Mirëmbrëma të gjithëve!
Të dashur demokrate dhe demokratë,
Anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike,
Miq dhe të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se keni ardhur!
I nderuar lideri historik i Partisë Demokratike, Profesor Doktor Sali Berisha,
Kavaja ju pret si gjithmonë me nderim dhe mirënjohje të madhe për gjithçka i keni dhënë këtij qyteti, Ndërsa për mua, si një i ri i rritur në Partinë Demokratike, është një privilegj t’ju kem në krah sot pikërisht në ditën më të rëndësishme të karrierës time politike, në prezantimin tim si kandidat zyrtar i Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023 në Bashkinë Kavajë!
Të dashur motra dhe vëllezër,
Dëshiroj që në krye të fjalës time, t’Ju falenderoj nga zemra për këtë pjesëmarrje të jashtëzakonshme në këtë takim të sotëm që simbolizon dhe fillimin e fushatës tonë elektorale. Marshimin tonë pa ndalim drejt fitores së zgjedhjeve të 14 majit!
T’Ju falenderoj nga zemra për mbështetjen e madhe që kam ndjer gjatë takimeve të shumta që kemi zhvilluar përgjatë këtyre javëve pas primareve!
Energjia dhe entuziazmi me të cilin jemi pritur është vërtet impresionues.
Në çdo shtrëngim duarsh, në çdo shikim që hasim, në çdo bisede që kemi zhvilluar, dëshira për ndryshim është e jashtëzakonshme!
Qytetarët e Kavajës kanë shpresë tek ne.
Rrugës tonë drejt fitores i bashkohen çdo ditë e më shumë qytetarë të çdo moshe e të çdo kahu politik dhe Jam i bindur që kjo frymë do të na ndjek përgjatë gjithë rrugëtimit tonë për t’i kthyer dinjitetin qytetit, krenarinë qytetarëve, për fitoren tonë të bukur dhe të thellë të Bashkisë Kavajë! (duartrokitje)
Të nderuar miq,
Beteja jonë nuk është thjeshtë fitorja e Bashkisë Kavajë, por rrënjosja e një mendësie të re e të bërit politikë, ku qytetari dhe familja do të jetë në qendër të vendimarrjes politike.
Mbështetja e gjerë popullore na ngarkon me një përgjegjësi edhe më të madhe për sfidat e mëdhaja të qytetit.
Për ta bërë atë më të jetueshëm dhe për ta kthyer Bashkinë dhe administratën në shërbëtore të familjës së madhe kavajase, pa asnjë dallim!
Kjo është ajo çfarë presin qytetarët dhe kjo është ajo që do t’i ofrojmë!
Me krenari e them se ky është programi më i mirë dhe më ambicioz që i është prezantuar qytetarëve të Kavajës.
Bashkia Kavajë e së nesërmes do të angazhohet fuqimisht në nxitjen dhe integrimin e të gjithë kapitalit tonë natyror dhe njerëzor, i cili do të synojë të vërë në lëvizje një ingranazh të pashfrytëzuar, duke filluar nga aftësimi, tek konsumi dhe sipërmarrja.
Një përpjekje e madhe për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të Kavajës!
Do të fillojmë menjëherë me masat e domosdoshme për turizmin si potencialin tonë më të madh, duke filluar menjëherë me trajtimin e integuar të mbetjeve.
Asnjë qytetar, turist apo sipërmarrës nuk do të shohë më pamjet e shëmtuara të makinës së pastrimit në mes të ditës, orë e pa orë.
Do vejmë në punë impiantin për trajtimin e ujërave të zeza i cili sot s’ka as energji elektrike e as një roje dhe është shkaktar kryesor i ndotjes dhe aromave të këqija në zonat turistike. Një problem madhor veçanërisht për sipërmarrjet turistike.
Do ngrijmë një strukturë më të fuqishme për gjelbërimin e të gjithë zones sipas një projekti të mbështetur në standardet më të mira të zonave turistike, duke filluar pike së pari me qendrën e Kavajës që për turp lihet në mëshirë të shkurreve dhe ferrave, e për të vijuar më pas deri në skajin më të largët!
Do të finalizojmë projektet e dy parqeve të mëdhaja të qytetit!
Do të prezantojmë këto ditë projektin e “Rrugës së Bregdetit”, projekti që e kam më për zemër, i cili do jetë një nyje e madhe lidhëse e integruar mes kishës së Shën e Premtes, Kavajës dhe zonave bregdetare. “Rruga e Bregdetit” është një pasuri që do t’i trashëgojmë brezave dhe patjetër që do mbaj firmën e Partisë Demokratike!
Do të rehabilitojmë infrastrukturën në kodrat panoramike të mrekullueshme në territorin e Bashkisë.
Do të inaugurojmë tre zyrat turistike në Kavajë, Golem dhe Qerret si dhe do të ndërtojmë brenda vitit 2023 hartën digjitale të Bashkisë.
Do të asfaltojmë rreth 70 km rrugë dytësore të cilat janë një ferr i përditshëm për qytetarët, turistët dhe sipërmarrjet!
Tarifa e pastrimit do të rikonceptohet, në mënyrë që të përkthehet në shërbime që kanë si fokus qendror jo vetëm ambjetin e pastër e të shëndetshëm, por të integrohet në projektin më të gjërë zhvillimor të turizmit.
Ne do të angazhohemi fuqimisht për të garantuar vaditjen, kaq elementare por jetike për zonat rurale.
Do të incentivojmë bujqësinë, pemtarinë dhe blegtorinë. Do ndërtojmë një infrastrukturë të integruar që do të përfshijë të gjithë zinxhirin e produkteve bujqësore, nga prodhimi e deri tek tregu!
Do të prezantojmë një projekt ambicioz për stadiumin dhe për Besën e Kavajës dhe rikonceptimin e klubit shumësportesh Besa me mbështetje të fuqishme të Fondit të Solidaritetit!
Do të riaktivozojmë projektin e kinemasë dhe teatrit të qytetit.
Do të angazhohemi për ndërtimin e memories së qytetit nëprmjet rivitalizimit të rrjetit muzeal, që do të përfshijë muzeun etnografik, galerinë e arteve pamore si dhe ndërtimin e muzeut 26 Marsi që do të përfaqësojë krenarinë kulturore të qytetit!
Do të marrim një përgjegjësi konkrete për mbështetjen dhe lehtësimin e qytetarëve, familjeve dhe sipërmarrjeve!
Do të paguajmë kontributet e sigurimeve shoqërore në vitin e parë të punës, për çdo punësim të ri nga sipërmarrjet kavajase
Do japim Bonuse mujore në vlerën 5000 ALL (5 mijë lekë të reja në muaj) për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë, në vitin e parë të jetës.
Do të nxisim punësimin në sipërmarrjet kavajase e të sapodiplomuarve nga Kavaja me formime universitare dhe profesionale në Ekonomi, Turizëm, Drejtesi, Inxhinieri Informatike, Inxhinieri Industriale, Bujqesi etj nëpërmjet pagesën së rrogës totale për vitin e parë të punës.
Do të sigurojmë 80 bursa në vit në sektorin e Hoteleri-Turizëm, Inxhinieri, Inxhinieri Mjedisi, Menaxhim të Ujërave.
Të gjitha këto do të mbulohen me buxhetin e ri të Bashkisë Kavajë.
Gjithashtu, do të ngrijmë atë që unë e quaj Fondi e Solidaritetit për Kavajën, i cili do të jetë një fond transparent e që do të drejtohet nga një bord gjithëpërfshirës me pjesëmarrje të Bashkisë, përfaqësuesve të diasporës, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.
Fondi do të jetë i hapur për donacionet e sipërmarrësve, qytetarëve, të gjithë kavajasve kudo ku ndodhen, veçanërisht atyre në diasporë, të cilët duan të ndihmojnë qytetin dhe do të trajtojë nevojat sociale dhe emergjente të komunitetit, për të cilat fondet e Bashkisë mund të mos jenë të mjaftueshme apo të alokueshme. Fondi i Solidaritetit do të filloj aktivitetin dhe vendimet e para në dhjetor 2023!
Këto janë vetëm disa nga pikat e programit. Synimi është që tarifat e qytetarëve dhe bizneseve të përkthehen 100% në shërbime për ta.
Të nderuar miq,
Hallet dhe problemet e Bashkisë Kavaje do t’i ulnin kokën çdo zyrtari me minimumin e përgjegjësisë.
Por rilindasit nuk kanë as fytyre, as din as iman.
Kanë kaluar 4 vjet që Kavaja është nën drejtimin e të pazgjedhurve dhe kjo ka sjellë vetëm të këqija qytetit.
Kavaja lëngon nga keqëqeverisja për shkak se drejtuesi aktual nuk ka marr besimin, nuk është legjitimuar me votë, nuk e ndjen peshën dhe përgjegjësinë qe buron vetëm nga votëbesimi. Në këto kushte nuk mund të ketë asgjë të mirë për komunitetin tonë.
Në 4 vjet administrimit të kryetarit në ikje, qyteti nuk ka një vepër të vetme publike të investuar, sikur edhe nga pushteti qendror. Kavaja është trajtuar si një geto e harruar dhe e degraduar, nën sundimin e babëzisë.
Asnjëherë Kavaja nuk ka patur një drejtues kaq të dobët dhe të paaftë. Por ky ishte veç një aksident që do hidhet në thellësinë e koshit të historisë! Asgjë më tëpër.
Motra dhe vëllezer,
Në jemi më të fortë se kurrë, të rigjallëruar e të ringritur mbi frymën e primareve dhe të bashkuar do ta fitojmë thellë këtë garë.
Bashkë me ju do t’i shërbej me përulësi banorëve të mrekullueshëm të Kavajës, Golemit, Synejit, Luzit të Vogël dhe Helmasit dhe bashkë me ju do ta bëjmë më të begatë dhe të jetueshëm vendin tonë.
Fitorja e thellë e Bashkisë Kavajë është premtimi im solemn.
Mirënjohje për të gjithë.
14 Maji është dita e ndryshimit, dita kur ne I dalim zot Kavajës!
Zoti ju bekoftë! Zoti e bekoftë Kavajën!
Fitore, Fitore, Fitore