Farsa elektorale/ Berisha publikon të tjera prova tronditëse të manipulimit të votave së diasporës: Firmat tek zarfet e dorëzuara nga DHL-ja e qeverisë janë vetëm disa viza

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës më gazetarët ditën e sotme publikoi dokumente që tregojnë se qeveria ka manipuluar votat e diasporës përmes falsifikimit të firmave në zarfet e dërguara me DHL. Ai i cilësoi këto si prova të një krimi elektoral të kryer nga qeveria dhe i drejtoi gishtin Ramës si autor i drejtpërdrejtë i kësaj skeme. “Zarfet nuk u dorëzuan te qytetarët, por u grumbulluan në një qendër dhe u mbushën në mënyrë kriminale për PS-në. Firmat janë vetëm viza, një mashtrim që s’mund të fshihet,” u shpreh Berisha.

Një tjetër akuzë e rëndë ishte ajo për ndërhyrje të qeverisë qendrore në pushtetin vendor, që sipas tij përbën një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale. “Ramaduro është vetë kryeministër, vetë kryeprokuror, vetë kryepolic dhe vetë kryetar bashkie,” deklaroi Berisha, duke theksuar se ky përqendrim i pushteteve ka shkatërruar çdo mekanizëm kontrolli dhe llogaridhënieje.

Duke komentuar për reformën territoriale dhe atë zgjedhore, Kryetari i PD, Sali Berisha tha se PD nuk e njeh legjitimitetin e Edi Ramës si kryeministër dhe nuk do të ulet me të apo me qeverinë për asnjë reformë. Megjithatë, ai u shpreh i gatshëm të negociojë me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore, duke e njohur PS-në si një forcë politike në sistemin pluralist. “Reforma zgjedhore është përgjegjësi e partive politike dhe ne do të diskutojmë me PS-në si faktor politik, por me qeverinë nuk kemi asnjë punë,” shtoi Berisha ndër të tjera.

Në përfundim të konferencës, Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se fjala e lirë dhe vota e lirë janë themelet e demokracisë, pa të cilat nuk mund të ketë shtet ligjor, liri dhe as drejtësi. Ai bëri thirrje për rezistencë qytetare ndaj regjimit që po i zhyt shqiptarët në një realitet pa shpresë dhe pa drejtësi.

FJALA E PLOTË ( PJESA II)

Tani të ndalemi tek farsa më e shëmtuar elektorale e 32 viteve të fundit, farsa e 11 majit 2025.

Kjo farsë pati aspektet më të shëmtuara, më të egra, më të turpshme, por duhet t’u them se kapitulli i diasporës apo qëndrimi i Ramaduros ndaj votës së diasporës, tejkalon qëndrimin e cilitdo diktatori tjetër në histori.

Poshtërimi që i ka bërë shqiptarëve në diasporë me manipulimin masiv të votave të tyre, Edi Rama është faktuar se është armik i egër i votës së lirë të shqiptarëve, por edhe i shqiptarëve kudo që janë jashtë vendit.

Tani jemi përsëri në fazën e procesit me të cilin DHL-ja e qeverisë u ka dorëzuar votuesve zarfet sepse kthimin ata po përpiqen ta fshehin.

Sepse kthimi është edhe më i rëndë ose kaq i rëndë sa ky.

Këtu keni një gjë që nuk do ta besoni.

Të gjitha këto përfaqësojnë zarfet e adresuara Vangjelit, Adriatikut, Beharit…

Tani, u lutem, shikoni firmat që ka vendosur Vangjeli, firma është një drejtëz. Firma, sikur gjoja e ka marrë Vangjeli këtë. Firma tjetër dy viza që kryqëzohen në fund.

Firma tjetër, një vizë e shtrirë.

Firma tjetër kjo, firma tjetër një zhgarravinë.

Firma tjetër përsëri një vizë që duhet ta merrte Aida.

Kjo tjetra është Skerdi, një vizë.

Vazhdojmë me të tjera.

Këto janë të tjera, vizë, kjo është firmë e DHL-së.

Firma, firma, firma një vizë…

Pra, firmë një vizë. Firmë një vizë.

Firmë një V. Firmë një vizë.

Të tjerat, dy viza vertikale. Një vizë, një vizë e pjerrët, një vizë e drejtë, një vizë vertikale, një vizë e përkulur.

Këto janë firmat e atyre që kanë marrë gjoja zarfin me fletën e votimit.

Firmë dy viza, një gremç, vizë e drejtë, vizë e përthyer. Vazhdojmë me firmat.

Këto janë firmat. Një V.

Vazhdojmë me firmat, vizë e drejtë, tre viza, një V, vizë e drejtë, vizë e drejtë.

E njëjta gjë, vazhdojmë.

Urdhëroni. Viza, të gjitha viza.

Faktikisht këto nuk kanë shkuar, kanë shkuar në një zyrë dhe janë mbushur nga Lubia, nga Pëllumbesha, nga Taotao, etj me radhë.

Nuk janë lodhur, i kanë rënë shkurt me nga një vizë.

Viza, viza, viza…

Pra, siç e shihni, zarfet nuk u dorëzuan tek qytetarët, por në mënyrë kriminale u grumbulluan në një qendër, e cila i përdori ato për të plotësuar votat për PS-në.

Ky është një proces që nuk do pranohet kurrë dhe shqiptarët, çfarëdo që të bëjë Edi Rama, i cili përpiqet me të gjithë mënyra të largojë vëmendjen nga demonstrimi i këtij krimi të shëmtuar, ai nuk do mund të shpëtojë.

Këto zgjedhje nuk njihen dhe kjo farsë elektorale, ky krim madhor elektoral ka një autor dhe ai është Edi Rama.

Ka një mbrojtës kryesor të saj dhe ai është Altin Troplini, i cili me qëndrimet që ka mbajtur ndaj krimit kushtetues elektoral dëshmon se nuk ka ligj, nuk ka moral, por është thjesht një skllav dhe bashkëpunëtor i krimit.

PYETJE – PËRGJIGJE

Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha, ju denonconi prej javësh farsën elektorale, ndërsa z.Rama prej javësh merr vendime duke shkelur autonominë e pushtetit vendor, dhe së fundmi ka urdhëruar që të shkarkohen të gjithë drejtuesit e njësive administrative. Cili është qëndrimi juaj për sa i takon urdhrit të fundit?

Pyetja e tjetër. Para pak ditësh z.Rama ka deklaruar se është koha për një reformë të re territoriale. Ju mendoni se ka nevojë vendi për një reformë të re territoriale?

Berisha: Nuk ka diskutim që marrja e kompetencave të qeverisë vendore nga qeveria qendrore është një akt i rëndë antikushtetues dhe është një shkelje e hapur e Kartës së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, të firmosur nga Shqipëria.

Është një shkelje e rëndë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2006 që ndalon apo i heq të drejtën qeverisë qendrore të mos bëj asnjë ndryshim në vendimet e qeverisë vendore.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në atë vendim që për objeksionet që mund të ketë qeveria qendrore, ajo nuk mund të ndërhyjë në asnjë rrugë përveçse përmes gjykatave. Ta padisë në gjykatë.

Ramaduro është vetë kryeministër, vetë kryeprokuror, vetë kryepolic, vetë kryetar bashkie, ndaj ai sillet në këtë mënyrë.

Por pse unë vazhdoj dhe do të vazhdoj në këto denoncime?

Midis të gjitha të drejtave, fjala e lirë dhe vota e lirë janë të drejtat më themelore.

Të gjitha të tjerat vijnë pas.

Unë nuk ua lexova ju raportin se çfarë thotë për mediat dhe fjalën e lirë. Çfarë thotë për AMA-n dhe kontrollin nga qeveria dhe që janë shumë të rënda.

Por po merrem gjithnjë me votën, pa të cilën nuk ka demokraci.

Pa të cilën nuk ka shtet ligjor.

Shteti ligjor, kushtetutshmëria, liria dhe të drejtat bazë kanë në themel votën e lirë, vullnetin e lirë të qytetarëve.

Osman Stafa, Neës 24: Z.Berisha, a jeni i gatshëm për t’u ulur për të diskutuar me reformën territoriale me kryeministrin Edi Rama? PD, a është e gatshme, për sa kohë kryeministri ka deklaruar se duhet një reformë e re territoriale.

Berisha: PD nuk njeh legjitimitetin e Edi Ramës si kryeministër dhe nuk mund të pranojë të ulet me të.

PD nuk mund të pranojë legjitimitet karrigesh mbi farsa elektorale.

Ai nuk ka legjitimitet.

Reforma zgjedhore bëhet nga partitë politike. Unë nuk them se PS nuk është një parti e spektrit politik në Shqipëri.

Reformën zgjedhore e bëjnë partitë politike, nuk e bën qeveria.

Ai po, bëri gjithçka, e anuloi reformën që u arrit, vuri dorën e tij të zezë dhe arriti ato që deshi.

Osman Stafa, Neës 24: A vlen kjo edhe për reformën zgjedhore?

Berisha: Por reforma zgjedhore është gjithnjë atribut i partive politike.

PS është faktor politik i pluralizmit politik në Shqipëri, nuk u përcaktojmë ne kush do zgjedhë kryetar ajo apo kush është kryetari i saj, kështu që me PS ne nuk mund të themi se nuk do ulemi për reformën elektorale.

Ka rekomandime dhe ne ato do i shqyrtojmë.

Por jo me qeverinë, me qeverinë nuk kemi asnjë punë.

Qeveria nuk ka legjitimitet në këto zgjedhje, ka humbur legjitimitetin.

Atëherë, fundjavë të mbarë dhe faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale