Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Genta Vangjeli denoncon tenderin 9 milionë euro në RTSH: 6700 euro në ditë për mirëmbajtjen e rrjetit DVB-T2. Fituesi e mori kontratën me 99% të fondit limit, të hetohet

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Edhe pse në kulmin e protestave, Partia Demokratike do të përcjellë shqetësimet e qytetarit që lidhen me deklarime për keqmenaxhim të fondeve publike, shpenzimet dhe tenderat e zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH.

Ndër procedurat e prokurimit është veçuar tenderi me objekt: ‘Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2’ për 48 muaj, me fond limit rreth 9 milion euro. (906,933,333 lek)

Për këtë kontratë 48-mujore, RTSH-së ka shpallur fitues një bashkim operatorësh i cili jo vetëm që nuk paraqiti ofertën më të ulët, por çmimi i ofruar prej tij ishte 99% e vlerës limit.

Sipas rezultatit të këtij tenderi, shqiptarët do të paguajnë 4 vite rresht , rreth 6700 euro çdo ditë për shërbimin e mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2.

Ashtu si mediat kanë raportuar,  njëri prej  anëtarëve të vlerësimit të ofertave të kësaj procedure ka kundërshtuar mënyrën e vlerësimit duke ngritur shqetësime se, nga tri ofertat e paraqitura,  konkurrenca reale u reduktua në një ofertë të vlefshme.

Është edhe më shqetësues fakti që edhe në prezencën e mungesës së konkurrencës, sipas deponimeve, të të njëjtit burim, bashkimi i operatorëve i shpallur fitues nuk plotësonte kriteret teknike, rrjedhimisht në vend të shpallej fitues duhej të ishte skualifikuar dhe tenderi të anulohej.

Kontraktor i disa kontratave me Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH, njëri nga pronarët pjesë e bashkimit të operatorëve shpallur fitues është lakuar shpesh si një ‘klient’ i përhershëm i tenderave të majmë, njëkohësisht jo i panjohur për telashe me ligjin, me masa arresti etj.

Në vitin e largët 2013 Partia Demokratike ka akuzuar ministren e mbrojtjes të kohës për aferën e fikjes së radarëve, dhe kompania që disponohet nga i njëjti person në cilësinë e kontraktorit, ka qenë pjesë e polemikave me kontratën përkatëse.

Paratë e RTSH-së janë më së shumti para publike, ndaj Partia Demokratike kërkon të merren parasysh shqetësimet e ngritura nga qytetarët, të kryhet hetim për mënyrën si menaxhohen paratë publikë pranë këtij institucioni, të ketë transparencë dhe penalitete ligjore në rast  shkeljesh.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale