DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, FLAMUR NOKA:
Të nderuar qytetarë,
Ditën e martë i jam drejtuar me kërkesë zyrtare kreut të SPAK, Altin Dumanit, pasi ky i fundit, i vënë totalisht në shërbim të qeverisë dhe padronit të tij Edi Ramës, refuzoi të përgjigjej në seancë parlamentare për disa pyetje thelbësore në lidhje me disa nga kallëzimet tona.
Në janar të vitt 2024, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, i jam drejtuar me dy kallëzime penale SPAK në lidhje me vjedhjen e 4,000 metrave katrore truall në mes të Tiranës, truall i falur nga familja Begeja për ndërtimin e një shkolle në njesinë nr. 7, që më pas përfundoi në ngrehinën që Carlo Bollino e quan televizion, me të cilën sulmon, shpif, përbalt dhe linçon çdo ditë opozitën e vendit dhe Partinë Demokratike.
Në atë kallëzim penal gjenden të gjitha faktet se si Edi Rama dhe Anila Denaj, në bashkëpunim të plotë me Carlo Bollino kanë shkelur çdo ligj të vendit, duke arritur deri në falsifikimin e VKM dhe kontratës 1 euro.
Në atë kallëzim penal, SPAK ka çdo provë se si Ministria e Kulturës dhe Ministria e Mbrojtjes, i kanë financuar dhe dhënë të gjitha Bunkartet, nëpërmjet një OJF-je të paregjistruar, në shkelje flagrante të ligjit për t’i bërë qokën e radhës me qindra milionë euro, Bollinos së Ramës.
Në atë kallëzim SPAK ka të gjitha faktet dhe provat se si dhjetëra miliona euro nga tenderat e AKSH-it, kanë përfunduar në llogaritë bankare të Carlo Bollinos për ndërtimin e ngrehinës që quhet Report TV ose ndryshe Baltosje TV dhe portalit Shqiptarja.com ndryshe Shpifje.com.
Altin Dumani duhet të na përgjigjet sot për këto 5 pyetje, të cilat ia kam drejtuar të martën zyrtarisht:
A janë regjistruar këto dy kallëzime penale?
Cilat janë veprat për të cilat i keni regjistruar këto kallëzime?
A ka zyrtarë, individë apo subjekte të tjerë të identifikuar në kallëzim që janë regjistruar nga ju në regjistrin e njoftimeve të veprave penale?
A janë kryer të gjitha veprimet hetimore të kërkuara në kallëzim nga ana jonë?
A është vlerësuar nga ju marrja e masave të menjëhershme preventive me qëllim parandalimin e privatizimit të pronës publike në favor të Carlo Bollinos?
Të nderuar qytetarë.
Nën hundën e SPAK dhe me amnistinë e plotë të tyre, Carlo Bollino dhe Ministria e Ekonomisë po nxitojnë çdo ditë për të kryer procedurat përfundimtare për të grabitur 4,000 metër katrorë truall publik në mes të Tiranës.
Carlos i themi se as Edi Rama dhe as Dumani nuk do të bëjnë dot pronar toke në mes të Tiranës, pasi ajo është toke publike dhe e tillë do të mbetet.
Ëndrra e Carlo për t’u bërë i pari italian autokton “’tirons” me prona të trashëguara ose dhuruara në mes të kryeqytetit, nuk do të realizohet kurrë.
Partia Demokratike dhe unë do t’i shkojmë kësaj beteje në mbrojtje të interesit dhe pronës publike deri në fund.
Ndërkohë i deklaroj kreut të organizatës partnere të PS, kreut të forumit të drejtësisë në PS, Altin Dumanit, se të do mbahet përgjegjës njëlloj si Rama dhe Bollino dhe do të përfundojë para drejtësisë si anëtar i bandës grabitqare Rama- Bollino për grabitjen e faktuar me prova përtej çdo dyshimi të truallit, pronë e banorëve të Tiranës e që kanë vjedhur miliona euro nga buxheti i shtetit shqiptar, për t’u vetëshpallur pronar televizioni, me të cilin i bëhet fresk nga mëngjesi në darkë Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bandës së inceneratorëve inekzistentë.
Ju faleminderit!