Përshëndetje shqiptarë!
Përshëndetje qytetarë të revoltuar!
Përshendetje Tirana ime!
Përshëndetje Shqipëria ime!
Vij nga Roma, dhe për të ndjekur këtë samit të BE. Sot kemi mbushur këtë shesh jo për të qenë një numër, por për t’i treguar lidërve të BE-së se ne, kjo e djathtë, ju demokratë e çuat Shqipërinë drejt rrugëtimit europian. Ishit ju që shembdët diktaturën më të egër në Ballkanin Perëndimor dhe në Europë.
Dinjitet, liri, barazi, solidaritet, kombësi e drejtësi, këto 6 principe themelore të jetës, plot 15 vite më parë, më dhjetor të 2007, u sanksionuan në Strazburg nga liderët e vendeve të Bashkimit Europian që sot mikpriten këtu në shtëpinë tonë, në Shqipërinë tonë.
U quajt Karta e të Drejtave themelore të Bashkimit Europian, baza juridike e të gjitha të drejtave të garantuara të qytetarëve të lirë.
Por kjo Kartë Europiane është detyrimi i munguar nga qeveria e një pushteti jo europian që drejton sot Shqipërinë tonë.
Në nenin e parë të saj shkruhet; dinjiteti njerëzor është i pacënueshëm.
Po a respektohet dinjiteti në Shqipëri, kur të detyrojnë të jetosh pa të vërtetën, mes gënjeshtrës, heshtjes, mashtrimit, harresës, kërcënimit?
Në këtë Kartë Europiane sanksionohet e drejta e jetës, e integritetit, e drejta e privatësisë, e drejta e familjes, e mbi të gjitha e drejta e informimit.
Por të gjitha këto të drejta shkelen cdo ditë, e dhunohen me arrogancë nga një pushtet jo europian, që qeveris sot atdheun tonë.
Eshtë një pushtet që propagandon demokracinë false jashtë kufijve, e diktaturën e heshtjes, mashtrimit, kërcënimit, antivlerës me ne qytetarët e saj.
Tre mandate pushteti të qeverisë aktuale shqiptare, kanë konsoliduar vlerën më negative, më të rrezikshme të jetës, kulturën e heshtjes që po shndërron vitalitetin e shqiptarëve në një agoni vdekjeje të ngadaltë e të pashmangshme të shoqërisë.
Kjo heshtje ka vec një emër, quhet ligji i mafias, i cili mbron krimin, rrethanat e krimit, autorët e krimit, e pengon të vërtetën.
Në heshtje e pa autorë kanë mbetur me dhjetra skandale kundër pronës publike të kryera nga ky regjim mafioz.
Në heshje e pa dënuar kanë mbetur emra funskionarësh, ministrash, administratorësh lokalë, drejtues institucionesh të përfshira në dosje voluminoze të prokurorve të huaj që sot e klasifikojnë Shqipërinë tonë si vendi i një pushteti me një korrupsion të frikshëm ku mafiozët e botës fshehin e riciklojnë paratë e paligjshmërisë, drogës, plehrave, armëve, mashtrimit, kriptovalutës e krimit.
Përballë të vërtetave ligji i mafias e i propagandës së pushtetit zgjedh të heshtë me fodullëkun e të fuqishmit, që me hakmarrje e fshehtësi nuk preket nga ligji.
Mafiozi e regjimi mafioz sot nuk vret me plumba, pasi ka frikë se bën zhurmë e zbulohet, vret me heshtje që fsheh realitete, krime e kriminelë.
Nuk mund të aspirosh Europën duke propaganduar gënjeshtra e varrosur të vërtetën.
Nuk mund të aspirosh Europën pa respektuar Kartën Juridike me 6 principet bazë të mbrojtjes ndaj qytetarëve.
Nuk mund të aspirosh Europën duke praktikuar me pushtet ligjin mafioz të heshtjes e paligjshmërisë.
Në një nga dosjet e antimafias ku zbardhej trafikimi i 20 milionë euro drogë, mafiozët shqiptarë, miq të qeveritarëve shqiptarë, e quanin median fshati i llafazanëve pasi pretendonin heshtjen për të nisur skafet me drogë.
Në një tjetër dosje të prokurorëve të huaj, mafiozi më i njohur sicilian garantohej nga funksionarë të lartë shqiptarë se përmes shantazhit do t’i lejonte kalimin në heshtje të miliona eurove të ricikluara në Shqipëri drejt parajsave fiskale.
E akoma, në një tjetër dosje po të prokurorëve të huaj, këto rrugë të qytetit tim Tiranë, që sot kanë mikpritur këtë revoltë kombëtare, pjesëtoheshin në heshtje me përqindje kate betoni mes pushtetit e mafias më të egër shqiptare e të huaj.
50 vjet regjim monist diktatorial komunist mbolli vec vdekjen në Shqipëri.
Pasardhësit e tyre, sot me gati 15 vite në pushtet, janë akoma më të pamëshirshëm, e ujisin agoninë e një vdekje që ka në themel antivlerën e një sistemi mafioz që orienton ekonominë, politikën, diplomacinë e po boshatis trojet e shqipes.
E për qytetin tim Tiranë, që këtë vjeshtë ka përvjetorin më të dhimbshëm të historisë së saj, masakrën komuniste të familjeve autoktone, ju kërkoj ta nderojmë me këto rreshta të shkruajtura mbi 70 vite më pare, por që duken sikur vuajnë e frymëzohen në aktualitetin e gënjeshtrave e farsës së pushtetit të sotëm.
Autor i tyre është mësuesi, patrioti e shkrimtari Hafiz Ibrahim Dalliu që në burgun komunist të Tiranës shkroi poezinë “Drejtësia e sundimtarëve të sotshëm”:
Po kërkove bukën të japin urinë
Po kërkove jetën të japin patërdinë
Po kërkove nderin të japin llaftarinë
Po kërkove shokun të japin pabesinë
Po kërkove besën të japin tradhëtinë
Po kërkove mëshirën të japin gjakësinë
Po kërkove njeriun të japin kafshërinë
Po të jesh shenjtor të bashkojnë me qenërinë
Po kërkove dritën të japin errësirën
Po deshe shijen të japin të vështirën
Po kërkove fenë të japin mundimin
Po kërkove dhimbjen të japin acarimin
Po të duash paqen të bashkojn’ me krimin
Po të duash familjen të japin burgimin
Po kërkove rregullin të japin kukudhin
Po kërkove Zotin të japin të paudhin.