Farsa elektorale/ Berisha denoncon me video blerjen e votave në Tiranë: Ky është momenti kriminal i ndarjes së parave! Farsa nuk njihet kurrë, këto fakte të pakundërshtueshme delegjitimojnë plotësisht qeverinë e dalë nga zgjedhjet

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp këtë të hënë denoncoi ashpër manipulimet zgjedhore të qeverisë së Edi Ramës. Berisha publikoi një video nga Babrru, Tiranë, ku shfaqet momenti i blerjes së votave, duke akuzuar pushtetin për përdorim të masiv të parave publike dhe mjeteve shtetërore në funksion të fushatës elektorale. Berisha theksoi se, megjithë përpjekjet për t’i fshehur këto abuzime, qytetarët kanë arritur t’i dokumentojnë dhe i kanë bërë publike.

Lideri opozitar, Sali Berisha i cilësoi zgjedhjet e fundit si një farsë që, nuk mund të njihet kurrë. Ai deklaroi se qeveria është plotësisht e delegjitimuar nga faktet e pakundërshtueshme të manipulimit elektoral, të cilat i ka paraqitur para mediave, qytetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Kryetari i PD, Sali Berisha përmendi shpërndarjen publike të 76 milionë eurove, faljen e 200 milionë eurove në gjoba dhe kamata, 500 milionë euro në prokurime e koncesione, dhe blerjen e votave përmes parave të shpërndara fshehurazi. Berisha theksoi se rasti i filmuar në Babrru është provë e qartë dhe e rrallë, ku personat janë të identifikuar dhe gjithçka është dokumentuar.

Kryetari i PD, Sali Berisha vijoi me akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se personat në videon e publikuar për blerjen e votave janë të identifikuar plotësisht dhe janë eksponentë të Partisë Socialiste.

Berisha ngriti një sërë pyetjesh retorike për të vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve, duke përmendur përdorimin e fondeve publike për blerjen e votës, shpërndarjen e lejeve dhe licencave në funksion të fushatës, legalizimin e kultivimit të 29 mijë hektarëve kanabis, dhe dhënien e 100 eurove në kulmin e fushatës. Ai theksoi gjithashtu dhënien e 500 milionë eurove në prokurime dhe faljen e 200 milionë eurove në gjoba, si shembuj të abuzimit me pushtetin shtetëror për qëllime elektorale.

Sipas Berishës, ky nuk është më vetëm një shtet i kapur, por një “narkoshtet”, dhe zgjedhjet nuk mund të quhen të tilla kur ato kontrollohen nga pushteti me mjete të paligjshme. Berisha vuri në dyshim legjitimitetin e disa deputetëve, si Sara Mila dhe Arkend Balla, duke u shprehur se qytetarët nuk mund të ndihen të përfaqësuar nga individë që kanë përfituar mandate përmes manipulimit.

Lideri demokrat, Sali Berisha deklaroi se Shqipëria është kthyer në “tokë të kokainës” dhe se shteti është i zhytur në narkotrafik. Ai tha se kush sot shtrohet pyetja “ku është narkoshteti”, është “ushtar i Pojës”, duke iu referuar lidhjeve të krimit me politikën. Berisha akuzoi qeverinë për manipulim të zgjedhjeve me fletë të falsifikuara, duke përmendur rastin e Vlorës ku, sipas tij, u gjetën qindra fletë tepër. Ai paralajmëroi publikimin e një rasti tjetër të rëndë, të quajtur “treni bullgar”.

Sipas Berishës, operacionet kundër drogës në Shqipëri bëhen vetëm me ndihmën e ndërkombëtarëve, pasi policia dhe drejtësia vendase janë të kapura.

Lideri demokrat, Sali Berisha publikoi një video ku tregon “metamorfozën e vërtetë” të Elisa Spiropalit, duke e ironizuar si “Spirogjoka” dhe e krahasuar me dosjen “Metamorfoza” të Pëllumb Gjokës. Berisha akuzon Spiropalin dhe Gjokën si figura kyçe të krimit elektoral dhe joelektoral, dhe ironizoi përpjekjet e tyre për të fituar pozicione përmes sulmeve ndaj tij. Berisha kërkoi që publiku të shohë këtë “transformim”, duke paralajmëruar se do të publikojë edhe raste të tjera, si ai që e quan “metamorfoza e Lubisë”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se çdo kërkesë për rinumërimin e votave brenda partisë është pranuar pa asnjë hezitim. Ai theksoi se procesi ka të bëjë vetëm me transparencën dhe jo me ndonjë shtytje apo tendencë nga ana e tij.

Sipas Berishës, kujtdo që ka pasur dyshime për numërimin i është kërkuar të kërkojë rinumërim, si brenda partisë, ashtu edhe në komisionet përkatëse. Berisha shtoi se transparenca është mënyra më e mirë për të zgjidhur çdo paqartësi dhe se nuk ka asnjë koment apo kundërshtim ndaj atyre që e kërkojnë këtë proces.

FJALA E PLOTË

Narkoqeveria e kreut të organizatës kriminale, Edi Ramës, nuk u mjaftua me shpërndarjen e 76 milionë eurove, 100 euro për pensionist, në total 48 përqind të votuesve për blerjen e votës.

Me dhurimin e 200 milionë eurove gjoba dhe kamata 2 ditë para zgjedhjeve.

Nuk u mjaftua me firmosjen e dhjetëra mijëra lejeve të legalizimit, certifikatave të pronësisë.

Me përdorimin e dhjetëra mijëra automjeteve, të gjitha të shtetit dhe pa asnjë lidhje me fushatat elektorale.

Nuk u mjaftua me punësimin e mbi 10 mijë punonjësve për votë në qeverisjen lokale dhe qendrore, por ajo kaloi direkt dhe në blerje vote duke shpërndarë fshehtas para për zgjedhësit shqiptarë.

Natyrisht shpërndarja e fshehtë e parave është vështirë të kapet sepse ata që kryejnë këtë krim elektoral, bëjnë çdo gjë që të fshihen gjurmët e tij dhe të mos dalë.

Megjithatë kamerat e qytetarëve syçelët kanë filmuar momentin kriminal të ndarjes së parave për vota.

Dhe kjo jo të themi pas Dajtit apo në Mokër apo në Tropojë apo në zonat më të largëta.

Jo, kjo në Tiranë, në Babrru dhe urdhëroni videon që do u paraqes sot para jush.

Pra, siç e shihni, nuk mjaftuan 76 milionë euro të shpërndara publikisht.

Nuk mjaftuan 200 milionë euro gjoba dhe kamata të falura.

500 milionë euro prokurime dhe koncesione.

Por kalojnë duke shpërndarë para nëpër qoshe për të blerë vota.

Këto zgjedhje nuk njihen kurrë.

Këto zgjedhje janë farsë dhe nuk janë zgjedhje.

Pra kjo farsë nuk njihet kurrë.

Ndaj dhe ne paraqesim para medieve, para shqiptarëve dhe para komunitetit ndërkombëtar, fakte të pakundërshtueshme të farsës që delegjitimojnë plotësisht qeverinë e dalë nga zgjedhjet.

Ishte shumë demonstrues ky rast sepse është shumë e rrallë të kapësh ndarjen e parave.

Po ja që është evident.

Këta janë të njohur si persona. Gjithçka është e identifikuar.

PYETJE-PËRGJIGJE

Daniela Maloku, Repot Tv: Z.Berisha, në lidhje me këtë video që ju po publikoni, deklaroi se po vërteton blerjen e votës janë të identifikuar personat që shfaqen në video, çfarë misionesh kanë në lidhje me partinë në pushtet, apo në lidhje të tjera?

Berisha: Personazhet në video janë të identifikuar plotësisht.

Janë eksponentë të thekur të PS.

Nga ana juaj, ju prej disa kohësh vijoni betejën tuaj për të vërtetuar atë që ju e konsideroni farsë elektorale. A po ia del PD?

Berisha: Të bëjmë një marrëveshje: A mund të quhen zgjedhje, zgjedhjet në të cilat shteti, i quajtur shtet, përdor të gjithë financat e tij për të blerë vota?

Përdor të gjithë fuqinë ekzekutive, me leje, me licenca, etj, për të blerë vota.

A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat shteti licencon mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis nga 200 hektarë që parashikon ligji çdo vit?

A mund të quhen zgjedhje?

Se duhet të bëjmë një marrëveshje fjale.

A mund të quhen zgjedhje kur shteti përdor në kundërshtim me ligjin 500 milionë euro prokurime?

Kur shteti në kundërshtim me ligjin jep peshqesh 100 euro në kulmin e fushatës.

Fal 200 milionë euro.

Po marr vetëm këto, për të mos thënë pastaj ndikimin e tmerrshëm të karteleve.

Pra, unë po flas çarë është shteti. Narkoshteti është akoma më i zi.

Sepse ju e patë, si e ndjeni ju veten si qytetare kur përfaqësoheni nga Sara Mile, e cila del nga anonimati me 20 e ca mijë vota?

Mund të përfaqësojë ajo një njeri të ndershëm, pavarësisht nga bindjet politike?

Si e ndjen veten qytetari kur përfaqësohet nga Arkend Balla, i cili nga viti 2021 në vitin 2025 ka dhjetëfishim të votave? Se ishte i lirë në vitin 2021 dhe u kap në vitin 2025.

Pra, nuk është problemi këtu as i imi si politikan, as i juaji si gazetare.

Është problemi si qytetarë.

Çfarë mund të thotë qytetari për këto?

Po kjo është jo vetëm farsë, por një farsë poshtëruese që shqiptarët nuk do e pranojnë.

Daniela Maloku, Report Tv: Po ju përgjigjem duke ju bërë një pyetje, meqenëse jam gazetare, dhe roli im në fund të fundit ai është. A vërtetohet farsa elektorale z. Berisha në kushtet kur ju pretenduat për ‘trenin bullgar’, por në asnjë rast nuk e vërtetuat dot dhe nga ana tjetër pretenduat për 130 mijë fletë të munguara votimi. Nga ana tjetër nga këqyrja që u bë në  KQZ, doli që fletët ishin aty. A nuk po bien dalëngadalë pretendimet e PD?

Berisha: E vërteta është se fole para kohe.

Këtu do jemi me ‘trenin bullgar’ para jush.

Radhën tjetër apo një radhë pas kësaj, këtu do paraqes aktin kriminal të ‘trenit bullgar’ me të gjithë shëmtinë e tij.

Për sa u përket fletëve, asgjë nuk qëndron nga ato që thotë KQZ.

Të gjitha janë falsifikime.

Fletët mungojnë dhe për këtë ka kaq shumë dokumente.

Ku janë fletët?

A e more vesh që u hapën 4 kuti në Vlorë? A e dini ju se u gjetën 450 e ca fletë tepër?

U gjetën në 4 kuti. U gjet kutia e tërë. Ne do bëjmë autopsinë e kësaj farse me durim para qytetarëve, para jush dhe komunitetin ndërkombëtar.

Prandaj, keni parasysh një gjë se jemi në një kohë kur propaganda përdoret për të varrosur dhe mbuluar me mashtrime farsën që ka ndodhur.

Pa sukses!

A i dëgjon ti, ç’na doli ky me këtë narkoshtetin, thonë këto ditë?

Po narkoshtetin, organet më të mëdha të botës me Financial Times, që është gazeta kryesore e Europës, me BILD, Spiegel, me televizionet më të mëdha, në të katër anët e kanë anonçuar, kurse këtu bëjnë …. e ke parë se ç’hipokritë janë?

Prandaj kujdes me këta se këta nuk kanë nder.

Se të shtrosh sot problemin se ku është narkoshteti, je ushtar i Pojës.

Kur e di që Poja kontrollon Durrësin dhe ka tre vite që nuk kapet një kilogram kokainë në Durrës.

Dhe që kur erdhi mandat-arresti, Altin Troplini njoftoi Elvis Doçin dhe Troplinët ia mbathën.

Pra, këta kanë një përpjekje të ethshme, por kësaj here po iu ngec në fyt.

E vutë re daljen e fundit të Altin Troplinit me finlandezin? I shkau goja gënjeshtarit publik me damkë Alfred Shehu të thotë të vërtetën dhe ky i ndërhyn menjëherë sepse u rrëzoi variantin që kishte mashtruar me Troplinin.

Keni konstatuar ju që nuk ka asnjë operacion në Shqipëri për kokainën po nuk erdhën prokurorët ndërkombëtarë?

Shqipëria është toka e kokainës. Këtu policia, prokuroria, qeveria janë të zhytura në pluhur të bardhë, me xhepa, me hundë, me të gjitha.

Dhe duhet të vijnë nga Finlanda, Italia, Gjermania për të kapur trafikantët.

Se ndryshe këta që marrin rroga 7 mijë euro në muaj, po nuk u duken gjë, i kanë për kafe ato, nuk kapin një.

Dhe më e keqja, pa diskutim, që ka policë të ndershëm, pa diskutim që ka prokurorë dhe gjykatës të ndershëm, por këta i dekurajojnë.

Çfarë mund t’i thuash ti BKH-së kur shefi mban në xhep urdhër-arrestin gjersa ai është larguar.

Dhe pastaj të akuzosh atë të BKH-së se ti e nxore, ti nuk e nxore.

Këtë e kisha për ata që shtrojnë pyetjen se ku është ky narkoshteti se nuk e shohim kund.

Daniela Maloku, Report Tv: Ditën e enjte, ju nuk ishit në parlament, por nga parlamenti u adresuan jo pak kritika nga në radhët e socialistëve, e para kryeparlamentarja Elisa Spiropali, por edhe ministri Taulant Balla, që ju kritikuan për gjuhën tuaj të përdorur në Bruksel kundër vendit, ku ndër të tjera keni përdorur edhe termin narkoshtet. A ka një reflektim Sali Berisha pas këtyre kritikave të socialistëve?

Berisha: Është vetëm fillimi.

Këta kriminelë elektorale do ta paguajnë atë që u bënë shqiptarët.

Dhe ata dy janë eksponentë madhorë të krimit elektoral dhe joelektoral.

Unë u sugjeroj. Mos ua fshihni shqiptarëve.

Prisni pak…. kjo është nga libraria ime dixhitale.

Se do u bëj një pyetje unë ju.

Ju lutem, tani keni dëgjuar ju për dosjen Metamorfoza? E kuptoni ju mirë.

Dosja Metamorfoza i kushtohet Pëllumb Gjokës.

Kurse Pëllumbesha Spirogjokën nuk e përmend kush.

Tani kam unë këtu një video dhe më thoni ju, është kjo videoja më klasike e Metamorfozës apo jo?

Ishte Spiropali, u bë Spirogjoka në fund.

Është kjo apo jo?

Ju lutem, jepjani publikut këtë.

A është metamorfozë kjo apo jo?

Unë po flas për metamorfozë të plotë.

Ju lutem, pse t’i biesh në qafë Pëllumbit dhe të mos i biesh në qafë Pëllumbeshës?

Pse t’i thuash metamorfozë Pëllumbit dhe të mos i thuash Pëllumbeshës metamorfozë?

Ja pra zonja Maloku se cila është metamorfoza e vërtetë!

Ky është ilustrimi më i përsosur i metamorfozës.

Do sjell edhe metamorfozën e Lubisë, por njëherë e kemi me këtë.

Se këto janë në rivalitet tani se cila do sulmojë më shumë Berishën që të zërë një pozicion. Do zënë këto atë që meritojnë.

Kjo është përgjigjja ime për fjalimin që ka mbajtur, meqenëse nuk isha se do ia shfaqja në parlament.

Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha, a prisni ju ndryshim tëë rezultatit në Tiranë, kur ytë rinumërohen votat për qarkun ne Tiranës në bazë të vëzhgimeve që keni bërë dhe kur do të jetë gati raporti opozitës për 11 majin dhe rolin që kanë drejtuesit politikë gjatë kësaj kohe për të vërtetuar farsën elektorale?

Berisha: Të jem shumë i qartë dhe shumë i sinqertë.

Ky proces ka të bëjë vetëm me atë që quhet transparencë.

Asnjë shtytje nuk ekziston, por personalisht nuk mund të mendoja dhe ta dini një gjë, çdo njeri që ka kërkuar për të numëruar votat këtu në parti, i është pranuar absolutisht kërkesa.

Madje iu është kërkuar që të kërkojnë rinumërim votash.

Çdo njeri që ka pasur dyshime për numërimin e votave këtu, i është kërkuar të kërkojë rinumërimin e votave.

Çdo njeri që ka dyshim për numërimin e votave në komisionet e numërimit le të kërkojë rinumërim dhe kjo pa asnjë lloj dyshimi se ky rezultat mund të jetë ky apo ai, por vetëm se gjykoj se transparenca është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur çdo dyshimi që tjetri ka.

Asnjë lloj tendence nuk kam unë në këtë proces.

E kërkojnë, le ta bëjnë.

Ata që e kërkojnë, kanë të drejtë dhe nuk kam asnjë koment.

Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, në fakt, më e rëndë dhe më e rrezikshme se sa censura, është autocensura, e shpërndarë kjo në politikë, në gazetari. A jeni ju në dijeni se politikan të PD në zgjedhjet e 11 majit shkonin në zgjedhje apo në fushatë të takonin njerëzit me idenë se Rama do i fitojë zgjedhjet, dhe se Sali Berisha nuk mundet dot t’i fitojë, Sali Berisha i tanishëm?

Berisha: Tani, unë këto i marr krejtësisht të pavlerë.

Sali Berisha udhëhoqi fushatën më të bukur të jetës së tij dhe se çfarë mund të ketë pëshpëritur njëri apo tjetri, ajo është puna e tyre.

Por secili prej kandidatëve ka pasur për detyrë të bëjë maksimumin që mund të bënte, ndonëse Sali Berisha kishte deklaruar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira.

Dhe ata të cilët besojnë se Edi Rama mund të bënte zgjedhje të lira dhe se farsa elektorale mund të fitohet, ata nuk njohin ABC-në e procesit zgjedhor.

Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, si ndiheni ju si politikan, tashmë i 35 viteve në Shqipëri, teksa kryeministri i vendit, Edi Rama, që prej vitit 2013, në çdo palë zgjedhje, edhe kur ishte Lulzim Basha thoshte: pas tij është Sali Berisha. Ndërkohë, edhe në 2021, edhe 2023, edhe 2025, lajtmotivi i tij kryesor është Sali Berisha. Sondazhet e socialistëve dalin se Sali Berisha nuk fiton..

Berisha: Po, e vërteta është se tek Sali Berisha ata dështojnë. Sepse siç e sheh ti, po i bëhet gjyqi farsës elektorale.

Kjo do sjellë pa diskutim mungesën e legjitimitetit të qeverisë të dalë prej saj.

Dhe natyrisht detyra e Sali Berishës është t’u faktojë shqiptarëve.

Bashkë me shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar, Sali Berisha ka mision të rikthejë votën e lirë.

Ky mision është epik, është historik.

Sot nuk ka shqiptar që i thotë votës, votë.

Që i thotë lirisë, liri.

Që nuk pranon se këtu ndodhi një farsë elektorale.

Se me farsë nuk ka të ardhme, ka të shkuar.

Farsat nuk i fiton opozita, ndaj dhe ajo që po bëhet është gjyqi i farsës.

Natyrisht në kushte të vështira sepse mediat që duhet të jenë në krye të kësaj beteje janë të rreshtuara në fushatën e dezinformimit, pjesa dërrmuese e tyre.

Kur del tjetri në media e thotë se si mund të flitet për narkoshtet, në një kohë kur e gjithë bota flet për narkoshtet.

Në një kohë kur të gjithë institucionet serioze flasin për këtë.

A nuk erdhi para tre javësh një i dërguar i Departamentit të Drejtësisë dhe tha se duhet të luftoni kartelet?

Po çfarë është narkoshteti? Narkoshteti është shteti i karteleve.

Këta nuk kanë njohuritë më elementare, në qoftë se nuk notojnë vetë në para droge.

Narkoshteti është kur Taulant Ballën- ministrin e Brendshëm, e emërojnë bandat.

Kur drejtorin Matrix e emërojnë bandat.

Kur vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, vazhdon trafiqet nga Vlora.

Narkoshteti është kur Olsi Rama, njësh me kartelin e Xibrakës, kurse gjykatësi thotë nuk ishte.

Ky është narkoshteti.

Kush janë këta të verbër që thonë nuk shoh narkoshtet?

Po kullat çfarë janë?

A e dini ju se vetëm vitin që kaloi janë marrë nga taksa e ndërtimit 290 milionë euro. Janë investuar 1 miliard e 770 milionë euro në një vit, çka do të thotë se në 5 vite shkon në 8 apo 9 miliardë. 20 përqind nga bankat, të gjitha nga nëntoka.

A nuk është narkoshteti me 33 përqind dhe mbyllja e qindra sipërmarrjeve fason dhe të eksportit?

Dhe këta u habitën kur unë fola për narkoshtet. Turp.

Ndaj dhe nuk e kishin hallin te narkoshteti, e kishin hallin tek zgjedhjet këta.

Se aty u bë gjykimi i zgjedhjeve. Këtu e kishin të gjithë hallin.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Z.Berisha, ju dhe ditën e sotme deklaruat se jeni pro transparencës dhe pro numërimit të votave, për pak ditë do të nisë rinumërimi, si në qarkun e Tiranës por edhe në Dibër. Nëse në kutitë e votimit ka patur tjetërsim votash, që me gjasë janë bërë mes komisionerëve të PD dhe komisionerëve të PS , a jeni ju të gatshëm që për hir të transparëncës t ëbëni nga partia edhe kallëzime penale për ata komisionerë që kanë tjetërsuar votën për x apo y kandidat?

Berisha: Tani, për sa u përket kallëzimeve penale të opozitës, ato janë bërë njëlloj përralle.

Ato i fut turshi të gjitha Skapi i partisë. Ju e dini.

Nuk merret Skapi me kallëzimet penale.

Ata janë vetë krimi elektoral.

Altin Dumani udhëheq krimin elektoral në Skap bashkë me Edi Ramën.

Por qëndrimet do mbahen. Sigurisht do vlerësohen sipas rastit.

Nuk ka diskutim që do mbahet çdo qëndrim ligjor që i takon një force që i përmbahet shtetit ligjor.

A do shkojnë apo jo në Skap, atë nuk mund të them se do vendosin ata… kjo është bërë mbi bazën e kërkesave individuale të kandidatëve.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale