Në ‘Foltoren e Ripërtëritjes’ në Fier, studentja e shkencave politike Samena Malenaj, kritikoi qeverinë për problemet ekonomike dhe mungesën e përfaqësimit të qytetarëve, duke akuzuar deputeten e zonës për heshtje ndaj shqetësimeve të tyre.
Malenaj tha se gjatë fushatës ka takuar qytetarë që, pavarësisht mbështetjes për opozitën, i kanë kërkuar të mos u përmendet emri nga frika e pushtetit.
Ajo ngriti shqetësimet për pensionet, mundësitë e të rinjve dhe emigracionin, ndërsa theksoi se Patosi është lënë në harresë pas zgjedhjeve.
Fjala e plotë e Samena Malenaj:
Të nderuar të pranishëm. Mirë se vini në këtë takim të Partisë Demokratike dhe në mënyrë të veçantë, mirë se erdhët lideri i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. Sot nuk dua të flas për numra, për struktura apo për karrige. Dua të flas për dyer. Sepse si ish-kandidate gjatë fushatës, kam trokitur në shumë prej tyre. Në disa më pritën me buzëqeshje, në disa me shqetësime, në disa me shpresë. Por kishte dhe nga ato dyer ku sapo mbyllej dera pas nesh, dëgjoja një zë që të thoshte: ‘Jam me ju, por mos ma përmend emrin’. Dhe unë pyes veten, si arritëm deri këtu? Si mund të jetë një njeri me ty por të ketë frikë ta thotë që është me ty?
Çfarë i bën qytetarët të ulin zërin kur flet për politikën? Çfarë e bën të shohë majtas e djathtas para se të thotë atë që mendon? Dhe mbi të gjitha, pse qytetarët duhet të kenë frikë nga pushteti? Këto nuk janë pyetje që i kam lexuar diku. Janë pyetje që mi kanë lënë njerëzit në mendje pas çdo dere që kam trokitur. Dhe kur ke trokitur në qindra dyer, kupton diçka. Shqipëria është shumë më e madhe nga ajo çfarë sheh në televizor. Shqipëria është pensionisti që të hap derën dhe të tregon se a ia del të blejë dot barnat me pensionin e tij. Është studenti që pyet nëse do të ketë mundësi të ndërtojë një të ardhme këtu apo ai që thotë se po mendon të largohet. Është familja që bën llogari deri në fund të muajit. Është prindi që shqetësohet për fëmijët e tij. Është qytetari që ka ende shpresë por ka edhe pyetje.
Dhe këtu dua të ndalem tek Patosi. Qyteti im, ku kam trokitur në dyert e qytetarëve duke dëgjuar shqetësimet, zhgënjimet dhe shpresat e tyre. Sot Patosi është lënë në harresë, u fshi nga harta politike. Por ajo që është më shqetësuese është heshtja e deputetës së Patosit. Kur Patosi ka nevojë të flitet për të, deputetja hesht. Kur qytetarët presin që dikush të ngrejë zërin, zëri që duhet t’i përfaqësojë mungon. Atëherë me të drejtë shtrohet pyetja, për çfarë na duhet një përfaqësuese nëse nuk përfaqëson njerëzit e saj? Një mandat nuk është privilegj personal dhe asnjë karrige për t’u mbajtur. Është detyrim për të folur, për të kërkuar llogari dhe për të mbrojtur qytetarët. Unë dola kandidate nga Patosi dhe nuk mund të pranoj që qyteti im të kujtohet vetëm në fushata, ndërsa pas zgjedhjeve të lihet në harresë.
Patosi nuk ka nevojë për një deputete që numëron ditët e mandatit, por për një zë që numëron problemet e qytetarëve dhe lufton për zgjidhjen e tyre. Dhe kur i dëgjon të gjithë këta njerëz, pyetja nuk është vetëm: çfarë po bën qeveria? Pyetja bëhet: a po e dëgjon qeveria këtë Shqipëri? Sepse mund të flasësh për zhvillim, por a e ndjen atë pensionisti? Mund të flasësh për mundësi, por a i sheh ato studenti? Mund të flasësh për të ardhmen, po pse kaq shumë të rinj e shohin atë jashtë Shqipërisë? Mund të flasësh për demokraci, po pse një qytetari ende të thotë mos ma përmend emrin? Dhe sot kemi dhe njerëz që protestojnë. Mund të diskutojmë për arsyet e tyre, mund të diskutojmë për kërkesat e tyre, mund të diskutojmë edhe për mënyrën se si protestojnë, por një pyetje mbetet: pse ende nuk po dëgjohen? Vërtet një protestë mund të mos na pëlqejë. Një kërkesë mund të mos na bindë. Por zëri i qytetarëve nuk mund të bëhet sikur nuk ekziston.
Dhe këtu besoj se qëndron edhe përgjegjësia jonë. Jo thjesht të flasim më fort, por të mos harrojmë ata që kemi dëgjuar kur kemi folur më pak. Unë mendoj se politika fillon aty ku fillon jeta e njerëzve, jo në podium, në derë. Në atë moment kur një qytetar të hap derën dhe të beson aq sa të tregojë atë që nuk ja thotë kujtdo. Unë kam qenë në ato dyer dhe ajo që kam parë nuk dua ta harroj. Kam parë shpresë, kam parë zhgënjim, kam parë frikë. Por mbi të gjitha kam parë njerëz që ende presin që dikush t’i dëgjojë. Prandaj sot në këtë takim, pyetja ime nuk është sa më e madhe do të bëhet opozita, por do të them se do të shkojmë shumë larg për mos të humbur asnjë nga ata njerëz që na hapën dyert. Një forcë politike mund të ketë struktura, mund të ketë zyra, mund të ketë podiume, por nëse harron fytyrat pas dyerve, ka harruar arsyen pse ekziston. Dhe unë dua ta mbyll aty ku e nisa. Te një derë, te një qytetar, te një fjali: ‘Jam me ju, por mos ma përmend emrin’.
Le të vijë dita kur ajo fjali të mbetet vetëm një kujtim. Dhe kur të trokasim sërish në ato dyer, qytetarët të mos na flasin me zë të ulët. Të na hapin derën, të na shohin në sy dhe të mund të thotë: ‘Jam me ju dhe nuk kam frikë ta them’.
Faleminderit!


