Emiriana Sako dhe titullarët e institucioneve do të paditen për shpërdorim detyre, për shkelje të ligjit zgjedhor e udhëzimit të KQZ.

DEKLARATË PËR MEDIA E ANËTARIT TË KRYESISË SË FRPD, IRAKLI PINA

Bashkia Durrës, në datë 30.03.2023, publikoi rendin e ditës për mbledhjen e rradhës së Këshillit Bashkiak. Në këtë rend dite u paraqitën plot 39 pika që do të diskutoheshin e do të miratoheshin.
Zelli i justifikueshëm për të ezauruar sa më tepër çështje para fushatës elektorale, i ka çuar krejtësisht në paligjshmëri titullarët e institucionit.


Në ‘rregulloren e funksionimit të Këshillit Bashkiak’, përkatësisht neni 55, pika 2, shprehimisht thuhet:
‘Numri i projektakteve të përfshira në rendin e ditës në mbledhjet e Këshillit, nga Bashkia të mos jetë më shumë se 13, ndërkohë që për mbledhjet ku do shqyrtohen projektakte që përfshijnë buxhetin, paketën fiskale, koncesione, Partneritet Publik Privat, të mos jenë më shumë se 5 (pesë).
Bashkia Durrës është e njohur në shkeljet e kryera për qëllime thellësisht elektorale, duke iu referuar gjobës prej 1 milionë lekë të marrë në 2019 pikërisht nga kryebashkiakja aktuale, ndërsa sot, vijon sërish me paligjshmëri duke mos zbatuar rregulloren e sipërpërmendur, që përbën bazën e punës dhe veprimtarisë së saj.


Nga ana tjetër, duhet theksuar se ky institucion ka shkelur rëndë udhëzimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, datë 12 Janar 2023, udhëzim me 15 pika të vendosura në dispozicion të të gjitha bashkive të vendit, duke dhënë nga Janari deri në Mars 2023, 10 tendera publikë me objekte të ndryshme, ku pjesa dërrmuese e tyre kanë si përfitues zgjedhësit.


Partia Demokratike e Shqipërisë, ndjen detyrim kundrejt qytetarëve për t’i bërë publike këto fakte, e në zbatim të udhëzimit të KQZ, do të depozitojmë pranë këtij institucioni të gjithë dosjen me shkeljet dhe parregullsitë e kryera nga ‘Bashkia Durrës’ për periudhën para-zgjedhore.
Së fundmi, i bëjmë me dije opinionit publik se do të ndjekim me padi penale kryebashkiaken e qytetit të Durrësit, znj.Emiriana Sako dhe titullarët e institucioneve për shpërdorim detyre, për shkelje të ligjit zgjedhor e udhëzimit të KQZ, duke cënuar rëndë procesin dhe barazinë në konkurrim, që janë themeli garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale