Edi Paloka në Këshillin Kombëtar: 20 shkurt protesta më e madhe. Le ti interesojë kujt të dojë, ta mbajë Ramën si diktator në Shqipëri, ne nuk mund të pajtohemi me këtë

FJALA E KRYETARIT TE KESHILLIT KOMBETAR, EDI PALOKA:

Sot edhe siç jeni njoftuar, këshilli kombëtar do të përqendrohet kryesisht në çështjen e protestës së 20 shkurtit pasi kjo është çështja më madhore që kemi tani si PD.

Do të bëjmë edhe një përcaktim të punës së gjithsecilit, ndarjes së deputetëve të grupeve të punës.

Për situatën politike jemi të qartë të gjithë.

Jemi në kushtet kur lideri i opozitës tashmë politikisht është në ‘arrest shtëpie’. Në parlament Rama pothuajse e ka përjashtuar opozitën nga të gjitha mundësitë që ka një deputet për të reaguar, për të ngritur zërin e qytetarëve që e kanë zgjedhur.

Megjithatë siç edhe e keni ndjekur, grupi parlamentar ka muaj që reagon fuqishëm, do të vazhdojë qëndresën. Ka pasur reagime jo të pakta edhe nga mediat dhe institucionet ndërkombëtare për ti plotësuar detyrimet kushtetuese opozitës.

Dua të ju kujtoj se të gjitha këto reagime  edhe të medieve dhe të institucioneve erdhën vetëm ditën kur parlamenti mori zjarr. Nuk e them për të nxitur asgjë përpara 20 shkurtit, por për ta pasur të qartë të gjithë se nëse ne nuk reagojmë, as ndërkombëtarët nuk do të na i kenë pas.

Ata që presin ende të na i zgjidhin problemet ata që praktikisht nuk jetojnë me problemet tona, e kanë gabim.

Prandaj dhe 20 shkurtin kështu duhet ta shohim.

Në radhë të parë unë hy tek ajo pjesë, ta quajmë, radikale e PD-së dhe tek kjo protestë, demokratët presin shumë. Megjithatë detyra jonë kryesore, parësore për 20 shkurtin është pjesëmarrja.

Forcën në radhë të parë duhet ta tregojmë me pjesëmarrjen. 20 shkurti është aty, kur të jemi me dhjetëra mijëra në shesh, siç e ka thënë edhe Berisha, e ka thënë edhe publikisht që; popullin një herë e drejton, dhe një herë të drejton.

Këmbëngul edhe njëherë të them është se detyra jonë, e deputetëve, Këshillit Kombëtar, të gjithë strukturave të PD është që në 20 shkurt të sigurojmë pjesëmarrjen më të madhe që kemi arritur ndonjëherë.

Revolta, pakënaqësia tek njerëzit ka arritur kulmin, është e vërtetë se sot jemi në një regjim diktatorial, dhe kjo pavarësisht se nuk ndikon te ne, ndikon tek një pjesë e njerëzve. Jo të gjithë kanë të njëjtin guxim, ideal, inspirim për të luftuar për drejtësi e demokraci. Ta kemi të qartë këtë.

Është detyra jonë që gjithë këta njerëz, që janë shumë të pakënaqur me këtë regjim ti marrim  dhe ti nxjerrim në rrugë.

Unë në daljet e mia publike një thirrje u kam bërë. Kushdo që ka një revoltë, pakënaqësi për të shprehur le të dalë të paktën atë ditë për ta shprehur me pjesëmarrjen e tij. Kjo është ajo pjesa jashtë nesh.

Ajo që ne duhet të bëjmë, janë vetëm 8 vite, ne duhet të jemi të gjithë në terren.

Sot siç e keni ndjekur, grupi parlamentar zhvilloi takimin e parë në selinë e PD, pas kaq kohësh. Duket një formalitet, por jam i bindur se për të gjithë ne është një arritje pas gjithë andrallave dhe vështirësive që kemi kaluar si PD. Është një hap i madh, drejt asaj që duam të arrijmë sa më shpejt; bashkimin e gjithë strukturës së PD dhe vënien në funksion jo vetëm të 20 shkurtit, por të fitores së zgjedhjeve të ardhshme.

Se në fund të fundit synimi ynë kryesor është rrëzimi i këtij regjimi dhe fitorja në zgjedhje.

Tani që Sali Berisha, është në kushtet që është, na takon të bëjmë 10 herë më shumë ne të tjerëve dhe jo të ulim kokën.

Na duhet të dhjetëfishojmë punën tonë që në 20 shkurt ti tregojmë kujtdo, atyre që janë brenda dhe që mund të vijnë nga jashtë, se ne nuk pajtohemi më me diktaturën. Le ta mbështesë kush të dojë, le ti interesojë kujt të dojë, ta mbajë Ramën si diktator në Shqipëri ne nuk mund të pajtohemi me këtë, përndryshe hajde të ikim të gjithë në shtëpitë tona dhe ta mbyllim këtë histori.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale