FJALA E EURODEPUTETIT ANTONIO LOPEZ-ISTURIZ WHITE NE TAKIMIN ME TE RINJTE E PD
EKSTRAKT
Europarlamentari Antonio Lopez-Isturiz gjatë fjalës së tij në takimin me 71 të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike që u zgjodhën në Këshillin Kombëtar, ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, situatën politike në vend dhe sfidat që, sipas tij, shoqërojnë qeverisjen aktuale. Duke theksuar mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ai ngriti megjithatë pikëpyetje serioze për mënyrën se si vendi drejtohet aktualisht.
‘Të gjithë ekspertët bien dakord: Shqipëria duhet të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Frika që shprehin është: a mund ta kemi këtë Kryeministër të Shqipërisë, Edi Ramën, në Këshillat Evropiane?’, u shpreh Lopez-Isturiz, duke shtuar se këto shqetësime, sipas tij, vijnë nga ekspertët dhe jo nga politikanët. Duke iu referuar situatës në vendin e tij, Spanjë, ai tha se ‘kemi një Kryeministër socialist, ku gruaja, vëllai, tre ministra dhe ish-kryeministri Zapatero janë përpara gjykatësve sot’, duke nënvizuar se, sipas tij, ekzistojnë ‘tendenca të ngjashme’ edhe në vende të tjera evropiane.
Ai shtoi se ‘shoqëritë evropiane janë lodhur nga socializmi i rremë, sepse nuk i mbrojnë punëtorët, por veten e tyre’, duke kritikuar ashpër qeverisjet e majta në Europë. Duke iu drejtuar të rinjve demokratë, europarlamentari vlerësoi rolin e tyre në politikë dhe i inkurajoi për ndryshimin e vendit. ‘Ju jeni ata që do ta qeverisni Shqipërinë, shpresoj në një të ardhme shumë të afërt. Ju lutem mbani mend luftën që po jepni këto ditë… dhe mos bëni të njëjtat gabime që po bëjnë këta njerëz’, tha ai.
Lopez-Isturiz u ndal edhe te imazhi i qeverisjes dhe perceptimi ndërkombëtar për kryeministrin shqiptar, duke thënë se ‘ajo që marr në mediat spanjolle janë anekdota qesharake të këtij Kryeministri’, duke përmendur edhe rastin e gjunjëzimit të tij në takime ndërkombëtare. Ai shtoi se në qarqet evropiane ekzistojnë diskutime jo publike mbi integrimin e Shqipërisë, duke pretenduar se ‘në korridoret e Këshillit thuhet: si mund ta pranojmë një vend të tillë me një president të tillë’. Në vijim të fjalës së tij, europarlamentari theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar gjeopolitik dhe se integrimi në BE është domosdoshmëri strategjike.
‘Nëse mbaheni jashtë Bashkimit Evropian, do të jeni në duart e Kinës, Rusisë, Turqisë… dhe vendeve të tjera për të cilat demokracia nuk është zgjedhje’, deklaroi ai. Lopez-Isturiz i dha gjithashtu mbështetje të fortë Partisë Demokratike dhe rolit të saj në të ardhmen politike të vendit, duke vlerësuar angazhimin e të rinjve dhe të grave në strukturat e saj. Ai theksoi se sfida e brezit të ri është të japë përgjigje për shqetësimet e qytetarëve në një epokë të re teknologjike dhe politike. ‘Ju jeni përpara një lufte tjetër. Nëse ia dilni, njerëzit në Shqipëri do t’ju besojnë’, u shpreh ai.
FJALA E PLOTE E ANTONIO LOPEZ-ISTURIZ WHITE:
Nuk kuptova asgjë, por duhet t’ju them se tingëlloi shumë bukur. Kështu që mendoj se po thoshit diçka të mirë për mua.
Ju falënderoj shumë për këtë dhe veçanërisht ju falënderoj për këtë mirëseardhje të ngrohtë, si dhe Dr. Sali Berishën, gjë që për mua është gjithmonë nder. Dhe meqë isha, kur isha Sekretar i Përgjithshëm i PPE-së, tani me Internacionalen, me ‘Qendrën Martens’.
Prandaj jam këtu këto ditë. Fondacioni i PPE-së, kemi një takim në Durrës. Dhe me ekspertë që flasin për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Shqipëria është aty.
Por të gjithë ekspertët bien dakord: Shqipëria duhet të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Frika që shprehin është: a mund ta kemi këtë Kryeministër të Shqipërisë, Edi Ramën, në Këshillat Evropiane?
Këtë nuk e thanë politikanët, e thanë ekspertët.
Po reflektoja për këtë sepse vij nga Spanja. Dhe atje kemi një Kryeministër, socialist, gruaja, vëllai, tre ministra dhe ish-Kryeministri Zapatero janë përpara gjykatësve sot.
Fatkeqësisht shoh disa tendenca të ngjashme. Këto të ashtuquajtura parti socialiste, mendoj se e kanë të njëjtin problem brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian. Dhe ne po e vuajmë këtë.
Ajo që ndodh brenda Bashkimit Evropian ka një pasojë. Sa qeveri socialiste ka sot në Bashkimin Evropian? Dikush?
Sa qeveri socialiste ka në Evropë? Spanja dhe Malta. Danimarka tani po formojnë një qeveri të re, ndoshta e humbën. Pra, janë vetëm Spanja dhe Malta. Kjo ju tregon se shoqëritë evropiane janë lodhur nga socializmi, socializmi i rremë, sepse është i rremë. Ata nuk i mbrojnë punëtorët. Mbrojnë veten e tyre.
Në një moment kur të gjithë po mendojnë, ju, tani brezi i ri i politikanëve që jeni të pranishëm në Këshillin e partisë suaj, Partia Demokratike. Ju falënderoj për këtë. Është mbresëlënëse se si po ndryshojnë gjërat tani, veçanërisht në fushën e të rinjve dhe grave në Partinë Demokratike.
Jo sepse dikush jua kërkoi ta bëni, por sepse vetë e deshët dhe ndjetë se kjo është mënyra më e mirë për të vepruar. Ju gjendeni përpara të njëjtit skenar si ne në Spanjë.
Unë vij nga Partia Popullore.
Ne ballafaqohemi me të njëjtin makth. Sigurisht, ne jemi me fat sepse jemi brenda Bashkimit
Evropian. Pra, kemi institucionet evropiane që mbajnë sytë mbi një qeveri të korruptuar. Këtu ju nuk jeni aq me fat. Ju aspironi ta keni atë. Të bëheni anëtarë të Bashkimit Evropian mund t’ju shpëtojë nga qeveri shumë të këqija si ajo që keni sot këtu.
Ju jeni ata që do ta qeverisni Shqipërinë, shpresoj në një të ardhme shumë të afërt. Ju lutem mbani mend luftën që po jepni këto ditë, nga vini, dhe që të mos bëni të njëjtat gabime që po bëjnë këta njerëz. Lufta nuk do të mbarojë me fitimin e një zgjedhjeje.
Lufta do të vazhdojë kur të jeni në qeveri. Sepse atëherë do t’ju duhet ta rikuperoni këtë vend. Dhe puna është e jashtëzakonshme për të rimëkëmbur vendin që u la nga qeveria e fundit e Partisë Demokratike në një rrugë drejt integrimit evropian, e cila tani është shkatërruar gjatë këtyre viteve.
E shoh Kryeministrin e këtij vendi, dua të them, e vetmja gjë që marr në mediat spanjolle ose në mediat evropiane janë si anekdota qesharake të këtij Kryeministri. Duke u gjunjëzuar para Melonit.
Dua të them, në Spanjë nëse Kryeministri gjunjëzohet para dikujt, ai do të zgjasë dy orë. Dua të them, nuk është qesharake. Është imazhi; Kryeministri, Presidenti është imazhi i vendit që përfaqëson.
Nuk mund të jesh kaq aktor apo shoëman. Por duket se kjo është në modë këto ditë, sepse jo Shqipëria, shumë vende të tjera e kanë këtë lloj presidentësh. Por mirë, ju jeni politikanët e arsyeshëm, racionalë që nuk do të… ju nuk mund të dështoni në të njëjtën lloj gjëje.
Ju do të jeni gjithmonë të fokusuar te e ardhmja e Shqipërisë dhe te jo ëndrra evropiane, por realiteti evropian i Shqipërisë.
E di që është e vështirë. E di që ndonjëherë ndiheni pak të dëshpëruar ose të zhgënjyer në këtë luftë. Nuk është e lehtë. Ndonjëherë media nuk ndihmon. Ndonjëherë institucionet nuk ndihmojnë. Ndonjëherë ndiheni pak vetëm në këtë.
Por gati 30 vitet e mia përvojë në politikë, 25 prej të cilave në pozicione në Bruksel dhe në Madrid, pranë Kryeministrit të Spanjës Jose Maria Aznar, pastaj në Bruksel si Sekretar i Përgjithshëm e kështu me radhë, më kanë mësuar një parim: njerëzit respektojnë dhe admirojnë vetëm ata njerëz që kanë luftuar kundër çdo gjase.
Nëse është e lehtë, askush nuk do t’ju ndjekë. Nëse luftoni kundër çdo gjase dhe ia dilni, njerëzit do t’ju shohin si udhëheqës dhe do t’ju besojnë. Sa më e vështirë, aq më e madhe shpërblimi nga njerëzit. Sepse njerëzit do të thonë se ata e mundën Edi Ramën kundër çdo gjase. Kjo është ajo që duhet të mbani.
Nuk po ju them asgjë që nuk e kam kaluar vetë në Spanjë. Gjithë koha demokratike në Spanjë ka qenë me qeveri të Partido Popular ose socialiste.
Është gjithmonë e njëjta gjë, jo vetëm në Spanjë apo në Shqipëri, është edhe në shumë vende
evropiane. Vjen një qeveri socialiste, shpenzon gjithë paratë, jep para kudo, dhe pastaj vendi varfërohet në një mënyrë të tillë sa njerëzit më në fund votojnë për opsionin tjetër, Partinë Demokratike, Partido Popular, me shpresën se ne do ta pastrojmë shtëpinë dhe do ta vëmë në rregull. Dhe ne e bëjmë këtë.
Por duket se më pas bëhemi të mërzitshëm. Dhe pastaj vjen një socialist tjetër plot me ide të mëdha se si t’i shpenzojë paratë që ne kemi prodhuar. Ka si një rreth vicioz në Evropë për këtë.
Kam lajme të mira, siç thashë më parë, vetëm dy qeveri socialiste janë në Evropë tani. Dhe po ju
them, ai i Spanjës, nuk dëshiron të thërrasë zgjedhje, mund ta kuptoj. Sepse me shumë gjasa, nëse shkon në zgjedhje, atëherë do ta humbasë imunitetin dhe mund të përfundojë në burg. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë atje, e dini, kur ke gruan, vëllain dhe të gjithë.
Është çështje kohe. Mendoj se mund të jetë i frikësuar, e kuptoj, si të tjerët. Dhe atëherë ata kapen pas pushtetit dhe nuk lejojnë zgjedhje. Nuk lejojnë asgjë. Në Spanjë, duhet të kishim pasur zgjedhje shumë kohë më parë. Imagjinoni për një moment që gruaja e presidentëve të Partido Popular, Rajoy ose Aznar, të ishte qoftë edhe e përmendur nga gjykatësit, e përmendur në një gazetë, një akuzë. Do të ishte zjarr në rrugë. Është e padrejtë. Epo, mirë se vini në qendrën e djathtë në Evropë, jo vetëm ju. Ndodh kudo.
Pra, ju nuk jeni vetëm në këtë luftë për ta bërë vendin tuaj të pastër dhe në rregull dhe për të qenë një shembull në Ballkan për të hyrë në Bashkimin Evropian. I njoh vështirësitë e sotme, sepse ju keni një shouman që Kryeministrat në Bashkimin Evropian qeshin, e dini, kënaqen me të gjitha këto shfaqje.
Por kur janë, e dini, me këshilltarët e tyre, thonë: ‘oo, ky dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian’. Ata janë qenie njerëzore. Kanë klubin e tyre të vogël. E njoh atë klub. Dhe të gjithë shkojnë më pas në takimet e tyre dhe atëherë dëgjon se disa vende evropiane po bojkotojnë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ata nuk do ta thonë publikisht para kamerave përse.
Nuk duan të krijojnë armiq. Por në errësirën e korridoreve të Këshillit, thonë: ‘si mund ta pranojmë një vend të tillë me një president të tillë… si mund ta pranojmë këtë?’ Pra, nuk ju kam zili, por kam kaluar të njëjtën gjë si ju.
Ju keni gjithë mbështetjen e Partisë Popullore Evropiane, të Internacionaleve, IDU-së, CDI-së. Dua të them, e di që i përkas një liste të gjatë udhëheqësish evropianë që gjithmonë, kur gjejnë një mundësi, vijnë t’ju vizitojnë dhe t’ju mbështesin.
Mikja ime e mirë Dolors Montserrat, tani Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, ka ardhur këtu tri herë. Ja ku jeni. Ajo beson në luftën dhe punën tuaj. E di sepse kam folur me të shumë herë. Shqipëria është një vend i dashur për Dolorsin dhe për mua.
Dhe partia juaj ka qenë shumë herë frymëzim. Edhe ju Dr. Berisha, me këmbënguljen, frymën luftarake, kur ndonjëherë ndien se e di që je kundër çdo gjase, ka njerëz të caktuar që i kujton. Gjithmonë në anën luftarake. Përsëri në politikë, do t’i gjeni këto momente.
Më thoni nëse po flas shumë gjatë. Jo, sepse e kam këtë prirje në Parlamentin Evropian që mund të flasim vetëm një minutë dhe në raste të tilla fillon të ndihesh i çliruar.
Ka një zhvendosje strategjike në botë. Nëse mbaheni jashtë Bashkimit Evropian, çdo herë do të jeni në një situatë më të vështirë. Do të jeni në duart e Kinës, Rusisë, Turqisë dhe shumë vendeve të tjera për të cilat demokracia nuk është zgjedhja e tyre, nuk është frymëzimi i tyre.
Dhe ata po vijnë, përpiqen të kapin vende demokratike, duke përfituar nga fakti që kanë qeveri të këqija. Janë shumë delikatë, shumë, shumë delikatë. Paguajnë, nuk kërkojnë. Ndërtojnë një autostradë ose një pallat ose një aeroport dhe pastaj thonë ‘jo, jo, nuk duam asgjë tjetër’. Po, duan. Është vetëm për pozicionim strategjik.
Tani më shumë se kurrë, në këtë panoramë, Shqipëria nuk mund të mbetet jashtë Bashkimit Evropian. Mirë?
Në politikë ndonjëherë, ta besoni apo jo, harrojeni atë serial televiziv House of Cards, harrojeni atë. Në politikë, dhe më ka funksionuar shumë herë, duhet të mendosh me zemër, jo me kokë. Duhet të bësh bazat e tua, jo sepse kështu po bëjnë të gjithë, por çfarë mendoj se duhet bërë.
Do t’ju funksionojë. E mbaj mend, do t’ju jap një shembull.
Ne politikanët gjithmonë priremi të kërkojmë, jemi gjithmonë në kërkim të diçkaje të re që mund të ketë vëmendjen. Jo? Duhet t’i kushtoheni asaj që dini. Vëmendja do të vijë tek ju. Jo sepse jeni duke e kërkuar, por do të vijë nëse jeni të mirë në atë që bëni.
Kur lashë Sekretariatin e Përgjithshëm të PPE-së, thashë çfarë do të bëj tani? Po kërkoja se cilat janë temat. Thashë hobi im është Lindja e Mesme. Dhe me këtë do të kaloj nën radar sepse askujt nuk i intereson Lindja e Mesme. E pata gabim.
U bëra ekspert i Lindjes së Mesme në Parlamentin Evropian. Nëse pyet rrotull në grupin e PPE-së, ‘Tono është djali që di për Izraelin, për Emiratet e Bashkuara Arabe, Iranin e kështu me radhë’. Thua, por më falni, ishte e kundërta, nuk doja të isha.
Sepse zgjodha atë që ishte hobi im në politikë pa menduar se kjo do të më bënte më të dukshëm. Jo, harrojeni. Specializohuni në tema që nuk janë domosdoshmërisht në qendër të vëmendjes, por që ndoshta në një moment të caktuar do të bëhen të rëndësishme, dhe ai është momentumi juaj.
Dhe atëherë do të jeni në qendër të vëmendjes, por në mënyrë të përgjegjshme. Jo si një kloun, siç po bëjnë të tjerët. Në mënyrë të përgjegjshme, konstruktive.
Është shumë tunduese sot të ndjekësh populistët. Populistët adhurohen nga media. Bëjnë tituj sepse thonë gjëra të mëdha budallaqe që për çfarëdo arsye njerëzit sot duket se nxiten t’i dëgjojnë.
Nuk i fajësoj njerëzit, nuk i fajësoj votuesit. Po kalojnë një moment të vështirë, kanë frikë. Teknologjitë e reja, inteligjenca artificiale. Sipas moshës mund të jeni duke menduar, a do të ndodhë kjo, a do ta humbas punën?
A mund të jem avokat pas 10 vitesh kur atëherë do të jetë një makinë që thotë cilat janë ligjet? E keni këtë shqetësim. Mund ta kuptoj. Këto janë gjërat që duhet t’i analizoni për t’u dhënë përgjigje njerëzve.
Mendoj se është Papa që po vjen në Madrid këtë fundjavë, ka bërë një enciklikë shumë interesante për inteligjencën artificiale. Qofshi katolikë apo të krishterë apo jo, unë nuk jam shumë aktiv, duhet t’jua them. Por do ta lexoj këtë enciklikë.
Dua që të gjitha këto revolucione, inteligjenca artificiale e kështu me radhë, të jenë njerëzore. Jo mekanike. Dua të kontrollohen nga njerëzit. Dhe do të luftoj për këtë.
Kjo është ajo që, brez pas brezi, duhet të jetë shqetësimi juaj. Dhe kjo është ajo që duhet të jepni përgjigje tani, gjithë këta të rinj në Këshill. Duhet t’u jepni përgjigje njerëzve që kanë frikë në rrugë.
Po i tregoja Dr. Berishës se isha dy javë më parë në një forum në Madrid, drejtorë të mëdhenj ekzekutivë të kompanive teknologjike dhe kompanive të inteligjencës artificiale nga Shtetet e Bashkuara, Spanja dhe Amerika Latine. CEO, peshqit e mëdhenj. Dhe thashë kjo është mundësia ime. U thashë: ‘A i keni kontrolluar cilat janë pasojat sociale të gjithë kësaj? Miliona njerëz që nuk e dinë se çfarë do të ndodhë nesër në mëngjes.
Kjo ndodhi 100 vjet më parë me revolucionin industrial. Si përfundoi? Me dy Lufta Botërore. Aspirata ime e përulur është që kjo të mos përfundojë me një Luftë të Tretë Botërore.
Pra, duhet t’i kontrollojmë pasojat sociale të gjithë kësaj’. Dhe kjo varet nga ju. Brez pas brezi, unë nuk mundem. Ju, po. Pra, keni një luftë tjetër atje. Nëse ia dilni, njerëzit në Shqipëri do t’ju besojnë. Kjo është ajo që duhet të bëni në këto kohë të reja.
Nëse jeni shumë të frikësuar, nëse jeni të shqetësuar, nëse keni frikë, atëherë largohuni. Shkoni në sektorin privat dhe merrni pjesë në këtë revolucion madhështor. Ju si politikanë, duhet të bëni luftën për njerëzit.
Do të doja që e ashtuquajtura Parti Socialiste ta bënte këtë, të luftonte për punëtorët dhe për njerëzit. Por të gjithë e dimë se çfarë ka. Pra, varet nga ne tani që ta marrim këtë detyrë. Ne jemi parti e Qendrës së Djathtë, jemi demokristianë, jemi liberalë, konservatorë, por kjo përfshin gjithashtu qeniet njerëzore, dhe qeniet njerëzore janë në qendër të politikës sonë.
Socialistët mund të vazhdojnë me ndryshimet klimatike, me çfarëdo lufte që kanë, popullsitë indigjene në Amerikën Latine, çfarëdo që duan.
Ne, problemin që shohim këtu, luftojmë për të këtu.
Më në fund, kam ardhur shumë herë në Shqipëri. Ju falënderoj shumë. Dua ta them publikisht. Si një mesdhetar bashkëkombas spanjoll, këtu jam ndier gjithmonë në shtëpi. Gjithmonë, në momente shumë emocionale dhe të tjera jo e kështu me radhë.
Dhe vuaj. Vuaj kur i shoh mundësitë. Vij nga një vend ku kemi 80 milionë turistë çdo vit në Spanjë. Dhe vuaj kur shoh se nuk ka infrastrukturë, asgjë në Shqipëri që mund të prodhonte, sepse shoh të njëjtat mundësi.
Por nuk ka mundësinë për të sjellë, e dini, dhe për të krijuar begati në të njëjtën mënyrë si në Spanjë, për shkak të situatës, situatës politike, situatës ekonomike.
Ju lutem, jini në lartësinë e sfidës. Nuk është të qenët në një këshill ajo që do t’ju bëjë më të zgjuar ose më të bukur. Është ajo që do të nxirrni prej saj, janë rezultatet që do të prodhoni për njerëzit.
Shpresoj që ju jeni tani, më thanë se këtu janë 71 nga 100 po. Unë vetëm, jam shumë i përulur. Ka dy ose tre persona këtu që do ta bëjnë ndryshimin në të ardhmen. Dhe shpresoj që ata janë këtu sot.
Ju falënderoj shumë.


