Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

E shtuna do jetë protestë kombëtare/ Berisha: E kanë thirrur studentët, do e mbështesë PD! Suksesi i kësaj dite duhet të jetë dërrmues për Edi Ramën dhe narkoshtetin shqiptar

FJALA E KRYETARIT TE PD-se, SALI BERISHA NE MBLEDHJEN E KRYESISE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se PD do të mbështesë plotësisht protestën kombëtare të së shtunës, të thirrur nga studentët dhe gjimnazistët, duke u bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të partisë të marrin pjesë masivisht në tubim. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ai e cilësoi protestën si një përballje me atë që ai e quajti ‘narkodiktaturë’ dhe kërkoi që pjesëmarrja qytetare të jetë sa më e gjerë. ‘Është dita e protestës kombëtare, e thirrur nga studentët, që e mbështet me të gjithë fuqinë e vet Partia Demokratike. Suksesi i kësaj dite duhet të jetë dërrmues për Edi Ramën dhe narkoshtetin shqiptar’, deklaroi Berisha.

Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se po përpiqet të pengojë protestat përmes kërcënimeve ndaj protestuesve dhe propagandës politike. Sipas tij, paralajmërimet për masa ndaj pjesëmarrësve janë shenjë e frikës së qeverisë përballë revoltës qytetare. Ai kundërshtoi gjithashtu përpjekjet për ta paraqitur lëvizjen studentore si një protestë të dhunshme apo anarkiste, duke theksuar se ajo, sipas tij, ka në qendër kundërshtimin e korrupsionit dhe të qeverisjes së Ramës. ‘Këta janë studente dhe studentë, gjimnaziste e gjimnazistë në kuptimin absolut liberatorë aq sa ishin studentët e vitit 1990’, u shpreh Berisha, duke e krahasuar lëvizjen aktuale me protestat që i paraprinë përmbysjes së diktaturës komuniste.

Në fjalën e tij, kryetari i PD-së Sali Berisha ngriti akuza për korrupsion, abuzime me fondet publike dhe keqmenaxhim të ekonomisë, duke përmendur inceneratorët, portin e Durrësit dhe kostot e ndërtimit të infrastrukturës. Ai u shpreh se, qeverisja aktuale ka dëmtuar ekonominë dhe ka nxitur largimin e shqiptarëve nga vendi.  

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës, duke u shprehur se, kjo është zgjidhja e vetme politike. ‘Ky duhet të ikë sa më parë dhe zgjidhje e vetme është Rama jep dorëheqjen’, deklaroi ai.  Partia Demokratike do të angazhohet në mbrojtjen ligjore të protestuesve, tha Berisha, duke theksuar se, kjo gjë ka ditë që vazhdon të bëhet.

Në fjalën e tij, lideri i demokratëve Sali Berisha garantoi se studentët dhe pjesëmarrësit në protesta do të kenë asistencë juridike falas, ndërsa u bëri thirrje degëve të partisë të organizojnë mbështetjen dhe të mobilizojnë qytetarët në të gjithë vendin. ‘Dhjetëra mijëra, qindra mijëra qytetarë duhet të jenë pararojë e studentëve’, tha Berisha, duke e cilësuar të shtunën si një ditë vendimtare për protestën kundër qeverisë.

FJALA E PLOTE:

Thirrëm këtë mbledhje kryes  ie në prag të protestës kombëtare kundër narkodiktaturës dhe narkoregjimit.

Edi Rama nga paniku i tmerrshëm që e ka ngërthyer, frika e madhe se dita e llogarisë po vjen, ka humbur logjikën, arsyen dhe është lëshuar në kërcënime bajate, vulgare që faktojnë të gjithë arketipin e tij psikologjik, genet e paraardhësve të tij prej xhelatësh dhe vazhdon kërcënime nga më të ndryshmet ndaj protestuesve.

Në mëngjes i fton për dialog.

Pasi ia përmbysin karriget, del tani me fjalim tjetër me bankierët dhe mendon se fuqia monetare e bankave do mund ta kthejë kundër protestës.

Bankat janë biznese, të cilat nuk funksionojnë sipas parimeve të një narkodiktatori, por funksionojnë sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të sektorit bankar financiar.

Sot ai kërcënoi protestuesit për blacklistime, për linçime, për heqje pasaportash udhëtimi, për bllokimi të transportit publik.

I nxjerr të gjitha nga arkiva e etërve të tij.

Kërcënon se do u bëjë ngarkim zhdëmtimin.

Shikoni të dashur qytetarë se çfarë hipokrizie, çfarë pretendon ky?

Ky njeri flet për dëme në një kohë kur ka ndërtuar me paratë e baballarëve të atyre që protestojnë sarajet me themele më të gjata se vila e Enverit, se diktatori ideologjik që kishim.

Ka rrethuar sarajet e tij me një park që nuk e ka as pallati mbretëror.

Ka paguar, ky që flet për dëme dhe taksa, ka paguar një litër naftë për metër katror sepse ka vendosur të ulë vetë çmimet pesë herë që mund të paguante ai.

Ky flet për dëme, ka fytyrë të flasë për dëme ky njeri që ka zhdukur 130 milionë euro në djegësin e Tiranës.

Që ka zhdukur në total 200 milionë euro me tre djegësat, asnjëri prej tyre nuk punon.

Ka fytyrë ky të flasë për zhdëmtime që ka lënë vendin pa porte për herë të parë në historinë e tij. Që portin e Durrësit e plaçkiti me Alabarin e tij për të ndërtuar Dubain e 1001 netëve.

Ka fytyrë ky të flasë për dëmtimet që ka ndërtuar rrugët me çmime 8 deri 10 herë më të larta.

Që ka ndërtuar shkolla 8 deri 10 herë më të larta se standardi i BE.

Ka moral ky të përmendë dëmtime? Njeriu që është akuzuar se ka transportuar me qindra valixhe diplomatike para të vjedhura dhe refuzon kontrollin parlamentar.

Ka fytyrë të flasë për dëme ky që do t’i plaçkisë aeroportin e Vlorës kompanive private vetëm se kontrata ka 130 milionë euro bileta të munguara, të firmosura prej tij.

A ka hipokrizi të shkallës më të lartë se kjo, më thoni mua?

A mund të flasë ky për dëmtime në një kohë kur me narkoshtetin e tij i ka bërë gjëmën Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Me narkoshtetin e tij që ndërtoi, vendosi në Shqipëri regjimin pushtues më shkatërrimtar.

A mund të flasë ky për dëme në një kohë kur me narkoeurot ka vrarë me mijëra ndërmarrje eksporti. Ka ulur prodhimin industrial me 15.3 përqind. Ka ulur në katër vite eksportet e vendit me 28 përqind.

A mund të flasë për dëme ky që me vjedhjet e tij, kartelet e drogës dhe narkoshtetin ka përzënë nga Shqipëria në 10 vite, 1 milion e 99 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën e Shengenit.

A mund të krahasojë ky veten me Makronin, me Melonin apo të tjerët, cili prej tyre ka të regjistruara akte të tilla?

Ky duhet të lajë gojën kur të përmendë emrat e tyre.

Ky sillet si një padrino.

Ky bën çdo gjë për të krijuar një mburojë dhe për të paraqitur këtë lëvizje çlirimtare studentore si një ANTIFA.

Asnjë element të ANTIFA-s. Zero

Lëvizja është kundër vjedhjeve të tmerrshme të tij.

A i dëgjoni studentët? Fëmijë emigrantësh, të rritur pa njërin prind. Të bërë burra, të bërë vajza të mëdha, të rritura, pa njërin prind në shtëpi sepse ua ka përzënë ky me politikën e tij.

Ua ka përzënë ky me politikën e tij dhe tani kalon si monstër nga një fjalë në një fjalë tjetër duke menduar se do mashtrojë komunitetin ndërkombëtar se këta janë ANTIFA.

Këta nuk janë ANTIFA.

Dhe pikërisht dështoi në mënyrën më të turpshme kur ky u përpoq t’u japë pamjen ANTIFA dhe organizoi sulmin ndaj selisë së PD.

Dhe organizoi sulmet ndaj selive të PD në të gjitha rrethet.

Se kjo i duhej atij të thoshte se ja këta nuk e kanë me mua, nuk e kanë me korrupsionin tim, nuk e kanë me drogën, nuk e kanë me narkoshtetin, këta janë anarkistë shkatërrimtarë.

Dhe u detyrua në fund të përdorë narkopolicinë e tij për të sulmuar selinë.

Të gjitha projektet e tij për të sulmuar selitë me polici kriminale, me agjentë civilë të policisë kriminale dhe Jago, ekstremistë të majtë të penetruar në protestë, kanë dështuar.

Letra e ANTIFA-s iu dogj Edi Ramës.

Këta janë studente dhe studentë, gjimnaziste e gjimnazistë në kuptimin absolut liberatorë aq sa ishin studentët e vitit 1990. Po, po, po.

Këta po përballen me një diktaturë të egër dhe shqiptarët i paralajmëroj, u them, në qoftë se koha do provojë, por genet e shpirtit të tij janë më të zeza se sa të Spiro Kolekës dhe Kristaq Ramës. Këtu do jemi.

Ky është një monstër, ky tiparet e barbarisë dominojnë mbi çdo tipar tjetër.

Po të mos ishte barbar në shpirt, si mund të lejonte 400 e sa mijë pensionistë me pension të pjesshëm që nuk blejnë dot absolutisht asnjë ilaç.

A i dëgjuat studentët, 100 euro bursë, çfarë do bëj unë me 100 euro?

Cili pensionist mund të paguajë ujin dhe dritat?

Po ky është i pashpirt, për të varfëria e tjetrit nuk ekziston ose është paaftësi e tij.

Mos harroni një moment, më vjen keq që do i rikthehem, por do i rikthehem se është provë e fuqishme e shpirtit të tij katran.

Në diktaturën komuniste, qytetarët me aftësi ndryshe përçmoheshin kudo. U viheshin nofka, tregoheshin barsoleta për ta.

E patë monstrën kur foli për nënën me fëmijë autik? Uli kokën e tij bosh për të imituar pozicionin e fëmijës.

Meritonte çdo ndëshkim në atë moment.

Janë të gjitha reminishenca, zgjime të ndjenjave të tij të dikurshme.

Ajo ishte një nënë heroinë, çdo nënë me fëmijë autik është heroinë, nuk ka nëna me heroike se ato të cilat merren me trajtimin e fëmijës së tyre me autizëm. Është një legjendë e nënës ai proces dhe ky e imitonte atë me mendësinë e përçmimit të trashëgonte nga familja e tij.

Ndaj dhe ka vetëm një rrugë, dorëheqja e tij.

Nuk mund të flasë ky për dëme.

Ky vetëm në punë publike me Lubi Ballukun dhe lukuninë e tij kanë vjedhur mbi 12 miliardë euro.

Ky duhet të ikë sa më parë dhe zgjidhje e vetme është Rama jep dorëheqjen.

Zgjidh midis fatit të Çausheskut dhe Ramiz Alisë.

Diktaturën e ndërtove vetë, ky vend kishte 100 probleme, por rotacionin politik e pati disa herë para teje.

Ligjet e këtij vendi mund të defekte, por rotacionin nuk e penguan.

Ti bllokove rotacionin se ti shndërrove zgjedhjet në farsë.

Jep dorëheqjen se është më mirë fati i Ramiz Alisë se fati i Çausheskut.

Këta të rinj kanë vendosur të marrin fatin e Shqipërisë në duar dhe këtyre u takon fati i Shqipërisë.

Të nderuar anëtare dhe anëtarë të kryesisë.

Nga njëra anë janë kërcënimet, barbaritë ndaj studentëve, breshëritë e plumbave të gomës, çarja e barkut, shpimi i kafkave, janë tonelata gazi dhe spraj ariu që hidhen drejt tyre.

Por po kaq mizore dhe barbare është propaganda që bëhet nga mjetet e qeverisë.

Po kaq kriminale është propaganda e një grupi, të cilët janë bërë prokurorë të protestuesve.

Paraqisnin dje studentë të Durrësit me shishe limonatash në dorë edhe i vinte shigjetën Top Turpi, i vinte shigjetën ja shishja Molotov.

Unë i them zonjës Hoxha, hiq dorë nga përdorimi i mjetit tënd si hanxhar ndaj protestës se shkel çdo ligj dhe rregull të medieve, çdo ligj dhe rregull kombëtar dhe ndërkombëtar.

Të dogjën një kioskë, të gjitha i ke të paligjshme, pse do marrësh ti lejen e 150 kioskave, me çfarë çmimi e more ti atë leje, na thuaj pak?

Pastaj lukunia e Ymerëve, Bolinove, Hidajet Beqirëve, Frrok Çupëve, po këta nuk duhet t’ua përmendësh emrin, çfarë emrash të zinj janë dhe çfarë vreri vjellin kundër studentëve.

Por që të gjithë të nxitur, të organizuar çdo ditë, çdo natë nga zyra e shtypit.

Edhe njëherë u them shqiptarëve se në misionin e saj, në parimet e saj, kjo lëvizje studentore është lëvizje liberatore siç ishte lëvizja e viteve ’90. Absolutisht.

Ajo luftoi, përmbysi një diktaturë ideologjike. Kjo po lufton me një diktaturë edhe më të keqe, diktatura e drogës, diktatura e bandave, diktatura e kriminelëve që nuk njohin ligj.

2 mijë mercenarë vendas janë veshur.

Shikoni miq, Sheqeri i Bashkisë. Shikoni pak, kur ia dogjën Bashkinë e Tiranës, nuk kishte këmbë njeriu aty se e dogjën vetë.

Sheqeri, komandanti i IKMT-së së Bashkisë, të gjithë banditët e tij i çon në mbrojtje të selisë së PS. I fut me hunj në selinë e PS.

Absolutisht e ka djegur Bashkinë vetë.

A i patë banditët që dolën dje me maska dhe ‘Rama në burg’ nga ministria.

Mediat kanë një meritë të jashtëzakonshme. Se vërtet janë një pjesë e mediave qeveritare, po të tjerat po bëjnë një punë të mrekullueshme.

Janë plagosur, kanë marrë plumba në kokë, në trup, gazetare e gazetarë.

I filmuan, dilnin banditët nga ministria me maska duke bërtitur ‘Rama në burg’, nuk thoshin ‘Berisha në burg’.

Jo se duhet të ishin më armiq tani që të futeshin të digjnin banka, që të futeshin midis protestuesve dhe t’i manipulonin simbas qejfit.

Skenar makbethian, skenar si në filma apo si të ish-policisë sekrete shqiptare.

Të dashur miq, Partia Demokratike është e përcaktuar në mënyrën më të vendosur:

Një, mbështetje të plotë protestës studentore dhe të gjimnazeve. Mbështetje të plotë dhe totale, qoftë me thirrjet e saj, qoftë me pjesëmarrjen direkte të çdo anëtari dhe anëtare të Partisë Demokratike është i thirrur, i kërkohet që të marrë pjesë në protestë.

Dy, me mbrojtjen e studentëve të revoltuar. Partia Demokratike ka bërë dhe bën gjithçka që të mbrojë studentët nga agresioni barbar ndaj tyre.

Unë dua të përshëndes deputetët, avokatët dhe drejtuesit e Partisë Demokratike të cilët kanë qenë së bashku me protestuesit dhe janë përleshur së bashku me ta me narkobanditët e krimit.  Dua të përshëndes deputetët dhe avokatët e Partisë Demokratike që kanë kaluar dhe kalojnë orë të pafundme në komisariatet e policisë, në gjykata, në paraburgime me studentët e dhunuar.  Garantoj studentët, protestuesit, se 24 orë mbi 24 orë do të kenë shërbim ligjor gratis kudo që ndodhen.

Partia Demokratike do të marrë dhe një seri masash të tjera dhe i ka marrë në mënyrë që mbështetja të jetë sa më efiçente.

Por deputetët e Partisë Demokratike dhe partia vetë ka bërë një punë intensive për mbështetjen ndërkombëtare ndaj revoltës studentore.

Shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre kongresmenëve, senatorëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që u kanë dhënë studentëve në protestë me deklaratat e tyre publike.

Joe Wilson, Keith Self, Pete Sessions dhe senatorit Brooker.

Shpreh mirënjohje të thellë ndaj personaliteteve të shquara të Bundestagut dhe të Parlamentit Europian, Knut Abrahams, Michael Gahler, bjë mirënjohje të thellë për deklaratat e tyre në në mbështetje të protestës studentore.

Zëra të fuqishëm, si në Parlamentin Evropian ashtu dhe në Bundestag dhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.  Një deklaratë e shkëlqyer u miratua nga IDU-ja, nga Unioni Demokratik Ndërkombëtar në mbështetje të kësaj proteste.  Përpjekjet vazhdojnë non-stop nga deputetët tanë, me të gjitha lidhjet nga selia qendrore për të paraqitur gjendjen reale të zhvillimeve në Shqipëri që s’kanë asgjë të përbashkët me ANTIFA-n, po janë një lëvizje e mirëfilltë antidiktatoriale në një narkoshtet që sot faktikisht është narkoshteti më klasik në Evropë dhe në botë.

Siç jeni në dijeni, anëtarët e kryesisë janë ndarë në detyra konkrete dhe kanë nisur punën, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Angazhimi juaj krahas drejtuesve të degëve, krahas koordinatorëve, ka një rëndësi kapitale. Dhe është barometri më i mirë i rezultatit të secilit.

Po, duhet të bëjmë gjithçka për rezultate të matshme.

Objektivat janë shumë të qarta.

Solidarizimi me grevën e studentëve nga çdo gjimnaz dhe shkollë në Shqipëri është e domosdoshme. Pjesëmarrja sa më masive në protestën e tyre është po kaq e domosdoshme.

Ndaj dhe duhet të ndërtoni aty ku jeni, të gjithë organizimin e nevojshëm në degën për të përmbushur këtë mision.

Protesta e studentëve dhe të rinjve gjimnazistë, e them dhe njëherë që të jemi shumë të qartë, është një protestë që ne e mbështesim totalisht dhe e mbrojmë atë.

Është një protestë në të cilën ne jemi më aktivë se kurrë.

Është një protestë në të cilën janë, në rolin e tyre që orën e parë, një numër i madh anëtarësh të Forumit Rinor dhe të Partisë Demokratike.

Dhe ata kanë meritë të veçantë. Dhe unë i përshëndes dhe i përgëzoj sot ata. Një grup që i përmbushi detyrat. I përmbushi në një kohë kur në pamje të parë ishte jo e lehtë. Duhet të jemi realistë.

Po kështu detyrat i ka përmbushur, në raport me zhvillimet të themi, ne mbështetëm Sindikatën e Pavarur, Departamenti i Arsimit u shndërrua në një bashkërendim dhe mbështetje të fuqishme me pedagogët.

Me qindra pedagogë të lidhur me Partinë Demokratike janë sot krahas të tjerëve në protestë.

Sindikata e Arsimit të Lartë në mbrojtje të interesave më të mira të pedagogëve të universiteteve dhe studentëve bëri thirrje, të cilës Partia Demokratike iu përgjigj me vendosmërinë më të madhe.

Në këtë aspekt, çdonjëri duhet ta ketë të qartë, kjo është një revoltë studentore, por ne jemi dhe do të jemi aktivë në këtë revoltë në mbështetje të studentëve me të gjithë potencialin tonë.

Ishte një meritë e madhe e veçantë e strukturave, të cilat treguan kujdesin e duhur për ta mbrojtur nga Jagot, nga ata të cilët punonin ditë e natë kundër protestës së 140-150 ditore. Ditën thërrisnin për dorëheqjen e Edi Ramës, në darkë në studio deklaronin se po protestojnë për korrigjimin e qeverisë.

Këta kanë shumë pak dallim nga ato maskat që dalin nga ministria e Brendshme duke bërtitur ‘Rama ik’. Të njëjtë janë, siamezë me ta.

Prandaj ne e kemi mbrojtur dhe do e mbrojmë protestën. Ta dinë mirë.

Protesta është protestë e idealeve të të rinjve shqiptarë. Janë Makbethë ata që kërkojnë ose mendojnë t’i minojnë ato. T’i manipulojnë ato.

E shtuna është një ditë shumë e rëndësishme, jashtëzakonisht e rëndësishme, për t’iu përgjigjur terrorit të kuq të Edi Ramës.

Do shënohet me germa nderi protesta e djeshme dhe vazhdimi i saj i pedagogëve të universiteteve.

Protestë që u mblodh pikërisht të nesërmen e ditës së terrorit më maksimal ndaj studentëve dhe që Edi Rama mendoi bashkë me falangat e tij të krimit, se po lante duart me protestën.

Pra aty, të nesërmen, mijëra pedagogë u mblodhën në krah të studentëve.

Tani është koha, dhjetëra mijëra, qindra mijëra qytetarë duhet të jenë pararojë e studentëve.

Duhet të mbështesin studentët dhe duhet të ndahemi me këtë të keqe.

Ndaj dhe krahas punës që do bëni çdo ditë në degët ku jeni ngarkuar, një ditë e veçantë është dita e shtunë.

Është dita e protestës kombëtare, e thirrur nga studentët, që e mbështet me të gjithë fuqinë e vet Partia Demokratike.

Suksesi i kësaj dite duhet të jetë dërrmues për Edi Ramën dhe narkoshtetin shqiptar.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale