PRONONCIM PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA PËR FESTËN E ‘DITËS SË VERËS’ NË ELBASAN
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr.Sali Berisha gjatë një vizite në qytetin e Elbasanit me rastin e festës së Ditës së Verës, tha se shqiptarët janë më optimistë se kurrë për ndryshimet që do të sjellë 11 maji. Gjatë një prononcimi për media Berisha premtoi se do të ndërmarrë masa të rëndësishme ekonomike për të luftuar varfërinë, duke përfshirë një rritje të menjëhershme të pensioneve dhe pagave.
Krydemokrati, Sali Berisha deklaroi se rroga minimale do të jetë jo më pak se 500 euro, ndërsa rroga mesatare do të arrijë në 1200 euro. Ai gjithashtu premtoi dyfishimin e pagave dhe një shpërndarje më të drejtë të pasurive të vendit, duke ulur hendekun midis pagave të larta dhe të ulta, që aktualisht është shumë më i thellë se në çdo vend tjetër. Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se pasuritë natyrore të Shqipërisë për përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
Kryedemokrati, Sali Berisha, iu drejtua qytetarëve që të mos japin vota për “patericat e Edi Ramës,” duke theksuar se ata u ftuan publikisht të bashkoheshin me opozitën, por nuk e bënë. Ai i cilësoi ata si bashkëpunëtorë të Ramës dhe theksoi se votat për ta do të shërbenin vetëm për forcimin e qeverisë së Ramës. Berisha nënvizoi se ai dhe aleanca e tij kanë programin më të mirë për të ndryshuar Shqipërinë, duke ofruar një arsim dhe shëndetësi më të mirë, si dhe një Shqipëri më të madhe dhe të fuqishme. Ai theksoi gjithashtu bashkëpunimin me Chris LaCivita, një ekspert elektoral i njohur, i cili ka pasur sukses në fushatën e Donald Trump në SHBA, dhe e cilësoi atë si një forcë të rëndësishme për suksesin e koalicionit të opozitës.
PRONONCIMI I PLOTË
Qytetarëve të Elbasanit banorëve të këtij rrethi, mbarë shqiptarëve, iu uroj nga zemra këtë festë më të lashtën, më të bukurën e festave, festën e ndërrimit të natyrës, festën e shpresës, e bukurisë, e luleve.
Dita e Verës e gjen Elbasanin, i gjen shqiptarët më optimistë, më besimplotë se kurrë në ndryshimin e madh të 11 majit.
Kjo ditë frymëzon çdo shqiptar që me 11 maj të ndahet nga ky regjim që i varfëroi ata gjer në palcë.
Dhe unë sot nga Elbasani dua t’u premtoj shqiptarëve kudo që janë se tre muajt e parë, ajo që e kemi quajtur paketë e dhembshurisë, do të nxjerrë çdo shqiptar nga varfëria ekstreme,ata që janë.
Do të thotë se do jenë një minimum jetik prej 200 eurosh.
Nuk do ketë pensionist që do marrë nën 200 euro, pavarësisht sa e ka sot pensionin dhe pavarësisht nëse ka apo jo pension dhe pavarësisht nëse e ka të plotë apo të pjesshëm.
Pra do bëhet një shpërndarje e re e të ardhurave buxhetore.
Do ketë një rritje 20 përqind të pensioneve.
Do ketë një rrogë minimale 25 përqind më të lartë se kjo që është sot, pra do jetë jo më pak se 500 euro.
Do ketë një rrogë mesatare 1200 euro dhe unë zotohem para qytetarëve të Elbasanit dhe Shqipërisë dhe dua të rikujtoj këtu se për rastësi, premtimet e mia për dyfishimet e rrogave i kam bërë në këtë qytet dhe e kam mbajtur fjalën.
Përsëri unë e mbaj fjalën, rrogat do dyfishohen.
Dhe nuk do ndalim vrapin tonë gjersa të bëhemi përsëri njerëzit më të paguar në rajon.
Kur ne të bëhemi njerëzit më të paguar në rajon do të thotë se ne gëzojmë të mirat dhe pasuritë që gëzon ky vend dhe i shpërndajmë ato me zemër në dorë, i shpërndajmë me drejtësi, jo duke krijuar një hendek të tmerrshëm midis rrogëlartëve dhe rrogëulëtëve.
Ky hendek është në Shqipëri 2 deri në 2 herë e gjysmë më i thellë se në çdo vend tjetër.
Në qoftë se në SHBA, presidenti i vendit merr një rrogë sa 5 rroga mesatare të qytetarëve të atij vendi, në Shqipëri presidenti merr një rrogë sa 10 rroga mesatare të këtij vendi.
Ndaj dhe do rrisim rrogat e ulëta dhe rrogat mesatare dhe do arrijmë të ndahemi nga kjo e keqe që po e zbraz Shqipërinë.
Shqipërinë po e zbraz varfëria, ndërkohë që nuk ka një vend tjetër më të pasur në pasuri natyrore.
Kështu që ftoj ta vazhdojmë së bashku këtë betejë.
Me 11 maj ne shkojmë besimplotë, shkojmë me programin më të mirë për të ndryshuar jetën e shqiptarëve.
Shkojmë me programin më të mirë për një arsim cilësor dhe një shëndetësi cilësore.
Me aleancën më të gjerë elektorale që kemi firmosur ndonjëherë.
E gjithë qendra e djathtë, i gjithë fluksi është bashkuar.
Do t’u them qytetarëve, asnjë votë për patericat e Edi Ramës, sepse ata u ftuan botërisht, pavarësisht nga mendimet e ndryshme, nëse e ndjeni veten opozitarë, bashkohuni me ne në aleancë.
Mirëpo ata nuk i lejuan problemet e tyre ndaj dhe votat për ta janë vota për Edi Ramën, de facto.
Përveç kësaj, ne kemi programin më të shkëlqyer, programin e Shqipërisë Madhështore, një program që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë më parë, por që u garantoj se do jetë realitet i padiskutueshëm.
Tani, të them të vërtetën, kemi edhe kryemagjistarin, bashkëkryestrategun e fitores më të madhe në historinë e njerëzimit, siç ishte rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë me datën 20 janar.
Chris LaCivita është një fuqi natyrore elektorale në vetvete.
Edhe njëherë Gëzuar Ditën e Verës!
Deputetëve të Elbasanit iu uroj gëzuar, meqënëse unë iu urova të gjithë qytetarëve, gëzuar festën e Ditës së Verës.
Për sa i përket deputetit që thatë ju, ai bëri zgjedhjen e tij. Midis betejës në sheshin e burrave, zgjodhi Tikun dhe shkoi në punë të vetë. Nuk kam çfarë të them. Bëri gabim, por prap ka kohë ta mendojë atë vendim.
Faleminderit dhe gëzuar!


