‘Gjuha është kthyer në një burg pa mure’/ Berisha në Strasburg: Kur 90% e mediave kontrollohet nga qeveria, pluralizmi bëhet fiktiv

Kryetari i PD-së, Prof. Dr. Sali Berisha, ka ngritur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës shqetësimet e tij për lirinë e medias dhe pluralizmin në Shqipëri.

Në fjalimin e tij, të transkriptuar edhe në faqen zyrtare të institucionit, Berisha theksoi se mbi 90% e mediave kontrollohet nga qeveria dhe interesa të lidhura me të, ndërsa pjesa tjetër përballet me presione dhe sulme.

“Kur 90% e mediave kontrollohet nga qeveria, korruptimi i gjuhës nuk është më një pasojë anësore, por një teknologji sundimi”, u shpreh Berisha.

Ai argumentoi se kontrolli i gjuhës dhe informacionit dëmton mendimin e pavarur dhe e bën pluralizmin politik fiktiv. “Gjuha kthehet në një lloj burgu pa mure, ku fjalët përdoren për të parandaluar mendimin e pavarur përpara se ai të lindë”, tha kreu i PD-së.

Në përfundim, Berisha kërkoi një qëndrim ndërkombëtar ndaj qeverisë shqiptare dhe sanksione, duke i cilësuar ato “kushte sine qua non” për lirinë dhe pavarësinë e medias dhe rivendosjen e pluralizmit demokratik.

Fjalimi i djeshëm i kryetarit të PD, Sali Berisha në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, transkriptuar edhe në sajtin zyrtar

Zonja Kryetare,

Raportet më serioze ndërkombëtare dëshmojnë se në Shqipëri mbi 90% e mediave, përfshirë mbulimin e lajmeve, debatet dhe editorialet, kontrollohen nga kryeministri, narkoqeveria e tij dhe bizneset e oligarkëve të tij. Më pak se 10% e mediave që nuk kontrollohen janë subjekt i persekutimit, sulmeve verbale dhe fizike kundër gazetarëve nga vetë kryeministri dhe narkozyrtarët e tij, si dhe i gjobave të rënda, deri edhe i shkatërrimit të pronës dhe pasurisë së tyre.

Të gjitha rekomandimet e këtij institucioni dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për mediat në Shqipëri janë injoruar nga qeveria shqiptare.

Zonja Kryetare,

Në një kontekst ku 90% e mediave kontrollohet nga interesat politike dhe ekonomike të qeverisë, “e keqja banale” pushon së qeni një seri gabimesh rastësore dhe shndërrohet në një sistem operativ dhe ky është pikërisht rasti i Shqipërisë.

Kur 90% e mediave kontrollohet nga qeveria, korruptimi i gjuhës nuk është më një pasojë anësore, por një teknologji sundimi, dhe ky është një rast tipik i Shqipërisë. Në këtë rast, gjuha kthehet në një lloj “burgu pa mure”, ku fjalët përdoren për të parandaluar mendimin e pavarur përpara se ai të lindë. Korruptimi i gjuhës është me distancë mjeti më i fuqishëm dhe më i padukshëm i “të keqes banale”.

Korruptimi i gjuhës shënon shkatërrimin e kontratës themelore mes njeriut, shoqërisë dhe së vërtetës. Korruptimi i gjuhës korrupton mendimin: liria bëhet fiktive, pluralizmi politik zëvendësohet nga pluralizmi burokratik, dhe ky është realiteti i sotëm në Shqipëri, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë.

Gjuha nuk shërben më për të kërkuar të vërtetën, por për të ndërtuar mure.

Ludwig WITTGENSTEIN ka thënë: “Kufijtë e gjuhës sime tregojnë kufijtë e botës sime.”

Ajo shërben për të sulmuar kundërshtarët dhe për të demonizuar opozitën e vërtetë. Në një vend ku e keqja banale është shndërruar në sistem dhe korruptimi i gjuhës në një teknologji dominuese, opozita është gjithmonë fajtore për çdo gjë që ndodh në vend.

Një qëndrim i prerë, sanksionet ndërkombëtare dhe ndëshkimi i narkoshtetit në Shqipëri si dhe i atyre që e ndërtuan atë, janë kushte sine qua non për lirinë dhe pavarësinë e mediave dhe për rivendosjen e pluralizmit të vërtetë demokratik në vendin tim.

https://pace.coe.int/en/verbatim/2026-09-30/am/en#speech-40245

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale