Emiri: Prej 5 vitesh Galeria Kombëtare e mbyllur dhe pa asnjë datë hapjeje. Edi Rama e ka lënë kryeqytetin pa Muze, pa Galeri Artesh, pa Teatër dhe pa Cirk Kombëtar

Deklarata e Julinda Emiri, Kryetare e Këshillit Kombëtar të PD:

Partia Demokratike dënon me forcë lënien e vendit pa Galeri Kombëtare të Arteve, prej pesë vitesh tashmë, dhe kërkon transparencë të plotë nga Qeveria për rikonstruksionin e Galerisë, një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës dhe kujtesës kombëtare shqiptare.

Galeria Kombëtare mbylli dyert për rikonstruksion në tetor të vitit 2021.  Në gusht 2026, pesë vjet më vonë, vazhdon të jetë e mbyllur, dhe nën ‘rikonstruksion’. Ndërkohë, institucioni ka drejtor, administratë, buxhet, programe, thirrje për projekte, konkurse, faqe interneti dhe rrjete sociale.

Të gjitha i ka veç gjësë kryesore, dyerve të hapura të ekspozitave për publikun vendas dhe vizitorët e huaj.

Tre vjet pas lajmërimit për hapje të rikonstruksionit, në korrik 2024, Kryeministri Rama njoftonte publikisht nga kantieri se Galeria Kombëtare ‘po rilind’ me hapësira të reja ekspozimi, bibliotekë, laboratorë dhe një koncept të ri të sallave.

Dy vjet më vonë, nuk ka ndodhur asgjë nga këto dhe Galeria vijon të jetë e mbyllur.

Ministria përgjegjëse vazhdon të tenderojë punime për rikonstruksionin e saj, pra nuk jemi afër fundit të rikonstruksionit, por diku ku nuk e dimë.

Kjo nuk mund të konsiderohet thjesht një vonesë.

Pas pesë vjetësh, qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me këtë projekt, pse këto vonesa, sa ka kushtuar dhe kur do të përfundojë.

Partia Demokratike i kërkon Qeverisë t’u përgjigjen publikisht këtyre pyetjeve:

-Cili ishte afati fillestar për përfundimin e rikonstruksionit të Galerisë Kombëtare?

-Sa herë është ndryshuar apo shtyrë ky afat dhe për çfarë arsyesh?

-Sa ishte vlera fillestare e projektit dhe sa është vlera totale e kontratave dhe tenderëve të zhvilluar deri më sot?

-Çfarë punimesh shtesë janë miratuar gjatë zbatimit të projektit dhe sa kanë kushtuar?

-A janë respektuar kontratat dhe afatet nga kompanitë zbatuese?

-A janë aplikuar penalitete për vonesat dhe, nëse jo, përse?

-Kush ka mbikëqyrur punimet dhe kush mban përgjegjësi për zvarritjen e projektit?

-Kur do të hapet realisht Galeria Kombëtare për publikun?

Por ekziston edhe një çështje tjetër, edhe më e rëndësishme, se vetë rikonstruksioni dhe Galeria: Ku ndodhet koleksioni kombëtar i artit shqiptar?

Partia Demokratike kërkon informacion të plotë mbi vendndodhjen, kushtet e ruajtjes, konservimit, sigurisë dhe monitorimit të mijëra veprave të koleksionit kombëtar gjatë viteve që Galeria ka qëndruar e mbyllur.

Këto nuk janë pyetje politike për politikë të përditshme. Janë pyetje elementare për një institucion publik, një pasuri kombëtare dhe një projekt të financuar me paratë e qytetarëve shqiptarë.

Një Galeri Kombëtare nuk është magazinë pikturash, është kujtesa vizuale e një kombi, dhe një qeveri nuk mund ta mbajë këtë thesar pas skelave, zvarritjeve dhe gënjeshtrave për pesë vjet, ndërsa prodhon afate, tenderë dhe premtime të reja.

Partia Demokratike kërkon publikimin e plotë të kontratave, tenderëve, shtesave të kontratave, afateve, preventivëve dhe pagesave të kryera për rikonstruksionin e Galerisë Kombëtare, që nga viti 2021 deri më sot.

Gjithashtu kërkojmë një datë përfundimtare dhe të verifikueshme për hapjen e saj.

Si pjesëmarrësve e protestave, prej më se dy muajsh, dhe si aktore, jo vetëm e skenës, por edhe e rezistencës kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, unë e di se qytetarët në shesh janë aty edhe për këtë. Për korrupsionin, jo vetëm në rrugë, AKSH apo Polici, por edhe në art e kulturë.

Edi Rama duhet ta japë dorëheqjen edhe për këtë: si ish-artist, ish-ministër i Kulturës, si Kryeministri sot, që e ka lënë kryeqytetin e shqiptarëve pa Muze Kombëtar, pa Galeri Kombëtare Artesh, pa Teatër Kombëtar, dhe pa Cirk Kombëtar.

Këtë Shqipërisë nuk ia kanë bërë as pushtuesit më të egër.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale