DEKLARATË E KANDIDATIT TË PARTISË DEMOKRATIKE PËR BASHKINË E TIRANËS, BELIND KËLLIÇI
Së pari, dua t’i shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike, familjes Bozhiqi, që humbi njeriun e dashur në tensionin e përballjes me rrugeçërit e Policisë, Ujësjellsit dhe OSHEE, në rrugën Myslym Keta.
Por, barrën e fajin e ka porositësi, jo mercenarët, dhe i tillë është vetëm Erion Veliaj.
Për Erion Veliajn dhe Edi Ramën kam një pyetje direkte dhe të thjeshtë: a mund t’i linit bashkëqytetarët tanë, nënshtetasit tuaj, taksapaguesit e Republikës, nënat, etërit, motrat dhe vëllezërit e dikujt, që të paktën të kalonin festat në shtëpitë e tyre?
Çfarë ishte ky nxitim për t’i nxjerrë në mes të katër rrugëve 10 ditë para Krishtlindjes dhe 15 ditë para Vitit të ri?
Si ka mundësi që, prishjen e ndërtimeve dhe nxjerrjen e njerëzve nga shtëpitë, e bëni ose në fillim të verës, mu në prag të sezonit turistik, ose në prag të festave, kur shqiptarët mblidhen me familjet e tyre?
A jeni të poshtër, të çmendur apo i urreni shqiptarët?
Me poshtërsi, çmenduri dhe urrejtje u veprua edhe në rrugën Myslym Keta.
Kronologjikisht historia është kjo:
Një ditë pas tërmetit të 26 nëntorit shteti leshon një shkresë ku e shpall pallatin të pabanueshëm. 10 ditë më vonë lëshon një shkresë tjetër ku e konsideron të banueshëm, pasi nuk “ka dëme strukturale”.
Dhe jeta vazhdon për banorët e pallatit numër 4 në rrugën Myslym Keta në Tiranë, deri në një tekë të radhës të Erion Veliajt, që merr vendimin e ri për shembjen e pallatit.
Banorët nuk janë kundër shembjes, por kërkojnë që në ndërtimin e ri t’u jepet e njëjta sipërfaqe me atë që kanë aktualisht, dhe gjithashtu një vend ku të fusin kokën deri kur të ndërtohet pallati i ri.
Në vend të plotësimit të këtyre kritereve që çdo shtet normal duhet t’i plotësojë, Erion Veliaj i konsideron rebelë dhe kundështarë, dhe u çon pa zbardhur sabahu, Policinë, OSHEE-në dhe Ujësjellësin, me qëllim largimin me forcë të tyre dhe prerjen e dritave dhe të ujit.
Kam edhe një pyetje për ju të dashur qytetarë të Tiranës:
nëse keni një problem me dritat ose ujin, në orën 4.45 të mëngjesit dhe merrni Bashkinë apo OSHEE, a ju vjen kush?
Pse, atëherë për të prerë dritat dhe ujin gjinden njerëz që t’u shkojnë qytetarëve në orën 4.45 të mëngjesit?
Pse kur kërkohen shërbime nga qytetarët nuk jepen, por kur kërkohet krime bashkia i sjell që pa gdhirë?
Sepse kjo është fytyra e Veliajt dhe Ramës. Terror kundër qytetarëve, sepse duhet të na kenë frikë. Patronazhistë pas qytetarëve, që të na kenë frikë. Taksa të larta mbi ta, që ta ulin kokën.
Të dashur qytetarë të Tiranës: ju ftoj të mos dorëzoheni, ju bëj thirrje të mos kini frikë, ju nxis të ngriheni kundër këtij regjimi dhe ta refuzoni propagandën e tij. Me rezistencë dhe me votë të lire, me 14 maj, do t’i nxjerrim ne këta nga zyrat, që i kanë marrë me patronazhistë dhe me vjedhje dhe i mbajnë me mashtrime dhe krime.