DEKLARATË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka dënuar ashpër dhunën policore gjatë protestës së sotme në Tiranë, duke e cilësuar atë si terror shtetëror ndaj studentëve, të rinjve dhe qytetarëve që u ngritën kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po i përgjigjet revoltës qytetare me plumba gome dhe gaz lotsjellës, në vend që të japë dorëheqjen dhe të hapë rrugën për një zgjidhje politike. Ai shprehu solidaritetin me protestuesit dhe nderimin për dhjetëra mijëra qytetarët që u përballën me guxim me dhunën shtetërore.
Berisha theksoi se mosbindja civile nuk u kufizua vetëm në kryeqytet, por u shtri edhe në Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe qytete të tjera të vendit, duke e cilësuar atë si një revoltë të përgjithshme qytetare.
Lideri opozitar i bëri thirrje Edi Ramës të japë dorëheqjen urgjentisht, duke paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit në vend. Sipas tij, kryeministri duhet të tërhiqet për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje politike, në përputhje me aspiratat europiane të Shqipërisë.
Kryetari I PD, Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve në të gjitha qarqet që të mobilizohen për mosbindje civile, në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që i cilësoi si heronj të lirisë.
Ai ftoi gjithashtu qytetarët nga e gjithë Shqipëria që të vijnë nesër në Tiranë, duke e cilësuar kryeqytetin si vendin ku, sipas tij, do të vendoset fitorja e revoltës qytetare. Berisha e mbylli deklaratën e tij me thirrjen për mobilizim të përgjithshëm kundër qeverisë së Edi Ramës.
DEKLARATA E PLOTË
Mirëmbrëma!
Të dashur qytetarë dhe qytetare!
Tirana përjetoi sot ditën e dhunës dhe terrorit më të egër shtetëror ndaj studentëve të rinj dhe qytetarëve, në revoltën e tyre kundër narkoshtetit, kundër padrinos Edi Ramës, zjarrvënësit më të madh në histori të ëndrrave, të idealeve fisnike të të rinjve shqiptarë, të të ardhmes së tyre. Sot qytetarët dhe të rinjtë e Tiranës, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ishin në një mosbindje të plotë civile. Protestuesit, të rinj, të reja, burra, gra, u përballën si luanë me breshëritë e plumbave të vrasësve shtetërorë, me tonelatat e gazit dhe helmeve drejt tyre, por triumfuan. Tirana, kryeqyteti, nuk ka qenë kurrë më shumë se sot në duart e tyre. Mosbindja civile ishte Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça dhe qytete të tjera. Pra në qoftë se dje ishte dita e grevës së përgjithshme të universiteteve dhe gjimnazeve të vendit, sot ishte dita e mosbindjes civile të përgjithshme të qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit.
Përulem me nderimin më të madh para dhjetëra mijëra qytetarëve që shtruan këtë ditë me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre epike, në një ditë shprese të madhe për shqiptarët. Janë dhjetëra, dhjetëra të plagosur nga plumba gome me fuqi vdekjeprurëse, të plagosur në kokë, të plagosur në gjoks, të plagosur në krah dhe kudo. Kurrë ndonjëherë, siç kanë përdorur sot narkobanditët me uniformë breshëri të pandërprera plumbash gome nuk janë përdorur më parë.
Edi Rama kërkon gjak. Edi Rama kërkon viktima. Edi Rama i zhytur në krimet më të shëmtuara, në vend të dorëheqjes, preferon gjakderdhjen. Në vend të zgjidhjes politike, preferon konfliktin civil. Unë i them Edi Ramës dhe një herë, jep dorëheqjen urgjentisht, mos ço Shqipërinë drejt një konflikti civil, sepse do të jesh ti viktima më kryesore e tij. Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes të denjë për një vend anëtar të Natos, për një vend me aspirata të forta për integrimin europian. Jep dorëheqjen, në emër të ëndrrave, idealeve dhe të ardhmes së shqiptarëve, ndërtues i narkoshtetit më të konsoliduar në Europë dhe në botë. Jep dorëheqjen, mos u kthe në genin e etërve të tu mizorë, sepse ndëshkimi do të jetë i madh për ty. Njofto një minutë e më parë dorëheqjen.
Ndërkohë, shpreh solidaritetin tim me të gjithë qytetarët, të rinjtë, studentët, demokratë, pa parti, socialistë, çfarëdo qofshin në këtë protestë. U bëj thirrje qytetarëve, edhe si një akt përgjegjësie të vonuar, edhe si një akt detyrimi prindëror ndaj këtyre të rinjve, edhe si një akt detyrimi qytetar për të rikthyer në këtë vend shpresën e ligjit, liritë, të drejtat e shqiptarëve, të solidarizohen me revoltën si rruga më e sigurt e zgjidhjes më të shkëlqyer, por dhe si rruga e drejtë e historisë. Ju bëj thirrje demokratëve, demokratëve dhe mbarë qytetarëve në të gjitha rrethet të mobilizohen me të gjithë potencialin e tyre për mosbindje civile.
Mosbindja civile në çdo rreth është ndihma më e çmuar për studentët, luftëtarë të lirisë. Për studentët, për gjimnazistët, heronj të vërtetë. Këtij regjimi të urryer duhet t’i dridhet toka nën këmbë në çdo metër katror të territorit të këtij vendi. Ndërsa, për qytetarët që mund të vijnë në Tiranë nesër, të vërshojnë drejt kryeqytetit. Këtu është logu, këtu është sheshi, ku fitorja do firmoset nga qytetarët shqiptarë. Edhe një herë, thirrja ime: të gjithë në këmbë, për t’i dhënë ndëshkimin e merituar këtij regjimi të urryer për shqiptarët. Faleminderit.


