Të nderuar eurodeputetë!
Ne si deputetë të opozitës jemi ketu në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ju! E çmojmë shumë komunikimin dhe ndihmën tuaj! Kolegët tanë janë në protestë për çështje madhore të demokracisë në Shqipëri ne jemi këtu, sepse integrimin e kemi nisur ne si PD dhe e konsiderojmë jetik për vendin tonë!
Ne nuk provokuam askënd në këtë sallë. Nuk fyem dhe nuk bëmë teatër. Ngritem shqetësime që i konsiderojmë tepër të rëndësishme. Ne jemi të përjashtuar nga 40-60 ditë, më sakte jemi të dëbuar nga Parlamenti! Një rregullore e dhunshme e miratuar së fundmi dhunshëm me kartonat e mazhorances për të ndëshkuar opozitën. Një e tillë nuk ekziston askund ne Europë në vendet tuaja! Ndoshta akti i parë i ndihmës mund të jetë thirrja që kjo rregullore të hiqet.
Zonja e zotërinj, ne jemi europianë kemi qenë gjithmonë! Askush nuk e di me mirë se ne çfarë do te thotë të luftosh 6 shekuj për kontinentin tonë. E kemi patur, e kemi humbur, e kemi rigjetur dhe përpiqemi që në vendin tonë të kemi ato standarte.
Jemi europianë si ju, por kemi patur fat më të keq.
Në 34 vite Shqipëria ka ndryshuar falë lirisë dhe punës se shqiptarëve e këtu nuk mund ta përvetesojë dikush politikisht si realitet.
Miqve italianë dua t’u them se e njoh mirë politikën e vendit fqinj kam studiuar e jetuar. Dialektika dhe debati as atje nuk është i rrafshët madje shpesh i ndezur e nuk mund të na kërkohet ne te jemi të heshtur e garniturë.
Asnjëri prej jush sa do ta keni të lartë respektin për drejtësinë e pavarur nuk e koncepton që 6 muaj para zgjedhjeve krejt lidershipi i partive opozitare të ishte i arrestuar apo burgosur. Në Shqipëri lideri i opozitës është një i arrestuar politik.
Mendoni për një çast t’i keni në burg zonjën Shlein, kryetaren e Opozitës italiane, Renzin, Calenden e të tjerë që nuk më vijnë emrat dhe sa do ishit të ftohtë në gjykim? A do i shpëtonit ju përcaktimit që po ndërhyhet në fushatën elektorale dhe në rezultatin e zgjedhjeve?
Ndaj kërkoj mirëkuptimin tuaj për problemet që opozita ngriti.
Faleminderit!