Emiri: Strategjia e kulturës për vitet 2026-2030 duhet ti nënshtrohet një debati publik. Qeveria e trajton kulturën si produkt ekonomik, jo si identitet kombëtar  

Deklarata e Julinda Emiri, Kryetare e Këshillit Kombëtar të PD:

Partia Demokratike ka shqyrtuar Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030, të miratuar nga Qeveria më 30 korrik.

Strategjia përmban elemente që në letër ngjajnë pozitivë si rritja e financimit për kulturën, digjitalizimi, përmirësimi i mbrojtjes sociale të artistëve, tërheqja e investimeve dhe përdorimi i një pjese të të ardhurave nga turizmi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Por, përtej këtyre objektivave, Strategjia shënon edhe një ndryshim filozofik që kërkon debat serioz publik: zhvendosjen e kulturës drejt konceptit të industrisë, produktit dhe instrumentit ekonomik.

Partia Demokratike mbështet zhvillimin e industrive krijuese, por kultura nuk është vetëm industri. Artisti është edhe punonjës dhe duhet të ketë kontratë, sigurime, pension, shpërblim të drejtë dhe mbrojtje sociale, por artisti është, para së gjithash, krijues i lirë, bartës i identitetit dhe kujtesës dhe, shpesh, ndërgjegje kritike e shoqërisë.

Puna artistike nuk mund të matet si një linjë prodhimi: me numrin e biletave, klikimeve, turistëve apo të ardhurave të gjeneruara.

Strategjia ngre pikëpyetje edhe për arkitekturën financiare. Në dokumentin e publikuar për konsultim paraqiten shifra që kërkojnë sqarim: në një seksion flitet për një kosto vjetore të vlerësuar rreth 10 miliardë lekë, me një raport financimi prej 70 për qind nga shteti dhe 30 për qind nga burime të tjera, ndërsa në buxhetin e aktiviteteve skenari optimal llogaritet në rreth 7 miliardë lekë në vit.

Një Strategji Kombëtare duhet, së pari, të jetë e qartë për vetë koston e saj.

Dokumenti parashikon kombinimin e financimit publik me fondet e Bashkimit Europian, donatorët, sponsorizimet, kapitalin privat, diasporën dhe partneritetet publike-private.

Ne e mbështesim përfshirjen e kapitalit privat në kulturë, por me një kusht themelor: Kapitali privat duhet të plotësojë financimin publik, jo ta zëvendësojë atë.

Një sistem i orientuar gjithnjë e më shumë drejt tregut krijon rrezikun që financimet të drejtohen te festivalet e mëdha, aktivitetet me dukshmëri, projektet turistike dhe ato me potencial më të madh ekonomik. Po arti eksperimental? Po krijimtaria kritike? Po skena e pavarur? Po kultura e pakicave? Po institucionet e vogla dhe aktivitetet kulturore në qytetet dhe zonat rurale të Shqipërisë?

Strategjia parashikon rikrijimin e një Këshilli për Artin, i cili do të funksionojë nën Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ndërkohë që pretendohet se do të ketë autonomi në sigurimin dhe shpërndarjen e fondeve.

Pyetja është e thjeshtë: Sa reale mund të jetë autonomia e një institucioni që funksionon nën Ministrinë që duhet ta financojë dhe mbikëqyrë?

Partia Demokratike kërkon që struktura, përbërja, mënyra e emërimit, mandatet dhe procedurat e financimit të këtij Këshilli të garantojnë pavarësinë nga ndërhyrja politike. Financimi publik i kulturës nuk mund të kthehet në një mekanizëm shpërblimi për artistët e afërt me qeverinë dhe ndëshkimi për zërat kritikë.

Ndërsa përdorimi i një pjese të të ardhurave nga turizmi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duket me vend, nuk duhet harruar se marrëdhënia duhet të jetë e qartë: Turizmi duhet të financojë kulturën, por kultura nuk duhet t’i nënshtrohet turizmit. Trashëgimia kulturore nuk është dekor për industrinë turistike.

Partia Demokratike në pushtet do të ofronte pesë garanci themelore:

Së pari, financimi privat të jetë shtesë dhe jo zëvendësim i përgjegjësisë financiare të shtetit për kulturën.

Së dyti, fondet publike të garantojnë mbështetje të posaçme për artin e pavarur, kritik, eksperimental dhe jofitimprurës.

Së treti, të krijohen mekanizma të posaçëm financimi për institucionet kulturore, artistët dhe projektet jashtë Tiranës, në mënyrë që kultura të mos përqendrohet edhe më shumë në kryeqytet.

Së katërti, Këshilli i Artit të ketë pavarësi reale institucionale dhe vendimmarrja për fondet të mbrohet nga kontrolli politik.

Së pesti, pasuritë kulturore dhe trashëgimia kombëtare të mbrohen nga çdo formë komercializimi që cenon interesin publik, autenticitetin dhe identitetin e tyre.

Partia Demokratike është fuqishëm pro teknologjisë, investimit privat, industrive krijuese dhe lidhjes së kulturës me zhvillimin ekonomik.

Por ne kundërshtojmë një model në të cilin shteti tërhiqet gradualisht nga përgjegjësitë, sponsori fiton ndikim mbi krijimtarinë, turisti shndërrohet në kriter të suksesit, infrastruktura merr përparësi mbi krijimtarinë dhe artisti vlerësohet kryesisht nga produktiviteti ekonomik.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale