Genta Vangjeli: SPAK 8 vite pas krijimit, jo vetëm nuk arriti pritshmëritë, por sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare, përfshirë edhe DASH, niveli i korrupsionit është rritur

Deklarata e zëdhënëses për antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli:

Të nderuar qytetarë!

Tetë vjet më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi me unanimitet të ashtuquajturën “reformë në drejtësi”.

Pavarësisht vërejtjeve të opozitës dhe të një pjese të analistëve politikë për “dorëzimin e drejtësisë në duart e pushtetit”, publiku pati pritshmëri që lidheshin me dhjetëra probleme të gjyqësorit. Pjesë e reformës, ndër të tjera, ishte edhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar-SPAK.

Sot pas tetë vitesh, publiku që pati ato pritshmëri legjitime duhet të informohet mbi ecurinë, rezultatet dhe pasojat e sistemit të ri të drejtësisë. Duhet ta dinë se sot pas 8 vitesh, reforma në fjalë, jo vetëm nuk arriti pritshmëritë, por, sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare, përfshirë edhe Departamentin e Shtetit Amerikan, niveli i korrupsionit është rritur, duke u shtrirë në formë kapilare në të gjitha nivelet, përfshirë dhe më të lartat.

Sipas Spending Data, për vitet 2019-2024 shqiptarët kanë shpenzuar 100 milion euro vetëm për paga për të gjitha prokurorët e vendit. Në këtë shifër luksi nuk përfshihet sistemi gjyqësor.

Rezultati është:

1. Hetim i mangët i dosjes së sterilizimit – kallëzuar nga PD;

2. Hetim i mangët i dosjeve për të tre inceneratorët – kallëzuar nga PD. Rezultati ka qenë dhe mbetet arresti i disa punëmarrësve, të gradës “F” në shkallën e vjedhjeve dhe të implikimit. Çka publikut vërtetë duhet ta dijë: asnjë para e gjetur, asnjë para e kthyer në arkën e shtetit, në xhepat e tyre, në rrugë, shkolla, ndihmë sociale apo parqe. Mbi të gjitha, Edi Rama dhe Erion Veliaj vijojnë të jenë të lirë, vijojnë të shesin mend, vijojnë të marrin dhe të fshehin 80 mijë euro në ditë vetëm për Tiranën, e cila nuk ka incinerator, por është mbytur në plehra.

3. Sa i takon vjedhjes tjetër të madhe, mamuthit të korrupsionit, dosjes 5D, kallëzuar nga PD, rezultati është i njëjtë: Veliaj vazhdon të jetë i lirë, të vjedhë i pashqetësuar, ndërsa paratë shkojnë në ‘drejtim të paditur’. Edhe ky krim, ashtu si inceneratorët, është klasifikuar nga Altin Dumani si ‘krim intelektual’ i vështirë për t’u zbuluar.

4. Nëse kërkoni rezultat për hetimin e “çështjes McGonigal”, kallëzuar nga PD, lodheni kot: Edi Rama as nuk është pyetur! Pavarësisht se ka korruptuar një kryeagjent të partnerit më të madh të Shqipërisë, ai vazhdon të luajë liderin global.

5. Tuneli i Llogarasë, kallëzim i PD, dhe vepër kriminale mbetet e pahetuar, e pangacmuar, ndërsa autorët rrisin pushtetin dhe oreksin me shpenzimet e shqiptarëve.

6. Rezultati për vjedhjen e pronës publike nga “investitori strategjik” Artan Gaçi, bashkëshorti i ministres strategjike Olta Xhaçka, e ka një rezultat: arrestimin e Jorgo Goros, ‘kokës së turkut’ për të shpëtuar ministren e Ramës. Investimi strategjik vazhdon, kështu edhe shpërgfillja që qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë i bëjnë Gjykatës Kushtetuese dhe partnerëve ndërkombëtarë.

7. Manipulimi me pronën publike dhe vjedhja ashiqare e saj me VKM nga Edi Rama, në përfitim të ‘botuesit të oborrit’ dhe përfituesit të paligjshëm, Carlo Bolino, gjithashtu është i patrajtuar nga SPAK. Carlo vazhdon të përfitojë para duke ushtruar aktivitet privat mbi pronën private të familjes Begeja, dhuruar prej tyre si vakëf për ndërtimin e gjimnazi publik për fëmijët e komunitetit.

8. Rama ndërkohë zhvendoset në jug ku hedh në emër të familjarëve të tij 34 mijë metra tokë bregdetare, me qëllim gllabërimin e Gjirit të Gjipesë, një nga më të bukurit dhe i vetmi ende i pashfrytëzuar në vijën Dhërmi-Himarë.

Të nderuar qytetarë, kjo është punëzeza e Prokurorisë Speciale dhe të reformuar vetëm në emër, ndërkohë që shpërblimi nga taksat tuaja nuk i ka munguar.

Mos harroni këtu faturën edhe më të kripur, që paguhet ‘nën dorë’, që këto dosje as të mos hapen dhe as të mos mbyllen. Apo pagesat që merren që të mos hetohen dosjet që sjell opozita, por e kundërta të ndodhë, ata që sjellin dosjet kundër qeverisë të hetohen dhe të burgosen. Janë pra 100 milion të deklaruara e disa fish të padeklaruara, që ‘drejtësia e re’ të mbyllë të gjitha kallëzimet e PD dhe të hapë hetime kundër liderit të opozitës Sali Berisha dhe familjes së tij, deri te nipërit e mbesat, ende të palindur në kohën kur ai ishte kryeministër.

Siç e keni parë në dosjen e SPAK, ‘krimet’ e familjes Berisha dhe Malltezi janë bamirësia për fëmijët autikë dhe pagesa e faturave të spitalit të zonjës Liri Berisha. Çdo bir dhe bijë në Shqipëri, që paguan për kurimin e prindërve të vet, siç shqiptari e ka zakon të vjetër e të shenjtë, me siguri i vjen ndot nga ky standard çnjerëzor që kërkon të vendosë SPAK.

Këta prokurorë, këto mendje të mbrapshta, po shndërrohen në monstra të fëmijëve tanë.

Kjo Prokurori Speciale po rezulton thjesht një garanci që Rama dhe banda e tij të vjedhin të patrazuar për të mbajtur pushtetin dhe ushqyer SPAK.

Sot janë 100 milion, por kostot e monstrave rriten me kalimin e kohës.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale