Të dashur, demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë të Vorës.
I nderuar z. Meta, Noka, Lisandër Hoxha, i dashur Pëllumb, Lulzim, i dashur zoti kandidat dhe kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Vorës, Indrit Hoxha.
Ju përshëndes ju dhe gjithë qytetarët e qytetaret e kësaj bashkie. Përulem para themeluesve të degës së PD në Vorë, të cilët në një akt guximi, idealist, vendosmërie, themeluan këtu në Vorë PD-në, si parti e lirive dhe të drejtave të mohuara të shqiptarëve, si parti e interesit kombëtar të shqiptarëve, parti e nxjerrjes së Shqipërisë nga izolimi i thellë, ndërtimit të shtetit ligjor, demokratik dhe ekonomisë së tregut.
Përvjetorët sigurisht që janë një bilanc arritjesh dhe ne vijmë në këtë përvjetor në një udhëtim 32 vjeçar, në të cilin Shqipërinë e kemi transformuar në shekuj. Ne vijmë në këtë 32 vjetor, pas një udhëtimi në të cilin Shqipërinë nga honet e mjerimit ekstrem, shqiptarët i ngjitëm në grupin e popujve me të ardhura të mesme të larta.
Shqipërinë me një infrastrukturë mesjetare e shndërruam në vend me infrastrukturë moderne. Shqipërinë e kolektivizmit total e shndërruam në vendin të ndërtuar nga mundi, djersa dhe iniciativa e lirë e qytetarëve të saj. Shqipërinë nga izolimi më i thellë e shndërruam anëtare të KE-së, NATO-s, morëm rekomandimin për hapjen e negociatave, hoqëm vizat. Shqipërinë ndër më të prapambetura në botë për digjitalizimin e sollëm në moshën digjitale. Shqiptarët arritën të kenë rrogat mesatare më të larta në rajon. Por këto miqtë e mi, të themi të vërtetën kanë dy kuptime.
Në një aspekt janë arritje ta pamohueshme, por nga ana tjetër, çdo reflektim, vështrim në të shkuarën duhet të ketë një dhe vetëm një qëllim, frymëzim për një të ardhme më të ndritur, më të madhe. Nuk i duam këto për dekorata, por i numërojmë këto arritje për frymëzim në mënyrë që ne të përmbushim sot dhe vitet që vijnë, një mision të madh, për të ardhmen e çdo shqiptari.
Kur nisëm këtë rrugë 32 vite më parë ne ishim në monizëm të plotë, por duhet ta dini se monizmi dhe zhvillimi, liria dhe dinjiteti janë të papajtueshme. Ndaj dhe ne në ato vite, më vendosmëri, guxim përmbysëm monizmin që bazohej në ideologjinë komuniste. Sot pas 32 vitesh është reale, e trishtë, e hidhur, ne në Shqipëri na është rikthyer monizmi, jo më i bazuar në doktrinën marksiste-leliniste, por në krimin, vjedhjen e drogën.
Kjo është ju them unë ju, diktatura më e urryer, diktatura që krijon pasigurinë më absolute, që kthen kohën pas. Pra sot në rast se u ndalëm tek arritjet e 32 viteve, u ndalëm për të kuptuar se ne përsëri sot jemi në një mision, dhe ky mision do të na çojë ne në përmbysjen e monizmit dhe fitoren e shkëlqyer të Indrit Hoxhës, e kandidatëve të opozitës në mbarë Shqipërinë.
Ne kemi një armik të egër, si një siamez apo si një pasardhës besnik i etërve të tij, por me një dallim të madh. Nëse ata intolerancën ndaj pluralizmit e kishin ideologjike, ky e ka kryekëput në vjedhjet e tmerrshme që ka bërë. E ka bazuar në drogën që drejton, bazuar në lidhjet e krimit që mban. Në këtë kontekst, misioni ynë është jetik, për çdo demokrat e demokrate.
Miqtë e mi. Në monizmin e parë u bënë përpjekje të na mposhtnin, por ne qëndruam duke patur armë të vetme idealet tona, misionin që ne kishim. Sot përsëri bëhen përpjekje të jashtëzakonshme. Kemi një armik përpara dhe ky armik duhet të përballet me ne, përballje dhe vetëm përballje, për të shporrur këtë kalbësirë nga skena politike shqiptare.
Demokrate e demokratë, ne ecim të sigurtë drejt fitores që meritojmë. Shqiptarët nuk mund të qeverisen kurrë nga një kryeministër që ka 60-fishuar importet me Kolumbinë dhe ka ndërtuar në zemër të Europës shtetin e drogës. Ne nuk mundet kurrë të pranojmë të qeveriset nga një kryeministër, i cili me firmën që vendosi sot, u grabit shqiptarëve pronën publike më të çmuar, portin e Durrësit. Ne nuk mund të pranojmë një kryeministër i cili me klanin e tij, Amant Josif dhe Olsi Ramë, dalin dhe ju vjedhin 2 miliardë euro qytetarëve evropiane.
Ne nuk mundet kurrë të pranojmë një kryeministër, i cili në një urrejtje të fshehur ndaj armiqve të pushtetit të etërve të tij, i lejon vetes për pushtetin e vet, të korruptojë një nga njerëzit më të rëndësishëm në botë, për sigurinë e SHBA-së dhe jo vetëm atyre, për sigurinë e të gjithë aleatëve të SHBA. Imagjinoni ju, ta përdorë atë si killer për opozitën.
Nuk mundet ne të pranojmë këtë situatë. Ndaj dhe jemi këtu për tu zotuar, në një lëvizje të fuqishme e cila do të ketë dy synime.
Së pari, fitoren e Indrit Hoxhës, fitoren e opozitës dhe mos harroni idealet tuaja, frymëzimi, guximi juaj, është uragani i vërtetë për ngrehinën e kalbësirës që kemi përpara.
Objektivi i dytë, përmbysja e monizmit. Edi Rama duhet të largohet, një minutë e më parë nga pushteti. Ndaj dhe ju ftoj ju, të betohemi në këtë sallë, në shtëpitë tuaja, kudo që jemi, se do të ngrihemi me të gjithë guximin tuaj, kundër një njeriu që nuk ka nder, moral, normë, parim, ideal, nuk ka atdhe.
Koha pra thërret, çdo vajzë, djalë, burrë e grua të popullit opozitar në këtë mision historik. Duhet të ndihemi krenarë për këtë thirrje dhe jam i sigurtë që do ti përgjigjemi, me fitore të sigurtë.
Idealet tona nuk mposhten kurrë. Ata nuk mund të njohin asgjë përveç fitores.
Rroftë Vora, rroftë Shqipëria!
Faleminderit!