Fjala e plotë/ “Pluralizmi është fëmija im”. Sali Berisha kthehet te misioni i Dhjetorit ’90 në fjalimin emocionues para demokratëve

Nga Sali Berisha*

Mblidhemi sot në një nga momentet më kritike, ndofta në momentin më kritik në historinë e pluralizmit politik të Shqipërisë. Në momentet e fillimit të betejës tonë pa kthim, dhe vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë, opozitës së vërtetë, pluralizmit politik si motor i ekzistencës dhe zhvillimit të një shoqërie të lirë.

Karls Marksi, idhulli i etërve mizorë të Edi Ramës, por edhe kripto-idhulli i Edi Ramës, ka thënë 160 vite më parë një shprehje: kuptimi i paqes është mungesa e opozitës. Për kryefilozofin e terrorizmit, paqja ishte diktatura, dhe në këtë kontekst, i bazuar në këtë parim çnjerëzor, Enver Hoxha shndërroi luftën çlirimtare në luftë civile. Pushkatoi në vitin 1946 opozitën parlamentare, dhe pastaj me mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë që guxuan të kundërshtojnë politikën e tij shtypëse.

Shqiptarët pa opozitë përjetuan një diktaturë të trefishtë si asnjë vend tjetër, luftën e klasave, tiraninë e urisë dhe mjerimit, diktaturën e izolimit.

U ndala në këtë moment sepse më mirë se ne, askush nuk duhet ta dijë se çdo të thotë një komb pa opozitë. Një komb pa opozitë jeton në natën e tij më të zezë.

Por, po kështu, në ato vite të ‘paqes’ të Karl Marksit, interesi kombëtar u shkelmua në mënyrën më të padenjë. Të gjitha këto u realizuan sepse të gjitha pushtetet ishin përqendruar në dorën e një njeriu.

Sot ku jemi, cila është gjendja? Sot nuk kemi kampe përqendrimi, sot nuk kemi skuadra pushkatimi, hiperkolektivizëm. Pra, padyshim që Shqipëria nuk është ajo që ishte, e doktrinës dhe diktaturës komuniste. Megjithëkëtë, sot Shqipëria është përsëri në një diktaturë, është në një diktaturë të vërtetë dhe të pamohueshme, sepse sot në Shqipëri një njeri i vetëm kontrollon të gjitha pushtetet.

Sot Edi Rama kontrollon pushtetin ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, agjencitë e quajtura të pavarura, kontrollon ekonominë me oligarkët e tij, kontrollon mediat.

Sot Edi Rama, opozitën, njëlloj si Enver Hoxha, e ka shpallur armike dhe armike për ta zhdukur, natyrisht jo me plumba armësh zjarri, por me plumba të tjerë asgjësues, në mënyrë që ta vendosë nën kontrollin e plotë.

Sot diktatura e Edi Ramës kontrollon votën në shkallën më të madhe që i duhet atij, me makinerinë gjigande të frikës së qytetarëve. Me falangat komuniste të kuqe të patronazhistëve, me vrasësit serialë të bandave ai kontrollon dhe dikton vullnetin e shqiptarëve.

Me makinerinë, me industrinë gjigande të blerjes së votës, qindra e mijëra shqiptarë shesin të drejtën e votës ose votën. Të gjitha këto kanë një synim, zhdukjen e opozitës. Të gjitha këto Edi Rama, këto vota që i grabit, i konsideron plumba për opozitën. E njëjta gjë sot ndodh me pronën. Njerëzit nuk e kuptuan dhe PD nuk bëri detyrën e vet. Ligji i investimeve strategjike është ligji i konfiskimit të pronave në të gjitha zonat që ato mund të kenë një vlerë turistike, nga kepi i Stillos në Velipojë, nga Çajupi në thellësitë e Alpeve. Ku të dojë diktatori i konfiskon dhe i përdor për mafian e tij.

Edi Rama nuk ka Sigurimin e shtetit, por ka një SKAP, ka policinë sekrete, policinë e shtetit, që të gjitha të orientuara drejt një armiku të brendshëm, dhe kjo është opozita. Ato punojnë ditë e natë në misionin kundër opozitës.

Sot, njëlloj si dikur Enver Hoxha, që bënte marrëveshje me Titon për Kosovën, e ka kthyer Tiranën në një Beograd të dytë për Kosovën. Në një përpjekje antikombëtare, çdo ditë komploton, sulmon, bën gjithçka për projektin e serbomadhisë së Aleksandër Vuçiçit. Në një kohë që Kosova është një vend i pavarur, në një kohë që Kosova ecën mes vështirësive, por shumë më mirë se Shqipëria.

Edi Rama bën gjithçka për destabilizimin e saj. Komunizmi krijoi një rezervat të tmerrshëm njerëzor, kurse Edi Rama po krijon shkretëtirën njerëzore në Shqipëri.

Por, Edi Ramës i ka ngecur sharra në gozhdë. Nëqoftëse Enver Hoxha e rrëzoi me plumba opozitën, ky përsëri, me gjithë përpjekjet më të mëdha që ka bërë, nuk ia ka dalë të rrëzojë opozitën.

Në fakt, kjo histori për të cilën ne jemi sot këtu fillon në prillin e vitit 2021, kur zgjedhjet ishin mbyllur në tavolinë, pavarësisht nga lumenjtë e djersës që populli fisnik opozitar derdhi në ato zgjedhje për fitoren e demokracisë.

Edi Rama, qeverisjen pas 25 prillit e kishte mbyllur me Lulzim Pengun. Ky i fundit, i kapur me dosjen që ia mban varur Edi Rama, shiti zgjedhjet dhe në fund dërgoi njerëzit e tij për të marrë uratën e Sali Berishës për bashkëqeverisje. Atë ditë, nëse unë kisha pranuar atë marrëveshje, sot nuk do të isha non grata, nuk do të kisha dhëndrrin padrejtësisht në burg. Por, si mund ta pranoja unë këtë.

Ky pazar me Edi Ramën do të ishte thikë pas shpine në zemrën e shqiptarëve. Ky pazar me Edi Ramën do të ishte vdekja e opozitës, firmosja për të shkatërruar kombin.

Pluralizmi është fëmija im, fëmija e të gjithë atyre që luftuan në ’90 për shembjen e diktaturës. Nuk mundet kurrë që unë të bëja një kompromis të tillë për të asgjësuar pluralizmin që sollëm në vitet ’90.

Pasi u refuzova kategorikisht njerëzve të Bravës këtë propozim, Edi Rama shtiu plumbin e radhës ndaj opozitës. Ashtu si Enver Hoxha ndaj opozitës së ’45, në vitin 2021, Edi Rama tentoi të asgjësojë politikisht Sali Berishën, kësaj here me plumbin e lobingut. Kontaktoi McGonigalin me mekanizma manipulativë dhe korruptivë. Sali Berisha dizenjohet non grata.

Po ndalem këtu, pasi sot McGonigal është vetëdeklaruar fajtor për dosjen shqiptare, ai gjendet pas hekurave dhe përveç kësaj, në ëebin tim gjendet një raport i të ashtëquajturave prova që u përdorën për non gratan time, që mund t’i shkarkoni dhe t’i shikoni, siç burojnë nga Edi Rama, Lulzim Brava dhe mediat e financuara nga Soros.

Pasi dështoi me këtë aksion, Edi Rama shtiu plumbin e radhës ndaj opozitës, kësaj here në vitin 2023, ai qëlloi identitetin e saj. Opozitës, me vendim gjykate, iu ndalua e drejta për të përdorur logon e saj 32-vjeçare në fletën e votimit, iu ndalua vendosja e emrit të Sali Berishës, po në fletën e votimit, si e si për ta zhdukur identitetin, praktikë kjo e përdorur nga nazistët në kapet e përqendrimit. Kur hebrejve të burgosur u mohohej e drejta për të pasur një emër, atyre u caktohej një numër, me qëllim shkatërrimin e identitetit të tyre. Sepse, nëse do të shkatërrosh një njeri, do të shkatërrosh një forcë politike në rastin tonë, zhdukja identitetin, atij ose asaj.

Edi Rama prapë dështoi, sepse 600 mijë shqiptarë votuan opozitën e vërtetë, duke shpëtuar edhe njëherë Shqipërinë nga diktatura absolute. Iu rikujtoj këtu që me masat e marra për farsën elektorale, Rama kishte llogaritur që ne të dilnim me një grusht votash, ose të mos merrnim pjesë fare në zgjedhje.

Ishte ky dështim i Edi Ramës që na solli ne në ditën e sotme. Nga ky agresion, opozita sigurisht që pati pasoja, por pas vështirësive që kaloi, ajo menaxhoi dhe nxiti procesin e bashkimit dhe në fund, javët e kaluara, të bashkuar, ne nisëm betejën pa kthim si opozitë deri në rrëzimin e Edi Ramës. 

E provoi edhe njëherë Edi Rama të asgjësonte opozitën, pra tentoi të na emëronte kryetarin e grupit, tentoi të na dezintegronte grupin. Të gjitha këto dështuan. Ne në parlament bëmë betimin më të fuqishëm pas ’46: ne nuk dalim nga ai parlament pa rikthimin e pluralizmit.

Ky është zotimi ynë para të gjithë demokratëve shqiptarë.

Përgjigja që mori nga opozita e bashkuar, siç e patë javën e kaluar, e detyroi Edi Ramën të ulë dritat e Kuvendit, të anulojë seancën. Ai u alarmua shumë, kështu që ne duhet ta sigurojmë se, në rast se javën e kaluar ul dritat e Kuvendit, shpejt do t’i ulim edhe ne dritat e qeverisë dhe do t’i japim vendin që meriton.

Pas kësaj përdori përsëri breshërinë e radhës, por kësaj here me dacibaon e Skapit të partisë. Por këtu do të ndalem të them dy fjalë, jo për nga rëndësia, por vetëm e vetëm se është zhvillimi i ditëve të fundit.

Dosjen ndaj Sali Berishës e kam quajtur dacibao. Dacibao është fletërrufe që bën shënjestrimin e dikujt me urdhër nga lart. U përhapën në periudhën e Revolucionit Kulturor Kinez, periudhën më të zezë në historinë e njerëzimit, pas Luftës së Dytë Botërore.

Të jemi të qartë, unë kam qenë President 5 vite, Kryeministër 8 vite. Të jesh Kryeministër dhe President në 13 vite, instinkti i parë dhe më i rëndësishëm i yti, është Kushtetuta dhe ligji, sepse ti jeton nga mëngjesi deri në darkë më Kushtetutën dhe ligjet. Me këtë ndjeshmëri që kisha dhe kam ndaj ligjit, iu garantoj ju se do të respektoj çdo hetim që do të kryejnë për mua, që kanë bërë edhe në të shkuarën.

Por, si mund të mos i them unë dacibao, kur në 200 faqe nuk paraqitet asnjë provë e vetme, asnjë fakt që, unë apo Jamarbër Malltezi, kemi shkelur qoftë edhe një ligj. I vetmi ligj i shkelur në atë dacibao rezulton Ligji i Urbanistikës i shkelur nga Edi Rama.

Në 200 faqe ka vetëm dyshime të bazuara në praktika që janë, të gjitha pa përjashtim në përputhje të plotë me ligjin dhe këtë e tregon vetë dosja.

Si mund të mos i them dacibao unë, kur Skap që supozohet të garantojë ligjin, shkel vetë ligjin më suprem, mbi të gjitha Kushtetutën e Shqipërisë. Ata i njohin procedurat, por zbatojnë urdhrat, dhe me urdhrat e zbatuar vendosën të më heqin larine, pa kaluar së pari nga Kuvendi. Unë, nëse do të ndiqej procedura, shkoj absolutisht në çdo moment, kurdo që të më thërrasin organet e drejtësisë.

Kam kërkuar vetë, në vitin 2012, të hiqet imuniteti i deputetëve, por s’mund të bëhem unë bashkëpunëtor me SPAK në shkelje të Kushtetutës. Kjo është si t’i kërkosh një njeriu të ndërrojë bindjet e tij fetare. Unë të miat nuk i ndërroj.

SPAK-un e votuam për të garantuar respektimin e ligjit, jo për t’i dhënë një autoritet mbi ligjin, përndryshe pastaj kemi të bëjmë me një Republikë banditeske prokurorësh vasalë. Kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Ata më kërkojnë të shkel Kushtetutën me procedurë kushtetuese, sepse në mentalitetin e Edi Ramës, Kushtetuta nuk e mbron armikun opozitar, por mbron vetëm qeveritarët dhe deputetët e qeverisë. Ndaj kur për një deputet të qeverisë, bazuar për një dosje të ardhur nga Antimafia italiane, për lidhje me klanet e trafikut të drogës,  apo për vjedhje me inceneratorët etj., në përputhje me Kushtetutën, Skapi i partisë kërkon autorizimin e Parlamentit për procedimin ndaj tyre.

Kurse në rastin e armikut opozitar, Kushtetuta nuk ekziston, për armikun nuk ka kushtetutë dhe ligje që pengojnë luftën kundër tij, ndaj dhe Skapi dhe gjykata popullore e partisë vendos sanksione të cilat Kushtetuta nuk i lejon pa marrë miratimin e Parlamentit.

Iu garantoj ju se, ata që nisën ‘procesin e shekullit’, do të përballen me gjyqin e shekullit kundër tyre. Atë gjyq do të ua bëj në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë, nga ai gjyq ata do të dalin të mundur, siç janë.

Ata hyjnë në këtë proces sepse e panë që ajo puna, grata- non grata, nuk eci, nuk piu ujë dhe tani menduan se po rreshtojmë ca prova.

Mirëpo, u deshën vetëm pak ditë që 70% e opinionit publik t’i hedhë poshtë me përçmim, si shpifje, si trillime të denja vetëm për Ramën dhe çetën e tij.

Ky proces është veçse plumbi i radhës në një breshëri që ka nisur ndaj opozitës në vitin 2021, kur ne, me qëndrimet tona, i thyem ëndrrën Edi Ramës për të kontrolluar të fundit institucion që nuk e ka futur nën kontroll, dhe nuk do të mund ta vendosë kurrë, PD dhe opozitën e Shqipërisë.

Proceset politike nuk kanë qenë të pazakonshme, por ata gjithnjë i kanë fituar politikanët që kanë patur të drejtë, forcat politike që kanë patur të drejtë. Në këtë kontekst e garantoj Edi Ramën se do të marrë turpin me gjithë këtë përpjekje, këtë gjah që bën ndaj opozitës shqiptare.

Që tani ka filluar të lakohet, në mënyra që unë s’i kisha imagjinuar, emri i Sali Berishës. Fantazia i çon njerëzit deri aty sa të mendojnë se e ka nxitur vetë Skapin për një martirizim të tij. Por, a mund të bëj unë një veprim të tillë. Jo, unë nuk e bëj, por frika e tyre.

Pse u ndala unë këtu, bëra këtë sqarim. Pasi ky sulm i fundit, kishte vetëm një qëllim, përveç spektaklit politik dhe zhurmës mediatike, qëllimi i këtij procesi ishte të vendosë, të trembë opozitën, aksionin opozitar, t’a topitë atë, të frenojë në një mënyrë apo tjetër betejën pa kthim që nisëm në Parlamentin shqiptar.

Kërkohet të kompleksohet opozita. Ne kishim paracaktuar në agjendë përgjigjet më të forta të merituara ndaj regjimit. Ne vendosëm para kësaj që nga Parlamenti niste beteja dhe për t’u përhapur në gjithë Shqipërinë dhe për t’u vendosur në Tiranë gjer në rrëzimin përfundimtar të Edi Ramës.

Kjo agjendë e tmerroi Edi Ramën, dhe ai besoi se me një dacibao do të mund të devijojë opozitën shqiptare.

Fatmirësisht, opozita kurrë nuk do të mund të manipulohet më. Nëse Sali Berisha nuk donte të sulmohej politikisht do të kishte pranuar propozimin e bashkëqeverisjes 2 vite më pare, dhe sot do të ishte palë me Ramën-Bravën. Unë isha i bindur kur bëra zgjidhjen time, jam i bindur sot në fitoren tonë, jam i bindur sot se demokratët, se opozitarët, do të triumfojnë.

Kaluam vërtetë një periudhë të vështirë, por vështirësitë, sakrificat vuajtjet veç sa i kalitin, i forcojnë, i bëjnë më të vendosur njerëzit, dhe sot pas 2 vitesh jemi shumë më të vendosur se dy vite më parë.

Nuk ka shqiptar që nuk përfiton nga rotacioni.

Ndaj strategjia jonë është kjo: opozita e bashkuar do të vazhdojë betejën pa kthim në parlament, por njëkohësisht do nisim dialogun me të gjithë këto segmente të agresuara, përtej opozitës, do t’i bashkojmë ato në lëvizjen tonë.

Do shtrijmë betejën që nisëm në Parlament, në sheshe, rrugë dhe rrugicat e Shqipërisë në rezistencë të qëndrueshme pa kthim, pa kompromis.

Ky bashkim do jetë fronti opozitar, koalicioni i shqiptarëve që duan të largojnë Edi Ramën.

Nga tani, deri në vitin 2025, luani do jetë i zgjuar dhe do përballet me hienat që menduan se mund t’ua hedhin shqiptarëve me një diktaturë të dytë.

Luani, ju, do i përmbysni ata!

Keni sakrifica për të bërë, sepse dialogu do jetë konstant, objeksionet që do marrim do jenë të egra, do jenë të shumta, do sprovohemi në mënyra të ndryshme. Por, çfarë alternative kemi?

Problemet e popullit opozitar sot janë më të mëdha se sakrificat që kërkohen për të shpëtuar Shqipërinë.

Prandaj kjo është rruga e vetme që kemi, misioni që fati na ka caktuar.

Shumëkush mund të demoralizohet dhe të thotë se njerëzit e mirë, njerëzit e ndershëm, kanë ikur në emigrim.

Nuk ka mashtrim më të madh. Qeliza jetësore shqiptare, me ADN-në që kërkon shpëtimin e Shqipërisë gjendet në Shqipëri, gjendet në emigracion, gjendet në diasporë.

Të gjithë do bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë.

Shumica e heshtur, pjesa më e madhe e shqiptarëve sot janë kundër regjimit, por qëndrojnë në heshtje.

E pra, jemi shumë njerëz që e duam Shqipërinë dhe jemi kundër regjimit. Jemi shumica.

Por, momentalisht, kjo shumicë nuk është e bashkuar, dhe të pabashkuar nuk fitojmë.

Është naive ose pa eksperiencë ai që e mendon këtë.

Por, së bashku, në një aleancë diversiteti, ku lëmë mënjanë diferencat tona, bashkohemi në misionin për shpëtimin e Shqipërisë, jo vetëm rrëzojmë Edi Ramën, por kemi fuqinë transformative për fatin e Shqipërisë.

T’i bëjmë shqiptarët të rrojnë, në vend që të mbijetojnë.

Të shndërrojmë mjerimin e tyre në shpresën e të ardhmes së tyre.

Ne këtë mund ta bëjmë. E provuam me partinë tonë, se ata që mendojnë ndryshe, ata që janë kundër nesh, kanë një vend për të arritur më të mirën.

Me këtë shembull do nisim konfigurimin e Frontit Opozitar për të shpëtuar Shqipërinë.

E ashtuquajtura Aleancë e qelbësirave, me në krye kreun e saj, u krijua për të rrëzuar Sali Berishën.

Kjo aleancë qeverisi për 10 vite Shqipërinë, prandaj jemi katandisur kështu.

Imagjinoni për një moment një aleancë të atyre që e duan Shqipërinë, një aleancë të idealistësve, çfarë mund të realizojë kjo lëvizje unike për shumë pak kohë.

Për të arritur deri këtu, ne duhet të tregohemi së pari të denjë, të konsolidojmë bashkimin e PD, gjë që, për hir të vërtetës, ka ndodhur.

Të japim prova se e kemi me seriozitetin më të madh këtë betejë.

Nga këtu të hapim portat për të mirëpritur në familjen tonë frontin opozitar më të madh që ka parë Shqipëria.

Kjo aleancë do tregojë më në fund se tranzicioni iku nga Shqipëria, që më në fund lamë pas mentalitetin komunist dhe përqafuam mentalitetin europian, ku në diversitet ne bashkohemi për interesin kombëtar, që reagojmë ndaj padrejtësive, që i dalim zot kombit.

Kjo do ndodhë. Kjo është e pashmangshme.

Edi Rama e ka kuptuar këtë, prandaj edhe arrin në akte të dëshpëruara për të ndaluar këtë vrull, këtë hov, këtë aleancë.

Tentoi të më asgjësojë politikisht me McGonigal, për të parandaluar këtë, dështoi brutalisht, se fati i favorizon idealistët.

E patë se, si çdo denoncim, i doli i vërtetë kur arrestuan McGonigal. Tani po tenton burgosjen dhe qëndrime të tjera.

Edhe njëherë i kujtoj këtu se gjyqi i shekullit e pret para Sali Berishës dhe demokratëve shqiptarë.

Para se të ezaurojë këto mjete, ai dhe çdo njeri, duhet ta ketë të qartë dhe të mos harrojë se idealet as nuk shpallen non-grata, as nuk burgosen, as nuk vriten.

Prandaj aleanca e idealeve e këtij fronti opozitar, do shpëtojë Shqipërinë.

Miq, edhe njëherë, u bëj thirrje, mos u shpërqendroni nga dacibao e Ramës!

Shqipëria sot është një vend i përlotur, kombi është i përlotur, se ka humbur 35 përqind të bijve të saj në 10 vite. Sot jemi komb i përlotur se pluralizmi është shkatërruar. Jemi kombi i përlotur se të rinjtë këtu nuk kanë të ardhur. Jemi komb i përlotur se jemi grabitur gjer në palcë 10 vitet e fundit. Jemi komb i përlotur sepse qeveria jonë ka tradhtuar shqiptarët e Kosovës.

Ku do gjejë zgjidhje ky komb i vuajtur? Te qeveria? Jo, ajo e solli në këtë gjendje. Te drejtësia? Jo, ajo është vegël në duart e qeverisë.

Këtë ai e pret vetëm nga misioni i misionarëve të mëdhenj, misioni i demokratëve.

Shpresa e vetme që u ka mbetur shqiptarëve është opozita.

Vetëm ne jemi ata që sot po luftojmë për ta.

Kjo e vërtetë është një kushtrim rrëqethës për cilindo nga ne.

Se vetëm ne jemi zgjidhja për ato nëna të përlotura që janë ndarë nga fëmijët e tyrë në emigrim.

Sepse ne jemi shpresa për të rinjtë që i ka topitur realiteti ku jetojnë.

Vetëm ne jemi shpresa për ata prindër zemërthyer që nuk u dalin paratë për të mbyllur muajin.

Vetëm ne jemi shpresa për të shpëtuar pluralizmin politik.

Vetëm pse ne jemi shpresa e fundit e shqiptarëve, luftohemi egërsisht.

Prandaj na vidhet logoja e partisë, prandaj na bllokojnë në parlament, prandaj lëshohen fletërrufe për kryetarin e opozitës.

Po a mund të na demoralizojnë ne këto sulme të ulëta? Jo, kurrë!

Mos harroni, jemi shpresa e fundit e shqiptarëve.

Prandaj përgjigjia jonë do jetë 10-fishim në Kuvend, 10-fishim i veprimit tonë me qytetarët, 10-fishim i dialogut tonë me njëri-tjetrin, 10 herë më të bashkuar në sheshe, 10-fishimin e masivitetit të protestave tona, 10-fishim në qëndrueshmërinë tonë, 10-fishim në përgjigjen tonë.

Sepse, ne vetëm kështu nxjerrim shqiptarët nga dëshpërimi, vetëm kështu kjo qeveri antishqiptare dhe kriminale do përmbyset.

Vetëm kështu e shpëtojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë e re.

Rroftë Shqipëria!

*Fjala e mbajtur në Këshillin Kombëtar të PD

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale