DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I KRYESISË NË PD, ÇLIRIM GJATA
Padia që gjyqtari Gerdi Hoxha i ka bërë SPAK në Gjykatën Administrative ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.
Gjyqtarja Gjonçaj i ka dhënë të drejtë paditësit, kolegut të saj gjyqtar, duke zbuluar jo vetëm standardin e dyfishtë në verifikime, por edhe atë që Partia Demokratike e thekson prej kohësh: SPAK vepron me skenar të parapërgatitur, duke e tejkaluar rolin e vet nga Prokurori e Posaçme në Persekutori Politike.
Ne nuk mund të spekulojmë për arsyet e gjyqtares së Gjykatës Administrative të Tiranës për rastin e gjyqtarit Hoxha, por ky rast zhytet edhe më thellë në skandal për shkak të qëndrimeve të një prokurori që ka marrë pjesë në diskualifikimin e gjyqtarit si anëtar i Komisionit të Verifikimit të SPAK.
Prokurori Dibra, sipas raportimeve mediatike, ka vepruar krejt ndryshe në dy raste të përballjes me gjyqtarin Hoxha. Kur dosja e këtij të fundit ka ardhur në Komisionin e Verifikmit të SPAK për ta gjykuar nëse ishte i përshtatshëm të bëhej gjyqtar i Gjykatës Speciale (GJKKO), prokurori Dibra e ka skualifikuar gjyqtarin Hoxha.
Por, ka bërë krejt të kundërtën me të njëjtin gjyqtar, në një seancë po të Gjykatës Speciale ku Hoxha është gjyqtar i komanduar, duke e quajtur të përshtatshëm për gjykim, dhe jo në konflikt interesi.
Shpjegimi i këtij veprimi është i thjeshtë: prokurori Dibra, kur ka marrë porosi ‘nga lart’ për ta skualifikuar gjyqtarin Hoxha i është bindur urdhrit nga frika e pasojave. Por kur është ndeshur me të njëjtin “gjyqtar të papërshtatshëm” në një gjyq në Gjykatën Speciale, i patrysnuar, ka marrë vendimin si profesionist, duke mos gjetur konflikt interesi në një gjyq ku ai ishte prokuror dhe z. Hoxha gjyqtar.
Partia Demokratike e sjell në vëmendjen e publikut këtë rast, si një prej disave që ilustrojnë kapjen e SPAK dhe ekzistencën e kësaj strukture si ‘vrasës me porosi’ i karrierave në gjyqësor apo në politikë.
Partia Demokratike u bën thirrje profesionistëve të mbetur në sistemin e drejtësisë të reagojnë për çdo rast të ngjashëm, dhe të identifikojnë shkeljet e SPAK apo cdo organizmi tjetër në sistem. Kjo nuk është vetëm një mundësi për të bërë drejtësi, por edhe për t’i dëshmuar publikut se, sistemi i ngritur për drejtësi nuk mund të jetë shpellë e padrejtësive.
Partinë Demokratike dhe opozitën do ta keni në krah.
SPAK nuk duhet lejuar të veprojë si një organ ekstra-kushtetues, Prokuroria nuk mund të kthehet në kohën e Enver Hoxhës, kur në fillim bëhej arrestimi dhe gjykimi dhe më pas kërkoheshin apo prodhoheshin provat.
Gjithashtu u bëjmë thirrje gazetarëve dhe medias që t’i trajtojnë me profesionalizëm dhe përparësi raste të tilla. Kur SPAK apo cdo organ tjetër i sistemit të drejtësisë u bën padrejtësi gjyqtarëve të lartë, ata nuk do ta kursejnë dorën as me gazetarët.
Rasti i Elton Qynos duhet të shërbejë si shembull i kësaj.