës çlirojnë në mjedis.
Ne mbështesim Konfindustrinë në kërkesën për përmirësime thelbësore në luftën kundër kontrabandës, monopoleve, mungesës së konkurrencës në treg dhe uljen e ngarkesës fiskale të karburanteve.
Ne jemi kundër kontrabandës së karburanteve që vjen nga shtete nën embargo të Perëndimit si Rusia, Irani, Libia.
Por, ne ndahemi tek zgjidhja me Konfindustrinë. Nuk është kjo qeveri që mund t’i bëjë këto ndryshime. Këto janë trafiqet e saj dhe nuk mund t’i kërkosh trafikantit të ndalojë aktivitetin.
Vetëm, me zgjedhje të lira, me qeveri të re të interesave të popullit, do të marrë fund zhvatja, do të ulet trau që u ngrihet oligarkëve, që me naftën e kontrabanduar i helmojnë 2 herë shqiptarët: në xhep dhe në mushkëri.