Deklaratë e Enno Bozdo, anëtar i Kryesisë së PD
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Kompania gjermane EMS-APO ka paditur Autoritetin Portual, d.m.th. qeverinë shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit në Uashington, për një shumë prej 40 milionë eurosh, për dëmtim me qëllim të aktivitetit të saj tregtar në Portin e Durrësit.
Kjo për arsyen e vetme, të hapjes së rrugës për projektin korruptiv të ndërtimeve në Portin e Durrësit, nga Mohamed Alabbar, mik dhe partner i Edi Ramës, të cilit i është dhuruar nga ana e Kryeministrit aseti më i rëndësishëm strategjik dhe ekonomik i Shqipërisë sot– Porti i Durrësit.
Ndërsa kompania gjermane, ndaj të cilës qeveria e Edi Ramës është sjellë brutalisht, duke e përzënë nga aktiviteti i ligjshëm tregtar në Portin e Durrësit, do të arkëtojë 40 milionë euro nga paratë tona, Mohamed Alabbar është duke shitur apartamente në ajër – pa i ndërtuar ende, është duke shitur pronën e shqiptarëve duke siguruar fitime marramendëse për të dhe parterin e tij në këtë aferë.
Nuk mund të gjendet një rast i tillë i dytë në asnjë vend të botës, ku porti kryesor i vendit në të cilin përpunohen 95% e mallrave detare, praktikisht dera e vetme e komunikimit detar të Shqipërisë me botën, t`i falet një ndërtuesi si Alabbar, me qëllimin e vetëm që ky të fitojë në mënyrë të sigurt miliarda euro, duke e përjashtuar nga cdo lloj konkurrence.
Ndërsa Alabbar mbush xhepat, shqiptarët do të duhet të paguajnë minimalisht 2 milardë euro të tjera për ndërtimin e portit të ri të Durrësit, plus edhe ndonje kusur te vogel 40 milionesh në Arbitrazh si rasti i kompanisë gjermane.
Kjo është fytyra e vërtete e kësaj qeverie. Nga njëra anë, e ëmbël dhe e dashur me korrupsionin, me skandale të panumërta korruptive të saj në kontrata ku shqiptarët zhvaten me qindra milionë euro, dhe nga ana tjetë e dhunshme me biznesin e ndershëm, që me garë dhe kontrata të ligjshme operojnë në vendin tonë, që punësojnë shqiptarët dhe ndihmojnë rritjen ekonomike të vendit.
Në fakt, për Edi Ramën nuk ka asnjë rëndësi në se këtë rast 40 milionë euro do të paguhen nga shqiptarët. Siç nuk kishte asnjë rëndësi se Bechetti do të paguhet 110 milionë euro, apo për rreth 450 milionë euro që përllogaritet dëmshpërblimi total i qeverisë shqiptare në arbitrazhit ndaj kompanive të huaja.
Për Edi Ramën ka rëndësi që Alabbar të shesë apartamentet ende pa filluar ndërtimet, që Zoto, Mërtiri dhe Rapaj të paguhen akoma me paratë tona, sepse në fakt ai dhe ministrat e tij janë përfitues direkt të këtyre parave.
Partia Demokratike e konsideron megaaferën korruptive të Portit të Durrësit dëmin më të rënde që i shkaktohet ekonomisë dhe sigurisë kombëtare. Lënia e vendit pa një port tregtar, grabitja e pronës, pastrimi i parave të pista dhe fitimet marramendëse, të gjithë këto nuk mund të bëhen veçse nga ata që nuk e duan Shqipërinë, që kanë vite që po përzënë shqiptaret në mërgim, që vendin e konsiderojnë plaçkë lufte dhe rrëmbejnë çfarë dhe ku të munden. Këta kanë emër dhe mbiemër, janë Edi Rama dhe ministrat e tij Zoto, Mërtiri, Rapaj, Gjoka etj…
Një ditë të gjithë do të përballen me drejtësinë dhe një ditë drejtësia nuk do të jetë e telekomanduar nga Surreli. Partia Demokratike do të denoncojë dhe padisë cdo rast korrupsioni që prek interesin publik dhe kombëtar.