Flamur Noka në parlament: Çështja Xhaçka është varri që sulltani juaj i ka hapur drejtësisë në këtë vend

Fjala e plotë e sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka në parlament:

Në fakt, çështja e investitores strategjike Olta Xhaçka është një çështje që bën me turp çdo njeri që ligjit i thotë ligj dhe Kushtetutës, Kushtetutë.

Po ju as skuqeni, as zverdheni, as ua ndjen sepse po mbroni një vjedhje, po mbroni një shkelje ligjore dhe Kushtetuese, sepse jeni të gjithë të zhytur në skandale të ngjashme.

Nuk është vetëm Rama, por kryesisht te çështja Xhaçka ju keni urdhër të shndërroheni në kartona dhe jo në njerëz të lirë, sepse pas Oltës është vetë Sulltan Surreli që ka hartuar dhe firmosur vendimin.

Në të gjithë botën e qytetëruar, termi investitor strategjik përdoret për biznesmenë të mëdhenj që kanë nevojë për lehtësira fiskale dhe mbrojtje, por sulltani juaj me gjithë këtë eunukërinë që e shoqëron këto, e ka shndërruar termin e investitorit strategjik me rrëmbim parash, pronash, tokash publike dhe private për t’ua dhënë ministrave dhe grave e burrave të tyre.

Ky është një tmerr i madh.

Kjo nuk është hajdutëri, kjo është një grabitje me dhunë.

Këta këtu nuk janë thjesht hajdutë, këta janë grabitqarë të dhunshëm.

Meqë ra fjala, zonja kryetare, ku e ke bandën e hajdutëve këtu që nuk janë?

Tani, ku është çështja?

Unë e kuptoj që ato që themi ne, vrasin, dhe juve u kanë tërhequr vëmendjen se po lejoni opozitën që të thotë të vërtetat.

Kjo nuk do të thotë që ti duhet të tjetërsohesh sot dhe të marrësh rol tjetër.

Ju i keni betejat me burg, kush i del kundër sulltanit, përfundon në burg. Ky është ndryshimi i madh mes jush dhe nesh.

Kjo ka të bëjë me aspektin moral dhe politik. Me aspektin kushtetues dhe ligjor, çështja Xhaçka është varri që sulltani juaj i ka hapur drejtësisë në këtë vend.

Çfarë thoni ju kur një plangprishës i sulltanit del dhe flet kundër sulltanit, drejtësia të flasë thoni dhe arrestohet dhe burgoset. Rasti i Ben Ahmetajt.

Kur një sejmen i sulltanit vjedh dhe zhytet në batak me sulltanin, ju thoni ju, këtu drejtësia nuk ka të drejtë.

Kjo është si të thuash, topi është i imi, penalltinë e gjuaj kur të dua unë.

A ishte i njëjti rast edhe me Vilma Nushin? E mbrojtët me çdo kusht të mos shkojë në komision se pas Vilmës u del Sulltan Surreli.

Pastaj i bëni interpretime alla-Taulantshe raportit të Komisionit të Venecias.

Komisioni i Venecias e thotë se dëshiron të theksojë se në këtë rast konkret, pra në rastin Xhaçka, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim dhe se Kuvendi është i dërguar të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese mocionin për papajtueshmëri të mandatit.

E thotë Komisioni i Venecias, por juve është çfarë t’u thotë Taulanti që merr porosi nga sulltani.

Atëherë pse gjithë kjo kacaverrje, kjo zullumhane rreth investitores suaj strategjike?

Kjo sepse të gjithë këtu jeni në makth. Asnjëri prej jush nuk e njeh gjumin. Edhe ti Ulsi që je gjysmë investitori strategjik. Le që ti je edhe kriminel elektoral. Po erdhe me mua, duhet të marrësh sapunin me vete.

Kjo është e gjitha. Pse ju jeni të kapur me thonj pas çdo hapësirë që u krijon sulltani juaj dhe pas çdo porosie për të mbrojtur hajdutët? Sepse është siklet i madh.

Por të jeni të sigurt për një gjë.

Ora e së vërtetës po afron. Koha juaj po mbaron. Ka një limit edhe koha e hajdutëve. Është ciklikë dhe ju nuk i shpëtoni dot kësaj ciklike.

Po afron koha e llogaridhënies për të gjithë.

Të jeni të sigurt se përgjigjen do e merrni shumë shpejt.

Nuk do keni mundësi të përdorni më patronazhistë sepse ata do shpallen nga PD si kriminelë dhe do ndiqen kudo që do jenë.

Nuk do keni mundësi më të përdorni as bandat sepse opozita do jesh përballë jush dhe çdo bande.

Nuk do keni mundësi më të përdorni as drejtorët e policisë që i keni emëruar, që nga drejtori i përgjithshëm, për të bërë aleancë kundër opozitës për të blerë vota.

Harrojeni. Vilma, Olta, sulltani, banda e hajdutëve këtu, të gjithë do shkojnë prapa hekurave.

Drejtësia në këtë vend do jetë ajo që flasë. Por më përpara do flasë drejtësia e shqiptarëve me votën e tyre.

Pastaj nuk ka më Soros t’u mbrojë. E keni parë sulltanin që i ka zhdukur të gjitha fotot me Aleksin? Pse? Sepse po fryn një erë tjetër.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale