BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, zhvilloi sot bashkëbisedimin e radhës me qytetarët, ku adresoi një sërë çështjesh thelbësore që lidhen me situatën politike, ekonomike dhe institucionale të vendit. Berisha theksoi se zhvillimet e ditëve të fundit konfirmojnë thellimin e kapjes së shtetit nga qeveria dhe narko-shteti dhe korrupsioni në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Berisha vlerësoi se miratimi nga CDI (International Democratic Union), grupimi më i madh i partive qendër të djathta në botë i rezolutës për situatën në Shqipëri përbën një moment historik për vendin dhe opozitën. Ai deklaroi se: ‘Ky është një dënim i qartë ndërkombëtar për regjimin e Edi Ramës. Bota demokratike e identifikon tashmë Shqipërinë si një narko-shtet të ndërtuar mbi korrupsion, kapjen e institucioneve dhe shkeljen sistematike të lirive.’
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha u ndal tek pasojat dramatike demografike dhe sociale të një dekade qeverisjeje socialiste: ‘Në 10 vite janë larguar 45% e shqiptarëve. Kjo është shifra më e rëndë në historinë moderne të vendit. Shqipëria sot ka lindshmërinë më të ulët në botë, krahasuar vetëm me niveli e para një shekulli.’
Kryetari i PD-së theksoi se kriza demografike nuk është fenomen i natyrshëm, por rezultat i drejtpërdrejtë i varfërisë, korrupsionit, mungesës së perspektivës dhe destabilizimit institucional: ‘Shqiptarët po largohen sepse ky regjim ua ka marrë shpresën, pronën dhe lirinë. Papunësia reale, ku inflacioni i vërtetë e tejkalon nominalin disa fish, po i shtyn familjet drejt emigrimit masiv.’
Berisha u ndal edhe tek lidhjet kriminale të qeverisë me kartelet ndërkombëtare të drogës, duke theksuar se akuzat tashmë janë të dokumentuara në raporte zyrtare dhe qëndrime publike të aleatëve strategjikë të Shqipërisë: ‘Lidhjet e Edi Ramës me kartelet janë të padiskutueshme. Këtë e konfirmojnë raportet ndërkombëtare, por edhe deklaratat e Presidentit Trump dhe Senatorit Rubio. Shqipëria nuk ka pasur kurrë një nivel të tillë të infiltrimit të krimit të organizuar në qeverisje.’
I pyetur nga qytetatët në lidhje me skandalin Balluku dhe përfshirjen e Edi Ramës, lideri i opozitës Sali Berisha argumentoi se kryeministri është bashkautor në shkeljet dhe veprimet që po hetohen: ‘Në Gjykatën Kushtetuese nuk shkoi Belinda Balluku, por Edi Rama. Vetëm ai mund të mbajë përgjegjësi për vjedhje të tilla të mëdha dhe arbitraritet të paprecedent në administrimin e fondeve publike.’
Lidhur me zgjedhjet e 11 majit, Berisha nënvizoi se tre raportet kryesore ndërkombëtare, të OSBE/ODIHR, Freedom House dhe institucioneve partnere, kanë certifikuar se procesi zgjedhor nuk ishte i lirë dhe i ndershëm: ‘11 maji ishte një farsë elektorale. Përmes presionit ndaj administratës, blerjes së votës dhe keqpërdorimit të burimeve shtetërore, Shqipëria u shndërrua në një parti-shtet tipik të modelit të vjetër autoritar.’
I pyetur për qëndrimet brenda Partisë Demokratike, Berisha theksoi se çështja e drejtimit të opozitës është ekskluzivisht në dorën e anëtarësisë: ‘Në kushtet e diktaturës së narkoshtetit, çdo debat mbi dorëheqjen nuk mund të zhvillohet jashtë vullnetit të demokratëve. Vetëm anëtarët e PD-së vendosin për drejtimin dhe misionin e tyre.’
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha konfirmoi se procesi i analizës së brendshme do të nisë menjëherë, duke u zhvilluar gradualisht në të gjitha strukturat e partisë: ‘Do të bëjmë analizën nga baza në krye. Çdo demokrat është i ftuar të kontribuojë me vërejtje dhe propozime. Synojmë të rrisim rolin e të rinjve, zonave periferike dhe profesionistëve në PD.’ Lideri i demokratëve njoftoi se takimet publike do të intensifikohen në të gjithë vendin: ‘Foltoret jashtë Tiranës nisin këtë javë dhe do të zhvillohen në çdo qark të Shqipërisë’.
Në mbyllje të bashkëbisedimit me qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ritheksoi se opozita e bashkuar ka një mision të qartë dhe historik. ‘Për Sali Berishën ka një mision dhe ky mision është të bëjë çdo përpjekje, për të bindur shqiptarët që të ngrihemi, të largojmë Edi Ramën dhe të votojmë të lirë si qytetarë’.
‘Këtu gërshetohen shumë. Së pari janë altoparlamentët e qeverisë, të cilët e dinë se problemi absolut i Edi Ramës është Sali Berisha. Dhe në fakt unë do të vazhdoj të jem problemi i tij me të gjithë forcën tim. Edhe i narkoshtetit edhe i krimit, sepse nuk bëj kompromis me këto.
Në fakt sot pas këtyre zgjedhjeve ndihem më i motivuar se kurrë në këtë betejë. Pse ndihem. Sepse është një mision nuk është një mision për pushtet, duhet ta dijë çdo demokrat’, tha gjatë fjalës së tij kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE
Mirëdita!
Të dashur qytetar dhe qytetare, të gjithë ju që ndiqni në rrjetet e mia sociale këtë bisedë të hapur.
Së pari dua të ju përshëndes përzemërsisht dhe shkurtimisht, të paraqes para jush zhvillimet më kryesore.
Gjatë kësaj periudhe PD arriti të miratojë në Internacionalen Demokrate të Qendrës, organizatën më të madhe dhe më të vjetër të partive të qendrës së djathtë në botë CDI, rezolutën që dënon dhe denoncon me forcën më të madhe Shqipërinë e Edi Ramës si shtetin e farsës elektorale, si shtetin që shtyp pluralizmin dhe opozitën, si narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, si një narkoregjim kleptokratik që vjedh qytetarët e vet.
E konsideroj këtë një arritje shumë të madhe, sepse denoncimi i të keqes që ka ngërthyer vendin, shndërrimi i saj në një problem ndërkombëtar, është padiskutim një detyrim dhe një arritje e madhe për PD.
Në tërë historinë tonë ne kemi patur armiq të të gjitha llojeve, pushtues të shumë kombeve, por theksoj se sot në rrafshin e materies kombëtare, narkoshteti dhe droga, provohen armiqtë tanë më të egër në histori.
Kjo sepse në tërë historinë tonë kombëtare nuk është regjistruar kurrë një periudhë në të cilën në një afat kohor 10 vjeçar të jenë larguar nga Shqipëria rreth 45% e popullatës.
Nuk është regjistruar ndonjëherë në histori që në një hark kohor të shkurtër, Shqipëria të rrokulliset 100 vite mbrapa në treguesit ekzistencial të saj, treguesit demografik.
Sot për shkak të këtij narkoshteti dhe spastrimit që u bënë shqiptarëve nga vendi i tyre, ne sipas OKB-së kemi lindshmërinë që kemi patur 100 vite më parë dhe kemi lindshmërinë më të ulët në botë.
Nga viti 2018 në Shqipëri dominojnë thellësisht vdekjet më shumë se lindjet.
Ndërkohë me këtë ritëm, me këto tempe ne ecim të sigurtë drejt asgjësimit tonë kombëtar, drejt boshatisjes së këtij vendi.
Ndaj dhe jemi të përqendruar në të gjithë mundësitë dhe potencialin tonë, të denoncojmë këtë të keqe të madhe që është e gërshetuar në një me shtetin shqiptar dhe quhet narkoshtet, që është sot për Shqipërinë dhe shqiptarët.
E vërteta se përpjekja jonë apo denoncimi ynë shkon në sintoni dhe në paralel me denoncimin e mediave më serioze ndërkombëtare të cilat nga viti 2017 dhe gjer sot në dhjetëra e dhjetëra artikuj, dokumentar, analiza kanë shpallur Shqipërinë narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, mbasi Shqipëria sipas të dhënave të OKB-së është eksportuesi numër 1 në Europë dhe Shqipëria sot, klanet shqiptare të drogës të lidhura me kartelet narkoterroriste të Amerikës Latine kontrollojnë gjerësisht tregun Europian të kokainës dhe përcaktojnë çmimet e saj.
Në rast se ju dëgjuat apo lexuat përshëndetjet sekretari i Shtetit Rubio dhe vetë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dërguar dje me rastin e festës së pavarësisë konstatonin se në mesazhet e tyre, problem madhor shtrohet lufta kundër organizatave kriminale, karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre, të cilët në Shqipëri janë duke filluar nga kreu i qeverisë dhe vazhdim më poshtë.
Po në këtë asamble të CDI, unë pata nderin të zgjidhem zv/president i kësaj organizate gjë që përbën një vlerësim shumë të madh për PD, opozitën shqiptare. Një mbështetje për opozitën shqiptare në betejën kundër narkoshtetit.
Por përveç kësaj, superskandali Rama-Balluku ka marrë përmasa të papara.
Të dashur miq. Për herë të parë në historinë e Europës, për herë të parë në historinë e vendeve të lira, një kryeministër padit gjykatën që pezulloi nga detyra zv/kryeministren hajdute, e padit në Gjykatë Kushtetuese.
Nuk ka ndodhur kurrë.
Edi Rama u tha shqiptarëve se pezullimi nuk ka ndodhur ndonjëherë në Europë. E vërteta është se pezullimi nuk është i shpeshtë në Europë. Sepse në Europë sapo ngrihet një akuzë, i akuzuari jep dorëheqjen dhe pret sqarimin nga drejtësia të problemit.
Kurse në Shqipëri jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por merr mbështetjen e kryeministrit për të paditur në Gjykatë Kushtetuese. Pra në Gjykatë Kushtetuese nuk shkoi Belinda Balluku e pezulluara, por në Gjykatë Kushtetuese shkoi Edi Rama, por në mënyrë absolute jo tashmë për vlerësimet apo sentimentet që ka ndaj Ballukut, por fund e krye për shkak të problemit madhor të vet sepse ai është bashkëautor në këto vjedhje të mëdha.
Është ai që dërgoi Ballukun në Ankara dhe takoi kompanitë turke të cilat morën 50 mln euro më shumë për tunelin e Llogarasë sesa kompani de fakto ndërtoi tunelin, që paraqiti një ofertë 50 mln më të lirë.
Pra kemi një kalbëzim, kemi një shkërrmoqe, kemi një rrokullisje të pashpresë të regjimit të narkoshtetit.
Ndërkohë PD ka nisur analizën e saj pas këtyre proceseve që ndodhën, pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR dhe rezolutës së miratuar në Sao Paolo të Brazilit nga CDI.

PYETJE PERGJIGJE ME QYTETARET:
Aldo Meta: Herën e kaluar thotë se, do të filloni takimet me foltoren në çdo cep të Shqipërisë. Deri më tani jeni përqendruar vetëm tek ajo e kryeministrisë.
Sali Berisha: Këtë javë fillojmë foltoret jashtë Tirane dhe do të vazhdojmë në të gjithë vendin.
Elidon Zera: Mesazhi i sekretarit Amerikan të Shtetit Marco Rubio, përveç urimit për 28 nëntorin kishte dhe një mesazh të drejtpërdrejtë për luftën e munguar në Shqipëri ndaj karteleve e trafikut të drogës dhe grupet kriminale ndërkombëtare, pasi aktualisht kjo është një front kryesor i SHBA-ve.
Ky mesazh duket se është një mënyrë për ti thënë Edi Ramës se ti ke lidhje me ta. Si e komentoni ju zoti Berisha.
Sali Berisha: Lidhjet e Edi Ramës me kartelet e drogës, tashmë janë të padiskutueshme. Ata të cilët presidenti Trump i ka cilësuar si organizata terroriste si Sinaloa e Meksikës, kanë qenë të pranishëm në takime me Edi Ramën, kanë përfituar licenca kazinosh dhe hotelesh.
Përveç kësaj, çarteri nga Tiranë në Aruba me qeveritarë, ku mundet dhe vetë Edi Rama, por nuk i kam të dhëna të sakta, për tu takuar me bosët e karteleve të drogës në Aruba janë dëshmitë më flagrante të bashkëpunimit direkt të Edi Ramës me kartelet e drogës.
Unë dua të ju them ju, se Ergys Agasi është bërë famos në mbarë botën dhe në këtë kontekst, mendoj se mesazhi i urimit të sekretarit Rubio dhe të presidenti Trump, prek apo trajton problemin më themelor që kemi sot ne si komb apo si vend, drogën, krimin dhe luftën kundër tyre.
Kjo përbën një inkurajim në përpjekjen tonë të madhe për të shpëtuar shqiptarët nga ky regjim i bazuar në drogën dhe krimin.
Marcel Çelo: Një nga pyetjet e mia është se kur do të jepni dorëheqjen nga PD, nga të gjitha funksionet e saj, të hapet rruga për zgjedhje të reja në PD, gjithë kasta e vjetër duhet të largohet nga PD. Të rinjtë duhet të marrin dhe të udhëheqin PD drejt fitores. Nëse keni burrëri ktheni përgjigje.
Sali Berisha: PD është një parti e cila përcakton fatin e drejtuesve dhe anëtarëve të saj nëpërmjet votës. Në kushtet e një pluralizmi funksional nuk ka asnjë dyshim që humbja e zgjedhjeve është kriteri më i shëndoshë për dorëheqjen e atyre që drejtojnë.
Por në kushtet e farsës elektorale dhe narkoshtetit, në kushtet kur zgjedhje janë farsë dhe jo zgjedhje normale, një akt i tillë do ti shërbente diktatorit dhe atyre që shtypin pluralizmin.
Një akt i tillë nuk mund të ndodhë, përveç se me votën e demokratëve shqiptarë.
Ndaj unë Marsel të ftojë të përdorësh votën tënde sipas vullnetit që ke, ose të marrësh pjesë në të gjithë garat e kësaj partie.
Pra, edhe njëherë në kushtet e diktaturave autoritare, qëndrimi në opozitë është një mision dhe largimi nga misioni bëhet vetëm nëpërmjet votës.
Laert Dyrmyshi: Ka patur reagime të shumta në lidhje me takimin e zhvilluar nga Salianji me kandidatë të primareve që morën më shumë vota. Ndoshta mos duhej të ishit ju që ta bënit këtë takim pas zgjedhjeve.
Sali Berisha: Kandidatët e primareve në tërësi i kam takuar ose i kam telefonuar. Vetë Salianji ka qenë disa herë në këtë zyrë, Ilir Alimehmeti edhe më shpesh. Në këtë kontekst askush nuk është i përjashtuar në këtë parti.
Po ka patur një problem serioz dhe ky problem ka qenë angazhimi ynë total në mbrojtjen e votës. Në rast se ju rikujtoni deklaratat e mia, ato kanë qenë dy.
E para me Edi Ramën zgjedhje nuk ka dhe kjo është përsëritur dhjetëra e dhjetëra herë.
Unë jam kryeministër dhe unë e di se, në rast se një kryeministër vendos të mos zhvillojë zgjedhje, por farsë, opozita nuk i fiton kurrë ato zgjedhje.
Ka të gjitha mjetet, siç thotë raporti i OSBE-ODIHR, të gjithë potencialin e madh për të rrëmbyer votën, për të shndërruar zgjedhjet në një farsë. Dhe Edi Ramë është i tillë dhe unë këtë e kam denoncuar me dhjetëra herë.
Por kam bërë një zotim tjetër, krahas kësaj. Zotimi ka qenë se do të mbroj votën. Çfarë do të thotë kjo. Pra do të bëj gjithçka për të vërtetuar se ishin zgjedhje apo farsë, se ishte votë e lirë apo e rrëmbyer.
Dhe kjo mendoj unë u realizua për herë të dytë në historinë e këtij vendi, u realizua për herë të dytë pas vitit 2001. U bë një përpjekje shumë e madhe, por një përpjekje në këtë aspekt plotësisht të suksesshme.
Tre raportet, e tre organizatave më të mëdha ndërkombëtare që erdhën së bashku dhe vëzhguan zgjedhjet dhe raporti i tyre i përbashkët faktojnë se 11 maji i 2025 ishte një farsë e vërtetë elektorale.
Po të marr raportin më të shkurtër të tyre, atë të Këshilli të Europës. Nëse ju lexoni me interes rekomandimet, njëri prej rekomandimeve bazë është në Shqipëri të ndahet partia nga shteti.
Çfarë nënkupton kjo? Kjo nënkupton se zgjedhjet në Shqipëri u mbajtën në kushtet e partisë-shtet. Zgjedhjet që zhvillohen në kushtet e partisë-shtet nuk janë kurrë më të lira, por janë thjeshtë farsë elektorale.
Mund të imagjinoni ju, një parti-shtet që organizon në periudhën kohore të ndaluara për aktivitete 4500 aktivitete elektorale në mënyrë që të ndikojë te zgjedhësi.
Që përdor 100 euro për çdo pensionist për të blerë vota.
Që fal, 1 miliardë. Gjer këto kohë kemi thënë 200 milionë. Jo. Llogaritjet treguan se janë falur 1 miliardë e 700 milionë gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit.
Që licencon mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis në vend.
Që përdor administratën si një ushtri elektorale në kundërshtim flagrant me ligjin dhe parimet ndërkombëtare.
Pra janë ky kompleks faktorësh i cili bëri të mundur që ne ti dalim zot votës së shqiptarëve, në kuptimin ligjor shqiptar dhe ndërkombëtar.
Kjo do të thotë se, çdo demokrat e demokrate, çdo opozitar dhe opozitare e ka legjitime betejën për përmbysjen e këtij pushteti dhe rivendosjen e votës së lirë. Dhe ky nuk është një rezultat i vogël. Kjo është realizuar dhe në vitin 2001, nëse ju kujtohet që u konkludua me një president konsensual, formulë e cila sot opozitës në vlerësim tim më të madh nuk i intereson.

Bled Piroli: Në këtë gjendje që ndodhet Shqipëria dhe qeveria, si ka mundësi që qeveria është e kaq e dobët në reagimin dhe mbështetjen popullore. A keni një analizë të thellë të brendshme si PD, a do e shikoni me seriozitet rinovimin që nga baza e deri në krye të PD, për arsye që të ringjallet shpresa.
Sali Berisha: Nuk është se opozita nuk ka dobësi, por në kushtet e një narkodiktature, ju duhet të realizoni se, jo në çdo kohë ka disponibilitet për reagimin. I gjithë problemi është ky.
Sot për fatin më të keq vrasja masive e shpresës nga narkodiktatura, shtypja e pluralizmit, dhe kontrolli pothuajse total i mediave, dhe censura, kanë bërë që njerëzit të kenë një apati.
Përsa i përket Partisë Demokratike. PD me vonesë për shkak të raportit ndërkombëtar për zgjedhjet i cili duhej të dilte patjetër sepse po bëheshin përpjekje të jashtëzakonshme për të ndryshuar raportin fillestar, dhe në rast se PD angazhohej në debatin e brendshëm, gjithçka i shkonte në interes Edi Ramës.
Shiko, ndiqni lajmet të cilat janë një fuqi e jashtëzakonshme. Çfarë ndodh?
Një debat i vogël ndodh diku mes opozitës, ose një mendim ndryshe, gjëja më normale. Sesi studiot televizive e shndërrojnë në çështje kryesore, vetëm e vetëm për të maskuar dhe fshehur para qytetarëve aferat e mëdha, më kosto dhjetëra e qindra milionë eurosh, të taksave të tyre.
Kështu që nëse ky qëndrim u mbajt, u veprua drejt sepse qeveria po bënte gjithçka për të diktuar ndryshmin e raportit të vëzhguesve ndërkombëtar, dështoi në këtë përpjekje plotësisht.
Atëherë në do të bëjmë analizën tonë, dhe ju e çdo anëtar e mbështetës i PD është i ftuar të kontribuojë. Ju thoni se duhen të rinj. Unë jam 100% dakord me ty, vetëm se këta të rinj nuk zbresin nga qiellin, por duhet ti afrojmë ne, ti afroni ju, duhet ti afrojnë mbarë demokratët. Pra nëse hyjmë në këtë proces, dhe të hyjmë në këtë proces me vendimin se, secili nga ne do të kontribuojë në afrimin e vlerave më të arrira drejt PD-së.
Ky do të ishte mendoj unë suksesi më i madh i analizës tonë.
Xhemzi Dika: Fillove foltoren, bëre Kuvendin historik në stadium. Pati frymë dhe shpresë për ringritje të PD pas dramës së Lul kotit. E le në mes për hir të bashkimit, a ke në mendje ta shkundësh qendrën e burokratëve të PD, në kurriz të demokratëve, me ringritë PD dhe demokracinë. Në mos shpresa vdiq! Respekte.
Sali Berisha: Xhezmin, për ty dhe të tjerë që e dinë të qartë. Sigurisht arrestimi im në shtëpi për 333 ditë ishte një kohë shumë e çmuar dhe unë nuk isha pa projekt. Unë kisha një projekt, i cili ju garantoj se edhe po ta zbatoja, përsëri me Edi Ramën zgjedhje nuk fiton opozita. Por do ta zbatoja, kisha një projekt.
Nuk mendoj se është bërë gabim që u bashkuam, nuk mendoj. Bashkimi ishte siç e patë dhe ju vetë kundërpërgjigje ndaj asaj përpjekje për zhdukjen e PD nga një bastard i xhelatëve të diktaturës, siç është Edi Rama.
Edi Rama pasi me Xhorxh Sorosin, bëri gjithçka që të më arkivonte mua në politikë, u vërsul pastaj që të kontrollonte PD me çdo kusht me ndihmën e shërbëtorëve të Soros.
Pra ajo betejë nuk ishte një betejë e thjeshtë, ajo ishte një betejë për ekzistencën e PD.
Sali Berisha kishte një rrugë tjetër, të rithemelonte një forcë politike të re, por nuk e meritonte PD kurrë atë. Nuk meritonte PD-ja të ja dorëzonte armiqve të saj këtë forcë politike. Jo.
Sepse sot edhe paraardhësi që pyeti, harron një gjë. Terrori politik ndaj opozitës nuk është një moment inkurajimi për qytetarët, përkundrazi, është një moment terrori për qytetarët dhe në këtë kontekst përpjekjet për bashkim ishin përpjekjet më të duhura. Dhe padiskutim që ato kishin një çmim, e pohoj, por nuk mund të pranoja kurrë që PD të transformohej në një parti jashtë idealeve dhe programit të demokratëve.
Agron Molla: Unë jam anëtar i PD nga Kurbini, nuk ka qenë pjesë e administratës në qeverisjen e PD, por qëndrestar i rrugës së Shpresës dhe protestave te bashkia. Ku e kam hallin unë. Unë e kam hallin se këta të quajtur demokratë na kanë dalë kundra, por këta prap do të jenë qeverisja jonë kur të vini në pushtet, apo do filloni nga e para se këta na kanë shkatërruar.
Sali Berisha: Në këtë moment, rast, duhet të ju sqaroj ju dhe çdo demokrat, se kjo kohë, kjo fazë nuk është beteja për pushtet për ne, është beteja për votën e lirë të shqiptarëve.
Se opozita pushtet nuk merr kurrë me Edi Ramën në qeveri. Dhe Edi Rama me farsë elektorale nuk largohet.
Çfarë tregon historia. Historia tregon se, farsa zgjedhore nga njëra tek tjetra shkojnë duke u rritur. Në kuptimin se, në rast se në njërën farsë janë fituar 52% të votave, në farsën tjetër bëhen 62-65%. Ndaj dhe ne në këtë fazë jemi në fazën e përpjekjes tonë për të çliruar shqiptarët dhe për të rikthyer votën e lirë.
Përsa i përket objeksioneve. Sigurisht që PD do të bëjë përpjekje për zgjedhjet më transparente dhe me integritet më të lartë. Por jo përçarja, por bashkimi është rruga, pavarësisht se na pëlqen apo jo, por rruga e vetme për të arritur qëllimet.
Në këtë kontekst, në rast se ne kemi pasur përplasje të brendshme, kapërcimi i tyre në vlerësimin dhe bindjen time më të thellë, ishte akti më i përgjegjshëm që ne bëmë para shqiptarëve.
Koçi Zeneli: Çështja Balluku është në dorë të Kushtetuese, i druheni një vendimi në favor të Ramës, çdo do e kthente në precedentë për të shkarkuar hajdutët.
Sali Berisha: Rama po bën gjithçka, çdo presion që Gjykata Kushtetuese të vendosë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe në kundërshtim me normat dhe standardin europian, kjo është e vërteta.
Ai ju tha shqiptarëve në prani të Marta Kos, se pezullimi i një zv/kryeministri është një akt i pashembullt në Europë. Ndërkohë kam paraqitur para dy ditësh, para shqiptarësh jo 1 por dhjetë raste ministrash, zv/kryeministra të cilët janë pezulluar nga gjykatat e vendit si persona në hetim ose të akuzuar po jo të dënuar.
Dhe standardi i pezullimit duhet të jemi të vërtetë. Standardi i pezullimit është një standard që përdoret kur ministri, zv/kryeministri apo cilidoqoftë kryeministri i vet kanë pafytyrësinë apo paturpësinë të japin dorëheqjen.
Këto nuk ndodhin në vendet me kod moralo-etik të qeverisjes së konsoliduar. Ka një kod, një person i akuzuar apo nën hetim. Unë do të ua rikujtoj prap ju dhe shqiptarëve.
Ilir Meta në vitin 2011 dha dorëheqjen si zv/kryeministër dhe hoqi dorë nga imuniteti i deputetit me motivin se unë nuk mund të paraqitem si zv/kryeministër para një prokurori, por do të shkoj si qytetar i thjeshtë në mënyrë që ai të mos ketë asnjë pengesë në hetimin tim.
Kurse sot kjo që ndodh, ndodh sepse Edi Rama është urdhër-dhënësi absolutisht i tenderit të tunelit të Llogarasë. Për Edi Ramën ka sot në dosje, me dhjetëra e dhjetëra mesazhe të shkëmbyer si me Lubinë dhe Berberin. Prandaj ndodh kjo që ndodh në Shqipëri. Ne betejën do e vazhdojmë. Edi Rama do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur. Po mbron veten e tij të kuptohemi, mbron veten e tij. Lubia i ka thënë atij; që unë nuk të lëshoj, do të marr me vete, për arsye se nuk kam bërë gjë tjetër veç se kam zbatuar porositë e tij. Në fakt të themi atë që është, se unë e kam thënë dhe ju garantoj se nuk ka një hajdut më të madh të kombit përveç Edi Ramës. Por në atë rast është e qartë si kristali se në Ankara, nuk e mori Lubia Ramën, por Rama mori Lubinë në Ankara ku u bë pazari i tunelit të Llogarasë, ku u takua kompania që fitoi tenderin me 50 mln më shumë se kompania e dytë e cila do të ndërtonte tunelin.
Pra jemi në këto kushte. A do ta fitojë Rama? Edhe mundet sepse këtu gjykatat këtu kanë faktuar që kanë marrë çdo lloj vendimi, por një gjykatë që vendos kundër vendimit të pezullimit, shkelmon me dy këmbët kodet dhe ligjet e vendit.
Nuk ka të bëjë pezullimi me asnjë të drejtë themelore të njeriut. Jo. Me të drejtat themelore të njeriut ka të bëjë bllokimi i pasaportës dhe detyrimi i paraqitjes në polici të deputetit. Por kësaj çështje fatmirësisht në rastin e Sali Berishës i tha okej, është në rregull, nuk ka nevojë për leje në parlament dhe unë, po të kisha qenë aty do kisha votuar bashkë me të se, nuk ka nevojë. Por kushtetuta e njeh këtë, kushtetuta thotë që ka nevojë, e shkeli gjykata. Është punë e saj. Ndërsa për pezullimin nuk ka absolutisht asnjë pengesë ligjore.

Aleks Kapllaj: Çdo korrupsion e ka origjinën në manipulimin e zgjedhjeve dhe votës së lirë. Rama e ka kapur pushtetin me zgjedhje të manipuluara dhe propagandë e mediave që janë në funksion të pushtetit të tij. Njëkohësisht Rama ka korruptuar me demagogjinë e tij edhe faktorin ndërkombëtar. Shumë media kritike ndaj Ramës censurohen. Sipas jush si arrihet të përmbyset kjo situatë. Dhe së dyti, a e fiton SPAK besimin tuaj nëse e arreston Edi Ramën për korrupsion.
Sali Berisha: Së pari, ju garantoj se, ato që quhen ato që quhen autokraci elektorale, dmth regjime që nuk bëjnë zgjedhje por zhvillojnë farsa, apo diktatura autoritare, pra regjime që pranojnë pluralizmin por e shtypin, siç bëri Edi Rama se, këtu njerëzit hutohen.
Të arrestosh tre liderët e 3 partive kryesore opozitare, dy ti arrestosh dhe tjetrin ta vesh në ndjekje penale në vit elektoral, do të thotë defakto ti japësh një goditje tmerrësisht të rëndë, opozitës dhe opozitarizmit, të përdorësh institucionet për të shtypur pluralizimin.
Kështu që cila është zgjidhja? Zgjidhja është Nepali, zgjidhja është Bangladeshi, zgjidhja është Madagaskari, zgjidhja është njerëz të revoltuar kërkojnë të drejtën e votës së tyre, nëqoftëse duan të votojnë të lirë dhe ne do të bëjmë gjithçka që të bindim shqiptarët për këtë.
Kjo është zgjidhja kryesore.
Dua të bëj një sqarim këtu. Personalisht gjithë jetën si njeri që ka për fe politike Kushtetutën dhe ligjin, kam patur dhe kam respektin më të madh për të gjithë ata që zbatojnë ligjin. Në kushte të vështira kërkon guxim, por është respekti më i madh për ta. Qofshin ata në SPAK, qofshin ata në çdo organ tjetër.
Tani dua të sqaroj pak qëndrimin tim ndaj SPAK.
Ka njerëz dritëshkurtër të cilët për mungesë memorie apo konceptesh mendojnë se unë, sulmova SPAK për shkak të veprimeve që bëri ndaj meje. Absolutisht jo.
Sulmet e mia ndaj SPAK kanë filluar në momentin dhe kohën kur ky institucion amnistoi dosjet 338 dhe 184, dosjet më flagrante të krimit elektoral. Të dashur miq, këto dy dosje janë bazuar në një procedurë ligjore të përsosur. Regjistrime të bëra me vendim gjykate dhe kërkesë prokurori. Dhe prokurorë SPAK në mënyrë më katastrofale i amnistuan këto.
Çfarë ishte kjo? Kjo ishte kazma në themelet e pluralizmit. Kjo ishte licenca për të shndërruar krimin në votë dhe votën në krim. Siç pak a shumë e tha një bashkëbisedues më parë. Kjo ishte licencë për Edi Ramën që bëj çtë duash me zgjedhjet se dua ti fitosh ti dhe jo opozita. Këtu nisi beteja ime me SPAK, dhe beteja ime ka nisur të paktën 1 vit para se ata të kërkonin masat ndaj meje.
Dhe për ta ditur ju të dashur qytetarë, gjatë atij viti ata bënë përpjekje të paftyra që të më rikatonin (shantazhonin), por morën atë që meritonin.
Pra, çfarë është ai që merr dosjen e krimit elektoral dhe e amniston. A nuk është ai një kriminel i urryer, i demokracisë, pluralizmit, i vendit të tij. Dhe i tillë është Altin Dumani, Kraja që ishte para tij.
Së dyti, dua të sqaroj shqiptarët. Altin Dumani është një nga emrat më të lakuar siç e dini, por Altin Dumani ka 4 apartamente sot. Dhe unë ju them qytetarëve shqiptarë, është gabim shumë i rëndë të mos realizosh se çdo të thotë për një nëpunës të shtetit të kesh 4 apartamente pa asnjë burim tjetër të ardhurash, përveç rrogës së tij.
Jam ish-president, ish-kryeministër dhe ua them unë ju, që me rrogën time, unë kam arritur që jo të blej një apartament, kredi nuk kam marrë, por të shes apartamentin që kam patur dhe të blej një tjetër 40 metra më të madh se, ai që kisha. Këto kanë qenë kursimet e mia.
Unë pa kredi në bankë nuk mund të bleja kurrë një apartament, që isha një nga rrogëlartit më të lartë të këtij shteti.
Nga erdhën burimet e parave të Altin Dumanit. Nga erdhën.
Së dyti, dua të qartësoj. Unë nuk mund të sulmoj kurrë, një gjykatës, prokuror, një hetues, një polic që zbaton ligjin. Përkundrazi nderimin më të madh për të, por nuk mund të pranoj kur shoh dosjen. Po marr dosjen ‘Toyota Yaris’ në të cilën rezultoi Taulant Balla, ministër kriminel që bën pazare me bandën e Suel Çelës për të ja rikthyer automjetet.
Që u kërkon gjykatësve që kalojani policisë që unë ti vonoj dhe të dalin jashtë afatit.
Nuk mund të pranoj kurrë. Po marr vetëm këtë dosje, por po të doni kaloj dhe në dosje të tjera. Dosja në të cilën prokurorët e SPAK bëjnë pazare për dhjetëra mijëra euro pagesa dhe janë bashkëpunëtor.
Më thoni mua. Në rast se ti merr e arreston një qytetar se, në mënyrë të paligjshme ka kryer një vepër dëmi prej 40-50 mijë euro, po një prokuror që ka kërkuar 70 mijë euro, që nuk ka pranuar 30 mijë se ka kërkuar 45 mijë etj., çfarë është? A nuk janë këto vepra krimi. Ku janë këto? Këto janë në sirtarin e Altin Dumanit. Atëherë më thoni mua, nuk duhet të ju them të vërtetën shqiptarëve? Absolutisht çdo gjë të ndodhë, unë do ju them të vërtetën.
Sikur çdo çmim të paguaj kurrë nuk do të tërhiqem nga e vërteta.
A ka aty, a janë të tjerë Dumanër? Ka dhe të tjerë, por nuk janë të gjithë. Ka prej tyre, dhe secili prej tyre që zbaton ligjin, ndaj cilido qoftë do të ketë mbështetjen, nderimin dhe vlerësimin tim më të madh.
Kam bindje, e kam thënë dhe tek dera e atij institucioni, se aty ka njerëz të ndershëm, hetues të ndershëm në BKH. Ka prokurorë të ndershëm, të rinj të ndershëm, por çfarë ndodhi?
Unë u tregoj të vërtetën shqiptarë dhe nuk janë përgënjeshtruar të vërtetat e mia.
Në rast se, Altin Troplini mban në xhep urdhër-arrestin e Elvis Doçit, të paktën nga data 26 prill deri në datën 22 maj, sa u arratis ai. A nuk meriton të quhet ky, Poja i SPAK-ut.
A duhet të pranojmë ne një gjë të tillë.
Në rastin e fundit, para 3 ditësh italianët gjetën se, Elvis Doçi ishte i implikuar në dërgimin 1 mijë e 300 kilogramëve kokainë në Itali. Përsëri është i lirë ai, udhëheq organizatën. Pra sigurisht midis asaj që të hesht para këtyre të vërtetave dhe të ja them publikut, unë zgjedh këtë të dytën. Detyrimi im është të ja them publikut dhe nuk kam asgjë.
E kam thënë dhe them, se ndihem i nderuar për faktin se, nga ata jam sot politikani i parë dhe i vetëm në Shqipëri politikani i parë dhe i vetëm në Shqipëri me veting të pasurive dhe të ardhurave të 33 viteve të fundit. Ua di shumë për nder këtë nisëm që morën. Dhe rezulton atë që kam deklaruar dhe asnjë thyerje ligji, asnjë shkelje nga unë dhe familjarët e mi.
Në këtë kontekst unë mbroj interesin publik. Unë nuk besoj kurrë se shqiptarët meritojnë prokurorë që bashkëpunojnë me krimin. Jo.
Nuk besoj kurrë se shqiptarët meritojnë prokurorë që blejnë apartamente me para të paligjshme. Që mashtrojnë. Ata duhet të jenë para ligjit. Merrni raportin që ka me Irena Gjokën.
Dje një ministër në Rumani dha dorëheqjen sepse unë tha, në përmbushjen e formularit e keqkuptova një moment dhe më shpëtoi pa deklaruar diçka që e kam patur. Irena Gjoka në të gjithë formularët ka mashtruar. Dhe kush e mbron sot? E mbron Altin Troplini i cili për ta mbrojtur edhe pse ekzistonin gjithë dokumentet që ajo është e dënuar dhe si e tillë ajo nuk mund të jetë kurrë gjykatës.
Ekzistojnë gjithë dokumentet se ajo ka mashtruar zyrtarisht në formular dhe ajo nuk mund të jetë kurrë gjykatës, i doli në fund për zot, pikërisht Altin Troplini. I hapi hetim paraprak për të mos e shkarkuar dot kush, se e kam në hetim unë.
Pra u bë avokat i të keqes. Ndaj dhe këto janë qëndrimet e mia, unë as nuk mund të hesht, as nuk mund të tërhiqem para këtyre të vërtetave.
Berti Ndoja: Pse e larguar nga partia atë gruan që foli në takimin e Kamzës me Flamur Nokën. Kështu do e reformoni partinë ju, me largime.
Sali Berisha: Ajo zonja që foli me Flamur Nokën, nuk është larguar nga partia dhe askush nuk mund të largojë absolutisht asnjë anëtar dhe simpatizant pse i tha këto, Sali Berishës, Flamur Nokës apo cilit do drejtues. Kjo nuk ekziston në këtë parti.
Zonja nuk mund të largohet, nuk mund të përjashtohet nga partia asnjë njeri për mendimet e tij.
Por nëqoftëse ta supozojmë në rastin ekstrem se ndodhi, zonja ka të gjithë rrugën të hapur për ankesën ndaj padrejtësisë që mund të pretendojë se i është bërë.
Në vend të kësaj, ajo zgjodhi mediat, ajo bëri një zgjidhje të saj. Por në dijeni time, në raportimet që janë bërë, ajo nuk është përjashtuar nga partia. Nuk ka asnjë vendim të asnjë forumi, të asnjë qelize të partisë për përjashtimin e zonjës nga PD dhe nuk mund të ketë për asnjë anëtar.
Tani ne jemi Parti Demokratike, e mendimit të lirë, secili. Po. Ti mendon se, unë duhet të largohem apo tjetri duhet të largohet. Normal. Por kur vjen puna ama se mendimin tënd do e shprehësh me votë dhe do të krijojë ty mundësi të plotë që të shprehësh me votë mendimin tënd.
Fitim Sula: Përse nuk e cilësoni veprimtarinë e kryeministrit si tradhëti të lartë të kombit dhe atdheut. A i shërbyer shkatërrimit dhe shuarjes së kombit ky individ, apo jo.
Sali Berisha: I nderuar zotëri, me dhjetëra e dhjetëra herë e kam krahasuar me Gjorgjeviçin, me Çubrilloviçin dhe Pashiqin. E kam konsideruar argat dhe të jem i sigurtë që nuk e kam bërë pa bindjen më të thellë, argat të Aleksandër Vuçiçit. Një armik po aq i egër i shqiptarëve në Kosovë, sa vetë Vuçiç.
Unë besoj se nuk kam lënë kualifikim apo epitet që Edi Rama ka merituar dhe nuk ja kam shprehur.
Agim Bushaj: Doktor, po të shkruan një ish-student i dhjetorit të ’90. Përse Shqipëria lëngon nga korrupsioni i paparë. Po të ishe ti në pushtet, qeveria do ishte rrëzuar për 24 orë, pse kjo qeveri nuk rrëzohet.
Sali Berisha: Kjo qeveri i dashur mik, ka vendosur në Shqipëri narkodiktaturën. Ka vendosur në Shqipëri një regjim i cili arreston në vitin elektoral dy lider kryesorë të partive kryesore opozitare si persona nën hetim, dhe vendos në ndjekje penale liderin e partisë së tretë.
Që burgos deputetë të PD pse denoncojnë lidhjen me drogën të vëllait të ministrit të Brendshëm. Që merr mandate të zgjedhurve.
Pra kemi të bëjmë me një regjim represiv i cili dhunon votën, qëndron në pushtet duke dhunuar votën dhe kontrollon mediat.
Kontrolli i mediave i jep asaj mundësi shumë të mëdha, të manipulojë, të falsifikojë të vërtetat dhe realitetin shqiptar. Në këtë kuadër unë ju ftoj ju dhe çdo shqiptar, të bëjnë dallimin mes një diktature autoritare dhe një pluralizmi politik funksional demokratik.
Diktatura autoritare nuk zhvillon zgjedhje. Ju a keni dëgjuar njëherë të shprehë shqetësimin më të vogël nga ky kryeministër apo qeveria e tij se, nga vendi në 10 vite vetëm në hapësirën Shengen janë larguar 1 milionë e 100 mijë shqiptarë.
Ju e dëgjuat vetëm 1 javë më parë, deklaratën e tij që nuk mund ta bënte kurrë një njeri i qytetëruar, një kryeministër se, të sëmurët me sëmundje malinje mbetën pa ilaçe mbasi ata ishin shumë. Nuk ka gjë më të tmerrshme, kur një kryeministër që administron një buxhet prej shumë miliardë euro, një kryeministër që në 12 vite ka administruar një buxhet prej 67 miliardë euro, të pretendojë në mënyrën më çnjerëzore se, të sëmurët mbetën pa ilaçe sepse ishin shumë.
Kjo është deklaratë horror e Edi Ramës. Kurrë ata nuk mund të mbeteshin pa ilaçe. Ata mbesin pa ilaçe sepse Edi Rama vjedh shumë. Se Lubi Balluku dhe ministrat e zyrtarët e saj vjedhin shumë buxhetin dhe pasuritë publike. Se ata vjedhin fondet e ilaçeve të të sëmurëve me kancer.
Se ata mendojnë vetëm për jetën, luksin dhe pasurimin e tyre.
Ndaj dhe të sëmurët mbeten pa ilaçe. Kështu që duhet të realizojmë se jemi në kushtet e një narkodiktature, është një regjim krejt tjetër nga ai që mund të mendohet.
Besnik Pëllumbi: Kush kërkon dorëheqjen tënde, është injorant i politikës, mendoj unë. Kush je ti në qeveri, çfarë të këqija i ke sjellë ti këtyre që kërkojnë këtë nga ju. Jeni vetëm një opozitar i flaktë në të mirën tonë. Nëse nuk do të ishit ju nga opozita nuk do të kishte dalë asnjë nga këto megavjedhje, megakorrupsion i qeverisë.
Sali Berisha: Tani, relative kjo. Ata që kërkojnë dorëheqjen kanë të drejtën e tyre të kenë çdo kërkesë. Por theksoj edhe njëherë, në mënyrë absolute nuk ka njeri në Shqipëri të ketë dhënë dorëheqjen më shumë se unë.
Ju garantoj se kurrë nuk e kam patur një akt aq të vështirë dhe të dhimbshëm dorëheqjen, jo. Në rast se zgjedhjet do të ishin zhvilluar në kushtet e një kuadri normal, të vlerësuara jo vetëm nga ne, por dhe nga komuniteti ndërkombëtar, ju siguroj se javën e 3 maksimumi të 4 pas tyre, Sali Berisha nuk do hynte më në këtë zyrë.
Unë i kam faktuar këto. Por në kushtet e një farse elektorale, për Sali Berishën ka një mision dhe ky mision është të bëjë çdo përpjekje, për të bindur shqiptarët që të ngrihemi, të largojmë Edi Ramën dhe të votojmë të lirë si qytetarë.
Këtu gërshetohen shumë. Së pari janë altoparlamentët e qeverisë, të cilët e dinë se problemi absolut i Edi Ramës është Sali Berisha. Dhe në fakt unë do të vazhdoj të jem problemi i tij me të gjithë forcën tim. Edhe i narkoshtetit edhe i krimit, sepse nuk bëj kompromis me këto.
Në fakt sot pas këtyre zgjedhjeve ndihem më i motivuar se kurrë në këtë betejë. Pse ndihem. Sepse është një mision nuk është një mision për pushtet, duhet ta dijë çdo demokrat. Po nuk larguam Edi Ramën, opozita në pushtet nuk vjen kurrë.
Shtroni pyetjen secili prej jush, cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se, nuk do ishin arrestuar dy liderët e partive kryesore opozitare në vitin elektoral dhe i dhënë tjetrit për ndjekje penale.
Në rast se nuk do ishin organizuar me paratë e taksë paguesve në kundërshtim me ligjin, në periudhën e ndaluar me ligj, për të ndikuar tek zgjedhësit 4530 aktivitete.
Në rast se qeveria nuk do të kontrollonte 90% të mediave.
Në rast se punonjësit e administratës publike që duhet të jenë shërbëtorë të qytetarëve shqiptarë nuk shndërrohen në plaçkitës dhe policë të votës së tyre.
Në rast se me fondet tuaja nuk do ti jepej çdo pensionist 100 euro për të marrë votën.
Në rast se nuk do të faleshin 1 miliardë e 700 milionë euro gjoba dhe kamata të viteve të fundit.
Në rast se nuk do të bëheshin punësime të përkohshme dhe të jepeshin dhjetëra mijëra leje ndërtimi, legalizimi, certifikata pronësie, të gjitha këto në kundërshtim me ligjin.
Në rast se nuk të licencohej mbjellja e 28 mijë hektarë kanabis nga 200 hektarë.
Tani unë e di që ka njerëz që duan ti rrafshojnë, ti bëjnë të paqena këto, por këta janë mjeranë. Ua them këtyre të cilët e bëjnë me qëllim këtë, këta janë skllevër, janë mjeranë, janë shërbëtorë me lek apo pa lek të një regjimi të urryer për shqiptarët.
Ata që nuk e kanë të qartë ata duhet ti lexojnë dhe duhet të dinë se në këto rrethana zgjedhje nuk ka, ka farsa elektorale dhe kjo është arsyeja që Sali Berisha vazhdon më i motivuar se kurrë këtë betejë, me besimin e madh që do të ja dalim të largojmë këtë të keqe të madhe nga pushteti dhe shqiptarët të votojnë të lirë.
Beteja ime është një betejë për liritë më themelore të shqiptarëve.
Faleminderit!


